E marte, 08.10.2024, 10:25 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kadare

Kadare: Thelbi i pazbërthyer i Rambujesë

E marte, 24.03.2009, 11:27 PM


Nga Oliverta Lila

 Si sot 10 vjet më parë, lajmi për bombardimet e NATO-s pushtoi mbarë botën. Një kapitull i ri në historinë e Kosovës. Ankth, mëdyshje, tmerr. Më parë, fatet ishin shtruar në Konferencën e Rambujesë. Ditët në kështjellën shekullore, bisedimet, vendimmarrjet, pështjellimet, edhe sot e kësaj dite mbeten ende të pazbardhura në detajet e tyre. Në këtë përvjetor, në intervistën ekskluzive për gazetën "Shqip", shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, shprehet se ka ardhur koha që kësaj ngjarjeje historike t‘i bëhet autopsia, "Jo për të nxitur polemika shterpa, por për të nxjerrë mësime". Pse vendosi t‘i shkruante një letër delegacionit shqiptar? Pse në ditarin e tij të mbajtur atë vit flet për pështjellim të madh të shqiptarëve? A duhen thënë të vërtetat e Rambujesë?

Shënohen plot 10 vjet nga Konferenca e Rambujesë që përcaktoi fatin e Kosovës. Në këtë përvjetor, si duhet të përkujtohet kjo ngjarje?

Kadare: Ajo është e një rëndësie të pazakonshme. Ka ngjarje që për shkak të afërsisë duken më të rëndësishme se ç‘janë. Ka të tjera me të cilat ndodh e kundërta. Konferenca e Rambujesë hyn te këto. Sa më shumë të kalojë koha, aq më tepër ne do të bëhemi të ndërgjegjshëm për të. Ajo jo vetëm duhet të përkujtohet, por, në radhë të parë, duhet të jetë një rast për t‘i bërë autopsinë. Jo për të nxitur polemika shterpa, por për të nxjerrë mësime. Çdo ditë e çdo orë e saj duhet të zbërthehet imtësisht, sepse çdo ditë e çdo orë e saj na tregon si në pasqyrë ndërgjegjen tonë, me të mirat, po më shumë me gjymtimet e saj. Asnjëherë një përfaqësi shqiptare nuk është gjendur në një nyjëtim aq dramatik. Fati i Kosovës, i krejt kombit shqiptar ka kaluar, siç thuhet, në fill të perit. Mund të thuhet pa e tepruar se, pas gjashtë shekujsh historie të turbullt, mijëvjeçari i tretë po hapte përpara shqiptarëve një horizont të ri. Por që ta dallosh horizontin e ri, duhen sy të kthjellët. E sidomos mendje e tillë.

Ende sot, gjithë çfarë ndodhi brenda asaj kështjelle mbetet e mjegullt. Çfarë e pengon të zbardhet këtë të vërtetë?

Kadare: Është e vërtetë se ende ka mjegull mbi ngjarjen. Me sa jam në dijeni, me përjashtim të shkrimeve të herëpashershme të Veton Surroit, një ndër pjesëtarët kryesorë të delegacionit shqiptar, nuk ka dëshmi të shkruara të besueshme. Meqenëse kam pak ditë që ndodhem në Tiranë, ditarin e ish-ministrit të Jashtëm shqiptar të kohës, P. Milos, nuk kam arritur ende ta lexoj. Çfarë e pengon zbardhjen e së vërtetës? Në raste të tilla ka një mënyrë dhe vetëm një. Është e vërteta vetë. Nëse ajo thuhet, mjegulla e humb pushtetin. Nëse ajo, për arsye të ndryshme, mbulohet, mos kini shpresë. Do të vijnë të tjerë për ta ndriçuar plotësisht. E, pa dyshim, për ta gjykuar.

Ju keni qenë protagonist i gjithë atyre zhvillimeve. Një letër e juaja i dërgohet delegacionit në momentet më vendimtare të fatit të Kosovës. A ishit ju zëri edhe i diplomacisë shqiptare?

Kadare: Në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se kam qenë protagonist në to. Jam gjendur rastësisht përbri tyre dhe si njeri, si shkrimtar fare rastësisht jam përkitur me ndodhinë. Aq më pak mund të thuhet se mund të kem qenë zë i diplomacisë shqiptare. Nuk kam pasur asnjë lidhje me shtetin shqiptar. Nga telefonimi im me Kryeministrin Majko, kuptohet kjo gjë. Në qoftë se kam marrë në telefon ose jam takuar rastësisht me ambasadorin Luan Rama, kjo ka ndodhur më tepër falë njohjes së mëparshme. Përshtypja ime ishte se ai vetë nuk kishte ndonjë dijeni kushedi çfarë për atë që po ndodhte. Dhe kjo ishte e logjikshme, përderisa shteti shqiptar, gjithashtu sipas mendimit tim, pas formulës "t‘i shikojmë gjërat pa pasion" ishte disi jashtë dramaticitetit të çështjes. Në një nga shënimet e tij të kohëve të fundit, Veton Surroi shkruan se shteti shqiptar kishte lidhje vetëm me një anëtar të delegacionit, Qosjen. Surroi kujton se zëri i Shqipërisë erdhi sidoqoftë "intelektualisht", nëpërmjet meje, çka nuk ka qenë veçse një iluzion. Ishte një iluzion dashamirës, sepse ishte normale që shteti shqiptar të përfytyrohej më i përsosur sesa ishte. Për fat të keq, nuk ishte ashtu.

Kohët e fundit, publiku ka parë dëshmi të treguara apo të shkruara nga pjesëtarë të delegacionit. E ndieni ende pështjellimin që përshkruhet në ditarin tuaj të mbajtur asokohe?

Kadare: Duhet të qartësoj se ditarin e kam çuar për botim menjëherë, në Francë e në Shqipëri, kur ngjarjet ishin ende në zhvillim, pra në vitin 1999. Si i tillë, ai është një përftim krejt i përditshëm i asaj që ndodhte, pa mundësinë e kthjellimit a sqarimit të mëvonshëm të gjërave. Megjithatë, mendoj se pothuajse gjithçka e asaj që kam shkruar, madje që kam dyshuar, e asaj që shpesh ka qenë hamendësim, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk ka kundërthënie me të vërtetën. Ndërkaq, për atë pështjellim që kam përshkruar, atë mendjelehtësi shqiptare, atë kapardisje dhe etje për lavdi, nuk kam ndier asnjë pendim. Përkundrazi, më vonë, madje sot ajo çka ndodhur më duket edhe më fort e kritikueshme. Për të mos e zgjatur, mendoj se faktori kryesor për turbullirën në mendjen e shqiptarëve ka qenë, me sa duket, ajo që do ta quaja: Fantazma e NATO-s. Ishte droja e mjegullt ndaj saj, drojë e ushqyer nga 40 vjet propagandë të komunizmit shqiptar dhe atij serb. As pjesa e delegacionit të Kosovës e ndikuar nga marksizëm-leninizmi, as qeveria e shtetit shqiptar, që kishte njëfarë lidhjeje me të, nuk shkëputeshin dot nga kjo frikë gati mistike, gati e pavetëdijshme ndaj asaj që do të ishte shpëtimtarja jonë. Ishin të papërgatitur për këtë kapërcim të madh. E ndienin që çlirimi i Kosovës prej NATO-s ishte fillimi i një epoke e një programi të ri për krejt kombin shqiptar. Shqiptarët, përmes një lufte unikale, të vetmen luftë të Aleancës Atlantike, po lidheshin përfundimisht me botën perëndimore. Dhe pikërisht kjo gjë, ky vizion i madh, i trembte. Ndiheshin të vegjël përpara tij, të humbur, çka ndodh shpesh me vizionet e mëdha.

Ky është ndoshta thelbi i pazbërthyer i Rambujesë. Në prag të hyrjes në NATO, është mirë, është ndoshta e detyrueshme ta kujtojmë këtë. Pak kohë më parë reagimi juaj qe i ashpër ndaj atyre që ju i quani sulme të qëllimshme ndaj "Skënderbeut". Sipas jush, a ka sens një debat i tillë?

Kadare: Mendoj se ky sulm do të kujtohet më vonë si një njollë e zezë në kronikën shqiptare. Në kohën që pritej dënimi i krimeve të komunizmit, pra rishkrimi i historisë së falsifikuar të tij, u bë përpjekje për rishkrimin (lexo poshtërimin) e Skënderbeut. Këmbëngulja se glorifikimi i Kastriotit ishte vepër e komunizmit shqiptar, është një mashtrim monstruoz. Këmbëngulja se Shqipëria komuniste u projektua sipas programit rilindës, është një tjetër mashtrim, po aq, në mos më monstruoz. Mbi këto dy mashtrime u provokua ky debat. Ishte një përpjekje për të nxirë Skënderbeun dhe Rilindjen, nga njëra anë dhe për të zbardhur rendin komunist, nga ana tjetër. Në këtë mënyrë, aksioni i madh çlirues evropianist dhe emancipues i Kastriotit, duke u përzier me aksionin e kundërt, në gjithçka të Hoxhës, të jepte një çorbë të turbullt e krejtësisht çorientuese për këtë komb të lodhur. Pas kësaj përzierjeje njerëzit mund të thoshin: ç‘të keqe kishte më shumë Hoxha se Kastrioti dhe ç‘të mirë kishte ky i fundit në krahasim me Hoxhën? Alibi më tinëzare për tiraninë që shkoi, vështirë se mund të gjendej. Shpallja e Hoxhës si farkëtues i "nacionalizmit shqiptar" është balta më e keqe që mund të hidhet mbi ata që u dënuan si të tillë pikërisht prej komunizmit shqiptar. Me qindra shkuan në burgje, në tortura e në vdekje, të damkosur si "nacionalistë". E ne të gjithë e dimë se një nga shenjat identifikuese të "nacionalizmit" ishte pikërisht Skënderbeu. Për të mos u zgjatur se sa e donte Hoxha dhe rendi i tij Skënderbeun, diaspora shqiptare e kujton vitin jubile 1968, kur qeveria komuniste shqiptare, për turp të saj, bëri çmos që të pengonte që një shesh i Parisit të merrte emrin e Skënderbeut. Patriotët "nacionalistë" të diasporës fituan kundër qeverisë shqiptare dhe sheshi e mori emrin e heroit. Ndërkaq, si gjurmë e këtij turpi, ende sot në qendër të sheshit është vendi i zbrazët i statujës së Kastriotit, ajo që, sipas zakoneve të qytetërimit evropian do të duhej të derdhej në Shqipëri e që Tirana mirënjohëse t‘ia dhuronte pastaj Parisit mikpritës. Ende sot njëzet vjetësh pas rënies së komunizmit, në qendër të sheshit shtatorja mungon. Komenti është i tepërt për të gjitha qeveritë postkomuniste, të majta apo të djathta qofshin. Në vend të shtatores është balta që rimohuesit shqiptarë hedhin kundër Kastriotit.

Gjithnjë e më shumë gazetat prestigjioze britanike e vënë theksin te diskutimi mbi raportin e përkthimit të veprave tuaja në anglisht nga shqipja dhe frëngjishtja. Si e shihni këtë rivalitet gjuhësh?

Kadare: Ka pasur dhe vazhdon të ketë një diskutim të tillë. Kërkesa pothuajse unanime e shtypit që përkthimi të bëhet kryesisht nga gjuha shqipe dhe jo nga gjuhë të treta, mendoj se është një shprehje nderimi për shqipen. Sot për sot tre nga përkthyesit e mi anglezë kanë përkthyer nga shqipja dhe tre të tjerë nga frëngjishtja. Ndërsa në anglisht është një dyzim i tillë, në gjuhët e tjera të mëdha, si gjermanisht, frëngjisht dhe spanjisht, të gjitha përkthimet janë nga shqipja. Në italisht, për çudi, të gjitha nga frëngjishtja, me përjashtim të një libri vjershash. Ky i fundit, përkthyer me mjeshtëri të rrallë prej origjinalit shqip nga Elvira Dones, fitoi një çmim ndërkombëtar në Itali, çka dëshmon jo vetëm nivelin e përkthimit, por edhe përparësinë që krijohet kur ky përkthim bëhet prej origjinalit.

11 shkurt 1999

Qyteti i vogël i Rambouillet gëlon nga shqiptarët. Kanë ardhur me mijëra nga gjithë bota, me makina, me avionë, me trena dhe natyrisht me këmbë, si në kohërat rapsodike. Kanë mbushur hotelet e tani mbushin birraritë e kafenetë. Janë të shtyrë pa dyshim nga shqetësimi për kombin e tyre. Disa kanë lënë punët në Nju Jork, në Toronto a në vendet skandinave, për të qenë aty pranë kështjellës mesjetare ku vendoset fati i Kosovës. Kjo nuk përjashton që një pjesë kanë ardhur për kureshtje, të tjerë për të shitur mend e të tjerë edhe më keq, për të ngatërruar punë.

Rrethanë e mjedis më ideal për ngrehalucët as që mund të mendohet. Folklor patriotik. Garë dokrrash. Shestime delirante se si duhet të jetë Kosova, se si s‘duhet të jetë, ç‘duhet të bëjë Shqipëria, e natyrisht Evropa, e pas saj, gjithë bota. Vërejtje për gjithçka, qortime për gjithkënd. Dhe thashetheme, thashetheme pa fund.

Data 16 shkurt 1999

Katrahura shqiptare në qytetthin e Rambouillet ka arritur kulmin. Veçimi i delegacioneve nga ndikimi i jashtëm paskësh qenë një përrallë. Me dhjetëra janë ata që gjejnë mënyrën për të çuar në kështjellë një kumt, një lajm, një kërcënim apo një rrenë dhe për të nxjerrë që andej një Zot e di çfarë.

Lajmet që vijnë që brenda janë shqetësuese.

Të gjitha këto shoqërohen me dokrrat e zakonshme: e more vesh, tanët e lanë Madeleine Albright të priste gjysmë ore te dera. E fortë për besë! Kur e lanë ministren amerikane, kushedi ç‘do t‘u punojnë të tjerëve! Hajde kokë shqipoje, hajde! A e do telefonin e Thaçit, atë të fshehtin që s‘e di njeri? Ta gjej unë...

Kështu flasin shqiptarët. Kosova ndërkaq, e lënë në mëshirë të fatit mezi mbahet në këmbë. Bisha serbe e ka zënë për gryke e po e mbyt. Etjen për lavdi, kapardisjen e kam menduar përherë si një sëmundje të rëndë të shqiptarëve. Ajo që më trishton më shumë është se shenjat e kësaj sëmundjeje vihen re kudo: në Shqipëri dhe në Kosovë. Jam i sigurt se te një pjesë e dërgatës në Rambouillet etja e lavdisë regëtin herë te njëri, herë te tjetri. I vetmi që ishte parashikues. I vetmi që s‘bëri lëshim. I vetmi që s‘u thye. I vetmi që e shpëtoi Kosovën nga katastrofa. I vetmi. Gjithmonë i vetmi.

Data 19 shkurt 1999

Hyrje e dalje në kështjellën e Rambouillet. Robin Cook, Hubert Vedrine, Wolfang Petritsch, Wesley Clark, Joschka Fischer. Ky i fundit ka shtyrë edhe dasmën e vet. Tmerr në Kosovë. Nervozizëm në kështjellë. Nga të gjitha palët. I vetmi lajm i mirë është ndarja e UÇK-së me Adem Demaçin. Megjithatë, as kjo nuk e sjell atë kthjelltësi që pritej. Mendja e shqiptarëve e ka humbur, siç duket, qartësinë. Një zgjatje e tillë e bisedimeve ka qenë fatale për ta.

Në kafenetë e Rambouillet, aventurierët shqiptarë kanë një pamje ngadhënjyese. Bisedimet po shkojnë drejt dështimit. Adem Demaçi paska deklaruar: për të fituar s‘kemi nevojë për NATO-n. Kemi do djem luanë që mund t‘i dalin Serbisë tej për tej...

Beogradi, gjithashtu, duhet të jetë në ngazëllim. E ka vënë Kosovën poshtë dhe po i merr frymën. Mbrojtësit më të mirë të Serbisë po dalin shqiptarët. Ashtu si në kohën e Deytonit. Ia kanë lidhur duart NATO-s më mirë se ç‘do të bënte Rusia. Thonë se Christofer Hill qenka tërbuar me një pjesë të delegacionit. Madeleine Albright është tepër e zhgënjyer. Në rrethe të ndryshme flitet për pabesi shqiptare. Është vërtet për të qarë. I kërkoj ambasadorit shqiptar në Paris të më lidhë në telefon me Kryeministrin ose Presidentin e Shqipërisë. Pas disa minutash më merr sekretaria e Kryeministrit Majko për të më thënë se kryeministri është gati të më dëgjojë. Përveç një takimi të rastit në breg të detit nuk kam pasur rastin ta njoh. Bën pjesë në politikanët fare të rinj, nga ata që më 1990 ishin studentë e që për mua, pavarësisht ç‘post kanë zënë, janë thjesht lexues të mi. Është kjo arsyeja, e pa dyshim nervozizmi, që s‘më ndahet këto ditë, që më bën t‘ia them mendimin tim pa kurrfarë kujdesi. Në këto çaste kaq kritike Shqipëria s‘duhet të rrijë duarkryq. Me fjalë të tjera, të ndërhyjë për të paralizuar së paku budallenjtë marksistë-leninistë, mbi të cilët ndoshta ka ende ndikim.

Data 22 shkurt 1999

Ndonëse kam rënë të fle në një e gjysmë, në tre të natës më del gjumi. Kam një parandjenjë të keqe. Kam bindjen se gjithçka po merr rrokullimën. Shqiptarët nuk dalin dot nga kurthi ku janë futur. Kosova po merr fund. Ç‘mund të bëhet ende? Koha që ka mbetur është shumë e shtrënguar. Duhet diçka e ngutshme. Një takim me Presidentin Chirac, një takim me Hillin? Është vonë. Një takim me delegatët? Është e vështirë. Ideja e letrës më vjen natyrshëm, si e vetmja zgjidhje. Një letër që t‘i zgjojë nga gjumi. Që t‘u kujtojë se ç‘janë duke bërë. Që t‘i vejë përpara përgjegjësisë. Që t‘i detyrojë të harrojnë rapsodin e katundit...

Pa e zgjatur më vihem të shkruaj. Në orën katër, letra është gati. I qetësuar disi prej saj arrij të fle. Në nëntë të mëngjesit Elena nis të shtypë letrën në ordinator. Në nëntë e gjysmë marr në telefon ambasadorin e Shqipërisë, Luan Ramën. Ai niset menjëherë në shtëpinë time për të marrë letrën.

Delegacionit shqiptar në Konferencën për Kosovën

Në pamundësi t‘ju them gojarisht disa mendime të miat për atë çka po pret gjithë kombi shqiptar prej jush, më lejoni t‘ju drejtohem me këtë letër të shkurtër. Një shqetësim i orëve të fundit u bë nxitje për këtë letër, e sidomos deklarata e Madeleine Albright se: a) nëse të dy palët nuk bien dakord nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake në Jugosllavi dhe b) nëse shkas për dështim bëhen shqiptarët, ndihma ndaj tyre do të pritet. Besoj se jam në gjendje të dalloj deklaratat që bëhen për arsye presioni nga ato që shprehin një të vërtetë më të thellë. Nga njoftimet që kam dhe nga një intuitë alarmuese, kam bindjen se deklarata e ministres amerikane duhet marrë me seriozitetin më të madh. Në të dy rastet, pra edhe sikur të dy palët, serbe e shqiptare, të mos bien dakord, e sidomos në rastin e dytë, sikur faji t‘u mbetet shqiptarëve, serbët dalin të fituar. Dhe në të dy rastet, shqiptarët dalin të humbur. Me sa duket, strategjia serbe është bazuar pikërisht në këtë kurth: t‘i bëjë shqiptarët bashkëfajtorë, madje edhe fajtorë dhe vetë të dalë e larë. Serbët s‘kanë ç‘kërkojnë më shumë nga kjo konferencë. Për ata do të jetë fitore e madhe. Mendoj se kjo është e mjaftë për të kuptuar se kurrsesi delegacioni shqiptar nuk duhet të bjerë në grackë. Pyetja dramatike që shtrohet është: ndonëse aspirata jonë është më e madhe, a mund të kënaqemi megjithatë me aq sa kemi fituar? A mund të arrihej më shumë nga një fazë e parë kalimtare prej tre vitesh? Mendoj se tani për tani mund të mbetemi me kaq. Mendoj se vështirë se mund të arrihej më shumë nga një fazë kalimtare. Ky është një shans i madh përpara popullit shqiptar të Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar. Historia shumë herë e ka treguar se jo çdo luftë, sado heroike të jetë, e sjell një shans të tillë. Dhe shanset nuk përsëriten kaq lehtë. Kam bindjen se këtij shansi kurrsesi nuk i duhet rënë me shkelm. Bindja ime bazohet në faktin se interesimi botëror për Kosovën ka arritur në pikën maksimale. Kurrë më në të ardhmen nuk mund që ky interesim, ky preokupim, ky seriozitet të përsëdytet. Qysh tani, ky interesim ka filluar të quhet i tepruar dhe ka zgjuar xhelozinë e disa vendeve dhe popujve. Rrjedhimisht, pas harxhimit të kësaj vëmendjeje, masakra edhe më të mëdha në Kosovë do të zgjojnë vëmendje shumë më të vogël. Bota do ta quajë ndërgjegjen e larë dhe kjo do të jetë fatale për Kosovën. Jam i sigurt se serbët presin me padurim "jo"-në shqiptare. Dhuratë më të madhe nuk mund të ketë për ta. Në këto kushte mendoj që të merret ajo që mund të merret dhe të mos kërkohet tani për tani e pamundura. Një konferencë tjetër për Kosovën pas tre vitesh e lë portën e lirisë të hapur. Unë e kuptoj ndjenjën tuaj të përgjegjësisë, e kuptoj drojën se mos bëni ndonjë lëshim që s‘duhet bërë. Në këtë rast, më lejoni t‘jua kujtoj, se unë si shkrimtar, nuk do të guxoja kurrë t‘jua jepja këtë këshillë, sikur të kisha unë vetë drojën më të vogël se po bëja një faj që do të rëndonte në ndërgjegjen dhe në biografinë time. Duke iu drejtuar këtë letër, jam i gatshëm t‘i mbroj mendimet e mia publikisht, përpara kujtdo e bashkë me të, të mbroja gjer në fund vendimin tuaj.

Ju përfaqësoni sot popullin shqiptar të Kosovës në momentin më delikat. Nga urtësia, trimëria, ndershmëria juaj, bashkë me fatin e Kosovës varen fate të tëra jetësh njerëzore, varen jetë grash, fëmijësh, e burrash. Në këtë rast doja të përsërisja se, të bësh lëshim atëherë kur duhet bërë, është po aq trimëri e heroizëm, sa edhe kur je në luftë. Ju lutem mos dëgjoni rrahgjoksat e papërgjegjshëm, të cilët e kanë lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb. Askush s‘ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj.

Përshëndetjet e mia më të përzemërta, bashkë me shpresën se do të më kuptoni drejt.

Data 15 mars 1999

Christofer Hill dëshironte të hanim darkë porsa të mbërrinte në Paris. Më ka lajmëruar qysh më parë nëpërmjet Ekrem Bardhës nga Nju Jorku. E kam njohur qysh në Tiranë, por kureshtja për ta takuar është dyfishuar. Është pa dyshim njeriu nëpërmjet të cilit kalon gjithçka që ka lidhje me fatin e Kosovës. Kisha dijeni për netët e tij pa gjumë në Rambouillet, për lodhjen, nervozizmin, dëshpërimin përballë kokëfortësisë ballkanase. Ka gjasë që gjithçka të përsëritet këtë javë në Paris. Ndaj u befasova kur pasdite e konfirmoi darkën. Kisha kujtuar se me të mbërritur, i gjendur midis shtjellës do ta shtynte ose do ta anulonte fare.

Në "Maxim‘s" duhet të jenë të rralla darkat në sfond të të cilave ka një ngjarje kaq dramatike. Hilli është me të shoqen. Unë gjithashtu. Përveç Ekrem Bardhës ndodhet edhe kryetari i komitetit amerikano-shqiptar, Avni Mustafaj. Biseda bën ç‘bën, kthehet tek ajo që do të ndodhë. Në qoftë se nuk bie në gjunjë, Jugosllavia do të bombardohet, kjo s‘ka asnjë dyshim. Veç në qoftë se shqiptarët bëjnë ndonjë marrëzi. Bombardimi do të nisë menjëherë. Në të vërtetë, ndonëse jam i bindur se është e vetmja zgjidhje, kam një zbrazëti në shpirt. Tri herë e pyeta se ç‘do të bëhet në kohën e bombardimeve për të shmangur hakmarrjen serbe dhe të tri herët ai m‘u përgjigj pak a shumë me të njëjtën frazë: dy javë do të jenë tepër të vështira për shqiptarët. Me fjalë të tjera, ato do të jenë dy javët e ferrit.

Data 23 mars 1999

Havier Solana, me fytyrë të tronditur dhe me zë që më duket i holluar shpall se ka dhënë urdhër të bombardohet Jugosllavia. Pastaj përqafohet në mënyrë të çuditshme, me njëfarë mallëngjimi me ata që ka përbri. E kuptoj tronditjen e tij. Ka diçka prej vdekjeje, prej kishe, prej kambane mortore në skenën që shohim në televizion. Vëzhguesit e fundit të OSBE-së po ikin nga Kosova. Po largohen ata që i mbrojtën, që e deshën. William Wallker. Qindra të tjerë, midis të cilëve mikesha jonë franceze, Miriam Gaume. Përpiqem të marr me mend atë që po ndodh. Pas çdo makine që largohet, Kosova duhet të ngjajë edhe më e shurdhër. E braktisur në mëshirë të fatit. Pa dëshmitarë. E kemi pritur me padurim këtë orë dhe tani ajo ngjan me pagëzim. Ngaqë kam qenë përzier në këtë punë e ndiej ndoshta më fort. Ankthi i së panjohurës zotëron mbi gjithçka. Skena po zbrazet. S‘ka pse të gënjejmë veten. Ata ikin sepse atje s‘mund të pritet veçse një gjëmë. Veç qoftë e shkurtër. Kosovarët e ndiejnë me siguri. E kanë ditur gjithmonë qyshse i kanë hyrë kësaj rruge. Kjo e bën flijimin e tyre edhe më të madhërishëm. Midis heshtjes, një popull i tërë po pranon të vërë kokën në satër. Për të paguar çmimin e lirisë. Nuk i ndodh çdokujt një gjë e tillë.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora