Udhëpërshkrim
Ndue Dedaj: Shkrimtarët në Rrëshen, për Musine Kokalarin
E enjte, 23.06.2022, 08:55 PM
SHKRIMTARËT NË RRËSHEN,
PËR MUSINE KOKALARIN
NGA
NDUE DEDAJ
Ka
vite që në Rrëshen vijnë shkrimtarë, gazetarë e të tjerë për të kujtuar Musine
Kokalarin, që e lidhi fati me këtë qytet për më shumë se dy dhjetëvjeçarë. Dje
pritëm rreth dyzet shkrimtarë dhe poetë, që kishin ardhur në gjurmë të
Musinesë. Ka diçka të shenjtë në shtegtime të tilla, të “prekësh” sot të
djeshmën e trishtuar të saj, pasi shkrimtarja e parë e letërsisë shqiptare
ishte sjellë si e internuar në këtë vend, ngaqë ajo ishte disidente,
kundërshtare e hapur dhe e përhershme e diktaturës.
Prej
5 vitesh Rrësheni ka një rrugë me emrin “Musine Kokalari” (vendosur nga Bashkia
Mirditë), ku qe dhe ndalesa e parë e shkrimtarëve, të cilëve ua uroi
mirëseardhjen Imzot Gjergj Meta, ipeshkëvi i Rrëshenit, njëherësh autor librash
dhe publicist. Ai u tha atyre se “takimi” i parë i tij me Musinenë kishte qenë
në arkiv, ku kishte hasur një projekt-ide të saj të viteve ‘40, që përfshinte
poetët Gjergj Fishta dhe Vinçens Prenushi në një libër që do të përdorej për
shkollat.
Më
tej, në ish - mjediset e Bibliotekës së qytetit në Pallatin e Kulturës, sollëm
para të pranishmëve mbresa nga ajo kohë kur Musineja e kishte shtëpinë e librit
si një tempull ku “falej” çdo ditë, ashtu siç frekuentonte dhe librarinë e
kinemanë e qytetit.
Në
Pallatin e Kulturës shkrimtarët vizituan sallën muzeale etnografike të
Ansamblit Mirdita dhe ekspozitën fotografike të qytetit në vite.
Pastaj
ata u drejtuan për te “baraka” njëkatshe, në afërsi të Agjensisë së Vjetër, ku
ka banuar Musineja pjesën më të madhe të kohëqendrimit në Mirditë, që tashmë
nuk ka asnjë gjurmë dhe vendi është mbuluar nga ferrat. Rrëshenasit ruajnë
shumë kujtime për gruan e pazakonshme të qytetit të tyre, që e kishte sfiduar
regjimin me sjelljen e saj të papërkulur. Disa nga këto kujtime i kemi mbledhur
drejtpërdrejt nga goja e personave që kanë qenë afër saj si bashkëvuejtës dhe
shpresojmë të botohen.
Pas
vizitës në Katedralen e Rrëshenit, shkrimtarët u nisën drejt “Kështjellës Duka”
në Perlat, ku në sallën e promovimeve të këtij resorti turistik u fol mbi jetën
dhe veprën e Musine Kokalarit nga ata që e kishin njohur dhe të tjerë.
Veprimtaria u moderua nga poeti dhe gazetari Rexhep Shahu, organizatori kryesor
i këtij shtegtimi homazh, bashkë me shkrimtarin Izet Duraku, që drejtojnë
Klubin e Poezisë Tiranë dhe botojnë prej vitesh me përkushtim revistën letrare
“Yllz”, që ka bërë vend në bibliotekat universitare, publike etj.
Falë
nismës së këtij klubi letrar, botues e promovues dhe mbështetjes së biznesmenit
Flamur Hoxha, sot deputet i Kuvendit të Shqipërisë, vitet e fundit shkrimtarët
kanë shtegtuar dhe në vende të tjera që lidhen me shkrimtarët e martirizuar nga
diktatura komuniste; në Kollovoz të Kukësit për Havzi Nelën, në Librazhd për
Vilson Blloshmin e Genc Lekën, në Peshtan të Përmet për Trifon Xhaxhikën, në
Fishtë për Gjergj Fishtën, në Elbasan për Et’hem Haxhiademin e Lef Nosin, për
të mos u ndalur me Musinenë në Rrëshen, por për të vazhduar në të ardhmen me
Vinçens Prenushin në Durrës, Dom Ndre Zadejën e At Anton Harapin në Shkodër
etj. Diku është ndërtuar shtëpia e një poetit martir, diku tjetër është ngritur
një memorial etj.
Në
mjediset e “Kështjellës Duka”, ku u shtrua dreka për të pranishmit, avokat
Alfred Duka, studiues i historisë dhe bashkautor i serisë monografike kushtuar
Dom Shtjefën Kurtit, i njohu miqtë me disa dokumente autentike të kohës së
Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që lidhën me abatin, gjeneralin dhe diplomatin e
tij, Pjetër Perlati, shtatorja e të cilit është lartësuar kohët e fundit në
mjediset e kësaj “kështjelle” unikale për nga arkitektura në krejt hapësirën
shqiptare.
Rrëshen, 23 qershor 2022