Përjetësi » Kadare
Mero Baze: Njeriu që mbajti kombin me kokën nga Perëndimi
E hene, 01.07.2024, 06:55 PM
Njeriu që mbajti kombin me kokën nga Perëndimi
Nga
Mero Baze
Shqipëria
nuk është gati të përcjell Ismail Kadarenë. Ajo është kapur si në kurth nga
ikja e tij. Dhe këtu nuk është fjala si për ato urgjencat që ta gjejnë shtëpinë
rrëmujë dhe ti nuk pret dot miq. Është më shumë se kaq.
Shqipëria
është përkeldhelur nga fati që e kishte të gjallë dhe pjesë të saj për 88 vite,
një nga kolosët e letërsisë botërore, dhe ishte familjarizuar me këtë fat, si
me një gjë të zakonshme.
Ai
ju bë fat shqiptarëve që donin të mbanin gjallë trurin nga konformizmi i
realizmit socialist dhe akoma më shumë ju bë fat shoqërisë shqiptare që i
kultivoi shijet e artit perëndimor dhe standardet e një kulture të përbotshme.
Mbi
të gjitha ai ju bë fat gjuhës shqipe, duke qenë babai modern i saj, duke e bërë
atë një gjuhë të aftë për të shkruar një letërsi të madhe.
Duke
qenë se gjuha për shqiptarët është kolona vertebrale rreth të cilit është
ngjizur identiteti ynë kombëtar, me tre fe, me geg e toskë dhe me një gjeografi
të vështirë, Ismail Kadareja mbetet për këtë shkak dhe një ngjizës i
identitetit tonë kombëtar pro perëndimor.
Kur
them se Shqipëria nuk është gati për ikjen e tij, kam parasysh se ne ishim
familjarizuar me idenë që njeriu që i dha vlerë Shqipërisë më shumë se kushdo
shqiptar tjetër, e ka pasur atë për detyrë të caktuar nga Zoti dhe ne kishim
detyrë ta gjykonim për jetën e tij tokësore.
Përbaltësit
e lirisë, nuk e duronin dot që ai kishte bërë fjalë me shitësen e lagjes apo që
ja kishte bërë me hile “shokut Enver” duke i shpëtuar ndëshkimit. Tani që nuk
do ta shikojnë më në lagje, dhe që do të kenë përballë vetëm letërsinë e tij,
ndoshta ndjehen të çliruar, meqë nuk kanë punë me librat por me njerëzit .
Tani
që nuk do ta kemi më mes nesh, do ta kuptojmë se mungesa e tij, do të lërë pas
një greminë, buzë së cilës qëndoron letërsia e brishtë shqiptare, e cila pa
Ismail Kadarenë është si një gurë në rrokullimë.
Ai
është prita dhe shpresa e vetme që kultura jonë kombëtare nuk do të gërryhet
kurrë plotësisht. Veprat e tij janë digë ndaj çdo të keqeje që mund të na
kërcënoj në të ardhmen e saj.
Ndaj
Shqipëria nuk është sot gati ta përcjellë atë. Ajo është e papërgatitur, e
paaftë dhe pashpresë të mbush boshllëkun që lë ai. Kur themi nuk jemi gati ta
përcjellim atë, kam parasysh se nuk jemi gati të jemi të njëjtët dhe pa atë
gjallë. Dhe këto do ta kuptojmë të gjithë shumë shpejt.
Ismail
Kadareja është i fundmi që mbante në këmbë një sistem vlerash për kombin
shqiptar, një sistem mbi të cilin
nuk ngjiti dot, as balta e
lirisë, e as gjaku i diktaturës.
Ai
kishte mbi shpinë peshën e Kryqit për të na mbajtur ndonjëherë me zor me kokë
nga Perëndimi.
Ky
ishte misioni i tij dhe “diktatura” e
njeriut që i tregoi botës se një gjuhë e vogël si shqipja, mund të bëj letërsi
të madhe dhe një vend si Shqipëria mund të prodhoj qytetarë të denjë të botës.
Dhe
mbrëtërinë e tij nuk e rrëzon dot askush. Shqipëria do të mbahet mend në botë,
mes të tjerash se në atë vend ka lindur dhe jetuar Ismail Kadareja.
Tema