Përjetësi » Kadare
Mary Fitzgerald: Dashuria dhe pushteti i Kadaresë
E merkure, 01.09.2010, 08:26 PM
Dashuria dhe pushteti i Kadaresë
Nga Mary Fitzgerald
Romani i ri i Ismail Kadaresë fillon në një mëngjes të njomur me shi, në autostradë drejt aeroportit të Vjenës, kur një taksist përplaset nëpër gardhin e sigurisë, duke vrarë të dy pasagjerët e tij dhe duke e lënë vetën të lënduar rëndë.
Duket si një tragjedi e llojit të përditshëm, por, për arsye kurrë të shpjegueshme, raporti i shoferit i asaj çfarë ka ndodhur menjëherë para se ai të humbë kontrollin e veturës shkakton konfuzion.
Çifti në ulësen e prapme, ka thënë ai, dukej sikur "po tentonin të putheshin". Për arsye që kurrë nuk janë tërësisht të qarta, është një sugjerim se ky akt, siç duket i padëmshëm, mund të ketë përshpejtuar katastrofën.
Të vdekurit ishin të nacionalitetit shqiptar dhe vdekja e tyre bëhet subjekt i një hetimi të gjatë të kërkuar nga qeveritë e dy shteteve, Serbisë dhe Shqipërisë. I vdekuri, i njohur vetëm si Besfort Y, kishte punuar për Këshillin e Europës dhe kishte pasur një lidhje të pashpjegueshme me hetimet për krime lufte të ndërmarra nga Haga.
Del në shesh fakti se ai dhe gruaja, Rovena, një praktikante në Institutin Arkeologjik, kanë pasur një aferë të pasionuar nëpër hotelet europiane gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit.
Dhe derisa dëshmitë grumbullohen nga disa njerëz të afërm të tyre, fillon të duket sikur përplasja të ketë pasur një shkak më keqdashës. Sekuenca e errët, si ëndërr që vijon, është terren i njohur për Kadarenë, fitues i shpërblimit "International Booker", vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se tridhjetë gjuhë.
Romanet e tij të mëhershme të njohura, sikurse "Pallati i ëndrrave", kanë dokumentuar dimensionet paranojake, absurde, shpeshherë 'kafkaeske' të jetës nën regjimin e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, ndoshta autokrati çuditërisht më i frikshëm i shekullit XX.
"Aksidenti" është i vendosur në Shqipërinë bashkëkohore dhe në Europën Qendrore, por hija e shkuar e Hoxhës ende mbetet, sikurse mbetet mjegulla e luftës që e kishte njollosur tërë gadishullin ballkanik gjatë viteve 1990-të dhe në fillim të viteve 2000. Është një vend ende dendur i përhumbur nga "çdo neveri e mundshme e njohur në këtë botë - vrasje, bombardim, vënie e popullatave të tëra në fytin e njëri-tjetrit".
Ky sfond sensacional luan një rol përbërës në këtë rrëfenjë me formë të ndryshueshme të dy njerëzve të kurthëruar nga njëri-tjetri, dashuria e tyre e destinuar të vdesë, madje edhe kur ata kërkojnë një "të çarë nëpërmjet së cilës mund të ikin" - jashtë tregimit të tyre, jashtë kohës.
E shënjuar me motive të pafundme nga folklori shqiptar, përfshirë tradhtinë, incestin, turpin dhe neverinë, sikurse edhe temat tragjike nga Platoni, Virgjili dhe Servantesi, kjo pjesë e narracionit është një "ndërhyrje e mençur", duke shpalosur dyzetë ditët e tyre të fundit, të përpiluara nga një hulumtues, obsesioni i të cilit me rastin kurrë nuk shpjegohet, por i cili përfundimisht është i habitur nga pyetja pa përgjigje: "Çfarë të drejtë kemi në këtë natë të zezë të pyesim rreth gjërave që janë përtej fuqive tona për t'i parë?"
Nxjerrja në shesh se misteri kurrë nuk zbërthehet plotësisht nuk e shkatërron tregimin, por nënvizon atë që ky libër nuk është: roman policor konvencional. Në vend të kësaj, është një eksplorim provokues i së keqes në marrëdhëniet njerëzore.
Në disa vende, karakterizimi është i rralluar - një lutëse e bukur me tendenca safike, e cila përfundimisht mbetet e bindur ndaj një njeriu, gjithmonë duke ia ofruar veten atij që mban erë të freskët pas preparateve të zgjatura në tualet. Por ky nuk është, në fund të fundit, roman realist.
"Shqipëria të ha", një mik i Besfortit i thotë atij pas largimit për në Belgjikë në vitin 1990. Ajo të çon në dëshpërim dhe nëpër kthesa, por nuk ka ikje prej saj. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për këtë libër: është një gërmim i plasaritur, ndonjëherë detyrues dhe demoralizues i dashurisë, pushtetit dhe artit të papërkryer të rrëfimit.
(Shkrim i botuar në gazetën britanike "The Observer")