Përjetësi » Kadare
Ismail Kadare padit Nexhmije Hoxhën
E diele, 22.07.2012, 08:06 AM
Kadare: E
ka Hoxha, e mësova nga arkivat
Nga Fatmira Nikolli
Ismail
Kadare sqaron arsyet pse e hedh në gjyq bashkëshorten e diktatorit Enver Hoxha.
Në një intervistë të shkurtër dhënë për "Gazeta Shqiptare" ai
shprehet se ka qenë dëshira për të pasur dorëshkrimin origjinal të veprës së tij
që mori jetë në vitin 1972 që e ka shtyrë. Shkrimtari i njohur sqaron se e ka mësuar
nga arkivat faktin që dorëshkrimi origjinal i veprës së tij gjendet në duart e
Nexhmije Hoxhës. Ndërsa shprehet se kjo është një histori e vjetër për të cilën
nuk ka dëshirë të flasë në media, shkrimtari më i njohur shqiptar në botë, i
vlerësuar më disa çmime ndërkombëtare, bën me dije se për këtë çështje nuk ka
pasur kontakte me Nexhmije Hoxhën. Mbetet ende e paqartë se përse Nexhmije Hoxha
e ka mbajtur dorëshkrimin e "Dimrit të vetmisë së madhe" prej kaq
shumë vitesh dhe përse ajo nuk ia ka kthyer veprën autorit.
Zoti
Kadare pse e hodhët në gjyq Nexhmije Hoxhën?
Kam
dashur të kem në shtëpi dorëshkrimin tim origjinal për veprën "Dimri i
vetmisë së madhe". Është një histori e vjetër kjo. Nuk do të doja të flisja
për të.
Jeni i
sigurtë se e ka Nexhmije Hoxha?
E kam kërkuar
nëpër arkiva, aty ku ishin të tjera veprat të miat. Por, ndërsa dorëshkrimet e
veprave të tjera i gjeta dhe i mora, dorëshkrimi i romanit "Dimri i vetmisë
së madhe" mungonte.
Si e mësuat
se e ka ajo?
E kam mësuar
nga arkivat, përmes kërkesave që janë bërë aty. Ju thashë që është një histori
e vjetër kjo. Janë kontaktuar disa institucione, ndër to edhe Muzeu Historik Kombëtar,
por edhe arkiva të tjera që kanë qenë të përfshira.
Pra, e
dini vetëm nga hulumtimet e bëra nëpër arkiva?
Po,
informacionin e kam marrë përmes këtyre kontakteve me muzetë e arkivat, ku janë
ruajtur veprat e mia. Ashtu siç thashë edhe më lart dorëshkrimin e romanit tim
e ka Nexhmije Hoxha.
E keni
kontaktuar ndonjëherë vetë Nexhmije Hoxhën për këtë çështje?
Jo unë vetë nuk kam pasur kontakte me të, është zyra avokatore që është marrë me këtë çështje. Unë nuk do të doja që të mediatizohej kjo çështje, megjithatë media ka punën e saj
_____________
Ismail Kadare padit Nexhmije Hoxhën
Nga Thimi Samarxhiu
Ismail
Kadare padit Nexhmije Hoxhën për dorëshkrimin origjinal të librit "Dimri i
Vetmisë së Madhe". Shkrimtari i njohur Ismail Kadare i është drejtuar dje
Gjykatës së Tiranës, për të rimarrë dorëshkrimin origjinal të veprës "Dimri
i Vetmisë së Madhe", i cili mbahet padrejtësisht, sipas tij nga Nexhmije
Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha. Në padinë e depozituar dhe marrë në dorëzim
nga gjyqtari Bledar Abudullai, Kadare ndër të tjera kërkon dhe rifitimin e së drejtës
së autorit mbi këtë vepër. Kjo padi vjen vetëm pak kohë pasi Ismail Kadare
ribotoi veprën e tij "Dimri i Vetmisë së Madhe", vepër e cila gjatë periudhës
së komunizmit u censurua si në titull ashtu edhe në përmbajtje.
Padia
Avokatët
mbrojtës të Ismail Kadaresë kanë depozituar dje në Gjykatën e Tiranës padinë civile
kundër Nexhmije Hoxhës. Në objektin e kësaj padie kërkohet nga ana e Gjykatës së
Tiranës: "Rifitimi i të drejtës së autorit mbi veprën artistike, dorëshkrimi
origjinal i librit "Dimri i Vetmisë së Madhe" dhe rikthimi i dorëshkrimit
origjinal i veprës "Dimri i Vetmisë së Madhe" në posedim të z. Ismail
Kadare. Marrja e masës së sigurimit të padisë duke urdhëruar inventarizimin dhe
sekuestrimin e dorëshkrimit origjinal të veprës "Dimri i Vetmisë së Madhe",
mbajtur në mënyrë të paligjshme nga e paditura Nexhmije Hoxha dhe lënia përkohësisht
në ruajtje pranë një institucioni të pavarur të përcaktuar nga gjykata deri në zgjidhjen
përfundimtare të çështjes." Ndërkaq, padia në fjalë është hedhur në short
dhe pritet të shqyrtohet në ditët në vijim nga ana e gjyqtarit Bledar Abdullai.
Precedenti
Vetëm pak muaj më parë Nexhmije Hoxha i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim kundër gazetarit Blendi Fevziu, të cilin e akuzonte se kishte vjedhur dhe publikuar më pas në librin e tij, ditarët e Enver Hoxhës. Organi i akuzës, pasi ka marrë në pyetje familjarët e diktatorit Hoxha, gazetarin Fevziu dhe ka kryer verifikime në Arkivën e Shtetit, ka vendosur të rrëzojë këtë kallëzim me argumentin se hetimi i akuzës në Arkivin e Shtetit u konstatua se s'gjenden procesverbale të dorëzimit të dokumenteve personale të diktatorit Hoxha. Ndërkaq, e veja e diktatorit sërish shprehet se ato ditarë janë vjedhur dhe se nuk gjenden askund.