Përjetësi » Kadare
Kadare: Ja diplomati që më "hoqi" çmimin Nobel
E shtune, 22.11.2008, 06:53 PM
Nga Ismail Xhaferi
Kadare
GJIROKASTER - Eshtë kthyer pas 8 vitesh në qytetin e tij të lindjes, në Gjirokastër. Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare ka thyer heshtjen e gjatë, duke folur për herë të parë mbi prapaskenat që lidhen me nominimin e tij për çmimin Nobel. Në takimin e organizuar në ambientet e Hotel "Çajupi", shkrimtari u shpreh, se një ish-diplomat shqiptar ka qenë ai që pengoi vlerësimin e tij me këtë çmim. Kadare pohoi një të pathënë deri dje, duke pohuar se një ambasador shqiptar në Suedi u bë shkak që ai të mos vlerësohej me çmimin e madh, por pa deklaruar publikisht emrin e diplomatit. Enigma e lënë nga Kadare, në sallën ku u organizua takimi mbi emrin e ambasadorit që guxoi kontestimin e dhënies së çmimit Nobel, u "zbulua" nga vetë miqtë që shoqëronin shkrimtarin e madh. Bëhet fjalë për Bardhyl Kokalarin nga Gjirokastra, i cili ka qenë ambasador në Suedi gjatë viteve 1992-1995. Mësohet se Kokalari i kërkoi zyrtarisht Komitetit të çmimit Nobel, që të mos vlerësohej me këtë çmim bashkëqytetari e bashkëkombësi i tij, Ismail Kadare. Duke iu përgjigjur interesit të mediave, shkrimtari ka folur për shumë çështje që e kanë vënë atë në qendër të polemikave dhe debateve këto vitet e fundit. Po japim më poshtë të plota përgjigjet e Ismail Kadaresë për pyetjet që lidhen me prapaskenat e çmimit Nobel, përplasjen e tij me Rexhep Qosen mbi identitetin e shqiptarëve, raportin që ka pasur shkrimtari dhe vepra e tij me diktatorin Enver Hoxha etj.
Z.Kadare, ju jeni nominuar thuajse për çdo vit për çmimin Nobel. Megjithatë ende nuk jeni vlerësuar me këtë çmim. Sipas jush, përse?
Një ish-ambasador i Shqipërisë në Suedi, ka kundërshtuar nominimin tim me këtë çmim. Ky ishte një veprim skandaloz, saqë edhe vetë shtypi u mor gjatë me këtë çështje. E ç'është më e keqja, ai ambasador ishte nga Gjirokastra.
Një polemikë e gjatë dhe e ashpër ishte ajo mes jush dhe Rexhep Qosen mbi identitetin e shqiptarëve. A keni diçka të re për të shtuar mbi këtë debat?
Si i vlerësoni tezat historike të hedhura përgjatë këtyre viteve, një pjesë e të cilave e çmitizojnë figurën e Heroit tonë Kombëtar?
Kjo dukuri është një nga turpet e kombit shqiptar. Ka disa autorë që janë përpjekur ta bëjnë këtë gjë në mënyrën më të pafytyrë. Problemi është shumë i thellë dhe themelor për kombin shqiptar. Të çmitizosh figurën e Gjergj Kastriotit, do të thotë të bësh sulm kundër konceptit të lirisë. Duan të na mbushin mendjen se Gjergj Kastrioti ka qenë një figurë negative e historisë shqiptare. Kjo është një histori e vjetër në shëmtinë e saj. Ka pasur teza për këtë çështje. Teza e parë është krijuar nga fqinjët tanë rreth 200-300 vjet më parë. Para tyre, këtë tezë e kishin ngritur turqit, se për ta, Gjergj Kastrioti është një renegat, tradhtar dhe armik. Ka pasur përpjekje dhe nga pjesa renegate e popullit shqiptar që janë bashkuar me këtë tezë, se janë të dërrmuar nga kjo pjesë. Të jesh kundër Gjergj Kastriotit, do të thotë të parapëlqesh robërinë para lirisë dhe Shqipëria do të ishte vendi i parë në Europë që do ta bënte këtë. Vendi ynë do të ishte i pari në Europë që do t'i vinte një njollë të madhe dhe të shëmtuar historisë, që nuk do të hiqej në shekuj. Njerëz perversë me shpirt pseudointelektuali, janë bashkuar në këtë fushatë kundër Gjergj Kastriotit, i cili është figura që simbolizon bashkimin e Shqipërisë me Europën. Fushatë më të turpshme në histori nuk ka për të pasur dhe nëse e pranojmë, do të jemi kombi më pa dinjitet në Europë.
A jeni dakord për atë që po quhet shpesh rivlerësimi i figurës së Enver Hoxhës?