E merkure, 04.12.2024, 08:35 AM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Ismail Kadare: Racizmi i tërthorte është po aq i keq sa ai i mirëfilltë

E hene, 15.03.2010, 09:55 PM


"Racizmi i tërthorte është po aq i keq sa ai i mirëfilltë".

Ismail Kadare, Shekulli, 12/03/2010
 
SHËNIM I REDAKSISË:
Këto dy letra të dërguara dje pasdite drejtorëve të gazetës Shekulli në Shqipëri dhe gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung në Gjermani, janë dy reagime të shkruara nga shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare, në përgjigje të dy artikujve të botuara në këto media në datat 8 dhe 9 mars. I pari (artikulli në FAZ) është shkruar nga Michael Martens, i dyti (në Shekulli) ku citohet artikulli i FAZ, është shkruar nga Ardian Klosi. 

Zoti Drejtor, 
Reagim dërguar gazetës «Frankfurter Allgemeine Zeitung
Lexova me një habi të madhe një shkrim të botuar në gazetën tuaj, më 8 mars 2010, shkruar prej gazetarit Michael Martens. Si shkrimtar jam mësuar të mos habitem lehtë nga keqkuptimet, moskuptimet, madje dhe nga dezinformimet e shtypit. Çdo njeri publik e di se kjo është e pashmangshme. 
Ndërkohë, vendosa t'ju dërgoj reagimin tim për këtë artikull, për arsye se e çmoj gazetën tuaj, dhe sinqerisht më ka ardhur shumë keq që një dezinformim tepër i rëndë dhe dëmtues për mua si shkrimtar është botuar pikërisht tek ju. 

Në shkrimin ku Z. Martens flet për historinë e botimit në Shqipëri të një libri për Skënderbeun prej autorit zviceran, Oliver Schmitt, duke përmendur debatin që ky libër shkaktoi, shkruan midis të tjerash se «Botimi i librit shpërtheu një furi nacionaliste ku luajtën një rol të palavdishëm kryeministri Sali Berisha dhe shkrimtari Ismail Kadare». 

Nuk është nevoja të zgjatem për të thënë se akuza është tepër rëndë dhe diskredituese për një shkrimtar, sidomos në kontekstin ballkanik. Dihet botërisht se shkrimtarët nxitës fushatash nacionaliste në Ballkan janë akuzuar me të drejtë, si nxitës të krimeve dhe të tragjedisë në konfliktin e fundit. Ndër ta, siç mund ta dini, bënte pjesë poeti famëkeq Karaxhiç, që sot ndodhet në Hagë. 

Zoti Martens mund të ketë çdo lloj opinioni për mua dhe veprën time, por ai nuk ka të drejtë të botojë një trillim të tillë në një nga gazetat më të mëdha të Europës.

Unë nuk kam nxitur kurrë në jetën time asnjë fushatë nacionaliste dhe aq më pak shoqëruar nga ndonjë kryeministër a president i çfarëdo regjimi qoftë. Dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Kam botuar në Gjermani më shumë se pesëmbëdhjetë libra dhe kam dhënë me dhjetëra intervista, në të cilat mund të vërtetohet e kundërta e asaj që thotë z. Martens. 

Është e vërtetë se në Shqipëri u ngrit një furtunë e vërtetë kundër librit të Schmitt-it, por të thuash se atë e nxiti shkrimtari I.K., është një trillim i pastër. 

Teza kryesore e z. Schmitt që shkaktoi acarim, ishte motivi i kryengritjes 25-vjeçare të liderit shqiptar. Sipas mendimit të historianit zviceran, motivi i aksionit nuk ishte idea e lirisë, por thjesht një gjakmarrje vetjake e Skënderbeut. 
Në një nga ndërhyrjet e rralla të mija, e kam cilësuar këtë si fyerje jo vetëm për personazhin, por edhe për popullin shqiptar, si popull për të cilin ide të tilla të epërme si liria janë, sipas Schmitt-it, të panjohura. 

I përmbahem këtij mendimi, madje dua të shtoj se në këtë këmbëngulje të historianit gjej një fije të tërthortë racizmi. 

Sa për mohimin e karakterit europian të aksionit të Skënderbeut, jo vetëm është një trillim i pastër, por desha të shtoj se jam kritikuar shpesh për të kundërtën, për theksim të përmasës europiane të heroit. 

Lidhur me tezën e Schmitt-it dhe të ndjekësve të tij, se aureolën e Skënderbeut si dhe të Rilindjes shqiptare e ngriti sidomos regjimi komunist, ky është jo vetëm trillim, por një kthim kokëposhtë i së vërtetës. As Skënderbeu e as Rilindja shqiptare, pjellë e iluminizmit europian, nuk kishin asgjë të përbashkët me komunizmin. 

Sa për tezën e përkatësisë etnike të Skënderbeut, me atë është abuzuar vërtet, por kanë qenë pikërisht rrethet nacionaliste jo shqiptare, që e kanë bërë një gjë të tillë, sidomos kundër pavarësisë së Kosovës. 

Ajo përdoret ende sot, siç e tregon deklarimi i Heinz-Christian Strache, kryetar i FPÖ (Freiheiliche Partei Osterreischs) më 23 shkurt 2008: "Kosova është një rajon i stërlashtë serb. Veç kësaj, kryeheroi i shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu, është në të vërtetë një serb, me nënë serbe dhe baba serb". ( ... ein Serbe mit einer serbischen Mutter und einem serbischem Vater). 

Një përdorim i pastër politik, veç jo në favor të shqiptarëve, por kundër tyre. 

Me bindjen se do ta botoni këtë letër, 
Ismail Kadare

******************************
2

Reagim dërguar gazetës «Shekulli» 
Zoti drejtor, 

Në gazetën tuaj të datës 9 mars lexova, jo pa habi, një shkrim të një gazetari gjerman me emrin Michael Martens, për çështjen e botimit kohë më parë të librit të historianit Schmitt në Shqipëri.
Në këtë shkrim, ku ka mjaft gjëra të pavërteta, për të mos përdorur fjalën «mashtrim», akuza më e rëndë është rezervuar kundër meje. 

Gazetari, ndër të tjera, shkruan se «botimi i librit shpërtheu një furi nacionaliste, ku luajtën një rol të palavdishëm kryeministri Sali Berisha dhe shkrimtari Ismail Kadare».

E cilësova akuzën tepër të rëndë sepse, përveç që në universin gjermanik cilësimi « nacionalist » i afrohet shumë atij të fashistit, në rastin e përdorimit për një shkrimtar ballkanas, në kontekstin ballkanas, rëndohet edhe më fort. 

Dihet botërisht se shkrimtarët e akuzuar për nxitës të nacionalizmit në Ballkan, janë akuzuar gjithashtu, me të drejtë, si përgjegjës për krimet dhe tragjedinë në konfliktin e fundit. Radovan Karaxhiç, që sot ndodhet në Hagë, ka qenë ndër të tjera, një poet !

Nuk e di në qoftë se gazeta juaj më konsideron të tillë. Në rast se po, atëherë ky botim kaq i ngutshëm është në logjikën e gjërave. Në rast të kundërt është vërtet e habitshme çfarë ju ka shtyrë të mos e respektoni ligjin numër një të gazetarisë: verifikimin e fakteve.

Ju keni botuar një trillim fund e krye. Më e pabesueshmja është se ju keni botuar trillimin e një gazetari gjerman, të panjohur për ju, kundër shkrimtarit shqiptar, që s'mund të pretendoni se nuk e njihni.

Unë nuk impresionohem nga të tillët. Një mashtrues gjerman është për mua thjesht një mashtrues, po aq sa ç'mund të jetë mashtruesi shqiptar apo mongol.

Ju jeni në mes të Tiranës dhe ju e dini se nuk kam udhëhequr kurrfarë fushate nacionaliste të lavdishme apo të palavdishme, për arsyen e thjeshtë se, për të mbrojtur Gjergj Kastriotin, lavdi Zotit, gjer më sot nuk ka pasur dhe shpresoj se nuk do të ketë kurrë nevojë për fushatë të udhëhequr nga dikush.

Ju besoj, jeni në dijeni se libri i historianit zviceran nuk u kritikua për vogëlsira, por në radhë të parë për tezën negacioniste, që këmbëngul se motivi i Gjergj Kastriotit për kryengritjen kundër osmanëve ka qenë gjakmarrja vetjake. 

Si rrjedhojë e kësaj teze të tërthortë raciste, populli shqiptar ka zgjedhur për model të tij një gjakmarrës, dhe jo një vizionar të lirisë, siç kemi kujtuar të gjithë gjer më sot, ngaqë idenë e kësaj të fundit ky popull, me sa duket, nuk e njeh.
Ky ka qenë thelbi i reagimit, të cilin autori dhe përkthyesi i tij tepër i zellshëm nuk e kuptojnë, ose bëjnë sikur.

Me bindjen se do ta botoni këtë letër,
Ismail Kadare 

***
I dashur Ismail 
Dëshiroj t'ju përcjell në emër të botuesit dhe drejtuesve të redaksisë, mbështetjen tonë të plotë për qëndrimet tuaja në lidhje me debatin mbi Skënderbeun. 

Nëse është e nevojshme, po shtoj se nuk pajtohemi në asnjë nivel me qëndrimet e gazetarit Martens dhe politika jonë editoriale lidhur me këtë temë, është theksuar disa herë. 
Është e qartë gjithashtu se ashtu siç thoni edhe ju, Gjergj Kastrioti, lavdi Zotit, nuk ka patur dhe nuk do të ketë kurrë nevojë për fushata mbrojtëse. As, ju. Ndaj këtë përgjigje, konsiderojeni një detyrim tonin dhe ndjesë nëse duhet, por kurrsesi replikë.

Ndoshta ajo që ka ndodhur, duhet parë disi më butë. Shekulli ka botuar një shkrim të bashkëpunëtorit dhe publicistit të njohur Klosi, ku ndër të tjera citohet gazetari Martens dhe artikulli i tij në FAZ.

Lexuesi ynë e di që ne dëshirojmë të mbështesim debatin duke respektuar opinionet e të gjithëve, por duke paralajmëruar gjithashtu (në një shënim të përditshëm tashmë disa-vjeçar) faktin që jo domosdoshmërisht të gjithë opinionet e botuara përcjellin politikën redaksionale të Shekullit. Ne përpiqemi njëkohësisht të respektojmë një shkallë të lartë lirie edituese si për redaktorët tanë brenda gazetës, ashtu edhe për bashkëpunëtorët tanë jashtë saj.

Edhe letrën tuaj, po e botojmë të plotë, pikërisht në emër të kësaj përpjekjeje, pavarësisht se ajo përmban tone të ashpra ndaj nesh, madje më të ashpra se në letrën tuaj të dytë, ku i drejtoheni burimit real të citimit, që është në këtë rast shtypi gjerman. 

Në këtë kontekst, ndoshta nuk e meritojmë frazën: "Ju keni botuar një trillim fund e krye. Më e pabesueshmja është se ju keni botuar trillimin e një gazetari gjerman, të panjohur pêr ju, kundër shkrimtarit shqiptar, që s'mund të pretendoni se nuk e njihni..".
I dashur, Ismail. Ne ju njohim. Dhe ju duam!

Ndaj ndihem vërtet keq për rreshtat e letrës suaj ku pyesni nëse "Shekulli" ju konsideron të njëjtë me Karaxhiçin. Një miliard herë, jo. As të njëjtë, as të ngjashëm, as të afërt, as sot, as kurrë. 

Përqafime
Adrian Thano
Drejtor i gazetës Shekulli


(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora