E merkure, 09.10.2024, 10:44 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Tahir Bezhani: Atje ku sytë e kërkojnë gjithmonë mikun

E marte, 05.07.2022, 08:59 PM


ATJE KU SYTË E KËRKOJNË GJITHMONË MIKUN...

(Ose, heshtja që shprushë mallin e djegur...)

Nga Tahir Bezhani

Atë natë nuk më zuri gjumi.  U përcaktova dhe mora vendim  që vikendin e 25 qershorit ta kaloj në Shëngjin. Kaluan tre vite pa shijuar bukuritë  e Shëngjinit, këtij bregdeti të bukur. Më silleshin ndërmend shumë ngjarje të kohës së kaluar. Shumë kujtime ruante rëra, uji, ”Iliria”,”Rafaello”...

Ajo kodra me pisha, lart mbi kaltërsinë detare,  ku jetonte miku im e i shumë të tjerëve. Ajo ishte më tërheqësja, më sillte  dhimbje, aty vriste syri, mendja dhe zemra ime, që atë moment kur u “pjek” arsyeja të shkoj në Shëngjin.

Më përfytyrohej miku im, tani i ndjerë z. Zeqir Lushaj, gazetari, poeti, publicisti, redaktori i gazetës Zemra Shqiptare për shumë vite. Asnjëherë, që kur ishte rikthyer nga SHBA, z. Zeqir Lushaj, nuk kishte ngjarë kurrë të kthehem në Gjakovë pa u takuar, pa pirë kafe e bërë llafe n ‘oborrin e asaj shtëpie të bukur, ku aroma e detit dhe e pishave  të vjedhin kohën padiktueshëm... Shpesh ishim si miq se bashku me Lulzim Logun e Sejdi Berishën.

Një pjesë e shtëpisë se Zeqir Lushaj në Shengjin

Ishte ora gjashtë e mëngjesit kur u nisem nga Gjakova për Shëngjin, me Dr. Rexhep Golaj. Herët kaluam Kukësin dhe iu veshëm shpateve te atyre bjeshkëve, ku dielli kishte puthur moti majat e larta. Kishte me qindra makina që na tejkalonin, si grejzat. Kisha hedhur sytë asaj bukurie dehëse, atyre leqeve gjarpërore ku makina përpinte asfaltin  në heshtje. Provuam të pimë kafenë e mëngjesit në dy-tre vende buzë rrugës, ishte e pamundur të vije në shprehje. Të dukej se kishin ikur nga shtëpitë e tyre të tërë  Kosova...

Ecëm.

Afër Milotit gjetëm kohë e mundësi të hurpojmë nga një kafe shpejt e shpejt, nga se dëshironim të zëmë kohën për të realizuar të gjitha qëllimet. Sapo makina mori drejtimin e Lezhës, me ra në sy Shëngjini dhe kodra, atje ku ishte shtëpia e mikut tim. Filloi një dridhje malli e padiktueshme, një ligësi mëngjesore lëvizte në tërë trupin tim. Më bëhej se e shikoja ulur në atë  tavolinë guri, me kafe  e gotën e rakisë, me miqtë e tij të shumtë, Zeqirin.

Pamje nga oborri i shtëpisë se Zeqir Lushaj, tavolina prej guri ku priste miq Zeqiri

E hoqa shikimin nga andej, ula kokën, shikoja rrugën dhe drejtimin me kujdes të makinës  nga Dr. Rexhep Golaj. Bashkëshortja më foli duke më pyetur “a je mirë”?!

-Po i them, mirë, dhe sërish sytë morën në shënjestër Kodrën Rrenc dhe gjithë atë panoramë të cilës i ofrohemi çdo moment. Do pakës ujë, më foli vajza ime, bashkëshortja e Dr. Rexhepit?!

.... Jo i them, mirë jam, më leni të qetë!...

Sikur të kishim pikur nga qielli, mbërrimë në plazh, te Rana e Hedhur. Herët u vendosëm dhe filluam gjithë atë lodhje të rrugës dhe hallakamtë e mia të brendshme, t’ia shkarkojmë ujit të detit dhe rërës së nxehtë. Në mbrëmje, afër hotel “ Rafaelos,” duhej të takonim Dr. Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj, me bashkëshortin Arbenin, z. Adil Fetahu me bashkëshorten nga Prishtina. Për këtë takim kishim paralajmërimin, ishim të njoftuar nga njeri tjetri që të takohemi për kafe, të rikujtojmë mikun tonë të ndjerë, Zeqir Lushaj dhe te shkëmbejmë libra si kujtime te paharruara mes miqve.

Këtë miqësi e pati mbjellë dhe na  la trashëgim i madhi Zeqir Lushaj, andaj, në këtë kuptim, evokuam kujtime miqësore dhe padyshim se do e vazhdojmë miqësinë tonë si amanet të Zeqirit. Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj, i qëndroj afër Zeqirit deri ne frymën e fundit të jetës. Ishin prekëse rrëfimet e saj.

Qetësia e dhimbshme dhe  heshtja që vrasin, kuja që mbyll derën e oborrit...

Bëra çdo gjë të mundur që mos të shkoja te shtëpia e mikut të ndjerë Zeqir Lushaj. Nga njëra anë me vriste malli kur parafytyroja ndejat në atë oborr, ulur në tavolinën guri,  ullishtën përrreth, blinin e Grisë, rrushin e merakut dhe shumë pemë të mara nga disa vende të Kosovës, koleksione malli për  dashurinë që kishte për Kosovën. Ndërsa akoma më e madhe ishte forca e brendshme shtytëse, që mos të kthehem assesi pa e parë, pa e hequr ose mbushur mall me atë vend parajsë ku jetoi miku im e dhjetra të tjerëve, në atë kodër mali me pisha, mbi kaltërsinë e detit pafund.

Dera e oborrit e mbyllur me kujë.

Pa koment, lexoni e kuptoni vetvetiu!......

Dikur se bashku, Sejdi Berisha, Zeqir Lushaj, T. Bezhani

Dhe makina u ndal para derës së shtëpisë së mikut tim, me 26 qershor 2022, ndalova si i shtangur, doja ta thërrisja si dikur,  sipas traditës malësore, ku  edhe  e merrja përgjigjen;

” O mirë se erdhe o djali i Gjakovës!”....

Kështu me thoshte Zeqiri përherë, ose kur nuk  i bindesha, me thoshte “rri mirë nipalan!....” Këtë radhë nuk thirra, vetëm shikoja e diç më përvëlonte në heshtje. Shikova me dhimbje derën e mbyllur me kujë, tavolinën e gurit, ullinjtë dhe të gjitha të mirat tjera, punuar nga duart e vyera të  Zeqir Lushajt. Një e lehur qeni ofrohej ngadalë te dera, sikur donte të thoshte:

“ Zeqir Lushaj nuk jeton më në këtë shtëpi.....”

Një nga kujtimet me te ndjerin Z. Lushaj në oborrin e shtëpisë së tij

Ai, thashë me vete, nuk ka vdekur. Jeton në zemrat tona, të mijra bashkëvendasve të tij, anekënd trojeve shqiptare, të cilët i deshi aq shumë, me tërë forcën e shpirtit prej fisniku, rritur e kalitur në Malësinë e Gjakovës.

Më rrodhën instinktivisht dy-tre pika lot te pragu i oborrit të shtëpisë së mikut tim, Zeqir Lushaj. Nuk fola asgjë kur më tërhoqën familjarët në makinë, duke më ngushëlluar e përqafuar.

Në largim nga ai vend i paharruar, mu kujtua një thënie e Dostojevskit:

” Vdekja është dhurata më e çmuar prej Zotit. Ajo të largon nga mundimet e jetës....”

Të asaj rruge gjykimi jemi të gjithë. Ecim kryelartë!..

Gjakovë, 4 korrik, 2022



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora