Përjetësi » Kadare
Prend Buzhala: Pavdekësia e Shkrimtarit
E hene, 01.07.2024, 06:57 PM
PAVDEKËSIA
E SHKRIMTARIT
Nga
Prend BUZHALA
E dëgjuam lajmin e sotëm
për Kadarenë se nuk është më ndër të gjallët dhe nuk duam ta besojmë.
1.
Lexuesi
thjesht e shtron pyetjen: a vdes shkrimtari i madh?
A
vdes.... kur e kemi gjithë atë thesar të paçmueshëm veprash letrare si
trashëgimi e përjetshme? Mu siç ja në veprat e të mëdhenjve që nga Homeri,
Eskili, Shekspiri, Dante... për disa nga të cilët shkroi vetë Kadare.
Homeri
dhe veprat e tij epike, "Iliada" dhe "Odisea," janë
trashëgimi e përjetshme e letërsisë perëndimore dhe botërore. Këto vepra janë studiuar për mijëra
vjet dhe kanë ndikuar edhe në shumë fusha të kulturës dhe mendimit perëndimor,
nga letërsia e filozofia e deri te artet.
William
Shakespeare është një model tjetër i kësaj pavdekshmërie. Tragjeditë dhe
komeditë e tij vazhdojnë të lexohen, të luhen në teatër e filma, të
interpretohen, të analizohen dhe të citohen në mbarë botën; se fjala e tj e
shkruar ende mban peshë dhe kuptim.
Dante
Alighieri dhe "Komedia Hyjnore" e tij trajtojnë tema të tilla si
shpirti, morali dhe drejtësia, të cilat mbeten të rëndësishme për njerëzimin,
pavarësisht ndryshimeve kulturore dhe kohore.
Kadare
tashmë ka hyrë në këtë lagje botërore të emrave të mëdhenj, me Artin e Madh e
me trajtimet e temave të mëdha e të
rëndësishme, me ndërthurjen e përvojave njerëzore: përvojave historike dhe
përvojave të botës së sotme.
Është
trashëgimia e ndikimi tyre kulturor,
intelektual e letrar ndër shekuj. Dhe mbesin përgjithmonshëm të rëndësishme. E,
ndër ne, të tillë ja në Nam Frashëri, Fishta, Kadare që kanë vepruar e ndihmuar
në formësimin e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe europerëndimore. Pa përmendur
edhe të tjerë të mëdhenj që nga Barleti e Buzuku... Ndikimi i tyre në kulturën
dhe letrat shqipe dhe më gjerë, është dëshmi e fuqisë së pavdekshme të fjalës
së shkruar: kanë arritur të krijojnë vepra letrare që prekin shpirtin njerëzor
dhe ndihmojnë në formësimin e kulturës dhe mendimit, nuk vdesin kurrë.
2.
Dhe
përsëri nuk duam ta besojmë lajmin se ai më nuk është mes nesh!
Përjetësia
e një shkrimtari të madh mban shenjën e fuqisë së veprave të tyre për t'i
tejshkuar kohët dhe hapësirat. Bota e pranoi: Kadare me romanet e tij të shumta
dhe libra të tjerë, që trajtojnë tema universale dhe kombëtare, ka fituar një
vend të rëndësishëm në letërsinë botërore.
Mjafton
të përmendet emri Kadare dhe të thuhen shumë gjëra...
Kadare
- me veprat e të cilit u rritën e u
formuan gjeneratat tona jo vetëm letrare.
Kadare
- sa shumë e deshi Kosovën, sa shumë e
mbrojti Kosovën, sa shumë punoi për Kosovën atëherë kur duhej... dhe sa
shumë e do dhe e çmon Kosova...
Kadare
- ky mbrojtës (dhe formësues) i identitetit tonë, posaqërisht i identitetit
tonë evropian.
A
t'i besojmë lajmit?
E,
po, përjetësia e një shkrimtari të madh nuk matet me ekzistencën e tij fizike,
por me fuqinë e fjalës së tij tejkohore
e tejhapësinore.
Shkrimtari
Van Wyck Brooks thotë: "Shkrimtari është i rëndësishëm vetëm për shkak të
territorit që ai kolonizon." Do tëthtë: ky kolonizim letrar ndodh përmes
mendjeve të lexuesve. Kadareja ndryshon hartën letrare botërore, kur aty e
vendos edhe letërsinë shqipe. Veprat e tij vazhdojnë të studiohen dhe të
trajtohen në kontekste të ndryshme kulturore dhe historike, shqiptare e ndërkombëtare.
Këta
demiurgë të mëdhenj të Fjalës së Shkruar, e kanë ditur se Fjalët kanë një
rëndësi tejkohore e fuqi të jashtëzakonshme tejhapësinore. Fjalët e tilla dhe
veprat e tilla qëndrojnë përjetësisht. E tillë ishte, është dhe do të jetë edhe
Fjala e Shkruar e Kadaresë: me peshë, me kuptim dhe e veshur me Artin e Madh.
Së
këndejmi, s'kemi pse t'i besojmë lajmit të sotëm: se Kadare më nuk është ndër
të gjallët.
Këtu
e kemi Shpirtin e Fjalës së Tij të Shqiptuar e të Shkruar, e rëndësishme për të
gjitha kohët e vendet. Fjala e tij e shkruar na ka frymëzuar e forcuar para
shumë dekadash, nën acarin e dhunës pushtuese, na ka frymëzuar e forcuar edhe
në këto kohë në mbrojtje të Identitetit Kombëtar, në përhapjen e emrit të mirë
të kulturës e letrave shqipe nëpër botë... Bota na njeh në saje të emrit të
tij!
Shkrimtarët
luajnë një rol të rëndësishëm në formësimin dhe përhapjen e Fjalës së Shkruar
nëpër hapësirat kulturore botërore. Ata kontribuojnë në formësimin e normave,
vlerave dhe besimeve të shoqërive përmes veprave të tyre. Në letërsinë
shqiptare, Ismail Kadare i ka pushtuar shtresat e lexuesve nëpër këto hapësira
botërore me idetë dhe temat që i trajton në veprat e tij e që e paraqesin
shoqërinë, historinë, kulturën dhe politikën shqiptare. Romanet e tij, të
përkthyera në shumë gjuhë, kanë prezantuar botën shqiptare me një pamje unike
dhe komplekse, duke ndikuar në perceptimin planetar për shqiptarët. Romanet e
tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur" i Ismail
Kadaresë ofron një perspektivë të papërsëritshme dhe emocionale mbi Luftën e
Dytë Botërore dhe ndikimin e saj në Shqipëri. Te roman dytë, përmes syve të një fëmije, lexuesit
përjetojnë dramën dhe absurditetin e luftës, duke krijuar një lidhje të thellë
emocionale me ngjarjet dhe personazhet.
3.
Një
shkrimtar, si Kadare, është i madh edhe me veprimet e artikulimet e ideve të
tij për ta ndryshuar realitetin. Lee Gutkind, një redaktor i njohur dhe një
figurë e rëndësishme në fushën e letërsisë diskursive, e artikulon kështu
misionin e shkrimtarëve në shoqëri: "Si shkrimtarë ne synojmë të bëjmë një
ndryshim, të ndryshojmë jetën e njerëzve për të mirën më të madhe... kjo është
arsyeja pse ne shkruajmë, për të pasur ndikim në shoqëri, për t'i vënë një vulë
personale historisë... Arti dhe letërsia janë trashëgimia që u lëmë brezave
pasardhës. Ne do të harrojmë, por librat dhe esetë tona, tregimet dhe poezitë
tona mund të na mbijetojnë." Ndikimi i artit në shoqëri dhe në formësimin
e mendimeve dhe ndjenjave të njerëzve, është tejet i rëndësishëm. Le ta
kujtojmë Kadarenë e vitit 1990, i cili me aktin e tij të largimit, ndikoi në
përmbysjen dhe përshpejtimin e largimit
të sistemit totalitar dhe hapjen e proceseve demokratike. Së andejmi, nga bota
e jashtme, ai kishte prirjen për t'i zgjuar mendimet dhe ndjenjat e qytetarëve
në atdhe, për t'i ndryshuar perceptimet dhe për të nxitur veprimet. Në këtë
mënyrë, arti dhe letërsia bëhen pjesë e pazëvendësueshme e përvojës njerëzore,
duke siguruar që edhe pasi shkrimtarët të mos jenë më në mesin tonë, veprat e
tyre do të vazhdojnë të jetojnë dhe të ndikojnë për brezat e ardhshëm.
Një
nga funksionet kryesore të shkrimit është prirja për të reflektuar mbi përvojat tona pasi ato
kanë ndodhur. Kur shkruajmë për të kaluarën, ne kemi mundësinë të shqyrtojmë
dhe të kuptojmë më mirë përvojat tona, duke mësuar nga to dhe duke i vlerësuar
ato në një mënyrë të re. Marcel Proust, në veprën e tij epike "Në kërkim
të kohës së humbur", përdor kujtesën dhe reflektimin retrospektiv për të
eksploruar dhe kuptuar thellësisht përvojat e tij të jetës. Përmes këtij
procesi, ai shijon dhe rishijon jetën e tij, duke e ndriçuar atë me kuptim dhe
emocion. Në letërsinë shqiptare, Ismail Kadare shpesh reflekton mbi historinë
dhe përvojat e kombit shqiptar në veprat e tij. Përmes shkrimit të tij
retrospektiv, ai jo vetëm që dokumenton ngjarjet historike, por edhe i shqyrton
ato në një kontekst më të gjerë, duke ofruar perspektiva të reja dhe kuptime të
thella.
4.
(Nga
libri im "Triumfi në anën e shkrimtarit",
Shtëpia
Botuese "Rozafa", Prishtinë, 2016)
Interesimet
e Kadaresë për Kosovën kanë qenë të vazhdueshme: që nga krijimet në prozë e në
poezi, te esetë, trajtesat, intervistat dhe vëllime të tëra (libri për Ukshin
Hotin, botimet e autorëve shqiptarë në poaris etj).
Kur
u shpall pavarësia e Kosovës, presidenti frtancez, po u thoshte fëmijëve
francezë në një shkollë: “Nesër ju do të nisni të mësoheni me një ndryshim në
hartën e Europës. Një shtet i ri po lind: Kosova."
Kurse
Kadare, i entuziazmuar, e pa një rrjedhë të ndryshuar të historisë edhe për të
ardhmen:
"Shteti
i dytë shqiptar në Ballkan do ta ndryshojë rrënjësisht dhe për mirë gjithë
kombin shqiptar. Ndryshimi do të jetë trupërisht dhe psikikisht. Bota
shqiptare, me një cen të rëndë në themelet do të punojë, më në fund,
normalisht. Si një qenie që merr frymë jo me një, por me dy mushkëritë.
Një
popull në liri ka tjetër ndërgjegje e tjetër fytyrë, se sa në robëri. Bota
shqiptare ka qenë e tillë, jo e natyrshme: gjysëm e lirë, gjysëm jo."
5.
(Nga
libri im "Triumfi në anën e shkrimtarit",
Shtëpia
Botuese "Rozafa", Prishtinë, 2016)
Kadare
përdori një metaforë: atë të ADN-së, për ruajtjen e qenësisë së identitetit
tonë kombëtar: “Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori sipas
skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit shqiptar dhe ne nuk
duhet ta lejojmë këtë”...
Shkrimtarët,
edhe kur shkruajnë publicistikë, përdorin metaforat analitike, publicistike,
metaforat diskurzive... fusin dhe tonin emocional, nganjëherë atë satirik,
ironik, ngazëllyes etj etj. ndryshe nga publicistët e proveniencës së fushave
politike apo atyre shoqërore, ani se edhe këta të dytët nuk reshtin së
përdoruari metaforat...
I
përjetshëm qoftë kujtimi për të e për veprën e tij!
1 korrik 2024