Udhëpërshkrim
Ndue Dedaj: Tranga, një nga befasitë natyrore të Mirditës
E hene, 28.08.2023, 07:59 PM
TRANGA, NJË NGA BEFASITË NATYRORE TË MIRDITËS
NGA
NDUE DEDAJ
Reportazhin
për Trangën e Selitës menduam ta shtyjmë për kah vjeshta, atëherë kur besohet
se atje do të ketë ndonjë “surprizë” nga zonja e maleve shqiptare Marianne
Graf, kështu që ky shënim shpreh veçse ca mbresa vetjake.
…Kisha
ardhur në Lufaj që para 35 vitesh, gjatë një inspektimi të shkollës, apo dhe
para 5 vitesh, kur në Majën e Ngallit u zhvillua një procesion kishtar nga ta
rinjtë e fshatit bashkë me ipeshkvin Imzot Gjergj Meta. Por nuk isha ngjitur
deri në Trangë, që është lagjia e sipërme e këtij fshati të banuar nga katolikë
dhe myslimanë të “fiseve” apo trungjeve familjare: Loci, Ukaj, Neziri, Kaçorri,
Këdheli, Balloshi, Lufi, Gjinaj, Bushprendi etj. Ngaqë për atje nuk kishte
rrugë makine. Ashtu si ne nuk ishin ngjitur dhe të tjerë, duke u privuar nga
një bukuri natyrore e pamatë.
Kur
vështron këto pamje mahnitëse e kupton pse ishin me aq dritë dhe ngjyrë
peizazhet e piktorit të njohur Lin Loci, në kullën e të cilit e përmendim me
nderim në biseda me të afërmit; një çerek shekulli më parë e kishim lënë të
vinim bashkë për ta vizituar Trangën e tij, por ai u shua shpejt.
Tranga
është një pllajë e pazakontë, rreth 35 km nga Rrësheni, që shtrihet në 850-900
metra lartësi, nga ku kundrohen bjeshkë të pafundme. Të gjitha shtëpitë e saj
janë kulla të forta, ndërtuar në shkrep, disa sosh në buzë të greminës, si
vazhdim i shkëmbit, ndonjë me shkallë të gurta nga rruga deri në majë. Bardhok
Pulaj, që është nip këtu thotë se Tranga kishte shtigjet e saj nga mund të
ngjiteshe, si ajo kështjella që ka disa porta e nuk mund të ngjitesh nga
gjithkah.
Tranga
e Poshtme dhe Tranga e Epërme, përbëjnë një kurriz malor disa km të gjatë, si
një “çati” natyrore e fshatrave poshtë, që zgjatet deri në Qafë Kishë.
Tranga
i ka të gjitha, por nuk ka ujë. Dikush ka menduar dhe për këtë, por nuk është
koha tani për të folur, fatmirësisht ka njerëz që nuk i duan lavdërimet, aq më
pak si paradhënie, ata bëjnë punën në dobi të komunitetit, çelin përspektiva të
reja na male dhe kjo u mjafton. Kështu që kësaj here të rrimë te natyra.
Nuk
është se njerëzit nuk e kanë dashur rrugën që herët, por terreni është i
pazakontë, nga ana perëndimore pjerrësia me fshatrat (Lufaj, Bardhaj, Lëkundë)
është pingul, mos me u ngjit as dhitë e egra, kurse nga ana lindore në të
gjithë gjatësinë e saj ajo kufizohet me Kanionet e Urakës, ndër më të mëdhenjtë
e vendit, krejtësisht të paeksploruar dhe të pazbuluar për turistët, por jo dhe
për ndërtuesit e HEC-eve. Fshatrat Lami i Madh, Gjoçaj, Dukagjin e të tjerë nga
Tranga i ke si në pëllëmbë të dorës, kurse Mali i Dejës, edhe pse i jemi afruar
tërthorazi, nuk e humbet madhështinë… Ka mjaft histori për të cilat mund të
shkruash, por nuk do të ndalemi sot, thjeshtë s’rrimë dot pa thënë se na zunë
sytë një gjysmë kandili karbiti, që dëshmon se këto kulla e kishin fatin të
lidhur dhe me nëntokën e Kurbneshit, minatorët rronin mes thellësive dhe
qiellit, të cilin e preknin me dorë, por pa mundur t’i shtrydhnin retë për të
lëshuar shi sa herë e donte bashtina e tyre. Njerëzit e Lufajve kishin luksin
të rronin në dy hapësira aspak të ngjashme, në fshatin poshtë si gjithë të
tjerët, por dhe në katin e “dytë”, në Trangë, që vërtetë ishte e vështirë për
t’u ngjitur, por tejet i begatë.
Mirëpo
bash kjo lagje e “epërme” e Mirditës, që gjithë jetën është shkelur me mundim
vetëm nga banorët e saj, falë rrugës që është hapur këto dy-tre vitet e fundit,
nga një vend i mbyllur, ka gjasë të shndërrohet në një nga më të vizitueshmit.
Dhe nëse ndodh kështu, ky nuk është një paradoks, por ravë e re zhvillimi në
malet tona…
Së
fundi, - në të vërtetë që në krye të herës - më duhet me e falënderue Nik
Nikollin, drejtorin e Info-Kullës Rubik, që si mik i hershëm më mundëson
udhëtime të tilla “aventurore” gjithandej Mirditës, jo vetëm duke më bërë të
ecja në këmbë, në pikë të zhegut, nëpër livadhe, lendina, pyje, drejt kullave
etj., apo me fuoristradë, në terrene të destinuara vetëm për ato të Rellit;
tashmë duke më folur jo për ekuacionet e profesionit të tij, por për shtigje të
markuara, shpella prehistorike, kanione, site arkeologjike, rrënoja fortesash
të vjetra, por dhe një “kodër biblike”, siç e quan ai kodrën me gurë ciklopikë
dhe lisa, nga vështrohet krejt pellgu i Matit.
Ne
i soditëm kanionet nga lart, kurse nesër ato do të presin alpinistët e
guximshëm dhe turistët e aventurës, që do t’iu prekin “themelet” në shtratrin
shkëmbor të Urakës. Karmave të thepisura të tyre do të gjejnë dhe mjaltin e
bletëve të egra, me hojet nëpër guva si kriptograme...