E merkure, 04.12.2024, 09:35 AM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Kadare: ‘S’jam bërë më i guximshëm pas rënies së diktaturës’

E shtune, 06.03.2010, 06:45 PM


‘S’jam bërë më i guximshëm pas rënies së diktaturës’

Nga Jacques Paugam*

Shqiptar i përkthyer në më shumë se 40 vende, Ismail Kadare prezanton ndërgjegjen e një populli të shtypur nga stalinizmi. Anëtar i asociuar në Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike, ai i përgjigjet 7 pyetjeve që tregojnë se çfarë është thelbësore për të: historia e vendit të tij, totalitarizmi e më së shumti letërsia. Populli shqiptar ka vuajtur gjatë prej shtypjes otomane e më tej nga ai fashist. Ismail Kadare, shumë herët, ka denoncuar shtypjen komuniste në vendin e tij. Ka publikuar romanin "Darka e gabuar", ku flet për një makinacion ekstravagant dhe të tmerrshëm komunist, duke u nisur nga një komplot çifut, planetar, i supozuar, për të shkatërruar vendet socialiste. Një roman trishtues mbi çmendurinë e regjimeve totalitare. 
Si të gjithë të ftuarit e serisë "Thelbësore", krijuar nga Jacques Paugam, ai pranoi t'i përgjigjej 7 pyetjeve thelbësore. 

1 - Gjatë rrugëtimit profesional, gjatë karrierës suaj, cili ka qenë për ju momenti thelbësor?

"Në vendin tim ku u tërbua stalinizmi, një nga më të ashprit në botë, momenti kyç për mua ishte kur kuptova që për letërsinë, unë nuk do të bëja kompromise me këtë regjim. Në vitin 1970, unë isha 34 vjeç, kur romani im i parë "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" u botua në Francë (në Shqipëri në vitin 1963) dhe shumë shpejt në të gjithë Evropën. Një ditë, unë kuptova se ajo që bëja ishte e mirë jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për botën e lirë. Pashë të ardhmen time: kur komunizmi të bjerë, librat e mi do të jetojnë akoma. Kam qenë njëherësh i njohur dhe kështu edhe i mbrojtur, por nga ana tjetër, për diktaturën shqiptare, unë isha një qenie e çuditshme, e dyshimtë. Si një shkrimtar që duhej të ishte komunist, mundej ai të ishte i pëlqyer atje? Duhet të kujtojmë që Shqipëria nuk kishte asnjë marrëdhënie diplomatike me vendet perëndimore, me ndonjë përjashtim të rrallë". 
Ismail Kadare shkruan: "Askund nuk injorohet si në regjimet tiranike një shkrimtar i madh. Është si një pemë e shenjuar për t'u rrëzuar". Dhe ai shpjegon se si pozita gjeografike ka qenë një aleat për popullin shqiptar, duke treguar në linja të përgjithshme historinë e vendit të tij. 
Komunizmi nuk ishte një fatkeqësi e re, sepse gjatë gjithë kohës, e keqja ka qenë atje dhe në të gjithë vendet ballkanike, fati ka qenë identik. 
Një vend i habitshëm Shqipëria: që ka një alfabet me germa të katër alfabeteve të ndryshme. I ftuari ynë jep arsyet historike dhe kulturore për këtë variete që ai e quan normale: gërma greke, cirilike të sllavëve, latine dhe shqipe. Greqishtja dhe shqipja janë gjuhë "të vetmuara" në Ballkan.
Në vitin 1967, maoizmi u instalua me forcë dhe Ismail Kadare tregon situatën: diktatori shqiptar, Enver Hoxha, i hidhëruar me rusët, për arsye personale, u afrua me kinezët. Por kur kuptoi që këta aleatë tentonin drejt liberalizmit, ai i preu marrëdhëniet edhe me ta. Ai gjithnjë ka zgjedhur pjesën më të ashpër të ideologjisë. Kjo mund të dukej qesharake, nëse nuk do të ishte tragjike. 
Komunizmi ra në vitin 1990 (dhe jo në vitin 1989 si në vendet e tjera të Evropës Qendrore e Lindore). Deri sa diktatori Hoxha ishte gjallë, diktatura nuk mund të binte. "Një "totalomani" nuk mund të ndalet veçse me vdekjen e diktatorit", shpjegon Kadare. 
"Letërsia shqiptare"? Ishte një revistë që dilte në frëngjisht. Hoxha që kishte studiuar në Francë dëshironte të jepte përshtypjen që ai ishte një intelektual liberal. Aspekti pozitiv i kësaj ishte që ai ishte i detyruar të luante këtë rol, për shembull të mos fuste në burg shkrimtarët e njohur të ish-borgjezisë. 
Të zgjidhej në vitin 1989 në Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike ishte për të një mënyrë për të qenë i mbrojtur. Pushtetarët e Tiranës e lanë të shkojë në Paris "pasi sipas thashethemeve unë kisha marrë shumë ftesa, të cilave pushteti nuk më linte tu përgjigjesha, dhe pushteti burokratik, naiv dhe i verbër i besonte këto zëra. Gjithsesi unë nuk kisha aq shumë ftesa e gjithashtu nuk ishte hera e parë që unë shkoja në Paris".  

2- Ç'mund të na thoni thelbësore mbi atë çka po bëni aktualisht, apo mbi romanin që do të publikoni?

"Nuk më pëlqejnë romanet e mbështetura në fakte reale", rrëfen Ismail Kadare. Edhe pse fillimisht ai është bazuar në mënyrë të pjesshme mbi realitetin: në Gjirokastër, qytetin e tij të lindjes, guerrilasit qëllojnë mbi pushtuesit gjermanë, të cilët shkuan në shtëpinë e një mjeku. Që të mos merrej si bashkëpunëtor, mjeku u kërkoi atyre lirimin e pengjeve. "Isha 7 vjeç, kur i gjithë qyteti ishte dënuar pse kishte gjuajtur mbi gjermanët. Unë dëgjoja muzikën në lagjen time. Në këtë qytet të gurtë mesjetar, e gjithë bota pëshpëriste se doktori kishte ngrënë darkë me gjermanët. Kjo darkë e famshme, në shqip "darka e gabuar" u kthye në një "darkë e tepërt", ka mbetur në kujtesën time. Dhe gjatë viteve kam vazhduar të kërkoj diçka që nuk ka qenë e qartë"... 
Pjesa tjetër e romanit është imagjinare. Përveç pengjeve, do të kishte edhe një farmacist hebre të liruar nga një kolonel gjerman, i cili ideon një komplot gjigand për të rrëzuar regjimin. Kadareja shpjegon ndër të tjera edhe arsyen pse hebrenjtë në Shqipëri nuk u persekutuan asnjëherë nga gjermanët. Një rast i rrallë ky. 
Tortura dhe kulti i Stalinit 
Çmenduria e papërballueshme e torturuesve, e shpalosur në këtë roman është sigurisht imagjinatë e tij, por autori pohon se "realiteti e tejkalonte këtë; ka pasur tortura më të tmerrshme akoma".
I ftuari ynë tregon gjithashtu se si militantët komunistë shqiptarë këndonin me eufori himne staliniste:
"Ne që kemi Stalinin për baba/ do të derdhim gjakun/ deri sa të valëvitet mbi tokë/ flamuri me drapër e çekan" 
Dhe kur Stalini vdiq, udhëheqësit fanatikë shqiptarë janë ulur në gjunjë përpara statujës së tij.  
Pyetjes se nëse tmerret e censurës totalitare e kanë ndihmuar për të dhënë më të mirën e talentit të tij prej shkrimtari, Ismail Kadare i përgjigjet: "E kam gjetur tashmë këtë mendim, tek Homeri: Zotat na dhanë fatkeqësinë që ne mund t'i transformonim në krijimin e rapsodive. E kam menduar gjatë kohës që isha nën regjim: cili ishte ndikimi i tij mbi të shkruarit tim? Mendoj se ai nuk ka ndryshuar. Nuk jam bërë as më shumë e as më pak i guximshëm, pas rënies së komunizmit. Romani im më antitotalitar "Pallati i ëndrrave" është publikuar në vitin 1981, gjatë vitit më të zi të diktaturës. Stili im, mënyra e ndërtimit të frazës, të shkruarit mbetet i njëjti. Janë gjëra të palëvizshme". 

3- Ç'mund të themi thelbësore mbi botën, kështu si është?

"Në çdo epokë ka mall për një "të kaluar". Në kronikat egjiptiane që datojnë 4000 vjet, kam lexuar fraza nostalgjike për kohët e shkuara..."

4- Cila është hipokrizia më e madhe e kohës sonë?

Toni i të ftuarit tonë vishet nga emocioni dhe bindja e fortë: "Flitet shumë për dënimin e krimeve të fashizmit, të komunizmit, por kemi harruar një ndër krimet më të tmerrshme, që nuk është dënuar asnjëherë aq sa duhet: dhunimi i grave gjatë luftës. Në Ballkan, përdhunimi i grave ka marrë përmasa të papara dhe me mënyra të tmerrshme: përdhunimi i bijave përpara vëllezërve dhe prindërve, nënave përpara burrave dhe fëmijëve të tyre. Një turp për të gjithë ata që kanë preferuar të heshtin dhe të mos flasin. Përdhunimi, si mjet lufte, si një art për të thyer dhe për të poshtëruar në një mënyrë të paimagjinueshme. Një thyerje morale familjare. Tashmë, të gjithë fëmijët që ishin 8 vjeç dhe kanë parë gjithë këtë, si duhet të sillen? Është tragjike. Dhe pas këtyre krimeve, ka nga ata që provojnë përbuzje karshi këtyre grave që kanë pësuar këtë tmerr". 

5- Tendenca që ju bën të shpresoni më shumë?

Ai e pranon se falë medias, që bën gjithnjë kritika, vihet re rritja e solidaritetit njerëzor. Ai na jep shembullin e dënimit të shkrimtarëve në Kinë, ku 100 mijë syresh, janë poshtëruar, rrahur dhe janë tërhequr zvarrë në fushat e orizit. "Një tragjedi që unë e njoh, pasi shqiptarët ishin aleatët e Kinës. Kam qenë pjesë delegacionesh dhe kam qenë atje. E kam përshkruar këtë në romanin tim "Koncert në fund të dimrit". Por shumë njerëz nuk flasin për këtë. Është trishtuese, por shkrimtarët nuk ndihen më solidarë", - thotë Kadare.  

6- Dështimi më i madh i jetës suaj?

"Dështim apo pamundësi që vjen nga letërsia? Do të doja që librat e mi të luajnë një rol për lirinë e popullit shqiptar". 

7 - Motivimi juaj thelbësor?

"Nuk kam rrugë tjetër veç të shkruarit. Jam vetëm shkrimtar. Shpesh, një shkrimtar punon mbi gjëra mbi të cilat ai nuk duhet të shkruajë. Brendia e një shkrimtari është si një lloj depoje: ai duhet të dijë të zgjedhë atë çka ai nuk duhet të shkruajë, të dijë të zhysë një subjekt, të lirohet nga "energjia negative". Duhet që të punojë në kokën e tij që të mund të thotë: "nuk kam nevojë që ta shkruaj këtë". 
Ismail Kadare shpjegon atëherë që, për të, letërsia është një jetë paralele. Me raste ajo ndihmon jetën, por ajo është gjithashtu e sulmuar nga jeta. "Jam kundër sloganit të përjetshëm: letërsia përfiton nga jeta". Ajo duhet gjithashtu të dijë të mbrohet. Jeta është miku dhe armiku numër 1 i letërsisë, sepse ajo bën presion për të shkatërruar letërsinë. Ajo dëshiron që shkrimtarët të bëjnë të tjera gjëra, në vend që të shkruajnë!"

*Marrë nga "Canal Academie"- Radio Academique Francophone sur Internet



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora