Kulturë
Prend Buzhala: Strehimorja e poetit
E merkure, 29.11.2023, 07:52 PM
STREHIMORJA
E POETIT
(Kundrim
eseistik)
Nga
Prend BUZHALA
Mirë,
hajde të kërkojmë azil te arti poetik, aty ta ndërtojmë strehimoren e
vetmisë, tha poeti. E, kush po të
përndjek, o i bekuar, e pyeti me habi e brengosje Zëri i Brendshëm. Rragata me
fjalë, me atë Zë, zgjati bukur shumë. Si për vete, poeti vetëm shtoi se Ky Zë i
ratio-s, e ka të vështirë ta kuptojë se si një Muzë e Padallueshme prek botën e
shpirtit, si një katarsis që spastron barrën e ngarkuar aty: se si i shpërndërron
krejt ato çaste në një Çast Poetik. E thotë atë se ç'po ndodh në botë e rreth
nesh: "është jehona e melodisë së gjithësisë në zemrat e njerëzve", tha Rabindranath Tagore. Ti
as që e heton, kur, aty, te ajo strehimore shpirti, poezia del jashtë saj, pa
të pyetur Ty. Shkon e futet ku s'ta merr mendja, kudo, dhe të tjerët ndalen ta
dëgjojnë. Pa mua s' mund ta krijosh poezinë, se ajo është edhe vepër e
intelektit, i reagoi Ai Zë i ratio-s. Atëherë, s'ke se kah të shkosh as Ti, i
tha poeti.
1.
Aty,
në atë azil a strehimore vetmie, i sheston vijat e rrugëve, nëpër të cilat
asnjëherë nuk ke qenë; i piketon themelet e përsiatjeve, i mpleks ndjesitë e
çeljes së gëzimeve me ato të pikëllimeve; i mpleks thurimat e ëndrrave, duke i
gërshetuar me labirintet e realiteteve të ndërliqshme. Diku, nëpër këto rrugë,
ndjesi e shtegtime, e gjen veten të humbur nëpër kohë. Eh, psherëtin: kjo strehimore i paska edhe ilaçet e
shpirtit. Qenka shtegtimi çlirues tek liria aq shumë e gjakuar; është po ai
katarsis...
E,
po, të jesh poet, do të thotë të vuash nga sëmundja e pashërueshme dhe
ngjitëse, na thotë troç Servantesi, duke mos na ngushëlluar asnjë fije, dhe
shton me skepsë ironike përballë rrethit shoqëror: “Çfarë do të ishte më keq,
se sa të bëhesh poet?" Ndërkaq, Curt Goetz, një shkrimtar e aktor
zvicëran, bën një krahasim dërrmues: "Pa fantazi nuk do të kishte
kriminelë apo poetë."
Ruana,
Zot, se çka qenka poeti i mirëfilltë!
2.
Poezia
është gjuhë e ngritur, e lartësuar.
E,
kur përplasen në atë strehimore lirike, në atë azil shpirti përplot hove,
atëherë poetëve iu pëlqen që gjakimet e veta poetike, t'i përfytyrojnë si një
vajzë e bukur. Ta përqasin me erotizmin e gjuhës dhe metaforën e erosit, ashtu
si zhytet në atë dehje Octavio Paz. Madje,
ta konsiderojnë si një muzikë të shpirtit, mbi të gjitha, të shpirtrave
të mëdhenj, si pohon Volteri. Herën tjetër, të zhytur në atë mister, e dinë që,
kur thurin vargje, nuk duan që krijesa poetike të jetë dëshmi a
"pasqyrim" (uh, ku na erdh ky term socrealist)! Poezia, pra, nuk
është shpjegim. E, nëse qenka farë dëshmie, atëherë ajo është provë e atij
misteri, i atyre çasteve të transformuara në art.
(30 nëntor 2023)