Udhëpërshkrim
Vlash Prendi: Atje ku buron fjala e bukur
E merkure, 07.06.2023, 08:00 PM
ATJE KU BURON FJALA E BUKUR...
-
Nga takimi me prof. Anton N. Berishën, prof. Mikel Gojanin dhe prof. Labinot
Berishën në Lezhë –
NGA
VLASH PRENDI
Takimet
dhe bisedat me shkrimtarë, poetë dhe krijues kosovarë, janë gjithmonë të
këndëshme dhe me interes të vaçantë, pasi arsimimi i tyre përfshin një
gjeografi të pasur të qyteteve dhe universiteteve më të njohura europiane,
ndërsa veprat e tyre përfshijnë një tematikë të pasur dhe gjithpërfshirëse. Tre
kanë qënë dhe janë shtyllat kryesore ku mbështej tematika e krijimtarisë së
autorëve kosovarë: Përpjekjet e popullit dardan për liri dhe pavarësi, urrejtja
e pakufishme ndaj pushtuesit dhe dashuria e zjarrtë për vendlindjen dhe
atdheun. Këto tre tipare të qenësishme vihen re thuajse në gjithë krijimtarinë
e shkrimtarëve kosovarë, sidomos në periudhën e paraluftës. Pas viteve 1990,
kam patur fatin të takohem me shumë krijues të kësaj treve, të njoh dhe të komunikoj
me mjaft prej tyre dhe kam vënë re se vlerat tematike dhe niveli artistik i
veprave të tyre, qëndrojnë po në këtë linjë. Kam lexuar mjaft vepra të tyre,
shkrimtarë të së kaluarës dhe të sotëm, figura të shquara të letërsisë së
njohur kosovare që hodhën me dinjitet themelet e kësaj letërsie dhe kam vënë re
thellësinë e mendimit, nivelin e lartë artistik dhe tematikën e gjetur të
këtyre veprave. Mjafton të lexosh autorë të tillë si Esat Mekuli, Azem Shkreli,
Hasan Hasani, Ali Podrimja, Anton Nikë Berisha, Anton Pashku, Hasan Mekuli,
Engjëll Sedaj, Mark Krasniqi, Anton Çetta etj, dhe do vesh re pikërisht këto
tipare të qënësishme të kulturës dhe traditës kosovare, që përmes veprës së
tyre synohet të përhapet dhe të ruhet brez pas brezi. Vite të shkuara, kur në
vendet tona sundonte sistemi totalitar, ishte tepër e vështirë të takoje dhe
bisedoje me një krijues, poet, këngëtar apo intelektual kosovarë, sepse edhe
nëse të krijohej një mundësi e tillë do të ishte i survejuar nga Sigurimi i
Shtetit. Ndërsa sot, gjërat kanë ndryshuar. Sot takohemi si njerëz të një
gjaku, si vëllezër të lindur nga një nënë, si banorë të dale nga të njëjtat
troje etnike.
Kështu
ndodhi këtë ditë të bukur qershori, kur në qytetin e bukur dhe historik të
Lezhës erdhën për vizitë studiuesi i mirënjohur prof. Anton Nikë Berisha, autor
i mbi pesëdhjetë veprave studimore dhe letrare, shkrimtari i njohur Mikel
Gojani dhe prof. Labinot Berisha, studiues dhe pedagog në Univeritetin “Fehmi
Agani” të Gjakovës. ?shtë studiuesi dhe poeti
i njohur Llesh Ndoi i cili shpesh herë ndërmerr iniciativa të tilla me mjaft
vlera për njohjen, evidentimin dhe unifikimin e kulturave të dy vendeve që për
një kohë të gjatë kanë qënë të ndara dhe me mundësi të kufizuara komunikimi.
Ishte pikërisht ky studiues i pasionuar që komunikoi me shkrimtarin e shquar
Hasan Hasani – Përkola, që së bashku zbuluan rrënjët mbi 300 vjeçare të fisit
të tij nga Domgjoni i Mirditës dhe më tëj, hartoi dhe botoi monografinë e
njohur për jetën dhe veprën e tij “Dushkaja emër – Mirdita mbiemër”. I nxitur
nga malli dhe dashuri për vendlindjen, patrioti i flakët dhe poeti i njohur
Hasan Hasani, e pati vizituar vendlindjen e tij dhe shumë fshatra të Mirditës
nën shoqërinë dhe kujdesin e poetit Llesh Ndoi, shkrimtarit Mark Gjergji dhe të
paharruarit Ndue Preçi. – Ishte një periudhë mjaft e bukur që do mbetet e
paharruar në kujtesën time, - të thotë jo pa emocion Lleshi, i cili ruan
kujtimet më të bukura për shkrimtarin e madh, që nuk jeton më. Dhe ja tani,
rasti e solli të ngremë ura bashkëpunimi, lidhje miqësore dhe artistike me
shumë krijues, poetë dhe shkrimtarë të njohur që kë dëshirë të kuvendosh, të
diskutosh dhe të dëgjosh fjalën e tyre të mençur për krijimtarinë, letërsinë,
jetën.
I
tillë është edhe prof. Antoni Berisha, i thjeshtë, i dashur, plot mirësi dhe me
një përgatitje filozofike, shkencore dhe letrare që të le mbresa të veçanta.
Anton Nikë Berisha ka lindur 07. 08. 1946 në fshatin Ujëmirë të
Klinës ku mbaroi arsimin 7 - vjeçar, ndërsa shkollën normale e pati mbaruar në
vitin 1966 në qytetin e Prishtinës. Në vitin 1971 përfundoi studimet në
Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik, dega gjuhë dhe letërsi shqipe,
ndërsa në vitin 1976 kreu studimet pasuniversitare pranë Fakultetit Filozofik
të Universitetit të Zagrebit, ku fitoi titullin “Magjistër” në filologji dhe në
vitin 1981, mbrojti me shumë sukses disertacionin për gradën shkencore “Doktor
i shkencave filologjike”. Për asnjë çast prof. Antoni nuk u shkëput nga
studimet, sepse gjatë vitit universitar 1978 vazhdoi studimet në RF të
Gjermanisë, në Universitetin e Gëtingenit, ndërsa në vitin 1992 specializohet
në Universitetin e Mynihut, ku fiton një burse nga Fondacioni “Alexandër von
Humboldt”. Pasi kthehet nga studimet, fillon punë në Institutin Albanologjik të
Prishtinës, në sektorin e folklorit, ku ka punuar që nga viti 1973 si
bashkëpunëtor i lartë shkencor. Gjatë vitit akademik 1992 - ’93, dha leksione
dhe mbajti seminare mbi linguistikën indoeuropiane në Katedrën e Albanologjisë
së Universitetit të Mynihut në Gjermani, ndërsa nga nëntori i vitit 1993 ka
punuar në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Cozencës në
Kalabri, ku për shumë vite ka sherbyer si profesor i letërsisë shqipe.
E
shoh me vend që të shënoj këtu për lexuesin disa nga veprat e tij të botuara
ndër vite si: “Mundësi interpretimi” - “Rilindja”, Prishtinë
1979. “Teksti poetik. Vështrime e kritika” - “Rilindja”, Prishtinë 1985,
“Sytë e heshtjes” – persiatje poetike, “Veçanti ligjërimesh poetike” - “Eurorilindja”,
Tiranë 1996, “Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të
Italisë” - “Shpresa”, Prishtinë 2001,
“Çështje teorike të letërsisë” - “Faik Konica”, Prishtinë 2005, “Nënë
Tereza në shtatë shpalime”, “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës”,
“Njëmendësia e fjalëve. Mundësi interpretimesh letrare” - “Shpresa” & “Faik
Konica”, Prishtinë 2006, “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”
- Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2008, “Këngë që përligjin pasurinë
shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Mbi këngët kreshnike shqiptare” -
“Faik Konica”, Prishtinë 2008, “Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe
të Fishtës” - SHB “Arbëria 07”, Tiranë 2011, ”Larmi vëzhgimesh letrare” -
“Faik Konica”, Prishtinë 2012, “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjeve të
lashta të jetesës së njeriut tone”, Shkup 2013. Ai ka perkthyer për lexuesin
një numër të konsiderueshëm veprash. Nga gjermanishtja ka përkthyer “Epin
e Gilgameshit” - “Rilindja”, Prishtinë 1984, “Kënga e këngëve” - “Faik
Konica”, Prishtinë 2015, Radovan Zogoviq “Këngët e Ali Binakut” - “Faik
Konica”, Prishtinë 2016 dhe shumë vepra të tjera. Prof. Antoni është
vlerësuar me shumë çmime, vlerësime dhe mirënjohje nga institucione dhe shoqata
të ndryshme në Kosovë dhe jashtë saj për punën e tij thellësisht studimore,
pasionin dhe përkushtimin në pasqyrimin e të vërtetave historike dhe letrare.
Së bashku me Lleshin e patëm takuar kohë më pare në qytetin e Klinës, ku na
pati dhuruar me shumë dashamirësi një pjesë të veprave të tij. Ishim ato ditë
nën shoqërinë e prof. Mikel Gojanit, prof. Dodë Ndrecajt, shkrimtarit të njohur
për fëmijë Gjon Gjergjajt, Pal Canajt etj. Ishte kënaqësi e vaçantë kur
bisedoje dhe diskutoje me vëllezërit tanë rreth letrërsisë, mjeshtrisë së të
shkruarit, tematikave të ndryshme, vështirësive dhe rrugëve të bashkëpunimit
për t’a njohur më shumë letërsinë shqipe këndej dhe andej kufirit, sepse në
ditët e sotme vihet re mungesa e politikave të njohjes së ndërsjelltë.
Miqtë
e vaçantë kanë ardhur nga kryeqëndra e trojeve dardane jo vetëm për të na
takuar dhe biseduar, por edhe për të njohur pak më shumë resurset historike të
Lezhës me rrethina. Për këtë problem Lleshi kishte hartuar një axhendë, të
cilën u përpoqëm t’a zbatonim sipas mundësive dhe kohës në dispozicion. Nisemi
për në fshatin e bukur dhe historik të Kallmetit, ku është edhe kisha mesjetare
e Shen Eufemisë. Tek kalojmë nëpër fshatin e Merqisë, Lleshi na tregon një
ndërtesë në majën e një kodre dhe sqaron: - Ja, atje lart është kisha e Shën Gjon Kryepremit në
fshatin Merqi të Lezhës, këtu ku jemi sot. Atje u mblodh Kuvendi
Kishtar i Arbërit, që ishte një takim i krerëve të Kishës Katolike
Shqiptare, që u mbajt në datat 14 - 15 janar 1703 nën kryesimin e
Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit dhe Vizitor apostolik
në Shqipëri, me përkrahjen e papës me prejardhje shqiptare Gjon
Francesk Albani, ose Papa Klementi XI, - sqaron studiuesi. - Po, - shton prof.
Antoni, - mesa di unë në këtë Kuvend u
shqyrtua gjendja shpirtërore dhe shoqërore e besimtarëve, duke synuar të
vihen në jetë në Shqipëri porositë e Vatikanit për t’i bërë ballë islamizmit të
popullsisë. Madje një ndër vendimet më të rendësishme ishte edhe kërkesa për të
hapur shkolla dhe për të botuar libra në gjuhën shqipe. - Në fakt, - shton
prof. Mikeli, - Kjo ishte një ngjarje e shënuar për historinë e arsimit shqip,
pasi u konsoliduan shkollat shqipe, sidomos ajo e Kurbinit e hapur që më 1632
dhe e Pllanës më 1638.
Bisedat nuk kanë të sosur. Lleshi, si një ciceron i vërtetë kërkon t’u shpjegojë shkrimtarëve të njohur gjërat më të njohura historike të zonës. - Tani jemi në fshatin Kallmet, - tërheq vëmendjen Ai. Ky fshat dallohet për tre veçori të cilin e bëjnë të njohur në shkallë vendi dhe më gjërë. Dallohet për ullirin kokërmadh, të shijshëm dhe të pasur me vaj, për prodhimin e verës së njohur të markës “Kallmeti” dhe prodhimin një varieteti fasuleje që prodhohet vetëm në këto anë. - Diku kam lexuar se në këtë fshat kënë lindur figura të shquara të letërsisë dhe të patriotizmës shqiptare, - thotë prof. Labinot Berisha. - ?shtë e vërtetë, - e sqaroj unë, - sepse sipas të dhënave historike në Kallmet kanë lindur, punuar dhe kanë kryer aktivitet atdhetar disa personalitete të shquara si imz. Frang Bardhi, dom Dod Koleci, dom Prend Suli, si dhe ka shërbyer edhe dom Luigj Bumçi. - Ndërsa në fshatin Fishtë, që ne po e shohim tani, - shton Lleshi, - ka lindur dhe është rritur atë Gjergj Fishta, origjina e të cilit është nga fshati im i lindjes, Domgjoni i Mirditës. Nga kisha e Shen Eufemisë kundrojmë pamjen interesante të fshatit Kallmet, i cili është një fshat i bukur dhe i njohur historikisht që nga periudha e neolitit. Prof. Labinoti më pyet për prejardhjen e emrit të fshatit. I shpjegoj se sipas të dhënave historike, nisur nga gojëdhënat, etimologjia e emrit të fshatit Kallmet ka ardhut nga emri i një bime barishtore. Mendohet se dikur ky vend ishte i mbuluar nga një rezervuar uji, i cili duke u tharë kishte lënë mjaft lym e balte që më vonë kishte ndikuar në rritjen e kallamishteve të egra. Pikërisht nga kjo bimë, më vonë mori emrin edhe gjithë fshati.
Duke
biseduar rreth historisë së kësaj kishe të bukur dhe interesante, marrim
maloren drejt shpatit plot gjelbërim ku është ndërtuar ky institucion fetar.
Jemi tek Kisha e Eufemisë, një monumente kulture që daton rreth shek. XIII.
Këtu është vend i shenjte dhe mjaft i njohur në krahinë, ku vijnë shumë
besimtare për pelingrinazh nga vende të ndryshme, për të kryer rite dhe ndjekur
ceremonitë fetare, që celebrohen çdo të premte apo edhe në raste festash
fetare. Hyjmë në kishë dhe na tërheq vemendjen portreti i Shën Eufemisë i
gdhendur me mjaft mjeshtëri në shkëmb. Aty pranë shkëmbit, mespërmes kishës
ndodhet një burim uji i bollshëm, i cili nga shumë besimtarë njihet si uji i
mrekullive. Kjo kishë del për herë të parë në dokumentët historike dhe kishtare
të vitit 1343, ku Stefan Dushani e rendit në mes të kishave që do të kalonin në
vartësi të Ipeshkvisë së Krujës. Në vitin 1629 kisha qe djegur nga osmanët,
megjithatë përmendet në relacionin e Ipeshkevit të Lezhës Benedikt Orsini.
Thuhet se në këtë institucion të rendësishëm fetar për kohën, qe zhvilluar
gjyqi për dënimin dhe vrasjen e priftit dhe shkrimtarit të njohur Pjetër Budi i
cili pati lindur në vitin 1566 – 1622 dhe që mbytur në ujërat e lumit Drin.
Duke lexuar gojëdhëna dhe fakte historike, rezulton se Eufemia ishte një vajzë
e re, e cila kishte dëshirë të shërbente në urdhërin fetarë duke u veshur si
murgeshë, por familja dhe të afërmit nuk dëshironin, prandaj e dënuan pa
mëshirë dhe e dogjën në turrën e druve. Kështu Eufemia u martirizua për
çështjen e fesë. Pas shumë vitesh ajo u shpall shenjt dhe imazhi i saj u skalit
në gurin natyral në kishën me të njëjtin emër. Legjenda saktëson se pas shumë
kohësh disa punëtorë, që po punonin për ndërtimin e kësaj kishe, patën ndjerë
shumë etje. Pikërisht afër lterit, në shkëmb u shfaqet imazhi i vajzës së re
Eufemisë, që u solli edhe ujin nga shkëmbi ku buron edhe sot. Këto shpjegime i
mahnisin vizitorët e rinj të këtij institucioni të rendësishëm fetar të kësaj
treve, prandaj e falenderojnë perzemërsisht poetin e njohur Llesh Ndoi që bëri
të mundur visitën në këtë vend me vlera historike dhe fetare. Në Kallme,
takojmë edhe djaloshin Klevis Noka, i cili na fton plot respekt dhe bujari në
shtëpinë e tij. Ai na njeh edhe me disa të dhëna historike dhe kulturore për
këtë fshat të veçantë në rrethin e Lezhës.
Edhe
shkrimtari i njohur Mikel Gojani nuk është i panjohur në rrethet letraro -
artistike. Ai është autor i mbi 45 veprave në poezi, prozë dhe vështrime
letrare, mes të cilave mund të përmendim: “Zëri i largët” – poezi,
"Rilindja" - Prishtinë 1990, “Udhëtimi pas kaluarit të vdekjes”
- poezi, "Fjala" - Prishtinë
1994, “Kroi që rrjedh rrëzë bjeshkës” - poezi, Prishtinë 1996, “Në profil kah
Jugu” – poezi, Prishtinë 1996, “Ai vjen me shirat e pranverës” - roman,
Prishtinë 1996, “Diell dhe reshje mbi Morenë” – poezi, Prishtinë 2005, “Tradita
dhe bashkëkohësia” – vështrime, Prishtinë 2007, “Mendësi krijuese”, Prishtinë
2008, “Bota e mendimit”, Klinë 2012, “Individualitete dhe ligjërime artistike”,
Prishtinë 2016, “Veçanti të veprës letrare dhe studimore të Prend Buzhalës”,
Prishtinë 2022, “Poetika e prozës së Nasi Lerës”, Tiranë 2022 etj. Gjatë
bisedës me poetin dhe shkrimtarin e njohur, kupton se atë e ka përgatitur jeta
që të përballojë shumë sfida, e një nga këto është edhe humbja e bashkëshortes
së tij, Vera. Lleshi e kompimenton për respektin dhe mirënjohjen që shkrimtari
pati ruajtur dhe treguar për të, madje i kujton me respekt se ai i pati
kushtuar dy libra bashkëshortes së paharruar “Sytë e saj pikonin dashuri” -
monografi, Prishtinë 2020 dhe “Me hënën mbi tisin qiellor” - poezi, Klinë 2022.
Në bisedë e sipër, autori veçon ndjesitë emocionale që ka provuar kur ka shkruar
këto dy vepra, madje falenderon edhe studiuesin Llesh Ndoi, i cili pati reaguar
për librin e tij me poezi “Me hënën mbi tisin qiellor”, duke e vlerësuar si një
monument përkujtimor ndaj njeriut të tij të dashur. Edhe profesor Antoni e
vlerëson veprën e shkrimtarit të njohur Mikel Gojani. Ai ndalet kryesisht tek
monografia kushtuar shkrimtarit të njohur Nasi Lera, për të cilin bashkëpunimi
mes dy krijuesëve të njohur nuk pati munguar. Prof. Mikeli e kishte njohur
shkrimtarin Nasi Lera vite më parë, kur nga Ndërmarrja Botuese “Rilindja” qe
botuar vëllimi me tregime “Dita e tretë”, që për hir të së vertetës kishte lënë
gjurmë të pashlyera tek profesori. Rasti e kishte sjellë që në vitin 1999,
gjatë një vizite në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, t’a takonte
përsonalisht në prani edhe të disa shkrimtarëve të njohur si: Bardhyl Londo,
Skënder Buçpapaj, Agim Gjakova, Adem Istrefi dhe shkrimtarja për fëmijë Adelina
Mamaqi. - Që nga ajo kohë, - thotë prof. Mikeli, - më lindi ideja të merrem me
veprën e Shkrimtarit Nasi Lera. Dhe kështu ia arrita qëllimit, së bashku me
prof. Antonin. Gëzohen miqtë e nderuar kur unë u tregoj se studiuesi Llesh Ndoi
ka në shtyp ribotimin e librit të njohur monografik “Domgjoni – Në dokumente,
gojëdhëna dhe histori”, të plotësuar me të dhëna të reja historike, të zgjeruar
në tematikë dhe pasqyruar figura të reja që kanë dhënë kontribut për zonën.
Prof. Antoni e vlerëson shumë këtë fakt, sepse siç thotë ai, vetëm kështu
pasqyrohet historia e një populli për t’ua lënë trashëgim brezave të ardhshëm.
Prof.
Labinot Berisha e bën bisedën më interesante me kulturën dhe humorin e tij të
spikatur. Profesori i Universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës në Fakultetin e
Filologjisë, është kurioz të njohë fakte të ndryshme kulturore dhe historike të
trevës. ?shtë bashkëautor në disa vepra letrare,
mes të cilave mund të dallojmë: ”Ligjërime rreth tekstit letrar poetik” -
“Faik Konica”, Prishtinë 2017, “Estetika dhe estetika e letërsisë” - “Faik Konica” 2018. Djaloshi i vemendshëm dhe
plot humor, është plot energji dhe projekte ambicioze për të ardhmen, madje në
një nga eventet më të afërta na fton plot respekt dhe mirësjellje edhe neve.
Takimit tonë me vëllezërit e një gjaku, po i vjen fundi. Ndahemi me këto
krijues dhe intelektualë të njohur, për t’u takuar serish së shpejti.
VLASH PRENDI