Udhëpërshkrim
Bashkim Saliasi: Mali i Tomorit, qendër e besimit bektashian
E diele, 24.10.2021, 07:07 PM
Poshtë: Lagjja Dyrmish.
Lartë: Salias dhe në horizont Bregu Veliut
MALI I TOMORIT, QENDËR E BESIMIT BEKTASHIAN
Nga Bashkim Saliasi
HYRJE
Në orët e vona të datës
2.09.2021 një zile telefoni më tërhoqi
vemendjen nga filmi, që po e ndiqja në televizor. Ishte nipi im, Meçani, që më
bëri me dije se të nesërmen do të udhëtonte për në vendlindje, - Dobrushë.
-Nëse ke dëshirë hajde, me
mua nesër në Dobrushë. Pa e zgjatur i thashë: - Unë po, do të vij, më trego orën
se kur do të nisemi.
-Mos lëviz nga shtëpia, se
vij të marrë unë, -më thotë Meçani.
-Ti je me rrufë, ku do të
shkosh në Skrapar në këtë gjendje, - ndërhyri ime shoqe.
-Kur shkon në vendlindje shërohesh
dhe rrufa largohet, -i them.
Mora masat e nevojshme dhe
me ankth prisja të gdhihej dita e re, për të udhëtuar për në vendlindje. Kishin
kaluar disa vjet dhe nuk më ishte krijuar mundësia për të shkuar në Dobrushë.
…Në mëngjes më doli gjumi
shpejt.
Ora shënonte katër. Pasi bëra
tualetin, përgatita mëngjesin dhe qëndrova në pritje të telefonatës së Meçanit.
Në orën pesë pa një çerek i telefonova Meçanit, por ai, si duket, nuk ishte çuar
akoma nga gjumi. E mbylla telefonin pa marrë përgjigje.
Kishte kaluar pak kohë dhe
Meçani më tha të mos lëvizja nga shtëpia, se do të vinte të më merrte ai me Gisildon me makinë. Nuk vonoi shumë dhe në orën
gjashtë u nisëm për rrugë. Pas përshëndetjes Meçani më tregoi se i vëllai, Fatmiri,
nuk kishte dëgjuar të vinte. Në bisedë më tregon se më doli nga mendja t’i
thosha xhaxhi Izetit, ose ty, të merrje Linën.
-Mirë do kishe bërë, po të
kishe thënë që mbrëmë, se në rast se nuk vinte Izeti merrja Angjelinën. Ajo që
u bë nuk zhbëhet më, por do kemi rast tjetër, - më thotë Meçani.
NGA TIRANA NË PROKUCË
Tirana, kryeqyteti ynë,
ishte në zgjim e sipër. Makina rrëshqiste në asaflt si një flutur që viziton
lulet që pagdhirë mirë.
Tirana me rrugët e pastra,
dhe gjithë dritë të krijon ndjesi pozitive. Rrugët ishin të boshatisura nga trafiku
i makinave. Ajo na ndihmoi që të dilnim shpejt nga Tirana në autostradë. Gisildoja drejtonte makinën për
bukuri dhe i kaloi qytetet një nga një pa u ndier.
Për një orë kapëm Beratin. Në
Berat ndaluam në një dyqan lulesh. Porosita dy buqeta me lule për te varrezat e
prindërve të mi. Bëra pagesën dhe e falenderova shitësen për lulet që përzgjodhi.
Meçani i tha Gisildos që të ndalonte te lokal “Osumi”, për të ngrënë mëngjes.
Pasi u ulëm në mjediset e
lokalit, Meçani, Sanija dhe Gisildoja porositën mëngjesin, kurse unë kafe të shoqëruar me një
gotë raki. Nuk qëndruam gjatë në lokal dhe për njëzet minuta arritëm në Mbrakull.
-Këtu kthehet rruga për në Tomor,
- më thotë Meçani. Gisildoja mori kthesën dhe makina gulçoi në maloren e Prokucës
për në drejtim të fshatit Kapinovë, në maloren e fortë në ngjitje…
Ishte një malore jo fort e ëmbël,
por makina tip fuoristradë e ngjiti pa vështirësi dhe mori drejtimin në një
dishezë, që nga të dyja anët e rrugës syri të rrokte gjithfarë ngjyrash nga
ardhja e vjeshtës.
Makina rrëshqiste në rrugën
e asfaltuar si një motoskaf në një det të qetë pa dallgë. Panorama gjithfarë
ngjyrash me kolorë si ngjyrat e ylberit, të krijonin një peizazh, sikur ishe në
botën e përrallave.
Kodrat e Prokucës dhe më
pas të fshatit Kapinovë të veshura me bimësi, shkozë, mare, kulpra dhe me një
bimësi të përzier me ngjyrat e tyre të vjeshtës së dytë, të kënaqnin shpirtin.
Hija e rëndë e malit të Tomorit
binte si një kurorë mbi fshatin Kapinovë, dhe të krijonte imazhin se po udhëtonim
drejt qiellit…
NË RRUGËT E FSHATIT KAPINOVË
Makina mori maloren me lehtësi,
si lejlekët që kalojnë lartësitë e malit Himalaje dhe shumë shpejt para syve
tanë u shfaq fshati Kapinovë i Beratit. Hymë në fshatin Kapinovë.
Banorët e fshatit ishin
çuar herët dhe kishin nxjerrë prodhimet e tyre në pika të ndryshme në kryqëzimet
e rrugës. Dikush kishte vjelë domate, një tjetër speca, patëllxhan, rrush, arra
etj. Me vete mendoja se rruga sjell zhvillim. Dikur banorëve të fshatit Kapinovë
iu duhej të harxhonin gjithë atë kohë për të shkuar në Poliçan ose në Berat të
shisnin prodhimet e tyre, kurse tani tregu i shitjes ju ka ardhur afër shtëpisë.
Me Meçanin diskutuam rreth
ngritjes së barakave dhe ruajtjen e prodhimeve brenda këtyre mjediseve, larg
tymit dhe pluhurit, por menduam se ndoshta nevoja do t’i mësojë, sesi duhet të
veprojnë për të ruajtur prodhimet e tyre sa më të freskëta.
E njoh mirë zonën e
fshatrave Kapinovë dhe Bargullas, se në vitet 1980-1988 ka pasur shumë djem e
vajza që vazhdonin shkollën bujqësore pa shkëputje nga puna në Nishovë. Të dy
fshatrat janë me selishta prodhuese pranë shtëpive, ku prodhohen perimet bio
dhe të shijshme.
Në fshatin Kapinovë të
Beratit gjendet pika turistike, e cila me ndërtimin e rrugës ka mundësi të
shfrytëzohet më mirë për turizëm, nga dashamirësit e klimës së freskët dhe
gatimet tradicionale të zonës që ka ky fshat. Shumë shpejt lamë Kapinovën dhe
dolëm në qafë, ku duket vendi ku ka qenë kalaja e Bargullasit.
Në të majtë, poshtë në
luginë, gjenden tokat që ndajnë fshatin Kapinovë me arat e Bargullasit, që emërtohen
Moranjanja.
-Ja dhe tokat e Dake Kondit,
- i them Sanijes,.
-Sa i qenkan rritur ullinjtë!
Përballë, në fshatin Bargullas, dolën lagjja Koron, në faqen e kodrës përballë
fshatit, ku binin në sy shtëpitë e mbajtura mire. Në luginë lagjet Spaho,
Kondi, Lulaj dhe poshtë në horizont fshati Nishovë; djathtas fshati Novaj, ku të
binte në sy hoteli i ngritur në lagjen Qatollar te Gurët e Qamës, në kufirin që
ndan fshatin Novaj nga Nishova...
NË BARGULLAS
Djali i Meçanit, Gisildoja, parkoi makinën dhe na thotë:
- Tani ejani të takojmë gjyshen time, Zyrakon, në shtëpinë e saj. Sanija foli në
telefon me të ëmën dhe ne morëm rrugën nëpër ara, për te shtëpia e saj.
-Ku rri gjyshja jote? - e
pyes Gisildon.
-Në pranverë, verë dhe vjeshtë
rri në shtëpinë e saj bashkë me të shoqen e Abedinit Spahos, kurse në dimër
ulet në Poliçan te Skënderi.
Zyrakon e gjetëm në
mjediset e jashtme të shtëpisë duke na pritur. Sanija, pasi takoi të ëmën, e
pyeti nëse më njihte mua.
-Jo, - ishte përgjigjja e
saj. Kishte të drejtë, kanë kaluar mbi dyzet vjet që nuk jemi parë. Qëndruam
pak kohë te shtëpia e nënë Zyrakos dhe, pasi u përshëndetëm me të, morëm rrugën
për në teqenë e Dervish Iljazit. Hodha sytë nga Tomori ku një shtëllungë tymi
dilte nga një grumbull shkurresh dhe pyes Sanijen: - Vitaleni është ai?
Aty shkonim e bënim ekskursionet shkollore?!.
-Po, - më tregon Sanija, -
ai është Vitaleni, ku buron uji i ftohtë.
Ne tetë vite punë qendruam
në shkollën e bashkuar Bargullas në të cilën vinin nxënës edhe nga fshati
Kapinovë i Beratit, për të ndjekur shkollën e mesme natën, profili agronomi pa
shkëputje nga puna.
Në këtë shkollë në ato vite
punoi një staf mësuesish që lanë gjurmë të mira në zhvillimin e arsimit në këtë
trevë. U rrethua shkolla me mur mbrojtës me gurë, u vendosën portat, u ngrit
lulishtja para shkollës, u ndërtuan kabinetet e biologji-kimisë, fizikës,
mbrojtjes së bimëve, letërsisë, histori-gjeografisë, u pasurua biblioteka e
shkollës, u soll uji i pijshëm në shkollë etj.
Çdo vit në pranverë ose në
vjeshtë organizoheshin ekskursionet, ku nxënësit kishin ambiente argëtimi dhe
freskoheshin me ujin e ftohtë që buronte nga mali i shenjtë i Tomorit.
NË AMBIENTET E TEQESË SË DERVISH ILJAZIT
Rrugën për në teqenë e
Dervish Iljazit e përshkuam shumë shpejt. Në hyrje të teqesë së Dervish Iljazit
takuam sekretarin e teqesë, zotin Zalo
Qato. Pas përshëndetjes Zaloja uroj: mirëseardhjen.
E falenderuam Zalon dhe morëm
rrugën për te vendi ku janë vendosur të shenjtit. Duke u ngjitur në shkallët e
gurta i them Meçanit, se në krahasim me një vit më pare, qenka bërë goxha punë
sivjet. Rruga ka mbaruar së shtruari e
gjitha me asfalt. Shtyllat elektrike nga fshati Novaj deri te teqeja janë
vendosur dhe shiko paska filluar dhe shtrirja e telave elektrikë që lart poshtë.
-Po xhajë, jam dakord me ty
që është bërë diçka sivjet, por po të shikosh rrugën ka mangësi. Mungon
sinjalistika, nuk ka zgjerimin e duhur dhe nuk janë ngritur muret pritëse në të
dy anët e rrugës, atje ku është e nevojshme. Rruga nuk ka zgjerimin e duhur për
t’u shkëmbyer dy makina, pavarësisht se zgjerimi i saj nuk kishte nevojë për
asfalt, por të shtrohej me çakull dhe makinat ndërroheshin lirisht…etj, etj. Këtu
në këto sheshe që janë bërë me mur, është e nevojshme që të mbillen pisha dhe
bredha, me qëllim që të krijojnë ambiente sa më të bukura për t’u çlodhur. Të
ndërtohen parkingjet, qoftë dhe me pagesë dhe të qëndrojë në gatishmëri policia
për të vendosur rregull në ditët e festës. Sivjet kishte shumë pelegrinë dhe
nuk kishte rregull, përsa i përket qarkullimit të automjeteve.
Teqeja e Kulmakut është
vend i shenjtë dhe qendër turistike për pelegrinët, që vjinë jo vetëm nga Shqipëria,
por dhe nga diaspora dhe po të ketë ambiente çlodhëse, shfrytëzohet për turizëm
në çdo kohë, si në dimër dhe në verë.
-Turizmi ka filluar, ndërhyri
në bisedë Gisildoja. Te baxhoja në Ujanik është ndërtuar hoteli dhe ka shkuar
asfalti deri atje. Çdo fundjavë në teqenë e Dervish Iljazit ka vizitorë të
shumtë tani që u bë rruga.
Do ishte mirë sikur të bëhej
edhe rruga nga Dobrusha, do të sillte shumë lehtësira, në lëvizjen e
automjeteve, por edhe në shfrytëzimin e terreneve për turizëm.
Besoj se nuk i ka ikur
koha, në të ardhmen do të lindë nevoja që edhe ajo rrugë të ndërtohet dhe do t’u
vijë në ndihmë pelegrinëve, që vizitojnë teqenë e Dervish Iljazit, apo vijnë
për të kaluar fundjavën…
Pasi bëmë ritet e zakonshme
në vendet e shenjta, morëm rrugën për në kthim, për në fshatin e lindjes në
Dobrushë.
KRYEGJYSHATA BOTËRORE BEKTASHIANE
Pak histori
Bektashizmi i themeluar nga
Haxhi Bektash Veliu në shekullin XIII është një dogmë mistike islame, që merret
me përsosmërinë shpirtërore të njeriut dhe respekton të gjitha fetë monoteiste.
Selia botërore e
bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë në vjeshtën e vitit 1925, kur
qeveria turke, me një vendim të posaçëm mbylli teqetë. Në Shqipëri,
Kryegjyshata Botërore Bektashiane ngriti një bashkësi të pavarur e të njohur
nga të tjerët, e cila ekzistoi deri në vitin 1967.
Pas pothuajse një çerek
shekulli heshtjeje në Shqipëri, më 27 janar 1991, në Tiranë u ngrit një Komitet
i Përkohshëm për ringjalljen e bashkësisë së bektashinjve. Që prej atij viti e
këndej, bashkësia e re, ka punuar mjaft për të ringjallur traditat e bektashizmit
në Shqipëri. Teqeja dhe njëkohësisht Selia botërore në Tiranë, u hapën më 22
mars 1991, me rastin e ditës së Sulltan Nevruzit.
Në mjediset e Odeonit
(Faltorja e Madhe) të përuruara më 7 shtator 2015 në Kryegjyshatën Botërore
Bektashiane, ndodhet edhe Muzeu Bektashian…
Shkëputur nga Wkipedia
hhhps//kryegjyshatabotërore…
RRUGA PËR NË DOBRUSHË
Porsa del në qafë, te
gorrica e Xharros, lart burimit ku del uji i ftohtë i Bollës, të shfaqet para syve një panoramë e
mrekullueshme. Është panorama e fshatit Dobrushë. Në të majtë lamë malin e
Ramijes, kur dikur në vitet e rinisë vinim dhe mblidhnim çaj dhe banorët e Dobrushës
në Qafëtuar, prisnin trarë për ndërtimin e shtëpive me leje nga pyjorja, kurse
çobanët veronin tufat e bagëtive deri në vjeshtën e dytë.
Rruga për në fshatin Dobrushë,
nuk është e asfaltuar, por e hapur nga banorët vite më pare, kur filluan shfrytëzimin
e malit, nga nxirrej dërrasa e gurit, për të siguruar të ardhura për mbijetesë
të familjeve fshatare.
Me pak vështirësi kaluam përroin
e Bronecit dhe makina mori rrugë si një dragua nëpër këto rrugë dhish, që dikur
lëviznin vetëm traktorët në pranverë dhe vjeshtë, që punonin këto parcela, ku
kultivohej misër dhe grurë, kurse sot janë kthyer në blloqe të mbjella me arra.
Meçani më tregoi se janë tokat
e Ylli Zaimit dhe këtu kanë mbjellë këto bimë arre. Më pas zbritëm në tokat e
emërtuara “luadhe”, ku para viteve ’90 mbi xhadenë e asaj kohe, te burimi ishte
baxhoja e shtetit, që përpunonte qumështin e kopeve të Dobrushës.
Fshati: Përparim
Në bregun e hudhrave u
shfaq një panoramë mbresëlënëse gjithfarë ngjyrash, nga më të bukurat si ngjyrat
e ylberit. Ja, më tregoi përsëri Meçani bllokun tjetër me kumbulla në pronësi
të Yllit, në livadhet e Sherikolit. Poshtë shtriheshin tokat e Dardhës së butë,
ku dikur ka banuar fisi i Tahir Bejkos dhe poshtë në Qoroshtinë dalloheshin
shtëpitë e rrëzuara të Temellarëve.
- Ja dhe shtëpitë e
Rizallarëve. Shtëpitë e ndërtuara me gurë të skalitur, i rindërtoi Xhevahir
Zaimi, që tani banon në Durrës, - më thotë Meçani.
-Shtëpitë t’i gëzojnë djemtë,
se Xhevahiri ka ndërruar jetë, - u them. Duke zbritur rrugës, për në drejtim të
përroit të Lëngës, në tokat e zanaropit, ishin mbjellë blloqe me qershi nga
djemtë e Dylberit, në tokat e xhaxhait të tyre Isufit dhe më poshtë, kumbulla,
arra dhe bajame, si dhe një parcelë e Meçanit me sherebel. Lamë përroin e Lëngës dhe shumë
shpejt dolëm në qafën e Shëndëllisë. Aty realizova një numër të bollshëm fotosh
të fshatit Përparim, deri sipër në malin e Vërzhezhës dhe pamje nga mali i shenjtë
i Tomorit dhe nga fshati Dobrushë.
FSHATI DOBRUSHË NË RRËZË TË MALIT RAMIJE
Fshati Dobrushë ka pamjen e
një kopshti të lulëzuar, i veshur me bimësi të egër të shumëllojshme dhe pemë
frutore të kultivuara nga dora e njeriut. Bimët që rriten në gjendje të egër,
japin fruta të dobishme për banorët, që dikur i shfrytëzonin për përgatitjen e
rakisë së kumbullës, nga kumbulla e egër, oshafeve dhe mollët e egra, që i
ruanin si rezerva dimërore në ditët me dëborë dhe ngrica, frutat e thanës, që i
përdornin për përgatitjen e rakisë dhe nardenit, vadhëzat që i thanin oshafe
ose i konsumonin të freskëta, pasi qulleshin e të tjera.
Pyje në formim në Dobrushë
Në panoramën që shfaqet në
këto vite të shekullit XXI kanë ndryshuar shumë ekosistemet, të cilat fillojnë nga
toka arë dhe me selishta të punuara pranë shtëpive, ku kultivoheshin drithëra
buke, në lagjen Salias dhe fshatin Përparim, ku syri të rrok pyje në formim dhe
murishte të shtëpive të rrëzuara.
Kjo gjendje në këto 20-30
vjet të largimit të banorëve në drejtim të qendrave urbane tregon se, nuk do të
jetë e largët dita, që tokat arë të kthehen në livadhe dhe gradualisht në pyje me drurë lisi, shkoze, mëllezër etj. Ato toka që
dikur prodhonin misër dhe grurë me bollëk, sot janë kthyer në djerrë.
Në luginën midis tri
kodrave rrjedhin përrenj të vegjël, si ai i Lëngës, Selishtës dhe përroit të
Mbollës, që derdhen te Ura e Sirakës, kurse në kufirin që ndan malin e Tomorit
me arat e Dobrushës në Radul, rrjedh përroi i Bronecit, që derdhet te Ura e
Sirakës dhe bashkohet me tre përrenjtë, që rrjedhin nga Dobrusha, për të përfunduar
në lumin Osum.
Klima e Dobrushës është me
dimër të ashpër dhe verë të nxehtë. Bukurinë e fshatit e shton bimësia, që me
frutat e saj të shijshme dhe me klimën e freskët në pranverë dhe vjeshtë, afron
mundësi për biznes privat, përsa i përket sezonit të gjuetisë dhe pse jo në të
ardhmen në një park të mbrojtur nga ligjet e shtetit për gjueti.
Në pyjet e Dobrushës rriten
kafshë si: lepuri i egër, derri i egër, ujku, kaprolli dhe ketrat, baldosa,
kunadhja dhe kohët e fundit është i pranishëm dhe ariu i murrmë. Në përgjithësi,
fshati Dobrushë është i përshtatshëm për rritjen dhe mbarështimin e blegtorisë,
të deles dhe të dhisë.
Ngjyrat e shumëllojshme të
bimëve, si të lisit, shkozës, mëllezrës, lajthisë, ferrave që zinin popullatat
më të përhapura në pyjet e krijuara, që dikur kanë qenë lëndina apo toka buke,
ishin të pranishme në të gjitha tokat që rrethojnë lagjen Saliasi.
Në fund të fshatit dallohen
bimët e ilqes, shqopës, mares, frutat e së cilës banorët në ato vite në Dobrushë,
i përdornin për të përgatitur rakinë e koçimares. Fshati Dobrushë fsheh shumë
mistere në nëntokën e saj. Në të gjitha kodrat dhe lëndinat ka varre të hershme,
që tregojnë se, para shumë shekujsh, në këtë fshat kanë banuar banorë të tjerë
dhe këtë e dëshmojnë varret e kudogjendura.
Dalim në përfundim se, para
se të vendoseshin këto katër fise Salias, Ermëz, Dyrmish dhe Zaim, që kam përshkruar
në librin “Dobrusha 1700-2010? fshati ka pasur shtrirje tjetër dhe banorët dikur
janë larguar sikundër ndodhi në vitet 2000 me banorët e këtyre fiseve.
Argumentin e mbështesin
varrezat e fisit Salias, të vendosura në Bregun e Veshtit, varrezat e ermëzallinjve,
në vendin e quajtur Hereke, Dyrmishllarët te Vakëfet dhe më pas i çuan në Zharrëz
dhe një pjesë e Zaimllarëve, varrezat i kanë te arat e Kalos, apo Temellarët afër
shtëpive etj. Ekzistojnë shumë enigma, si xhamia në Dobrushë, apo vendet ku kanë
qenë kishat dhe në ditët tona janë ruajtur vetëm toponimet dhe nuk ka dokument
të shkruara…
FISET QË PËRBËNIN FSHATIN DOBRUSHË
Fshati Dobrushë kufizohet
nga lindja me bregun e Kurorës, nga jugu me fshatin Vërzhezhë dhe nga perëndimi
me fshatin Selan dhe Bogovën.
Fshati Dobrushë përbëhej
nga katër fise ose lagje: Dyrmish, Salias, Ermëz dhe Zaim. Nga lagja Salias,
janë larguar të gjithë banorët për në qytetet Tiranë, Durrës, Vlorë e Lushnje,
me përjashtim të djemve të Haxhi Saliasit, që i kanë restauruar shtëpitë, ku qendrojnë
në sezone të pranverës, verës dhe vjeshtës dhe shtëpitë e tjera janë rrënuar.
Po kështu edhe Njaziu i
Gjençit dhe Muhameti i kishin restauruar shtëpitë dhe kujdeseshin për to.
Shkolla në Dobrushë ishte rrëzuar dhe si godinë për zhvillimin e mësimit
përdoreshin shtëpitë e Muhamet Saliasit.
Nga lagjja Zaim kishin
restauruar shtëpitë e Hasan Sejat Zaimit dhe të vëllait Jakupit, kurse shtëpitë
e tjera pothuajse ishin rrëzuar.
Në lagjen Dyrmish janë katër
a pesë familje që banojnë aty dhe nuk janë larguar për momentin, kurse nga
fshati Përparim, ku banonin Zaimllarët, nuk ka mbetur asnjë familje, me përjashtim
të familjes së Xhevahir Zaimit, që i ka ndërtuar përsëri shtëpitë, por që nuk
banon asnjë njeri në to.
Në lagjen Ermëz banojnë
familja e Yrmeliut me djemtë Refitin dhe Zeqirin, kurse lart në Hereke janë shtëpitë
e Hasan Dyrmishit dhe Gëzim Zume Kapllanit.
Në lagjen Ermëz janë pak
familje që merren me blegtori, kurse në Qafë të Shëndëllisë banonte Kadriu i Fake Zaimit, në
vendbanimin e të jatit, pavarësisht se djemtë i kanë ndërtuar shtëpitë në Portëz
të Fierit. Me përjashtim të rrugës që lidh Dobrushën me fshatrat Strorë, Selan
dhe Përparim, ku ishin shtruar me asfalt rrugët, të tjerat ishin në mbyllje e
sipër nga pyje të dendura.
Rruga që komunikonte me
fshatin Vërzhezhë është e pakalueshme me makinë…
NGA MEKAMI NË VARREZAT E FAMILJES SALIAS
Mekami është një monument kulture
që përfaqëson besimin e sektit bektashian të banorëve të Dobrushës. Nuk kam djeni,
se kur është ndërtuar ky mekam dhe është varrosur i shenjti Dervish Brahimi,
por di se, pas viteve 2000, familjarët e fisit të Rizallarëve kontribuan të
gjithë dhe ringritën Mekamin më të bukur, siç ka qenë.
Mekami u elektrifikua dhe
sollën ujin e pijshëm atje. Ajo që më ka mbetur në mendje është se nga banorët
e Dobrushës që kam pyetur, e dinë se te
Vakëfet ka ekzistuar xhamia, por se kur është ndërtuar dhe kush shërbente në të
nuk kanë dijeni. Enigmë …
…Pasi zhvilluam ritet e zakonshme në mekamin e fshatit, u drejtuam për në lagjen tonë, Saliasi. Ndaluam poshtë shtëpisë së Njaziut të Gjençit dhe pasi u përshëndetëm nga larg, mora dy tufat e luleve në dorë dhe zbrita në drejtim të varrezave të fisit tim, në Bregun e Veshtit. Shtigjet dhe rrugët ishin mbyllur nga drizat dhe ferrat, që nuk të lejonin të shkoje në një drejtim. Pas endjes në disa drejtime në pyllin e Kryzës, mes shkozave e lisave, munda të zbres në vendin e quajtur “Bregu i Veshtit”.
Në krye të parcelës janë
varrezat e kushërinjve tanë, Gjençit e Mahmudes dhe nipit të Gjençit, të atit të
Haxhiut, Mustafait, ose gjyshit të fëmijëve të Haxhiut. Mora drejtimin për te
parcela e varrezave të familjes sonë. Pylli i lisave kishte mbuluar territorin
rreth e qark dhe varrezat dukeshin si në një ishull në detin e pafund i qarkuar
nga hijet e lisave, që rrethonin këtë ishull misterioz në mes të pemëve.
Pa u futur te varrezat,
hodha sytë nga arat tona, si Veshti, Rrahu, Selishtat, Kryza etj. Kudo shikoje
pyje me lisa, shkozë dhe dushqe, ku një vend me dëndësi më të madhe e zinin
ferrat dhe kulprat, që kishin bllokuar të gjitha rrugët e komunikimit. Pas pak
çastesh erdhi Meçani, Sanija e Gisildoja.
-Paska ardhur dikush para
nesh, -theu heshtjen Meçani. Mora në telefon Zylfon dhe ai më tregoi, se para
nesh aty kishte qenë Fitimi.
-Lulet artificiale i kam dërguar
unë, - më tregoi Zylfoja.
U ngjitëm së bashku me
Meçanin, Sanijen dhe Gisildon në drejtim të shtëpive të Njaziut, i cili kishte
therur dy shelegë dhe po e ndihmonin për t’i rrjepur dy djemtë e Yrmeliut, Refiti
dhe Zeqiri. Njaziun së bashku me dy nipërit e tij, e gjetëm në tarracën e katit
të dytë, duke vjelë rrush. Pas përshëndetjes me ta, e pyes Njaziun:
-Ku është mëni i zi, që
ishte afër pusit, në ato vite që rronte babai yt Gjençi?
-Ja, më tregon Njaziu, - unë
e preva mënin e vjetër, se u tha dhe doli ky i riu që shikon ti…
-Po gorrica ku është?
-Edhe gorrica e vjetër u
tha dhe e shikon atë të renë, ku ka mbirë dhe është zhvilluar, ajo ka zëvendësuar
gorricën e vjetër, ku qëndronte Gjençi në ato vite, që flet ti në librin tënd “Dobrusha
1700-2010…”.
Aty te gorrica në kohën e
Ymer Agait, kanë qenë burgjet me dyzet e pesë dhoma, tregonte Gjençi për atë
kohë. Në bisedë, Njaziu më tregon se, gurët e xhamisë, ne i përdorëm për të ndërtuar
zyrat në Breg të Veliut.
-Shtëpitë i paske në
gjendje të mirë, - i them.
-Po shtëpitë i ndërtova në
vitet ’90 me kredi. Mora një kredi të butë 150 000 mijë lekë të reja. Pata fat!
Mbylla çerekun e kredisë, pra 50 000 mijë të reja dhe pas një viti bëra dhe
pjesën tjetër. Doli urdhri që kush kishte marrë kredi të buta deri 150 000 lekë
të reja, kreditë falen. Kështu që unë i fitova shtëpitë, të cilat i prisha nga themelet
dhe i ngrita dykatëshe, sikur ishin nga e para, duke ruajtur strukturën, siç i
kishte ndërtuar Gjençi.
-T’i gëzosh shtëpitë!
- Kush kujdeset për to dhe
pemët që ke mbjellë rreth e qark tyre?-e pyes.
-Për shtëpitë kujdesen
djemtë e Yrmeliut, Refiti dhe Zeqiri, sikundër e shikon. Hardhitë i mbolla para
se të largohesha nga Dobrusha dhe shikoje sa i mirë është bërë rrushi.
-Marshalla dhe qënka pjekur
shumë mirë.
-Vij çdo vjeshtë, e vjel e
ngarkoj në makinë dhe e marr në Durrës, të cilin e bëj raki, - më tregon Njaziu.
Në kohën që qendruam te shtëpia e Njaziut, së bashku me dy nipërit, shtruan
tavolinën me rrush, që po e këpusnin në tarracë dhe një pjatë me djathë dhe
raki, ku qendruam duke kujtuar shpërnguljen e banorëve dhe përshtatjen e tyre në
komunitetet që punojnë dhe jetojnë.
Në bisedë me rrethin e
ngushtë që u krijua, Zeqiri ngriti si problem që të festonim së bashku festën e
Sulltan Nevruzit, te mekami në Dobrushë.
E diskutuam takimin e bashkëfshatarëve tanë, që jetojnë në qytete të ndryshme të
Shqipërisë dhe jashtë atdheut.
Në fund menduam se ideatorë
dhe organizatorë duhet të bëhen biznesmenët e fshatit tonë, që kanë mundësi të
sponsorizojnë diçka, për grumbullimin e banorëve, sikundër po bën dhe fshati Strorë.
Nëpërmjet këtij reportazhi
sensibilizojmë opinionin e bashkëfshatarëve të mi, që nëse kanë mundësi të
organizojnë eventin në muajin gusht do jetë diçka pozitive për të gjithë banorët,
që janë larguar në qendra të ndryshme banimi. U ndamë me Njaziun, për të
vazhduar me vizitën te shtëpia e Avniut dhe më pas në shtëpitë, ku u linda dhe
u rrita unë në vitet 1954-1980, kohë në të cilën u shkëputa nga fshati, për të
jetuar në Bargullas, dhe më pas në Poliçan. U afrova në lagjen time afër shtëpive
të Zylfos dhe të Luanit.
-Ç”të shoh?! Kudo kishte
grumbuj ferrash dhe lloje-lloje pemësh të mbira në mënyrë sporadike, si fiq dhe
kumbulla të egra. Ambenti i shtëpive ishte kthyer në një pyll me lloj-lloj bimësh,
që nuk të lejonin të kaloje nga njëra shtëpi në tjetrën, si ferra, kulpëra e
driza. U ula me zor dhe u qasa te shkallët e shtëpive tona, ku u lindëm dhe u
rritëm. Me vështirësi realizova disa foto kujtim në hyrje të shtëpisë…
U mundova të kaloj te pusi
afër shtëpisë së Hysenit, por diçka e tillë ishte e pamundur. Pusi, ku pinë ujë
shumë breza, ishte mbuluar nga shkurre dhe dukej shumë pak…
U hodha në një mur të
vjetër, rreth 1.5 m dhe ndrydha këmbën.
- Më pas ajo u ënjt dhe u
nxi e tëra, nga gjaku i mpiksur. Ky do të mbetet si kujtim i dhimbshëm nga
fshati im i rrënuar dhe i braktisur.
LAMTUMIRË, DOBRUSHË!
U ngjita përsëri te shtëpia
e Avniut, qëndruam pak kohë dhe në fund u larguam nga vendlindja, të cilën e
vizituam me aq mundësi sa patëm dhe u çmallëm me të.
Kur dola në Breg të Veliut,
hodha sytë edhe një herë nga fshati im i dashur, Dobrusha, mali i Tomorit dhe
Ramijes. M’u duk vetja sikur isha në një vend të panjohur nga ndryshimet e mëdha
në formë që kishte pësuar terreni i fshatit. Tokat e punuara dhe shtëpitë e
rrethuara nga lloje pemësh të ndryshme, kishin ndryshuar dhe ishin shndërruar në
livadhe dhe pyje, që në një kohë jo shumë të largët, do të jenë të pakalueshme.
Objektet, që dikur në
Bregun e Veliut, zbukuronin dhe hijeshonin pamjen e fshatit, ishin rrënuar dhe
shikoje veçse murishte.
Iu afruam shkollës, që
dikur buçiste nga zërat fëmijërorë.
-Çfarë të shikoje? Çdo gjë
ishte kthyer në gërmadhë. Të gjitha objektet që u ndërtuan afër shkollës, si
qendra shëndetësore, muzeu i fshatit, kopshti i fëmijëve, ishin rrënuar plotësisht.
Hodha sytë poshtë në lagjen
Ermëz. Deri diku, edhe pse banorët janë larguar nga fshati, shtëpitë ishin të
mirëmbajtura. Më tej blloku i lajthive i mbjellë nga Ylli Dyrmishi dhe blloku i
mollëve përtej në shkëmb, ishin tharë plotësisht. Makina rrëshqiste shpejt mbi
asfaltin që vazhdonte deri në Rrabëstyrë, ku ndante rruga e dy fshatrave Strorë
dhe Selan.
-Nga do të shkojmë?-pyeti Gisildoja?
-Nga rruga e fshatit Selan,
- iu përgjigj Meçani.
-Ç’ka ndodhur me rrugën e
Strorës?- pyes Meçanin.
-Rruga e Strorës është
shkatërruar dhe me vështirësi ngjiten e zbresin makinat, prandaj do të kalojmë
nga fshati Selan, se rruga është më e mirë. Me sa di unë, kjo rrugë nga vitet
2000, u financua nga një fondacion francez, dhe u ndërtua nga firma “Seferas”.
- Si ka mundësi që nuk është
mirëmbajtur? - pyes Meçanin.
-Firma mori lekët dhe bëri
aq sa bëri, -tha Meçani.
-Më pas rruga u shkatërrua
se nuk u tregua kujdes të mirëmbahej nga komuna Bogovë, që mbulonte këtë zonë.
Kështu rruga që lidh fshatin Strorë me Dobrushën është bërë pothuajse e
pakalueshme me makinë.
-Pyes veten! Përse ndodh kështu
këtu tek ne...?! Një ngjarje e viteve të para të punës, kur punoja në shkollën
e Therepelit dhe kthehesha çdo mbrëmje në shtëpi, më ndërpreu mendimin e rrugës
së Strorës dhe kalova në meditim. Për këtë ngjarje shkrova një tregim; me
titull “Gjumi në Rrabstyrë”.
-Lamtumirë, Dobrushë! nxora
një zë të lehtë…
-The gjë, o xhajë?-pyeti Gisildoja. Një zë i brendshëm më doli nga shpirti dhe me vete thashë se,
nuk dihet se kur do të më jepet rasti ta vizitoj përsëri vendlindjen time… Rrugën për në fshatin Selan e përshkuam shumë shpejt dhe
dolëm në Bogovë. Pas një dreke të shijshme, në një nga lokalet e Bogovës, morëm
rrugën dhe u nisëm për Tiranë. Në Tiranë arritëm në orën 6 e 20 minuta të
mbrëmjes.
- E more vesh, o xhaje! - tha
Gisildoja.
- Sa kohë
na u desh që të shkojmë në malin e Tomorit, të vizitojmë fshatin Dobrushë dhe
të kthehemi përsëri pranë shtëpisë në kryeqytetin tone, në Tiranë?!
-Na u deshën pak orë, se
rruga ishte bërë asphalt, pra shumë e
mirë. Para se të zbres nga makina i them Gisildos: Të falenderoj ty dhe babin tënd, nipin tim, për vizitën që bëmë së bashku në fshatin e lindjes, në një kohë kaq të
shkurtër.
Është i saktë mendimi yt, Gisildo, infrastruktura dhe ndërtimi i rrugëve e
bëjnë botën më të vogël dhe mjeti që kishe zgjedhur na dha mundësinë që të
vizitojmë shumë ambiente në vendlindje..
- Do të kemi raste që ta
vizitojmë përsëri vendlindjen, ashtu sikundër vepruam sot,- foli qetësisht Gisildo …
Faleminderit!
-Per
ZemraShqiptare, nga Tirana, Tetor 2021-