E premte, 13.12.2024, 07:58 AM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Ismail Kadare: Komunizmi, si Perandoria Osmane, kundër Evropës

E premte, 07.05.2010, 09:00 PM


“Komunizmi, si Perandoria Osmane, kundër Evropës”

 

Nga Panorama

 

Një udhëtim në kohë, që nga fëmijëria, tek shtëpia e madhe, plot “mistere”, tek lufta, komunizmi, deri tek hyrja e Shqipërisë në NATO. Shkrimtari i madh Ismail Kadare flet për projektin kulturor “Shqipëria është kulturë”. Për një moment bëhet drejtuesi turistik i një të huaji, tregon vende dhe histori. Flet për pushtimin osman dhe komunizmin, si dy katastrofat e mëdha që i ndodhën Shqipërisë, por edhe ëndrrën për t’u bashkuar tërësisht me Evropën, nga ku na shkëputën përdhunisht për 5 shekuj.

 

Ju jeni shkrimtar, poet, jeni përfaqësuesi më i mirë në Shqipëri i së djeshmes dhe të sotshmes, një pyetje e thjeshtë. Ju banoni mes Parisit dhe Tiranës. Duke qenë se ndani jetën në këto dy vende, sipas jush cili është imazhi i Shqipërisë jashtë kufijve të saj?

 

Fatkeqësisht imazhi i Shqipërisë është i mangët, që vjen nga një traditë e keqe e epokës komuniste. Shqipëria është vetë fajtore për këtë. Në atë kohë ishte ca komode për mediat, mund t’i mendonim gjërat pak ekzotike, dhe asnjëherë gjërat nuk thuheshin gjithmonë të vërteta; por gjysmë të vërteta. Mund të them pa hezitim, që ka edhe shenja racizmi ndonjëherë. Kjo vjen siç e thashë, nga kjo epokë e errët e komunizmit. Është një imazh që lë për të dëshiruar. Ka dominuar më shumë imazhi negativ. Tani, edhe pse nuk ka ndonjë arsye objektive vazhdon përsëri kjo gjë. Mbase shqiptarët mendojnë, që pikërisht ky imazh na vjen nga të huajt, në fakt unë jam kundër kësaj. Duhet kërkuar këtu imazhi, brenda vendit tonë. P.sh. ka shumë komplekse, ka njerëz që janë para mikrofonit dhe flasin gjëra në mënyrë të çuditshme. Pra kjo gjë është shumë shqiptarçe dhe shumë ballkanike. Janë pikërisht shqiptarët që nuk thonë gjëra të vërteta në mikrofon.

 

Nëse do të ishit Ambasador i Shqipërisë jashtë vendit, çfarë do t’u thoshit ju të huajve të vinin këtu?

 

Shqipëria është një vend evropian, një vend normal dhe me njerëz normalë. Sigurisht, që mes njerëzve normalë do të gjeni edhe anormalë. Pra, me të mirat dhe të këqijat, me virtytet dhe defektet, bën pjesë te ky kontinent kjo gjë! Me një histori të dhimbshme dhe me një fatalitet historik, që ishte pushtimi osman, që ishte jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin. Nganjëherë kjo shërben si alibi, duke na konsideruar si vend i prapambetur. Pushtimi osman e ndau Ballkanin nga Evropa dhe gjurmët vazhdojnë akoma edhe sot. Pushtimi është si një sëmundje, kur zgjat dy vjet, ndjen tjetër gjë, kur zgjat 12 vjet, po përsëri është tjetër gjë, kur zgjat dy shekuj, tjetër gjë, por kur zgjat 5 shekuj, është me të vërtetë shumë. Ja pse gjurmët janë kaq të thella! Gjë tjetër, është komunizmi për të cilin Shqipëria ka vuajtur gjysmë shekulli. Është, po aq katastrofë nëse mund të krahasojmë kështu, sa pushtimi otoman. E pyetja numër një është se kush ishte në qendër të kësaj? Është ndarja nga Evropa! Pra, Shqipëria e izoluar totalisht nga Evropa. I njëjti synim ishte edhe në kohën e pushtimit otoman, që Ballkani të ishte i ndarë nga Evropa. Komunizmi kishte po të njëjtin program, por nuk ishte shprehur me të njëjtat formula. Programi i komunizmit, numër një ishte: armiqësia ndaj Evropës, nuk kemi të bëjmë fare me Evropën perëndimore, por kemi të bëjmë me orientin, veç jo tashmë, me orientin islamik, por me orientin ortodoks rus. Ja pra; këto ishin dy sëmundjet vdekjeprurëse për Shqipërinë. Edhe gjurmët e komunizmit janë akoma aktuale. Mund të themi, që janë të ndërthurura edhe me pushtimin otoman.

 

Kjo është historia e kaluar..

 

Ja pse shqiptarët janë partizanët numër një, tani për Evropën. Kjo shpjegon gjithashtu pse shqiptarët janë shumë të lidhur me Shtetet e Bashkuara dhe kjo është parë në mënyrë ironike nga Evropa, por po të kuptoni dramën e shqiptarëve, do të kuptoni edhe këtë lidhje. Evropa është armiku numër një, ndërsa NATO-ja dhe Shtetet e bashkuara, ishin në krahun tjetër. Përderisa logjika ushtarake vlerësohet shumë nga ballkanikët, dhe gjatë pushtimit otoman dhe periudhës komuniste, gjëja që na afronte më shumë ishte pikërisht, ushtria. Dhe në çdo regjim komunist, ajo që vlen më shumë, është ushtria. Në Turqinë e sotme, ushtria përfaqëson diçka të çuditshme, por paraqet një imazh më pozitiv se sa politika dhe këtu mund të kuptojmë entuziazmin e shqiptarëve për hyrjen në NATO. Ka pak kohë që kemi hyrë në NATO dhe ka ca skeptikë, që thonë: o, pse gëzohen kaq shumë shqiptarët që kanë hyrë në NATO?! Kjo ndodh sepse në Ballkan, nocioni i ushtrisë do të thotë shumë, pasi përgjatë viteve ushtria ka qenë forca më realiste ndaj të gjithave.

 

Nëse keni një mik që do të vij në Shqipëri, ju ku do ta çonit?

 

Në Gjirokastër, pasi është vendi im i lindjes. Në lagjen time, më të vjetrën në atë qytet, “Palorto”. Do ta çoja në një rrugicë që nuk është shumë larg nga shtëpia ime e lindjes, që quhet “Sokaku i të marrëve”. Sepse është një vend i rrallë dhe nuk ka shpjegim.

 

Shtëpia juaj e lindjes është kthyer në një muze. Aktualisht edhe po restaurohet... e ndiqni gjatë periudhës së restaurimit, ju kanë pyetur, e keni parë, apo ua keni lënë në dorë arkitektëve?

 

Ajo u dogj para disa vitesh, për arsye që nuk i di dhe u rindërtua dhe unë kështu i bëra një dhuratë qytetit. Unë nuk jam survejant në përgjithësi, nuk jam mbikëqyrës asnjëherë. Donin të bënin një film nga vepra ime, unë nuk dua të shoh as skenarin dhe filmin dua ta shoh në fund të përfunduar. Edhe shtëpinë ua kam lënë në dorë arkitektëve, nuk ndërhyj zakonisht në këto gjëra dhe shtëpia është njëlloj, si një vepër e konvertuar, si të thuash.

 

Do e çonit te shtëpia e lindjes, te “Sokaku i të marrëve”, po më pas?

 

Te liceu i qytetit. Ky lice ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe ka dhënë një imazh të gjerë për qytetin e Gjirokastrës. Ky lice ka nxjerrë një brez të tërë intelektualësh, përgjatë gjithë epokave, që nga mbretëria, fashizmi, komunizmi, edhe sot.

 

Ku tjetër?

 

Problemi është se unë nuk e njoh tashmë më qytetin. Përpara kishte kafeteri, por ishte qytet me stil, i çuditshëm dhe arkaik njëkohësisht. Aktualisht gjejmë nxënës apo studentë nëpër kafene, ndërsa në atë kohë, baret ishin për burrat dhe gratë, gjithashtu sepse Gjirokastra nuk ishte qytet fanatik. Mund të themi që gratë gjatë komunizmit ishin goxha të emancipuara, por kafeteritë filluan të mbylleshin sepse kjo gjë nuk u pëlqye nga komunizmi dhe sa më shumë zhvillohej komunizmi aq më shumë shkonte drejt komunizmit kinez, modelit kinez, pra mbylli kafenetë. Pas prishjes së kishave dhe xhamive, tempujve të ndryshëm, u erdhi radha kafeneve. Ato u gjykuan të rrezikshme. Në një kafe jeni më të lirë për t’u shprehur sesa në një uzinë, një mbledhje partie. Në një kafe je i relaksuar dhe mund të shprehesh lirshëm, mund të thyesh tabutë...

 

Të kthehemi pak tek pjesa e fëmijërisë, shtëpia, lagja, strehëza ku shkruanit... Si e kujtoni atë kohë?

 

Unë kam jetuar në një shtëpi shumë të madhe për një fëmijë. Një shtëpi e madhe luan një rol shumë interesant. Ishte një shtëpi gati tre kate, se në Gjirokastër, duke qenë se terreni është i pjerrët, shtëpitë e sipërme janë dykatëshe, të fundit, të poshtmet janë trekatëshe për të krijuar kështu një panoramë të njëtrajtshme.. shtëpia e madhe ndikon në karakterin e fëmijës, të jep pavarësi. Në një shtëpi të madhe, si ato gjirokastritet, nuk takon kollaj njeriun. Janë shtëpi të freskëta, dhoma të tepërta, hapësira të mëdha, dhoma misterioze, në kuptimin që gjithmonë në këto shtëpi kishte diçka që riparohej, diçka që ishte e pambaruar. Diçka ku nuk duhej të hyje... Kishte dy dhoma ku nuk mund të hyje, se kishte një tra që ndalonte hyrjen, aty kishte diçka të pambaruar, filloi lufta dhe të gjitha këto për një fëmijë, zgjojnë fantazinë dhe fakti që fëmija, nuk jeton afër gjyshes, nënës në çdo sekondë në një hapësirë të ngushtë, i jep atij këtë pavarësi, që nuk mund t’ia japë asgjë tjetër në botë.

 

Dhe ju keni jetuar në fundin e “Sokakut të të marrëve”. Ç’ndjesi ju jepte kjo nofkë atëherë, apo nuk ju bënte përshtypje?

 

Jo tamam tek sokaku, por 4-5 metra më poshtë. Nga sokaku unë shpesh shkoja në gjimnaz, në shkollë, sepse ajo ishte në fillim të rrugës, po të mos dije të ecje mund të thyeje kokën. Tani që kam qenë, para një jave, kam takuar një nga banorët, që nuk ishte i asaj rruge, por pranë saj dhe thoshte “unë jam i “sokakut”, se tani është nder të jesh i asaj rruge. Është piktor, skulptor dhe ka deklaruar në shtyp që në Gjirokastër ka tre të marrë të shquar: Enver Hoxha, Ismail Kadare dhe unë që jam i treti, por unë jam më i madh nga të tre se unë banoj ende këtu, ata kanë ikur. (qesh)

 

Fëmijëria, si ishte ajo, e bukur, e lumtur...?

 

E çuditshme më tepër. Nuk mund të them as e bukur, as e lumtur. Ishte luftë. Nga shtëpia ime dukej gjyma e qytetit, aeroporti, xhadeja dhe unë si fëmijë, kisha shumë dëshirë të ndiqnim me sy luftën, bashkë me fëmijët e tjerë. Se kur qyteti ishte nën italianët, bombardohej nga anglezët, kur ishte nën grekët, bombardohej nga italianët. Ndërronte tabloja shpesh, ndërroheshin avionët dhe luftën e kam parë jo nga ana e tmerrshme e saj, por nga ana spektakolare, teatrale.. Ishte zbavitëse. Nuk mund të them se ishte e lumtur kjo, se prapë ishte një gjë e çuditshme. Unë kam qenë 7 vjeç, kur ka ndodhur ajo darkë e famshme me gjermanët, të cilën e kam shkruar edhe në libër. Është afër shtëpisë sime vendi.

Sa e shëtisnit Gjirokastrën, kalanë, e mendonit atëherë se qyteti juaj, vite më vonë do të ishte kaq joshës për botën, do të bëhej pjesë e UNESCO-s?

Jo, nuk e mendoja këtë gjë. Nuk më shkonte mendja, se ishte një qytet impresionant kur e sheh. Por ishte jo i këndshëm për t’u jetuar, ishte mjaft hijerëndë, i hirtë dhe nuk kishte parqe, zotëronte ana e fort, kështjellore e këtij qyteti.

 

Si e shihni tanimë?

 

Nuk e kanë mbajtur mirë Gjirokastrën. Është mbajtur keq, kanë bërë ndërtesa idiote dhe të shëmtuara shumë. Mund të bëheshin ndërtesa vërtetë moderne, por ato i kanë bërë të shëmtuara.

 

Si e shihni të ardhmen e Shqipërisë?

 

E ardhmja e Shqipërisë është e sigurt, tashmë është një vend thellësisht evropian. Ka qenë për një kohë të gjatë nostalgjia për Evropën. Mbase për momentin nuk tingëllon realiste, por aspirimi i Shqipërisë në Evropë është i sigurt, gjë që nënkupton edhe atë që sapo thashë, nostalgjinë për Evropën. Kjo do të thotë që do të bëhet me të vërtetë shumë evropiane. Kjo nuk është e lehtë,sigurisht. Ja dhe pse shqiptarët ishin në ekstazë kur hynë në NATO. Për ta ishte një afrim me Evropën. Është ana ushtarake që ata vlerësojnë shumë. Ballkani perëndimor do të hyjë në Evropë. Kjo është e qartë tashmë. Evropa ka të drejtë të luajë rolin e pedagogut strikt për të thënë që duhet të korrigjoheni jam dakord për një arbitrazh evropian, sepse vendet ballkanike kanë nevojë për këtë gjë. Kjo nuk do të thotë sovranitet, ose liri për ta. Më kujtohet para 10 vjetësh, kur Shqipëria ishte në një situatë kaotike, shumë të turbullt, dhashë një intervistë në një kanal televiziv francez dhe pyetja ishte  nëse ushtria evropiane duhej të zbarkonte në Shqipëri për të menaxhuar situatën,për të vënë rregull “a është e mundur që shqiptarët tashmë të armatosur, të qëllojnë mbi forcat e ushtrisë evropiane”?. “Ju siguroj, iu thashë, se kjo nuk do të ndodhë aspak”. Kur u ktheva në shtëpi, i thashë gruas: “o Zot, bëra një premtim televiziv”, pasi në vetvete fillova të dyshoja, sepse ata ishin të armatosur. Por në të vërtetë nuk qëlluan. Në qiell fluturuan avionët, pas vinin mjetet e blinduara, oficerë, dhe pata idenë që kjo gjë ishte romantike, dhe shqiptarët thanë “kjo është ushtria jonë”. Ishte ushtria e këtij kontinenti mëmë, ku Shqipëria ishte shkëputur brutalisht. Shqiptarët ishin të qetë, madje të lumtur, që e shihnin veten të mbrojtur nga ushtria evropiane. Dhe kjo ishte një dëshmi e thellë e sentimentit evropian.

 

Cili është virtyti më i madh dhe defekti më i madh i shqiptarëve?

 

Është e vështirë ta thuash, për çfarë është e rëndësishme dhe ndoshta është, që ata kurrë nuk të lënë kollaj. Nëse ju ndodh diçka në rrugë, ata nuk ju lënë vetëm, ju ndihmojnë deri në fund. Ato u japin ndihmën e menjëhershme dhe nuk janë aspak indiferent, siç mund të ndodhë në shumicën e vendeve të botës. Ndërsa defekti më i madh është se ndonjëherë janë të lehtë, harrojnë shpejt gjëra që nuk duhen harruar, nuk nxjerrin mësime..

 



(Vota: 26 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora