Udhëpërshkrim
Tahir Bezhani: Kufiri, luftërat dhe vuajtjet që edhe sot gjëmojnë shpateve e maleve të Rugovës krenare
E enjte, 27.10.2022, 07:58 PM
KUFIRI, LUFTËRAT DHE
VUAJTJET QË EDHE SOT GJËMOJNË SHPATEVE E MALEVE TË RUGOVËS KRENARE
Rastësia
e takimit me një personazh, që me kujtesën e ruajtur gjatë të rikthen kohën,
historinë me plot gjurmë dhimbje, që nuk
na u larguan kurrë...
Reportazh nga Tahir Bezhani
Rastësitë
janë ngjarje të bukura të jetës, kur ato riciklojnë kohën, kujtesën e
ngjarjeve me rëndësi për mbamendje. Ende
janë të gjallë personalitetet që dinë të rrëfejnë për kohën e ikur përmes
gishtërinjve dhe kur dëgjon nga ata
ngjarjet e kohëve të kaluara e të përjetuara, të duket sikur të kishe
qenë pjesëtar i atyre ndodhive dhe vuajtjeve.
Një
e tillë rastësi më ngjau të martën e 25 tetorit të këtij viti, kur me mikun
tim, Skënder Sadrija nga fshati Berjah i
Gjakovës, shkuam në Shkrel të Rugovës së Pejës, për vizitë atyre bukurive të
rralla të Alpeve tona. Tërë rrugës, asaj gryke, perlë bukurie rugoviane, gjersa
Skënderi drejtonte makinën me kujdes, hapja sytë, doja t’i përpija gjitha ato maja e shpate, që
vjeshta ua kishte dhënë pamjen magjepsëse, me spektrin plot ngjyra të gjetheve
të llojllojshme para rënies në tokën e vet.
Sa
shpejt mbërritëm në Shkrelin e bukur, vendlindjen e poetit të madh Azem
Shkreli. Përmes Kushotanit historik, ngadalësoi shpejtësinë Skënderi, për të
parë sa më mirë ato bukuri natyrore.
Rruga
e asfaltuar, ndonëse me gropa të hapura, mundësonte shijimin e atij pejsazhi me
ato bukuri përrallore. Gjatë gjithë
rrugës mahniteshim me ndërtimet aq të hovshme dhe të bukura atyre shpateve të
thyera. Të binin në sy vila moderne të ndërtuara me standarde bashkohore.
Këtu
po ndalemi dhe pushojmë, më tha miku im, Skënderi. Në oborrin e dy vilave të
bukura vërejta një grua të moshuar, ulur në tavolinën e saj. Menjëherë u ngrit
dhe na uroi “mirëseardhjen” tradicionale rugovase.
Mendova
se po vjeshtonte në këtë muaj, por ajo nuk vonoi e tregoi se është e lindur në
fshatin Stankaj të Rugovës. Nurije e kam emrin, foli ajo. Dhe fjala nxjerr
fjalën si kashta kashtën. E pyes se e çfarë familje në Stankaj. Ajo krenarisht
zbrazi përgjigjen e saj, jam e bija e Zhukë Haxhisë dhe pushoi duke hedhur
shikimin majave të largëta, sikur të kërkonte diçka të humbur moti....
Po
unë kam dëgjuar këngë dhe fjalë trimërie për Zhukë Haxhinë e disa të tjerë, për
luftërat në kufi me Malin e Zi. Gjitha ato trimëri e pak folet sot, i them unë.
Pas pak, i lutem Nurijes që të na flasë më shumë për babain e saj, nëse i
kujtohet ndonjë ngjarje e asaj kohe. Më shikoi thellësisht në sy, sikur donte
të dinte qëllimin dhe kureshtjen time për Zhukë
Haxhinë, atë trim të paepur në mbrojtjen e kufirit dhe trojeve tona nga
çetnikët serbo-malazezë të atyre viteve
të pasluftës së Dytë botërore.
Majtas:
Mehmet Hysenaj, Nurije Zhukë Haxhija-Hysenaj
Unë
isha njëvjeçare kur babai im ishte burgosur nga regjimet e atëhershme. Kur
fillova të rritem, dëgjoja për bëmat e babit tim, luftërat në Çakorr, Shekullarë e gjithandej, duke
mbrojtur megjën e vendit tonë. Por babai
im, Zhukë Haxhija, nuk ishte vetëm. Ai si komandant kufiri kishte edhe 60 veta,
të gjithë djem azgona e të zotët e luftës, vazhdoi rrëfimin prekës z. Nurija.
Me
hapa të ngadalë, duke u mbajtur me një shkop në dorë, ofrohej bashkëshorti i
Nurijes, Mehmet Sadik Hysenaj, veteran i arsimit ,burrë që bart mbi vete 82
vite të jetës plot vuajtje. Por, këtë mundim ia kanë shpërblyer (tani) djemtë e
tij, të cilët i ka profesorë në fakultete të Kosovës. Çdo njeriu mundi i
shpërblehet atëherë kur fëmijët prosperojnë me arritjet në shkollim të lartë,
siç iu ka shpërblyer Mehmetit, i cili tani jeton në Pejë, por veron e vjeshton edhe ne Shkrel
të Rugovës.
Xha
Mehmeti, në pak minuta, rrëfeu gjithë historikun prej mësuesi nëpër fshatrat e
Rugovës, duke ecur këmbë dhjetra km në ditë, dimër e verë, maleve e shpateve
mjaft të zorshme nëpër stinët të vitit. Për gjithë mundin e tij, sot në moshë
të shtyrë, gëzon autoritet kudo nga njerëzit e
të gjitha moshave, sepse nga goja e tij, buron urtësia, çiltërsia dhe
arsyeja e fjalës njerëzore. Pas bisedës me veteranin moshuar të arsimimit tonë, Mehmet Hysenaj, bisedën interesante e
vazhduam me z. Nurije (Zhukë) Haxhija-Hysenaj, e cila vazhdoi fjalën nga aty,
ku e la: Kur më tregonin bëmat e babait tim në rritje e sipër, ndihesha krenare
dhe shumë e lumtur, pos që atëbotë, nuk guxonim të flisnim dhe të shfaqnim
lumturinë dhe krenarinë ndaj prindërve tonë.
Kur
më flisnin në familje se Zhuka ka
qëndruar gjithandej shpellave të Rugovës, duke u fshehur nga armiku i regjimit
që e kërkonin për ta burgosur ose vrarë, meditoja se si mund të kalojë jetën
njeriu nëpër shpella gjithë atyre dimrave të ashpër dhe të shpëtojë...Bukën
(ushqimet) ia dërgonin njerëzit e zgjedhur të Rugovës.
Pas
dy-tre vitesh nëpër shpella, e hetuan dhe e zunë Zhukë Haxhinë, me
gjashtëdhjetë luftëtarë të tjerë. Disa i vranë me varje, si Ukë Sadikun e Ajet
Gërgurin, disa vdiqën në burgje të regjimit jugosllav...
Kur
doli baba im prej burgut, diku mes viteve të gjashtëdhjeta, unë isha 16-17
vjeçe. Askush nuk e ka njohur në pamje, pos nga zani, nga e folmja e tij. Si e
re që isha, pa e njohur akoma babin tim, me gjithë dëshirën për t’iu hedhur në
përqafim, strukesha nga dhimbja dhe tmerri që kisha dëgjuar për përjetimet e
tij nëpër burgjet sllave. Këtu ndaloi rrëfimin e saj z. Nurije, sikur se iu parafytyrua e gjithë ajo
kohë vuajtjesh, si në një shirit filmi.
E
tani si e vlerësoni kohën z. Nurije, me gjithë këto vuajtje dhe peshë të rënda
përjetimesh, si e ndieni veten si bijë e Zhuk
Haxhisë në këtë kohë e në këtë moshë, e pyeta prej kureshtjes sime, por
edhe nga gëzimi që pata rastin rastësisht ta
njoh.
Eeee!
Si ndihem sot!...Pasha loken zor e kam të flas, por edhe brenda nuk rrin
zjarri.... Keq u ba me kufirin mes Kosovës e Malit të Zi. Është derdhë shumë
gjak për atë kufi. Nuk duhej t’i falet aq shumë tokë atyre që nuk na danë kurrë
të zezën. A e patën pak Plavë e Guci-a?....
Me
këto fjalë të z. Nurije, bija e luftëtarit Zhukë Haxhija, sikurse na u mbyll
goja për të bërë pyetje të tjera kësaj gruaje fisnike, të cilën koha e ka
ndrydhur, por edhe krenuar, duke qenë bijë e një familje me vlera e virtyte
kombëtare. Për Zhukë Haxhinë e bashkëtrimat e tij, pak është shkruar, më shumë
janë thurur këngë trimërie për të mos mbetur në harresën e kohës.
Ishte
kënaqësi koha që kaluam me z. Nurije, bijën e trimit për mbrojtjen e tokave
shqiptare nga zaptuesit e huaj, dhe z. Mehmet Sadik Hysenaj, veteran i arsimit,
një burrë i sojnisë dhe atdhetarisë. Falënderoj mikun tim, Skënder Sadrinë, që
më ofroi mundësinë e një shëtitje të bukur me ç‘rast njoha personazhet e këtij
reportazhi.
Shkrel-Rugovë,
25 tetor 2022