E diele, 28.04.2024, 08:38 PM (GMT+1)

Mendime

Ismail Kadare: Jam përpjekur të arratisem edhe dy herë nga Shqipëria

E diele, 06.04.2008, 03:41 PM


Ismail Kadare
“Diktaturat janë si britmat e zeza. Nuk iket kollaj prej tyre”. Këtij citati të shkurtër të shkrimtarit Ismail Kadare i paraprin një rrëfim mbi përpjekjet e tij për t’u larguar nga Shqipëria. Ishin dy tentativa arratisje, për të cilat ai vetë vendosi që të mbeteshin “të dështuara”. Hera e parë kur i shkoi në mend të largohej përgjithmonë nga Shqipëria diktatoriale, ishte në vitin 1962. Qyteti ku i lindi ideja e arratisjes ishte Praga. Detajet e arratisjes, dhe idetë e asaj nate në Pragë rrëfen prej tij me detaje të imëta. Tentative e dytë ishte në Paris, në vitin 1983, dy vjet para se të vdiste Enver Hoxha. Ky rrëfim i shkrimtarit, ku sigurisht trajtohen dhe shumë çështje të tjera lidhur me veprat e tij është botuar para pak kohësh në “Lidove noviny” (Gazeta popullore) në Çeki. Me rastin e botimit në çekisht të librit “Prilli i thyer”, gazetari i rubrikës kulturore të kësaj gazete, Andrej Horak realizoi një intervistë me shkrimtarin shqiptar, ku e pyet mbi shumë detaje të jetës së tij dhe disa prej veprave. Intervista u botua me nëntitullin “Shkrimtari më i njohur dhe më i përkthyer shqiptar, Ismail Kadare (1936) fitoi në vitin 2005 ‘Man Booker International prize’, ndërsa sivjet u botua në çekisht romani i tij ‘Prilli i thyer’”. E përkthyer nga regjisori i njohur, Pirro Milkani intervistën po e botojmë të plotë si më poshtë.
Redaksia (Gazeta Shqiptare)

Nga Andrej Horak

G.P. Një ndër personazhet e “Prillit të thyer” e akuzon shkrimtarin Vorpsi, që librat e tij vijnë era krim, ose se spekulon me historitë tragjike të malësorëve. Si përpiqeni t’i shpëtoni ju kësaj akuze?

Vorpsi është shkrimtar që akuzohet, se glorifikon Kanunin, pra të drejtën zakonore shqiptare. Polemika e Kanunit u zhvillua në Shqipëri në vitet ’30 të shekullit të kaluar, në të cilin vendosen dhe ngjarjet e përshkruara në roman.

G.P. Kanuni, që nxiste gjakmarrjen, nga një anë ishte i egër, por në anën tjetër siguronte njëfarë rendi në shoqëri...
 
Mbrojtësit e Kanunit argumentonin pathyeshmërinë e tij. Sipas tyre, Kanuni e nënvlerëson gjakmarrjen, por njëkohësisht e frenon. Sipas Kanunit, vdekja paguhet me vdekje. Gjysmë vdekje – që do të thotë plagosje- paguhet me gjysmë vdekje! Sipas tyre, çmimi i çdo gjaku, qoftë gjak princëror apo gjak i njeriut të parëndësishëm, është i njëjtë dhe njëlloj paguhet. Sipas mbrojtësve, Kanuni edhe pse primitiv, ishte më i logjikshëm se sa ligjet ndëshkuese të komunizmit, i cili në egërsinë e tij nuk njihte kufij. Nga kjo rrjedh shpjegimi, që pas rënies së komunizmit, ashtu si çdo gjë e ndaluar nga regjimi, Kanuni përsëri u gjallërua.

G.P. Pse vendosët të largoheshit nga Shqipëria pikërisht në vitin 1990?

Jam përpjekur të largohem dy herë të tjera. Për herë të parë kjo ndodhi në gusht të vitit 1962, pikërisht në vendin tuaj. Isha si gazetar në festivalin botëror të rinisë në Helsinki. Gjatë kthimit grupi prej pesëdhjetë personash ndaloi për një natë në Pragë. Ika nga hoteli me mendimin, se nuk do të kthehem. Bile sigurova edhe një dhomë në hotel, diku afër sheshit Venceslav. Por natën më mbërtheu një trishtim i madh, dhoma më dukej e ngushtë, e padurueshme. Edhe pse ishte e rrezikshme, u ktheva te grupi i delegatëve dhe shpresoja se askush nuk do ta kish vënë re mungesën time. Për herë të dytë ndodhi në Paris në vitin 1983. Atëherë, miku im, Mishel Pikoli me bashkëshorten më këshilluan të mos qëndroja. Sipas tyre, do të bija në depresion dhe nuk do duroja mendimin se ç’do ndodhte me familjen time në Shqipëri. Kishin të drejtë, dhe mua s’më erdhi keq që ndërrova mendim. Diktaturat janë si britmat e zeza. Nuk iket kollaj prej tyre. Në vitin 1990 situata ishte më ndryshe. Ikja ime nuk do të ishte kaq dramatike si dikur. Qëllimi ishte që të kontribuoja në rënien e regjimit. Shqipëria ndoshta mund të ngelej komuniste si Kuba, si Koreja e Veriut. Mendoja se me ikjen time do ndihmoja për të kundërtën.

G.P. Nga një anë gjatë regjimit të Hoxhës librat tuaja botoheshin, ndonjëherë më vonë edhe ndaloheshin, por gjithashtu botoheshin edhe jashtë. Mund ta shpjegoni ndopak këtë situatë skizofrenie?

Të ishe shkrimtar normal në vendin më të egër stalinist të Evropës, siç ishte Shqipëria, ishte shumë e vështirë. Disidenca paguhej me vdekje. Letërsia dhe disidenca përjashtonin njëra-tjetrën. Duhej të zgjidhje, o njërën o tjetrën. Unë zgjodha letërsinë, dhe mendoj se bëra mirë. Arrita të bëj diçka që dukej si e pamundur: shkrova një letërsi, sikur regjimi të mos ekzistonte. Veç kësaj nuk u përzjeva në asnjë aferë të pistë të regjimit të atëhershëm. Përmendet edhe “situatën skizofrenike”. Në një vend si i yni kjo ishte e paevitueshme. Po jua shpjegoj fare thjeshtë: si ju thashë, edhe pse jetoja në një vend stalinist, përpiqesha të isha shkrimtar si gjithë të tjerët, kudoqoftë në botën e lirë. Botimi i librave të mi në Perëndim dhe kryesisht realiteti, se a po pëlqeheshin, është një dëshmi e fortë. Por në këtë kohë në Shqipëri lejohej vetëm “realizmi socialist”. Kështu që pyetjes, cila është letërsia që unë shkruaja, i përgjigjesha shumë thjesht: është letërsi e realizmit socialist. Funksionarët komunistë kishin të drejtë të hutoheshin dhe revoltoheshin. Se ajo nuk ishte letërsi e realizmit socialist, por letërsi borgjeze, dekadente. Unë thosha të kundërtën: Dekadente është letërsia që aprovoni ju, letërsia mediokre, dogmatike! Siç e shikoni, ky dialog ishte kulmi i absurditetit. Dikush e merrte për tallje, dikush e merrte seriozisht. Funksionarët më të drejtë kërkonin, që vepra ime të ndalohej. Të tjerët ishin të lumtur, që në shkretëtirën kulturore shqiptare mund të lexonin letërsi të vërtetë.

G.P. Tani jetoni në Francë e megjithatë: a jeni i kënaqur me situatën aktuale në Shqipëri?

Aspak. Shqipëria ka pasur dhe ka akoma të ardhme të mirë, por fatkeqësisht klasa e saj politike është shumë konfliktuale, shumë primitive. Shqipëria i krijon pengesat vetë. Nuk di vend tjetër në Evropë që të ketë kaq konflikte me vetveten si Shqipëria. Gjëja më pozitive në Shqipëri është ëndrra e madhe e gjithë popullit të kthehet në familjen evropiane. Shqipëria nga kontinenti i vet u shkëput para gjashtë shekujsh. Dhe kjo është një kohë e gjatë, shumë e gjatë...

G.P. Në romanin tuaj të parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ktheheni në Luftën e Dytë Botërore, kur Shqipëria u okupua nga Italia. Çfarë pasojash pati kjo gjë për vendin tuaj?

Okupacioni italian në vetvete nuk kishte tiparet e errëta tipike të okupacionit. Ishte për më tepër i maskuar si një dyshtetësi. Mbreti italian Viktor Emanueli u shpall “mbret i Italisë dhe Shqipërisë dhe perandor i Etiopisë”. Kjo ishte ana e jashtme. Në një vështrim më të thellë mund të themi, se ky okupacion na solli më vonë komunizmin. Dhe kjo ishte tragjedia e vërtetë. Sikur mbreti i shqiptarëve, Zogu i parë të mos përmbysej nga Italia, Shqipëria do të ngelej dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore si një monarki. Shqipëria do të ngelej ndoshta jashtë konfliktit. Ndoshta mund të ishte nën influencën gjermane dhe pas lufte për këtë influencë do ta paguante njëlloj si Spanja. Por të paktën do të kishte ngelur pjesë e botës perëndimore dhe nuk do të kishte njohur komunizmin. Fati i saj do të kishte qenë krejt ndryshe.

G.P. Si e kujtoni kohën e studimeve tuaja në Moskë?

Kam studiuar në Institutin Gorki. Jeta studentore, në kohën që erdhi fill pas liberalizimit hrushovian, ishte shumë e këndshme. Kam nga Moska kujtimet më të mira. Për sa i takon Institutit Gorki, guxoj të përsëris pikëpamjen time, se ajo që fitova aty ishte negative. Me fjalë të tjera, mësova aty se si nuk duhet të shkruaj. Për shumicën e gjërave që dëgjoja në leksione mendoja: Pikërisht këtë nuk duhet ta bëj! Dhe me vete përsërisja: Duhet të bëj të kundërtën. Të shkruaj tjetërlloj!

G.P. Romani juaj “Kështjella” ishte dukshëm reaksion ndaj invazionit ushtarak të ushtrive të Traktatit të Varshavës ndaj Çekosllovakisë në vitin 1968. A mund të lexohet vërtet romani në këtë prizëm?

Kjo pyetje është dyfish interesante, sepse bëhet nga një çek. Romani “Kështjella” ka vërtet lidhje me pushtimin e Çekosllovakisë në vitin 1968. Në parathënien e botimit të librit në frëngjisht, të miratuar nga botuesit shqiptarë, flitej haptas për këtë lidhje. Ishte një nga paradokset më të mëdha të asaj kohe. Në Shqipërinë staliniste okupacioni i Çekosllovakisë nga “barbarët fashistë sovjetikë” dënohej më ashpër se në vendet perëndimore. Unë e shfrytëzova këtë paradoks, kur krahasova Shqipërinë e vogël, të rrethuar nga otomanët turq, me Çekosllovakinë liberale të rrethuar nga ushtritë e Traktatit të Varshavës. Në të vërtetë, nëse i qëndrojmë këtij krahasimi, Shqipëria ishte liberale në krahasim me Otomanët, por kurrë me vendet e bllokut komunist. Shqipëria ishte vendi më i egër dhe më primitiv i bllokut komunist. Kur krahasova Shqipërinë e rrethuar me Çekosllovakinë, shpreha dëshirën time të fshehtë, që kjo ngjashmëri të bëhej një ditë realitet. Por ky krahasim i hutoi disa njerëz, veçanërisht kritikën letrare, e cila nuk dinte, si ta analizonte romanin. Dhe kështu zgjodhi heshtjen. Polemika e këtij paradoksi vazhdon edhe sot. Një nga interpretimet është, që në këtë roman nuk flitet për rrethimin e Shqipërisë nga të huajt, por se Shqipëria rrethoi vetveten. Me fjalë të tjera, që pjesa më e keqe ka rrethuar pjesën e saj të mirë dhe përpiqet t’i marrë asaj frymën. Unë jam për këtë shpjegim të dytë.

G.P. Përveç romanit “Prilli i thyer”, bëni fjalë për gjakmarrjen edhe në librin e vjetshëm në esenë me titull “Hamleti, princi që ngjall kundërshti”. Çfarë analogjie keni zbuluar midis gjakmarrjes shqiptare dhe Hamletit?
 
Gjakmarrja-vendetta-është nganjëherë e vlerësuar si një zakon karakteristik shqiptar. Në të vërtetë ky është një zakon universal që vjen që nga Greqia antike. Trilogjia e Eskilit, “Orestia” është tragjedi tipike për gjakmarrjen. Motivet e gjakmarrjes gjinden në sagat nordike, të cilat i kujton Saxo Grammaticus, kur shkruan për historinë e Hamletit. Siç jam shprehur në studimin për Hamletin, në letërsinë shqipe dhe në letërsinë ballkanike është ky motiv i shpeshtë. Figura e Hamletit kishte jehonë të madhe në ish-botën komuniste, sepse shërbente si shembull për ata që ishin të pakënaqur, të dëshpëruar dhe politikisht të mënjanuar. Mund të shihet si një parashembull i disidencës. Raporti i saj me pushtetin, me krimin e afrojnë atë me botën tonë. Në Shqipëri është Hamleti ndoshta personazh më i pëlqyer, dhe kjo kryesisht për dy arsye: nga njëra anë është raporti me traditën tonë të të drejtës zakonore, në anën tjetër në kujtimin e vuajtjeve dhe pështirosjes nga komunizmi.

Perktheu: Pirro Milkani



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora