Përjetësi » Kadare
Edison Ypi: Shën Kadare
E hene, 01.07.2024, 05:59 PM
Shën
Kadare
Nga
Edison Ypi
I
ra Ferrit mjatas, djathtas, para, mbrapa, lart, poshtë, diagonalisht,
kryqetërthor, rrethepërqark. S'la zgëq pa ja parë. S'la qosh pa ja ndjerë. S'la
hile pa ja nxjerrë. S'la sekret pa ja zbuluar. S'la torturë pa ja vuajtur.
S'mbeti
budalla pa e përgojuar.
S'mbeti
analfabet pa i vënë në dukje gabime në stil dhe përmbajtje.
S'mbeti
mediokër pa e mësuar perfeksionistin e tekstit si duhej të shkruante.
S'mbeti
burokrat partie pa e kërcënuar për gabime ideologjike, pa i treguar hekurat,
prangat, burgun.
S'mbeti
injorant pa e kritikuar. Atëhere për vigjilenca, ideologjira, të munguara. Sot
për kodra mbas bregut.
S'ju
tut aspak, as atyre, as këtyre, dhe askujt tjetër.
E
çorrën, e ropën, e baltosën, e grisën, e kafshuan, turlilloj qensh e zagarësh.
S'lëvizi nga llogorja.
Analfabetët
që s'kishin lexuar asgjë iu vërsulën me kritika dhe këshilla nga më absurdet,
nga më halucinantet. S'u tund nga istikami
Nga
kooperativistat, traktoristat, proletarët, stakanovistat, fituesit e garave,
mbajtësit e yllit, valavitësit e Flamurit, shtruesit e rrogozit, puthadorët,
këpucëlëpirësit, ushtarët, detarët, marinarët, toksorët, ajrorët, të gjallët,
të vdekurit, deri te akademikët e thekur, e qortuan pafundësisht për mungesë
vigjilence, mos zbatim të Luftës së Klasave, ujë në mullirin e armikut etj.
etj. etj. S'ja bëri tërr syri.
Rrenat
dhe intrigat që ja thurën ziliqarët, s'patën të krahasuar me ato të Mesjetës.
S'pordhi asnjërin. I bëri pluhur e hi të gjitha.
Aleancën
më të qelbët mes Sigurimistave dinakë dhe të vuajturve budallenj e mëshiroi dhe
dënoi si e meritonte, me heshtje.
E
goditën me gjyle balte në mbledhje kolektivi. E ndotën mbi rrroba. I pastroi me
një të shkundur.
J'u
vërsulën me plumba dhe bomba nëpër plenume. Artileritë e tyre qesharake, mbi
veprën kolosale, nuk bënë asnjë efekt. Talli dhe përbuzi artilierët e llumeve
dhe plenumeve.
Në
veprën oqeanike nuk ka absolutisht asgjë autoreferenciale. Shkroi milione e
miliona fjalë. Dhe atë që llapaqenat e kanë të tretën fjalë -unë - nuk e
shkrojti kurrë. Asnjëherë të vetme.
Ta
shaje ishte meritë që duhej të kishe paturpësinë ta bëje.
Ta
lëvdoje ishte rrezik që duhej ta përballoje.
Edhe
më të qelbtit, edhe më të neveritshmit, edhe më rrezikshmit, nuk gjetën dot
kurrë diçka të besueshme, diçka faktike, diçka objektive, diçka bindëse, sado
të vogël, sado të imët, sado të largët, për ta goditur.
S'ja
ndërtojmë dot një kishë a një tempull të madh e të lartë sa e meriton, se e
vjedhim pa e filluar.
S'ja
ngremë dot një shtatore prej floriri, se floriri na duhet për unaza nëpër
gishta dhe zinxhira nëpër qafa.
Nga
tërë kjo zhurmnajë pa pikë kuptimi, pa presje çlodhëse, pa pikpyetje frike,
vetëm me pikçuditse të pafundme, iku të çlodhet pak.