E premte, 06.12.2024, 10:54 AM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Kadare: Të fshehtat që i kam besuar poetit Dhori Qiriazi në diktaturë, letra për Hekuran Isain

E shtune, 10.10.2009, 12:53 PM


Dhori Qiriazi (1933 - 2009)
Dhori Qiriazi (1933 - 2009)
Nga
Robert Rakipllari


Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare e quan të pikëllueshme që vdekja e një poeti të talentuar si Dhori Qirizazi ka kaluar në heshtje në Shqipëri. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama”, Kadare ka rrëfyer miqësinë me Qiriazin në ditët e vështira të regjimit, ku i kanë besuar njëri-tjetrit të fshehta që të kushtonin jetën. Kadare ka komentuar edhe letrën që i ka dërguar ish-ministrit të Brendshëm të diktaturës, Hekuran Isai, ku i ka përmendur mënjanimin e Dhori Qiriazit. Shkrimtari i njohur ka rrëfyer gjithashtu edhe për marrëdhëniet e tij me shkrimtaren Hertha Muller, fituese e çmimit “Nobel” për këtë vit.

Zoti Kadare, përpara disa ditësh u nda nga jeta poeti dhe përkthyesi Dhori Qiriazi, një nga miqtë tuaj të rinisë. Por, ashtu sikur ndodhte kur ishte gjallë, edhe vdekja e tij kaloi gati në heshtje në Shqipëri. Ç’mund të na thoni për këtë?

Eshtë e vërtetë se ka ndodhur ashtu siç thoni ju dhe kjo është tepër e pikëllueshme. Dhori Qiriazi jo vetëm ka qenë një nga poetët më të talentuar shqiptarë, por hynte ndër ata shkrimtarë, që me aq sa ishte e mundur në atë kohë, përpiqeshin të mbronin me këmbëngulje vlerat njerëzore dhe universale të artit. Për fat të keq, aksioni i tij letrar qysh herët ndeshi me barrierën penguese të regjimit. I ati i tij, emigrant në botën perëndimore, ishte vjega që regjimi gjeti për të përligjur mënjanimin sistematik të tij nga jeta letrare.

Në librin tuaj “Pesha e kryqit” botuar para gati njëzetë vitesh, në shqip dhe në frëngjisht në Francë, keni shkruar se keni qenë miq jashtëzakonisht të ngushtë, nga ata që i besojnë njëri-tjetrit çdo të fshehtë. Çfarë do të thoshte kjo në një sistem diktatorial?

Kjo do të thoshte atë që do të thotë edhe sot, me të vetmin ndryshim, se në atë kohë të fshehtat e mëdha lidheshin me çështje dramatike, që mund të të kushtonin jetën. Prandaj besnikëria në miqësi në atë kohë ishte diçka me të vërtetë sublime. Këtë besnikëri do t’ia kujtoj për jetë si gjënë më të shtrenjtë Dhori Qiriazit.

Në librin e ish-drejtorit të Arkivave, Prof.Dr. Shaban Sinanit “Një dosje për Kadarenë” është botuar një letër e juaja drejtuar ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Hekuran Isai, ku përveç që i kërkoni që të lejohet të vizitojë babanë e tij plak jashtë shtetit, përmendni edhe mënjanimin e tij. Si e kujtoni tani këtë ngjarje?

Eshtë gjëja më e paktë që mund të bëja për të. Ishte i vetmuar, në Ersekën e largët, me siguri i përgjuar nga militantët fanatikë, që ishin aq të palodhur kundër shkrimtarëve. Ne, shokët e tij në Tiranë e vuanim mënjanimin e tij. Kishte vështirësi botimi. Kishte, me siguri, udhëzime të fshehta që të pengohej sa më shumë. Në kryesinë e Lidhjes i kam ngritur dy-tri herë ato çështje që i shkruaja ministrit të Brendshëm. Më kot.

Edhe një pyetje të fundit: Çmimin Nobel këtë vit e fitoi shkrimtarja gjermane Hertha Müller. Ç’mendoni për të? Në librin tuaj “Ra ky mort dhe u pamë”, para dhjetë vjetësh keni shkruar se e keni njohur këtë shkrimtare në Berlin në një forum ndërkombëtar për Kosovën. A mund të na thoni diçka më shumë për të dhe për incidentin e rëndë që ndodhi atje?

Për të qenë i saktë po ju riprodhoj disa radhë nga libri: “Berlin, 4 korrik 1989. Shtëpia Henrich Böll ka organizuar një forum për Kosovën. Ka shkrimtarë, historianë dhe filozofë nga gjithë Europa... Midis të ftuarve Gunter Grass, Daniel Cohn Bendit, Jacques Rupnik, Andre Gluckmann, Vesna Pesiç, Georgy Konrad, Herta Müller. Forumi hapet me lexim teksti nga “Tri këngë zie për Kosovën”... Në Gjermani, ashtu sikurse në Francë, Kosova i ka ndarë intelektualët në dy kampe. Edhe në këtë forum ndihet nervozizmi kundërshqiptar. Në pushimin midis dy seancash ai shpërthen në një trajtë tejet vulgare: një serb e shan Hertha Müllerin me fjalën “kurvë”.”
Ky ka qenë incidenti. Para se të ndodhte dhe natyrisht para tij kam folur disa herë me Hertha Müllerin. E kishte mbrojtur çështjen e Kosovës në një mënyrë të admirueshme. Pas incidentit, sytë e saj të kthjellët u trishtuan shumë, por në sytë tonë ajo u bë edhe më e hijshme.

Kush eshte Dhori Qiriazi

Dhori Qiriazi lindi në vitin 1933, në Lëngëz të Kolonjës. Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, në vitin 1958 për gjuhë-letërsi dhe histori. Ka punuar si mësues në qytetin e Ersekës dhe në fshatrat e Kolonjës deri në vitin 1988, kur doli në pension.
Mban titullin “Mësues i Popullit”. Nga viti 2003 është anëtar i përjetshëm i Klubit “Bërns” (Irvine Burns Club), në qytetin Irvine në Skoci. Vdiq në Tiranë, më 2 tetor 2009.
Disa nga titujt e veprave:
· Kur zemra rreh së pari (1958)
· Balada intime (1963)
· Poema e ushtarit (1968)
· Pishat me kristale (1971)
· Poezia shqipe (1974)
· Poezi (botuar në Prishtinë) (1976)
· Vitet (1982)
· Blerta (1981)
· Nekrasov, “Kush rron i lumtur në Rusi” (1982)
· Guri i kripës (1984)
· Kukuli dhe shigjeta (1986)
· Libri i këngëve - Petrarka (përkthim) (1995)
· Memorje - Gjon Muzaka (përkthim dhe pajisje me shënime) [1996]
· Gjauri, I burgosuri i Shilonit - Bajron (përkthim) (1996)
· Lirika Antike Greke, Antologji (përkthim) (1997)
· Dhimitër Kamarda, studim (1997)
· Poezi - Robert Bërns (përkthim) (1998)
· Kujtime mbi Tolstoin (përkthim) (1998)
· Kufoma e gjallë - L. Tolstoi (Dramë) (përkthim) (1998)
· Krishterimi në Shqipëri (2000)
· Baladat intime (ribotim 2001)
· Sheshi i Shatrivanit - S. Kuazimodo (përkthim) (2001)

“Pse nuk e lini Qiriazin të vizitojë babanë”

Dokumenti Nr.31
Shoku Hekuran
Më falni që po ju shqetësoj duke ju dërguar letrën e poetit Dhori Qiriazi, i cili ju është drejtuar juve me sugjerimin tim. Ka shumë vite që ai i ka bërë administratës sonë shtetërore një kërkesë të natyrës thjesht humane, të shikojë pas 50 vjetësh për herë të parë dhe me siguri të fundit babanë e vet, emigrant ekonomik i vitit 1938, në Australi.
Për mua si shkrimtar dhe koleg i Dhori Qiriazit si edhe për shokët e tjerë të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve ka qenë përherë i pashpjegueshëm qëndrimi që është mbajtur për një kohë ndaj këtij poeti, që është një ndër më të mirët e letërsisë sonë. Ne shokët e tij e kemi njohur atë si shkrimtar të shquar dhe si njeri shumë të mirë. Ndonëse ne disa herë kemi kërkuar shpjegime për qëndrimin ndaj tij, këto shpjegime nuk janë dhënë kurrë derisa para disa vitesh ai e rifitoi prapë të drejtën e botimit, të cilën ndonëse de juro nuk i qe hequr, de facto nuk e gëzonte më. Tani mesa duket një hije e atij qëndrimi që as ai vetë, as ne, kolegët e tij nuk e dimë nga i vjen, vazhdon ta ndjekë herë pas herë këtë shkrimtar. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që  për një kërkesë që do t’i zgjidhej cilitdo qytetari që do të kishte kushtet e nevojshme, këtij poeti të shquar vazhdon të mos i plotësohet. Është kjo arsyeja që unë i sugjerova t’ju drejtohet drejtpërsëdrejti ju me besim të plotë se ju do ta zgjidhni këtë problem.
Ju lutem edhe një herë të më falni për shqetësimin
Me respekt të përhershëm
Ismail Kadare
1. Gjendet në: AQSH, Fondi 779, Dosja 2, Fl. 1-4
2. Ruhet në dorëshkrim, me ndërhyrje të karakterit redaktues nga autori;
3. Nuk mban datë, por duhet të jetë e viteve 1982-1984

Qiriazi, ikonë e lirikës shqiptare

Ne sot kemi një lajm dhe një dhimbje për të ndarë mes nesh, por jo vetëm mes nesh: Dhori Qiriazi, poeti, përkthyesi dhe miku ynë i shtrenjtë nuk jeton më. Ai na ka bërë një shenjë dhe ka ikur në mënyrën më të qetë dhe të pabujshme, krejt njëlloj si jeta dhe poezia e tij. E vetmja gjë që s’ka mundur të marrë me vete është poezia dhe fjala e tij. Pesëdhjetë vjet më parë, Dhori Qiriazi, midis brezit të shkrimtarëve të viteve gjashtëdhjetë, u shfaq befasues, duke paralajmëruar një buqetë të veçantë në kurorën e lirikës shqiptare. Dhe ia ka mbërritur: Fjalë pas fjale, libër pas libri, Dhori Qiriazi do të mbetet në kujtesën e sotme dhe të nesërme si një ikonë e lirikës shqiptare.
Dhori Qiriazi është më së pari poeti dhe liriku i papërsëritshëm. Në bibliotekën e poezisë shqiptare, të gjitha librat e tij, që nga i pari “Kur zemra rreh së pari” dhe deri tek i fundit, ende i pambaruar deri në fund, janë të imët, të imët, si xhevahire të fshehura, që duhen zbuluar.
Dhori Qiriazi është edhe rasti i mbijetesës. Nëse besojmë se arti dhe poezia, si një thelb i artit është një komunikim me lirinë, rasti i Dhori Qiriazit është pa frikë rasti i mbijetesës, pa e tradhtuar komunikimin me lirinë. Për më shumë se tridhjetë vjet në Ersekë, në atë qytet të vogël juglindor të Shqipërisë, kur jo rrallë, ashtu si në të gjithë vendin, por atje ndoshta edhe më ashpër, frynin erëra të acarta edhe për shpirtin, edhe për lirinë e njeriut, Dhori Qiriazi nuk mund të ishte tjetër, veçse Bohemi shpërfillës përmes vargut të pabujë dhe tronditës, me thjeshtësinë dhe bukurinë e tij. Gjithë jeta e tij intelektuale ka qenë njëherazi edhe një mundim dhe në të njëjtën kohë një shpëtim.
Ne sot duhet të kujtojmë dhe të nderojmë përveç poetit edhe shqipëruesin e talentuar: Robert Bërnsi, Petrarka, Nekrasovi, etj., folën një shqipe të mrekullueshme për shkak të shpirtit dhe përkushtimit të Dhori Qiriazit.
Dhori Qiriazi, poeti, shkrimtari, përkthyesi dhe mësuesi i talentuar na ka bërë një shenjë të fundit dhe ka ikur. Por vargu i fundit, i shkruar nga shpirti i tij “Kam qenë i lirë” është si një testament i lënë prej tij: Na përket të gjithëve. U përket të gjithëve. Të jeni të lirë.
_______________________
Dritëro Agolli, Sabri Godo, Teodor Laço, Suzana Turku, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Natasha Lako, Koçi Petriti, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Nasho Jorgaqi, Nasi Lera, Petraq Zoto, Seit Mansaku, Moikom Zeqo, Albert Rakipi, Myslim Islami, Jorgji Qirjako, Valter File, Bajram Lapi.


(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora