E merkure, 30.04.2025, 03:53 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kadare

Kadare me liber te ri: Shkaqet e vrasjes se Ramize Gjebrese dhe Zaho Kokes ne 1944

E hene, 15.11.2010, 10:58 PM


"Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se jetojmë në një kohë mosmarrëveshjesh. Por, fillesën, ky libër e ka shekuj më parë dhe trajton mosmarrëveshjet e shqiptarëve me njëri-tjetrin kohë pa kohë". Kështu do të shprehej dje për librin e tij të ri, "Mosmarrëveshja", shkrimtari Ismail Kadare. Ndonëse sa herë që boton një libër të ri, Kadare thotë se është i fundit, sërish rikthehet me një subjekt të ri, me një çështje që bën bujë. "Mosmarrëveshja - Mbi raportet e Shqipërisë me vetveten" është vepra më e re e tij, një botim i shtëpisë botuese "Onufri". Është një sprovë letrare, ku autori trajton tema të nxehta, që e kanë shoqëruar shqiptarin gjatë gjithë ekzistencës së tij. Ashtu si u shpreh edhe vetë, dje në stendën e shtëpisë botuese, në Panairin e Librit "Tirana 2010", ku firmosi veprat e tij për lexuesit (blerësit), ky është një libër për mosmarrëveshjet e shqiptarëve me sho-shoqin. Me stilin e tij karakteristik, herë-herë ironizues, që e bën edhe më të këndshëm leximin e çdo teme, ai trajton çështje që lidhen me flamurin apo himnin kombëtar, heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, duke u nisur nga debati i lindur dy vjet më parë nga historiani Oliver Shmidt, historinë e vështirë që ka kaluar Shqipëria, përpjekjet për të hyrë në Europë, raportet me fqinjët dhe veten, krimet e komunizmit, etj. Janë këto tema, që shkrimtari i ka cekur në intervista të ndryshme apo në shkrime të tij, por që kësaj here vijnë të përmbledhura në një libër të vetëm dhe që nisin e mbyllen me një kumt të fshehtë, dhënë në një nga strofat e himnit kombëtar, apo i njohur ndryshe si himni i flamurit. Kumti i kuptuar kobshëm nga rilindësit: Se Zoti vetë e tha me gojë...   a.m

 

ISMAIL KADARE

 

“E keqja e Shqipërisë: Vetvetja”

Enigma e vërtetë

Njerëzit në Shqipëri, donin apo nuk donin, kishin një histori vetjake me himnin e shtetit. Për shumicën, ajo ishte e thjeshtë: e vetmja muzikë që duhej dëgjuar në heshtje, pa lëvizur, me nderim. Për të tjerët, heshtja kishte një farë ndërlikimi. Ky i fundit ishte i ndryshëm për ata që nuk ia dinin cenin e fshehtë, por sidomos i tillë për ata që ia dinin. Megjithatë, ndërlikimi për të dyja palët ishte i përkohshëm. Kalonin vitet dhe njerëzit mësoheshin me të. Harrohej befasimi i parë i tekstit, zbeheshin pyetjet dhe bashkë me të edhe dyshimet. Ndërkaq, konkurset për ndërrimin e tij vazhdonin. Si përherë të ngathët, të përgjumur, pa përfundim. Kishte përherë gjëra më të ngutshme për të zgjidhur: një kongres që afrohej me ngut, zanafilla ose zbulime komplotesh, madje komplote në fazën e pjekurisë. Për çudi, në himn kishte njëfarë paralajmërimi për to. Përgjithësisht himni ishte parashikues për rreziqet që mund t'i vinin kombit. Nga kjo pikëpamje, a mund të quhej i përkryer sikur të mos e kishte atë profecinë e keqe për popujt?

Autori i këtyre radhëve, ashtu si shumë të tjerë, do të kishte shpëtuar ndoshta nga pyetjet dhe vramendjet për himnin sikur të mos kishte ndodhur diçka e veçantë për të. Në konkursin e radhës të porsashpallur, si përherë pa bujë për himnin, ishte ftuar të merrte pjesë me një tekst. Një grup prej gjysmë duzine poetësh dhe përafërsisht po aq muzikantësh u thirrën në një mbledhje të ngushtë. Ndjesia e parë që duhej të kishin ishte se ndërsa të tjerët kishin shpëtuar nga trazimet e himnit, ne ishim të detyruar të merreshim përsëri me to. Me fjalë të tjera, ajo që mund të cilësohej si histori vetjake ishte kthyer për ne në stërvetjake. Gjithçka niste nga e para. Ç'ishte ky himn i mbrapshtë që ta bënte mendjen dhallë dhe si shpjegohej që ky shtet, i cili e kishte aq të lehtë ndalimin e gjithçkaje: flokët e gjatë, fundet e shkurtra, muzikën, librat perëndimorë, modën, klerikët, tregohej kaq i durueshëm me këtë himn trillan? Së fundi, ç'e mbante, a kishte diçka që e mbronte, që s'e linte të binte? Një ëndërr e fshehtë, ndoshta një ide, një doktrinë që askush s'guxonte ta shpallte, si puna e Shqipërisë së Madhe për shembull... Por mjaftonte të përqendroheshe një grimë që të kuptoje që kjo e fundit ishte sidomos fantaziste. Në kishte diçka ku mendimi komunist nuk arrinte kurrë, ishin pikërisht ide të ngjashme me atë të Shqipërisë së Madhe. Më lehtë do të besoje se himni mbahej ende ngaqë nuk e mbronte askush. I vetmi që besohej se kishte shkruar diçka për të ishte poeti i viteve '30, Migjeni. Madje, edhe ai kështu e kishte cilësuar, "Kanga që s'kuptohet", në një nga poezitë më të errëta të tij. Pyetjet bënin ç'bënin, ktheheshin te strofa e ndaluar. Të gjitha ktheheshin tek ajo strofë: Kumti i fshehtë, profecia, testamenti. Mendimi i dobësuar disi, siç ndodhte me çdo mendim pas një përqendrimi të gjatë, përfundonte ca çaste te strategjia e përpunuar kohët e fundit, sipas së cilës Shqipërisë do t'i duhej të mbrohej në rast sulmi të njëkohshëm edhe nga NATO-ja, edhe nga Traktati i Varshavës. Dhe jo vetëm të mbrohej, por edhe t'i vinte në gjunjë të dy! Himni, pse jo, ishte krijuar ndoshta enkas për këtë orë fatale dhe të madhërishme njëkohësisht. Njëzet a tridhjetë shtete do t'i suleshin vendit të vogël (me njëzet a tridhjetë himne sigurisht) në kohën që ai në çastin e madh do të shpaloste urdhrin e tij të epërm, atë të fshehtin, të ndryrë në katërvargëshin e ndaluar, atij që nga i mbuluar në hije siç qe, mund të shpallej befas sovran.

Se Zoti vetë e tha me gojë/ Se kombet shuhen përmbi dhe.

Me fjalë të tjera, 20 a 30 shtetet do të shuheshin, e nga kjo gjer te shuarja e të gjithëve, nuk ishte veçse një hap. Një përndezje e tillë e mendimit vështirë të jetë dëshmuar në ndonjërin nga proces-verbalet e mbledhjeve të poetëve "hymnorë", siç i quajti dikush me shpoti, dhe aq më pak në proces-verbalet e jurisë. Në të vërtetë, në mbledhje nuk u shtjellua dhe as që mund të shtjelloheshin çështje që kishin lidhje me enigmën e tekstit të vjetër. Madje, fjala "enigmë" duhet të jetë shmangur gjithsesi, ashtu siç është shmangur krejtësisht vetë strofa e keqe.

 

***

 

Sidoqoftë, me gjithë zellin e vet, komisioni nuk arriti të bënte asgjë. Aq më tepër, që një pjesë e jurisë kishte rënë ndërkaq në burg për shkaqe që s'kishin asnjë lidhje me himnin. Ndërprerja e mbledhjeve nuk pengonte aspak që mendimet të vazhdonin të bluheshin në kokat e poetëve, madje të çliruara nga detyrimi i formulimit me fjalë, ato ishin më të çartura se kurrë. Siç mund të merrej me mend, ato kishin lidhje kryesisht me strofën e keqe. Tani ishin të gjithë në një mendje se për shkak të saj, himni ishte i mbrapshtë, një kundërhimn i vërtetë, një urdhër i gabuar. Sipas Migjenit, "Kanga që s'kuptohej" kishte dalë nga thellësia e kombit. Rrjedhimisht, urdhri i gabuar ose kundërhimni nuk mund të dilte veçse nga një Kundërshqipëri e thellë. Si fëmija që duke ecur përmes territ për të mposhtur frikën nis e këndon me zë të lartë, ashtu dhe himni në gojën e shqiptarëve nuk mbulonte veçse diçka të kundërt. Kjo diçka e kundërt kishte lidhje me një pyetje, më saktë me një dyshim të vjetër: do të bëhet a s'do të bëhet ky vend. Veshët e shqiptarëve, që nga fëmijëria e derisa jepnin shpirt, ishin familjarizuar me një mëdyshje të tillë. Shqipëria do të bëhet, Shqipëria nuk do të bëhet, do të bëhet për inat të shqiptarëve. Për të çuar në vend ëndrrën e shqiptarëve. Përkundrazi, për të plasur shqiptarët. Do të bëhet se s'bën. S'do të bëhet dhe pikë. Prej një Kundërshqipërie s'mund të pritej veçse një kundërhimn, një maskë çoroditëse. Himni nuk mund të lexohej veçse mbrapsht. Besimi se Shqipëria do të rronte kur të tjerët të shuheshin kishte gjasë të fshihte frikën se ishin të tjerët që do të rronin në kohën që ajo do të shuhej. Kjo frikë ishte vënë në gojën e Zotit. Se Zoti vetë e tha me gojë... Ç'kishte thënë vallë Zoti dhe cili kishte qenë zëdhënësi i tij? Pra, Zoti mund të kishte thënë të kundërtën e asaj që kujtonin shumica e shqiptarëve. Ishte diçka e parandier prej kohësh, diçka që rilindësit e kishin kuptuar qyshkur, por nuk e thoshin me bujë për të mos ligështuar shpirtrat e bashkëkombësve. Në një varg të famshëm, Naim Frashëri, më qartë se kushdo, e jepte: "Gjithë kombet gëzojnë, ti Shqipëri pse s'gëzon?" E jepte si diçka të dhimbshme, por duke u përpjekur t'ia hiqte vulën e fatalitetit. Megjithatë, ai nuk përjashtohej. Vargu mund të kishte lexim të ndryshëm. Për disa, Shqipëria do të bëhej edhe kundër fatit. Për të tjerët, s'qe e thënë. Kjo nuk ishte veçse një pjesë e enigmës që mbulonte himnin, pjesa e dukshme e saj. Enigma ishte më e thellë, më e keqe. Ajo kishte lidhje me energjinë penguese që nuk lejonte mpiksjen e Shqipërisë. Përgjithësisht, ajo përftohej si diçka e jashtme: Perandoria Otomane në radhë të parë, grekët e sllavët fill pas saj. Kishte kohë që ishin dhënë të gjitha shenjat se ishte një energji tjetër më e keqe se kjo treshe zymtore që pengonte, por shqiptarët bënin sikur s'e shquanin dot. Dhe ishte e natyrshme të bënin ashtu. Shpjegimi ishte i thjeshtë: pengesa kryesore ishin ata vetë. Një energji e tillë nuk ishte e panjohur. Çdo popull kishte në gjirin e vet një energji të kundërt. Rimohuesit ishin të vjetër sa bota. E keqja e Shqipërisë ishte se sasinë e rimohuesve e kishte tepër të lartë. Më të lartë se caku i lejueshëm, pas të cilit kombi përmbysej. Pas spikamës së jashtme të Shqipërisë, si në mjegull shfaqej spikama tjetër e saj: Shqipëria që nuk donte vetveten. Shqipëria vetëvrasëse. Dhe himni ishte në të vërtetë i saj. Ndaj thelbi i tij, strofa e fshehtë mund të lexohej ndryshe: Se Zoti vetë e tha me gojë/ se kombet s'shuhen përmbi dhe/ por Shqipëria s'do të rrojë/ sepse atë s'e duam ne.

Ishte padyshim i rëndë dhe i padurueshëm ky lexim. Rilindësit shqiptarë duhet të ishin të parët që do ta kenë zbërthyer, do të jenë tmerruar dhe do të kenë vuajtur prej tij, ashtu si dinin të vuanin ata.         

 

Intermexo me dy vrasje në sfond

 

Kjo intermexo është ndoshta e nevojshme për të kuptuar nga një tjetër pikëshikim, shumë të rrokshëm, disa nga trazimet, më saktë, misteret, ende të pashpjeguara, të jetës së sotme shqiptare. Shkurt, për t'i shpjeguar ndryshe, një ndajfolje e gjykuar aq moderne, sot, ashtu siç dhe u theksua në kreun pararendës.

Ndonëse kjo intermexo rrok në kohë të kufizuar dimrin midis dy viteve, 1943 dhe 1044, burimshëm, ajo lidhet me të vërteta të tjera, njëqind, dyqind e madje gjashtëqindjveçare. Në të do të gjejmë një pjesë të atij mekanizmi që ka prodhuar prologë dhe epilogë, dëshmi të besueshme e të rreme, mite të mirëfillta e mite të rrejshme, mistifikatorë që shpesh mbulojnë jo veç fytyrën e një personazhi, por të një epoke të tërë.

Me këtë rast është e detyrueshme të theksohet se ngjarjet që jepen këtu, jo vetëm janë një dromcë në tablonë e krimeve të ngjashme, por vetë kjo tablo vrasjesh brenda llojit nuk është veçse një pjesëz e tablosë kolosale, asaj që përfshin tmerret jashtë llojit, thënë ndryshe, krimet kundër klasave të përmbysura, duke nisur nga borgjezët e klerikët, e të gjithë ata që u shpallën armiq të rendit të ri. ....

Pas ngjitjes lart prej puseve të arkivit, hulumtuesit, njëri pas tjetrit botuan dëshmitë e tyre. Libri i parë: "Disidentët e rremë" i S. Bejkos. I dyti, "Nega Totum" i V.Barutit. Të dy këta libra, ndonëse i pari i shkruar me mjeshtëri e i dyti disi shkujdesshëm, për nga të vërtetat tronditëse që sillnin do t'i bënin nder çdo vendi ish-komunist, nga Baltiku në Adriatik; për fat të keq, vendi i tyre, Shqipëria, ai vend që më shumë se cilido kishte nevojë për to, u tregua i verbër e shurdhër. 

Shpjegimi u kërkua te historia e njohur e pasqyrës që i vihej përpara një populli me ndërgjegje të gjymtuar, ku veprimi i parë i tij ishte kthimi i kokës për të mos parë të vërtetën, i dyti, thyerja e pasqyrës. Me librat e mësipërm ndodhën të dyja. Ishte një mur i heshtur që ngrihej aty për aty sa herë që diktatura e përmbysur kishte nevojë për të. Dhe gjer më sot nuk mbahej mend ndonjë tirani e përmbysur, që fill pas rrëzimit të saj të mos bëjë gjithçka për të mbuluar krimet. Për librin e parë, "Disidentët e rremë", pyetja shtrohej: Çfarë kishte zbuluar anketuesi në zbritjen e tij të dytë në Arkiv? Një krim, padyshim. Një krim të pazakonshëm nga ata që pjellin të tjera, sipas përfitimit të dikurshëm fatalist. Anketuesi, nëpërmjet dosjes së një shkrimtari, arrin të zbulojë dhe t'i bjerë kambanës, jo për një tmerr dosido, por për një krim arketipal, një nga ata që përcaktohen si krim fondator, mbi të cilin ngrihet një doktrinë e tërë, një sistem e një rend i gabuar. Është fjala për vazhdimin e dosjes së autorit të "Mekamit". Ndonëse ish-oficer i Sigurimit, kjo s'e pengonte të fitojë hieroren e disidentit, madje duket se e ndihmon. Fill pas kësaj, miti i disidencës së tij, në vend që të zbehet, zë vend në të vetmen histori të letërsisë shqipe të shkruar prej kanadezit Robert Elsie. Siç është thënë më parë, anketuesi, i bindur se ndodhet para një mbrapshtie të frikshme është përpjekur ta pengojë atë. Ai ka shpjeguar gjithçka, por askush nuk e dëgjon. Pas një zbritjeje tjetër në Arkiv, bindet se personazhi ka qenë, jo vetëm oficeri i Ministrisë së Brendshme, por zëvendëskomisar batalioni qysh më 1943, e zëvendëskomisar do të thoshte sipas kodit ritual të kohës, shef i Sigurimit në batalion. I bindur se kaq do të mjaftonte që ta dëgjonin më qetësisht, autori nuk zhbiron më tej. Por për habinë e tij të madhe, jo vetëm tani e dëgjojnë më pak, por është e kundërta, nuk e dëgjojnë fare, madje presin fazën e mëtejshme, atë të talljes me të.     

Dyshimet e rënda që e rrethojnë kinse disidentin janë të mjaftueshme për të nxitur një zbritje të re në Arkiv. Anketuesi ka bindjen se diçka tepër e errët fshihet. Ai vazhdon zhbirimin gjersa bie më në fund në gjurmë të misterit. Personazhi ka qenë jo vetëm oficer i Sigurimit, por ai ka qenë një ndër themeluesit e tij. Autori i "Disidentëve të rremë" nuk e merr me mend se ky zbulim që në pamje të parë ngjan si një kulmim i së keqes, zbehet befas një nga kulm tjetër: njeriu, jo vetëm është një themelues i Sigurimit shqiptar në vitin 1943, por ai është një vrasës. Është fjala për një vrasës të mirëfilltë, vrasës me dorë të vet dhe për më tepër vrasës pas krahëve, pra me plumb pas koke. Duke u bazuar në rrëfimin e vetë vrasësit, autori i "Disidentëve të rremë' analizon përsëri me saktësi laboratorike atë tmerr. Orë pas ore zbërthen gjithçka, si u përgatit fshehtazi krimi i pështirë, si u caktua kinse për ta kryer, mënyra e pabesë si e mashtroi viktimën, partizanin e ri 20-vjeçar për të bërë një udhëtim së bashku, së fundi, mënyra burracake si e qëlloi pas koke, te bregu i një kënete, në kohën që tjetri kërkonte me sy cektinën ku mund të kalonin. Është një nga rrëfimet më ngjethëse që njeriut mund t'i bjerë rasti të lexojë.   

 

***

 

Nga rrëfimi i vrasësit nuk mbetet asnjë pikë dyshimi për krimin, për anketuesin po aq trishtues sa vetë krimi është miratimi i heshtur për të i ithtarëve të "Disidentit të rremë'. Pas mahnitjes që shfaq shkruesi i parathënies për njeriun, që nga njëra anë ka kryer një vrasje burracake, e nga ana tjetër ka hedhur aq shumë baltë mbi Kastriotin, anketuesi sheh diçka të keqe që e kapërcen çështjen. Mllefi kundër Kastriotit shtrihet përtej tij, ai bëhet veçanërisht i hidhur e përqeshës kundër atit të personazhit, Gjon Kastriotit. Këtë personazh madhërisht të trishtuar në tragjizmin e tij ka dashur të përqeshë duke e nisur nga emri "Albanologu i ri". Për anketuesin, njeriun që e ka lënë gjysmën e vështrimit në minierë, zbërthimi i dokumenteve është tani çuditërisht më i lehtë. Ai i afrohet më në fund zbërthimit të enigmës. Sipas tij, pjesërisht ka të bëjë me raportet atë-bir, kur bijtë me etër turpërues të njollosur nga epoka nuk durojnë etër normalë, pale pastaj madhështorë.

 

***

 

Viti 1943 është viti i parë i krimit. Vrasjet pas krahëve ishin motërzimi ballkanik i terrorit rus, atë që e kishte profetizuar Dostojevksi, aq shumë i urryer prej bolshevikëve dhe prej aleatit të tyre të rastit, Zigmund Frojd. Nako Spiru, një nga shefat kryesorë komunistë të luftës, në një letër drejtuar shefit kryesor, Enver Hoxhës, i shkruante ndër të tjera për ca vrasje të dyshimta. Ndër emrat e të vrarëve përmendet Zaho Koka. Nako Spiru e ka shkruar këtë letër fill pas pushkatimit prej vetë shokëve të tij komunistë të të fejuarës së tij, R.Gjebra, me nofkën "Ramona", një vajzë partizane me një bukuri të rrallë, ardhur në mal nga qyteti. Vrasja e saj, që tronditi në atë kohë gjithë Shqipërinë, ende sot në kohën që po shkruhen këto radhë ka mbetur e errët. Pyetjen përse e ka bërë e para ajo vetë, sipas dëshmitarëve të shumtë, e lidhur siç qe, në një qilar të pistë, në katundin Ramicë të Vlorës. Pyetjen e ka përsëritur fill pas viktimës, njeriu më i afërt i saj, Nako Spiru, i fejuari i vajzës. E ndonëse shef kryesor komunist, në fillim as ai s'merr veçse një përgjigje të mjegullt. Lihet të nënkuptohet se shkaku i dënimit ka qenë i tillë që është vështirë të thuhet për të mos plagosur shpirtërisht shefin e rëndësishëm. Shumë shpejt shkaku merret vesh: Ramona, 20-vjeçarja me inteligjencë e bukuri të rrallë, qenka dyshuar për lidhje dashurie më njëfarë Zaho Koka. Rrjedhimisht, "gjyqi partizan" paska mbrojtur veç të tjerash, nderin e një prej shefave të lartë të tij. Dyshimi sa vete e rritet, sidomos pas vrasjes së vetë Zaho Kokës, çka e tregon qartë letra e dërguar shefit të madh, E.Hoxhës. N.Spiru është i pari dhe i fundit, që jo vetëm shkruan se "rivali i tij" është vrarë pas shpine, por guxon ta pyesë E.Hoxhën, përse ka ndodhur kjo. Çështja e vrasjes pas shpine lidhet me diçka tjetër: Nëse joshësi i Ramonës është vrarë në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai duhej të merrte në varr një të fshehtë. E fshehta lidhej me pyetjen që do të përsëritej qindra herë nga mijëra njerëz në dhjetëra vite: Nëse u besua vërtet si një faj pasional që dëmtonte çështjen e moralit në luftë, me fjalë të tjera, disi i përligjur, ndonëse tepër i ashpër, rrjedhimisht i dënueshëm, atëherë përse u dënua me pushkatim vetëm ajo, "femra", dhe jo tjetri, "mashkulli"?

Në një vështrim të parë duket si një njollë e zezë që i vihet atij që është himnizuar shpesh si virtyti kryesor, si shenja e parë identitare e shqiptarëve, burrnia. I ashtuquajturi gjyq partizan i Vlorës bëhet në këtë rast simbol i urryer i maskilizmit shqiptar, atij që burrninë e kthen në të kundërtën e vet. Problemi ndërkaq ngjan shumë më i thellë. Vetë vrasja, por sidomos fshehja e të vërtetës për të, e sidomos shndërrimi i saj në një histori të rrejshme dashurie për gati 70 vite rresht, dëshmonte për diçka të paparë në historinë shqiptare. Më saktë se ligjërimet e kohës, se përplasja e ideve dhe profecitë e ndërluftuesve, ai krim paralajmëroi një gjysmë shekulli zi dhe mjegull në historinë aspak të kthjellët shqiptare. Është kjo arsyeja që gjithsesi e përligj zhbirimin e hollësishëm të asaj që ndodhi në shkurtin e egër të vitit 1944, në Ramicë të Vlorës.

 

 

Botimi

 

Vepra: “Mosmarrëveshja – Mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”

 

Autori: Ismail Kadare

 

Shtëpia botuese: “Onufri”

 

Numri i fq: 206

 

Çmimi: 500 lekë



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx