Përjetësi » Kadare
Kadare: Ndarja hap radhën e një konflikti të ri të pambarueshëm në Ballkan
E diele, 26.08.2007, 05:41 PM
Ismail Kadare |
Zoti Kadare, bisedimet për statusin e Kosovës kanë hyrë në një fazë shtesë prej 120 ditësh. Çfarë rezultatesh mund të priten, sipas jush?
Këtyre 120 ditëve nuk iu jap ndonjë rëndësi. 120 ditë nuk janë ndonjë gjë, kur flitet për gjëra të mëdha për një popull. Në këtë rast kemi të bëjmë me lirinë e tij. Problemi është, çfarë thelbi kanë këto 120 ditë. Përse? Këtu krijohet një problem, në fakt jo fort i qartë, për askënd më duket nuk është i qartë. Problemi është këtu. Këtu është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme, e thellë dhe e padiskutueshme. Bëhet fjalë për lirinë e një populli ose për robërinë e tij. Të tjerat janë, nëqoftëse do t'iu jepet rëndësi të tjerave, në krahasim me këtë janë profka si të thuash. Ky është thelbi dhe ky thelb nuk duhet harruar asnjëherë. Është një popull i tërë që kërkon gjënë më të vjetër që ka kërkuar njerëzimi, që është bazë e qytetërimit, që është liria e tij. Prandaj më habit disa herë çoroditja, qoftë e opinionit, qoftë e medias, qoftë e diplomatëve, qoftë e qeverive për një gjë që s'duhet të kishte dilemë. Në të vërtetë, për këtë nuk ka pasur dilemë përpara, do të thotë, kur Evropa hyri në konfliktin e Ballkanit, ajo pikërisht këtë e pati të qartë, të marrë këtë guxim të madh, të bombardojë një shtet që quhet sovran, Serbinë, Jugosllavinë. Pra, ajo e pa që lirira e një populli u cenua në mënyrën më barbare që mund të mendohet. Tashti ka njëfarë pendimi për këtë gjë, njëfarë kthimi pas, njëfarë rishikimi, revizionimi të kësaj. Mua kjo më duket jo vetëm e padrejtë, kjo është fjalë e dobët shumë, por pak a shumë që njolla e bardhë që Evropa i vuri vetes, ai nder që bëri, po kthehet tashti në të kundërtën e vet, në të kundërtën e saj. Ky pendim është njëherësh absurd, i pakuptueshëm. Pendim pse u bombardua një shtet, Jugosllavia. Thuhet ose s'thuhet hapur, ndihet ky pendim. Në Ballkan ndodhi një gjë që ka qenë shumë e qartë, ndodhi një nga krimet më monstruoze në historinë e Evropës, në gjithë Ballkanin, në gjithë Evropën. Pra, një popull u shpërngul, gjysma e tij, një milion banorë. U bë spastrim etnik, të cilin nuk po e krahasojmë me spastrimin etnik të hebrenjve, por për intensitetin, për kohën që u bë, rivalizon me të. Është shumë i tmerrshëm, sepse u bë për disa javë dhe ky krim nuk krahasohet me bombardimin që iu bë një regjimi barbar, që e kreu këtë krim. Në botë, e kam thënë shumë herë, nuk ka masakër të domosdoshme dhe të nevojshme, por ka bombardim rrallëherë të nevojshëm, siç u bombardua Gjermania naziste. Evropa nuk duhet të ngatërrohet në këtë gjë. Nuk duhet të ketë pendim. Nuk duhet të ketë kthim prapa. Ajo duhet ta detyrojë përkundrazi Serbinë që të kërkoj ndjesë për këtë, të kërkojë falje. Jo, është kthyer e kundërta. Serbia po përkëdhelet dhe duke e përkëdhelur, Evropa po i bën dëmin më të madh Serbisë, popullit serb. E zhyt më thellë në fajin e tij. Ky popull duhet të kuptojë ç'kanë bërë ushtarët e vet, paramilitarët e vet, viteve në Kosovë dhe vendet e Jugosllavisë. Nëse ai kupton, ai çlirohet nga një gjë e keqe dhe kjo ndihmon demokracinë serbe. Nuk e ndihmojnë këto pazarllëqe. Nuk ka demokraci në Serbi, në qoftë se nuk pranohet ky krim.
Së fundi, ka ide për opsionin politik, se pavarësia e Kosovës mund të pranohet me ndarjen territoriale të saj. Si e komentoni ju këtë?
Unë mendoj se ky është vazhdim i atij keqkuptimi që thashë. Kjo ndarje është një pazar jo i pastër dhe po them me përgjegjësi të plotë, kjo ndarje do të hapë radhën e një konflikti të ri të pambarueshëm në Ballkan. Do të hapë vatra sherresh, grindjesh, të cilat do t`iu kushtojnë jashtëzakonisht shtrenjtë popujve këtu dhe Evropës bashkë. Prandaj, kjo nuk e zgjidh, kjo nuk e mbyll, kjo hap një konflikt të ri të tmerrshëm. Nuk duhet të ketë simetri në punën e Kosovës. Prandaj e thashë, problemi kush e bëri krimin dhe kush e pësoi është themelor. Raporti me krimin është raporti themelor në pastrimin e një demokracie. Nuk mund të ketë raport tjetër më të fortë se ky.
Në Kosovë është paralajmëruar se në fund të negociatave 120-ditëshe, nëse ato dështojnë, mund të ndodhë shpallja e njëanshme e pavarësisë. A mendoni se komuniteti ndërkombëtar do ta pranojë këtë veprim?
Natyrisht. Unë jam shkrimtar dhe njeri i kulturës dhe gjithmonë mendoj se çdo konflikt zgjidhet në mënyrën më demokratike, duke e shmangur dhunën, duke shmangur keqkuptimet, duke shmangur vdekjen. Por, kjo nuk duhet të shërbejë si alibi që një popull mund ta poshtërojmë në të gjitha mënyrat. Në këtë rast, populli i Kosovës ka të drejtë të përgjigjet me të gjitha opsionet. Nuk bëhet lëshim, kur është fjala për lirinë e një populli. Nuk ka negocim për këtë gjë. Ky popull ka të drejtë me të gjitha mënyrat të kërkojë lirinë e vet. Ta mbrojë deri në fund lirinë e vet.
Sa mendoni se po ndikon elita intelektuale shqiptare në mbrojtjen e çështjes së pavarësisë së Kosovës? A mendoni se nevojitet më tepër?
Mendoj se Shqipëria duhet të bënte më tepër. Ato, pseudofilozofitë e diplomacisë sonë, që disa herë kanë dalë nga pjella e një paaftësie dhe një mangësie morale, janë jo qesharake, por janë të dënueshme. Shqipëria nuk është një planet tjetër dhe po jep gjykime për Kosovën nga planeti Hënë, nga Bangladeshi ose nga Japonia. Shqipëria është vendi i parë i interesuar dhe nuk e fsheh këtë gjë, s'ka pse ta fshehë, sepse do të ishte hipokrizi totale. Shqipëria është vendi që do ta ndiqte hap pas hapi problemin e Kosovës, të angazhohet me ndershmëri, me dinjitet, duke qenë sigurisht konstruktive, jo destruktive, është morali i saj historik që e kërkon, është dinjiteti historik i një kombi. Ndaj, shpresojmë që diplomacia jonë kohët e fundit, që është ripërtërirë, si të thuash, ta korrigjojë këtë gjë.