Udhëpërshkrim
Bashkim Saliasi: Nga Golemi në fushat e Myzeqesë
E diele, 12.09.2021, 06:49 PM
NGA GOLEMI NË FUSHAT E MYZEQES
Nga
Bashkim SALIASI
NË PLAZHIN E GOLEMIT
Jo shumë larg
Tiranës, buzë Adriatikut, shtrihet plazhi Golemit me bukurit e lokaleve luksoze
dhe ujin e pastër që i japin hijeshi qytetit bregdetar, të Durrësit antik. Para
viteve 2000 vija bregdetare e Golemit popullohej nga pishat, kurse tani tek-tuk
të sheh syri ndonjë grumbull pishash që i kanë shpëtuar zhdukjes dhe në vend të
tyre janë ngritur lokale luksoze dhe pallate shumëkatëshe.
Vitin që kaloi
për shkak të pandemisë nuk mundëm të pushonim, por këtë vit me heqen e masave
kufizuese jo vetëm banorët e qytetit të Tiranës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut,
por edhe nga Ukraina e largët dhe vise të tjera të Europës kishin zgjedhur
midis plazheve të bukur të vendit tonë, Golemin. Nga 1-17 gusht ne zgjodhëm
Golemin për të pushuar. Në krahasim me vitet e tjera kushtet ishin përmirësuar,
por akoma mbetet për të vënë dorë. Ajo që na bëri përshtypje dhe na la mbresa
ishte se çmimet e fruta-perimeve pothuajse ishin të përafërta si në kryeqytet.
Në mendje më mbeti vetëm shërbimi jo i shpejtë dhe pastërtia në mjediset e
brendshme të lokaleve, (tualetet nëpër lokalet) të cilave duhet t’u kushtohet
më tepër vemëndje përsa i përket higjenës.
Bashkim dhe
Angjelina Saliasi, në Golem, Durrës Gusht 2021
Parësore për
plazhin e Golemit mbetet spërkatja për mushkonjat, që vjen si pasojë e
moslargimit të mbeturinave në kohën e duhur, për të cilat Bashkia duhet të jetë
më e prekupuar për të thithur sa më shumë turistë dhe pushues vendas dhe të
huaj. Uji i pastër, pastërtia, gatimet tradicionale dhe shërbimi janë faktorë
kryesor që tërheqin turistët e huaj dhe banorët e rrethinave në plazhin e
Golemit.
Plazhi i Golemit
në mbrëmje
Plazhi i Golemit
frekuentohet rregullisht nga banorët e qytetit të Tiranës dhe Elbasanit. Shërbimi urban ofron një mundësi
të till për njerëzit që nuk kanë mundësi të ndjekin plazhet e rivierës tonë të
bukur. Një ditë mu desh të dal në Tiranë dhe kur u ktheva te terminali mora
autobuzin për në Durrës. Kur zbrita nga autobuzi linjës Tiranë –Durrës pyeta
për autobuzin e linjës urbane Golem-Durrës dhe anasjelltas.
-Nuk ka,- ishte
përgjigja…
-Përse nuk ka
autobus linje Plepa-Golem, - pyeta për së dyti?!
-Nuk ka mor zotni,
sepse shoqëritë e autobuzave të linjave brendapërbrenda qytetit dhe jashtë tij
nuk gjejnë gjuhën e përbashkët?!.
-Merr autobuzin
e linjës Durrës-Plepa dhe, prej andej, për në Golem merr ndonjë taksi, - më
sygjeroj miku im Kadri Tarelli, në Durrës.
Kadri Tarelli
dhe Bashkim Saliasi
Ashtu bëra… Kur
arrita në stacionin “Plepat”, ora shkoi shtatë e tridhjetë. Jo vetëm taksi që
nuk kishte, por edhe makinat që kalonin në rrugë nuk ndalonin. Lash rrugën
automobilistike dhe u ula në pedonale.
Mu duk vetja se isha në një “kryeqytet
të Evropës”. Të dy anët e pedonales ndriçoheshin më së miri. Bokset e vendosura
në të dy anët e pedonales gati sa nuk çaheshin nga tingujt e fortë. Në të dy
anët e pedonales shitësit ambulantë tregëtonin gjithfarë lloje artikujsh
ushqimorë artistikë, veshje dhe lodra për fëmijëtë, perime dhe fruta, etj. Kudo
buçiste muzika. Vendin e parë e zinte muzika e huaj dhe dhe tek-tuk dëgjoje
muzikë shqiptare.
Ecja në heshtje
dhe vetëm ecja… Në rrugë dëgjohej të flitej në shumë gjuhët të Evropës, por më
shumë veshi të kapte dialektin e gjuhës bullgare, maqedonëse, ukrainse,
angleze, etj. Eca gati për një ore e njëzetë minuta dhe vende-vende pedonalet
ndërpriteshin dhe ishin pa ndriçim.
-Përse pyesja
veten?! –përse nuk çohet një punë e nisur deri në fund këtu te ne, por lihet
gjysma-gjysma?! Më në fund arrita në Golem qendër.
-Me se erdhe,-
më pyeti ime shoqe?
-Me “makinën e
babait”, iu përgjigja.
-Përse erdhe më
këmbë? - nuk kishte urban linja Durrës-Golem?- pyeti përsëri ime shoqe.
-Nuk e di si e
kanë parë të arsyshme Bashkitë e Durrsit dhe të Kavajës, por ajo që shqetëson
pushuesit është se kjo linjë duhet të funksionojë për arsye se jo vetëm që
njerëzit kanë halle për të dal në qytetin e Durrësit, por mund të organizojnë
dhe vizita turistike në qendrat muzeale të qytetit. Nuk e zgjata, bëra dush dhe
pasi darkova u shtriva. Gjumi më zuri shpejt.
-Ishe lodhur
jashtë mase, - më ngacmoi ime shoqe në mëngjes.
-Lëre mos e
pyet, por fajin ma pati koka se nuk mora një nga linjat e qyteteve të jugut,
por zgjodha qytetin e Durrësit duke menduar se shërbimi urban vazhdon në ditët
e sezonit të plazhit…
NJË TAKIM MIQËSOR NË GOLEM
Kishin kaluar më
shumë se dhjetë ditë dhe në një mbrëmje vonë bie telefoni. Iu përgjigja shokut
tim të viteve të rinisë Kujtim Brahimaj që më lajmëroi se dhe ai gjendej në
Golem dhe të nesërmen në mëngjes më ftoi të pinim një kafe familjarisht.
Ram dakort që ai
të zbriste në Golem, në qendër dhe të takoheshim në një nga lokalet më të
afërta. Të nesërmen në mëngjes së bashku me time shoqe rreth orës nëntë u
takuam me Kujtimin dhe bashkëshorten e tij Zenepen, në një nga lokalet e
FAF-as.
Qëndruam gati
një orë. Biseda ishte mjaftë e këndshme. Ime shoqe dhe bashkëshortja e shokut
tim, Kujtimit, u miqësuan shpejtë…
Ditët e tjera i
kaluam së bashku me vëllain tim Izetin. Nga mesi i gushtit erdhi djali Izetit,
Edisoni së bashku me të shoqen dhe vajzën; kishin pushuar në Himarë.
Qendruan një
natë në Golem dhe ditën e dytë pas darke u larguan për në Tiranë.
Ditët kaluan
shpejtë dhe në fund u kthyem në Tiranë.
UDHËTIMI DREJTË LIBOFSHËS
Pasi pushuam dy
ditë morëm përsëri rrugën për në Libofshë. Në mëngjes morëm autobuzin e linjës
Kinostudio-Kombinat. Zbritëm te Kisha dhe pasi kaluam kryqëzimin e “21
Dhjetorit” u afruam afër qendrës ku qendrojnë furgonat për në Fier - Vlorë etj.
Fati e solli të
takojmë ish nxënësin tonë nga fshati Novaj, Dashnor Laze. Pas përshëndetjes na
ftoi për një kafe dhe na tregoi se menaxhonte një makinë dhe një furgon.
Thirri njërin
nga shoferat e furgonit e dha porosi që dy vendet e para t’i ruante për ne. U
ulëm në kafe dhe Dashi na tregoj se furgoni niset në ora shtatë e tridhjetë.
Nuk vonoi shumë dhe furgoni u mbush me pasagjerë. Shoferi qëlloi nga Fieri.
-Nga jeni ju, -
pyeti shoferi, pasi zuri vend në sedile dhe nisi furgonin.
-Unë jam nga
Skrapari, kurse ime shoqe është nga Fieri.
-Oou, edhe unë
nga Sheqi jam dhe i njoh banorët e Libofshës.
-Në Sheq kam
pasur një mikun tim, Përparim Hysi e thonë…
-Eee, kush nuk e
njeh mësues Papin, burrë i mirë dhe esnaf…
-Po pse është
kthyer Papi nga Amerika?, - pyeti ai.
-Ka vite që
është kthyer dhe banon në Tiranë…
-Po Lili Dokon e
ke njohur?, -i thotë ime shoqe.
-E kush nuk e ka
njohur kryeagranom Lilin dhe të shoqen e tij Naxhijen?!. Familje e mirë. Unë
kam punuar traktorist në ato vite e dikush shkoj dhe spiunoj te Lili për
brigadën tonë. Ai doli për kontroll natën dhe na gjeti në krye të punëve. Neve
nuk na tregoj se kishte dal për kontroll, por e morëm vesh nga të tjerët.
Përsëri u
ankuan, por ai ua mbylli gojën. I kam kontrolluar tre herë dhe i kam gjetur si
jo më mire në punë, - u ishte përgjigjur atyre që kishte mbi krye. I till ishte
Lili, specialist i mirë dhe shumë puntor.
U ndam me
shoferin e furgonit (te fiqtë), kthesa e Libofshës dhe u ulëm për të pushuar te lokali ndan rrugës. Hëngrëm
një mëngjes të shijshëm të cilën e shoqëruam me një kafe.
Një shofer
taksie porsa na pa që morëm drejtimin e rrugës për në Libofshë na u afrua pranë
dhe na pyeti nëse donim taksi. U përshëndetëm me të dhe e pyeta sesa kushton
taksia deri në Adriatik, ose (Alibejas)?.
Shoferi na
tregoi sa duhet të paguanim dhe pa e zgjatur zumë vende në taksi.
NJERËZIT E MIRË LËNË GJURMË NË KOHË DHE HAPSIRË
-Nga jeni,-
pyeti shoferi?
-Vijmë nga
Tirana,- dhe për mos ta zgjatur bisedën i tregoi; -unë jam nga Skrapari me
origjinë dhe ime shoqe nga Libofsha, banojmë në Tiranë.
-Edhe unë këtej
nga Sheqi jam, tregoi shoferi.
-Ou,-foli ime
shoqe edhe shoferi i furgonit nga Sheqi ishte, kishte punuar traktorist para
viteve “90. Bile ai njihte edhe miqtë tanë Lili Dokon dhe mësues Përparim
Hysin, mikun e burrit.
-Po ku ka njeri
në Sheq që nuk njeh mësues Papin dhe kryeagranom Lili Dokon. U përfshimë në
kujtimet e rinisë. Në kodrat e Ardenicës së bashku me time shoqe kishim vjelë
rrush kur ishim nxënës të shkollës pedagogjike. Po nuk mbeti pa u kujtuar dhe
korrja e misrit dhe vjelja e pambukut në fushat e Vajkanit dhe Semanit në ditët
e ftohta të nëntorit që na sillnin në aksion në ndihmë të fermerëve dhe
kooperativistëve. Më pas biseda kaloj te moti i nxehtë dhe ndryshimet që po ndodhnin në qytetin e Fierit ku çdo
ditë po ndryshon pamja e tij.
Shoferi
përshkroi shumë shpejtë rrugën nga kthesa e Libofshës deri në Libofshë qendër.
Në të dy anët e rrugës të binte në sy ndërtimi serave dhe mbjellja e blloqeve
me ullinj, portokalle dhe hardhi, parcelat me jonxhë, hamullorët me misër etj.
Petova është zona që ka kultivuar me shumicë kodrat me agrume , ullinj dhe
vreshta rrushi. Në një moment, kur po kalonin hekurudhën te vendi i quajtur ”Plepi
Naqes” më erdhi në mendje rruga që kishim përshkruar kushedi për të sajtën herë
gjatë këtyre 41 viteve drejtë Libofshës, Daullasit dhe Alibeasit. Fusha të
begata dhe njerëz të mirë dhe puntorë, - mendoja me vete,- i janë përshtatur
zonës që kanë zgjedhur për të jetuar. Libofsha dhe zonat që përfshihen për
rreth saj kanë një popullsi autoktone dhe ardhacakë nga të gjitha trevat e
Shqipërisë.
-Shumë banorë të
Libofshës, -theu heshtjen shoferi, - po kthehen nga emigracioni dhe po
investojnë në pronat e tyre…
Në Alibeas
arritëm rreth orës nëntë. Të zotin e shtëpisë, Kozma Çako dhe të shoqen Sijen i
gjetëm duke pastruar fasulet. Pas përshëndetjes nuk vonoi dhe erdhi djali
Kozmait, Tani me të shoqen, Latën dhe
djalin, Xhulion. U ngjitëm në ambientet e brendshme të shtëpisë. Tani
kishte bërë goxha investim dhe ia kishte
ndryshuar krejtësisht pamjen godinës. Nga jashtë e kishte veshur me pllaka,
kurse në ambientet e brendshme pasi kishte bërë të gjitha punimet e kohës, që nga shtrimi me pllakë,
suvatimet e reja, instalimet elektrike dhe çatinë, kishte bërë dhe arredimin e
shtëpisë nga e para.
-Ti gëzoni!-
uruam bashkë me time shoqe.
Pas kafes së
mirëseardhjes, një drekë të përgatitur me shumë shije nga nusja e shtëpisë, që
Tani, hera-herës, kur i mungonte ndonjë gjë i thërriste: -O nuse e Tanit, na
bjerë… -dhe ajo nuk përtonte t`i përgjigjej me buzëqeshje të shoqit…
Në drekë mori
pjesë dhe Altin Mëhillka, djali i kushëririt të Kozmait bashkë me djalin e tij
që banonte në Gjermani. Dreka kaloi për bukuri.
Gjatë drekës
pyeta djalin e Tanit, Xhulion se si vinte me mësime.
-Mbarova vitin e
dytë,- më tregoi dhe në praktikë jam shumë mirë, por në teori në lëndët
shoqërore nuk ia them hiç.
-Vëri mendje
lëndëve të zanatit, por edhe ato mos i lërë pasdore, - i themi bashkë me time
shoqe. Në praktik jam shumë mirë dhe e zbërthej zetorin fije-fije dhe ia
riparoj difektet,…por teorinë e kam jo fort qejf…
-Ore, unë i them
të mësoj dhe të hidhet tutje, - e ngacmonte i jati.
-Nuk kam qejf, o
ba dhe mos më thuaj më, unë do punoj dhe do jetoj këtu në Shqipëri, - ngulte
këmbë Xhulio.
-Përse e nxit
djalin të shkoj në Itali, kur ai nuk ka qejf të braktisi atdheun?
-Po të dali dhe
të shikoj se ç’bëhet jashtë, - ngulte këmbë i jati.
-Kot e ke o ba,
nuk kam qejf të shkoj asgjëkundi…
-Ore Tani, djali
e ka mirë dhe kini besim se Shqipëria do të bëhet.
-Edhe unë
kam besim që Shqipëria do bëhet, - foli Xhulio…
-Sa mirë që
djali ka besim, - i them Tanit.
-Ere,e, ia fut
kot Ti dhe ky, pa e shoh unë se si do bëhet…
Biseda rreth kësaj
teme zgjati disi dhe në fund pas një pauze kaluam në temat e ditës mbi kryerjen
e punëve të stinës. Pas darke secili shkoi në dhomën e vet për të kaluar vapën
dhe pasdite të nisnin nga punët e pa mbaruara të ditës.
NË RRGUGËT E FSHATIT ALIBEJAS
Jeta në fshat!
Ngado që hedh
sytë në fshatin e Alibeasit fermerët i shikon duke kryer punët e stinës dhe
shërbimet e duhura për gjënë e gjallë që mbajnë në oborrin e tyre.
Në çdo familje
në Alibejas rritet dhe mbarështrohet, lopa, delja, derri, patat, roast, pulat e
detit dhe pulat shqerake. Nuk ka kohë të lirë për banorin e fshatit, - thotë në
bisedën e tij baxhanaku, im Kozma Çako.
-Deri para pak
ditësh kishim fushatën e fasules dhe tani po bëjmë pastrimin dhe shitjen e saj
sipas kërkesave të banorëve vendas dhe nga qyteti i Fierit. Përveç punëve të
stinës ne kemi punët e përditshme, si shërbimet që iu bëjmë lopve, pulave të
detit, rosave dhe patave pa lënë mënjanë edhe pulat e fushës. Të gjitha duan
trajtim të veçantë. Më pas i vjen radha rrushit, misrit për të korrur dhe
zhveshur, jonxhës që korret çdo ditë dhe përdoret si ushqim për lopët dhe më
pas vijnë plugimet e vjeshtës. Në fshat punët nuk kanë asnjë herë të sosur…
-Kështu janë
punët e fshatit,- ndërhyn në bisedë e shoqja e Kozmait, Sija -dikush do ushqej
lopët, dikush do merret me zogjët e fushës dhe të detit, ushqyerjen e pulave,
shërbimet që u bëhen perimeve, gatimet etj. Ka shumë punë fshati dhe nuk gjejmë
kohë të pushojmë…Pasi ra pak vapa Xhulio nxjerr zetorin dhe mekanizmin e
grumbullimit të jonxhës dhe niset për te parcela. Xhulio nuk është më shumë se
shtatëmbdhjet vjeç dhe përdor për bukuri mekanikën bujqësore. Në mbrëmje, në
perëndim të diellit, Tani mbushi pompën e spërkatjes dhe u nis për në parcelë
për të kryer spërkatjen e bimëve.
-Hajde, - më tha
dhe u nis me motor duke mbajtur në krah pompën dhe para këmbëve bidonin me uji.
Pylli në Alibeas
U nisa pas tij,
por nuk e dija parcelën se ku do shkonte dhe ndërrova mendje. Fillova të fiksoj
në celular tufat e patave, deleve, degën e lumit dhe pyllin që gjendet matanë
fshatit Alibeas që dikur rritej fazani, por tani ka me shumicë nepërka dhe
gjarpërinj dhe nuk ia mban askujt të futet në brendësi të tij.
Të kënaqej syri
kur shikoje parcela me misër me dy kallinj, blloqet me ullinj apo dhe pemët
frutore të ngarkuara me fruta si kumbulla, ullinj, fiq dhe rrush.
-Eee, -po
mendoja me vete, - figu në Golem shitej me tre deri në pesë mijë lekë të
vjetra, kurse këtu e hanë pulat dhe kalbet në tokë…
Në mbrëmje u
mblodhëm rreth tavolinës. Kozmai po tregonte për truallin e shtëpisë që gjendet
500 metër më poshtë. Ato shtëpi u prishën para viteve ’90 dhe ndërtuam këto
shtëpitë që kemi këtu sipas planimetrisë që u caktua në ato vite nga pushteti
popullor.
-Në ato shtëpi,
në vitet ’70 ka qendruar për një muaji shkrimtari Ismail Kadare dhe Luan
Qafzezi, -ngas bisedën unë.
-Po, në ato
shtëpi qendruan shkrimtarët se ishin shtëpitë më të mira në fshat në ato vite
dhe kisha dy gjyshet në moshë të thyer që shkrimtarët bisedonin gjatë me to
gjatë orëve të mbrëmjes…
-Po shkolla e
ciklit të ulët a vazhdon në fshatin tuaj?
-Ka vite që
shkolla është mbyllur dhe fëmijët tanë vazhdojnë shkollën në Metaj, - tregoj
Tani.
-Vetëm godina e
shkollës ka mbetur në këmbë, -tha Kozmaj…- po mirë që na shtruan këtë copë
rrugë në kohë fushate se nuk i bie njeriu në mendje për ne, nëse rrojmë a
s’rrojmë në këto anë.
Në bisedë e
sipër i pyes për Miklarenin, djalin e vogël të Tanit, si shkon me mësime.
-Mirë doli këtë
vit që kaloi, të shohim si do ecë më tej. Shkojnë në shkollë me furgon dhe
kthehen me të. Biseda vinte nga vinte dhe vërtitej rreth punëve të stinës dhe
halleve të fshatit që nuk kujtohet njeri për tu zgjidhur problemet…
NË LIBOFSHË
Të dielën Tani
dhe Beni, djemtë e Kozmait, na hipën në motorrat e tyre dhe morëm rrugën për në
Daullas te vëllai i time shoqeje, Josifi, dy- tre km larg Libofshës. Në shtëpi
na priti kunati, Josif Bardhi së bashku me të shoqen Fanijen.
Beni nuk qendroi
se kishte punë, kurse Tani ndenji për drekë. Pasi pim kafenë në shtëpinë e
kunatit, dolëm në klubin më të afrtë të lagjes për të pirë ndonjë birrë. Në
hapësirat e lulishtes gjetëm një tavolinë bosh. Dham porosi dhe kunati nisi
bisedën.
-I shikon këta
djem që mbushin lokalin?!
- Po, - i
thashë, - i shoh që të gjithë pikan duhan dhe kafe, rrallë tek shoh ndonjërin
që ka para ndonjë gotë raki.
-Eee, nuk
punojnë, por vijnë dhe e kalojnë ditën te klubi…po t’u thuash për punë pyetja e
parë është; - sa paguan? - dhe nuk pyesin se çfarë pune do bëj dhe sa orë do
punoj?!...
Biseda nisi
shtruar shtruar dhe secili po tregonte për punët e tij të stinës.
-Unë, - tha Tani
hoqa fasulen dhe tani kam punë me misrin dhe plugimet.
-Edhe unë,-
tregon Sifi,- dua që nga fundi muajit të vjel rrushin, por nuk ka puntorë…
I dëgjoja dhe
pyesja veten: -Si ka mundësi që djemtë tanë punojnë në punë bujqësie në Greqi
dhe Itali dhe nuk kthehen të punojnë tokat e tyre në Shqipëri?!
Hidhja sytë anë
e kënd lokalit të mbushur me djem të rinjë, të cilët shtynin kohën me ndonjë
kafe dhe tymosnin cigare…
U larguam nga
lokali për në familjen e Sifit. Pas darke Tani u largua për në Alibeas, kurse
unë me kunatin dolëm të shikojmë vreshtin me rrush dhe më pas bllokun e
ullinjve.
Vreshti Josif
Bardhit, në Daullas, Libofshë 2021
Kunati edhe pse
në moshë pensioni përsëri kujdeset për vreshtin e rrushit dhe bllokun e
ullinjve pa lënë mënjanë dhe shërbimet në kishën e Daullasit. Hym në vresht.
Prodhimi ishte goxha i mbarë, por jetoja me shqetësimin e kunatit se vjelja
kërkonte forca pune, por ato nuk i gjeje kollaj në fshat dhe djali që ka shumë
vite në Greqi nuk vinte dot për arsye të rinovimit të dokumentave…
Lam vreshtin e
rrushit pasi ime shoqe kishte mbushur një qeskë me rrush tavoline (tajgë) dhe
shesh të zi.
-Ku e çon atë
qeskë me rrush,- e pyes time shoqe?.
-Do ia çoi Melit,-
më thotë!.
-Pak rrush kemi
në tarracën e shtëpisë tonë, por do
marrësh rrush nga Libofsha dhe ta çojmë në Tiranë?!
-Do ta marrë,-
nguli këmbë ime shoqe, - se është nga rrushi i vëllait?!.
-Po mirë, merre,
po do e mbash vet në krah… Pai lam rrushtë në shtëpinë e kunatit u nisëm për në
bllokun e ullinjëve. Rrugës për te bloku Josifi më tregoj vendin e punës ku
kishte punuar para viteve ’90 si roje objekti për ruajtjen e armëve të çetave
vullnetare. Në të dy anët e rrugës të binin në sy ndërtesat dykatshe të
vendosura në tokën bujqësore dhe dalëngadalë iu afruam shkollës së Daullasit.
Shkolla e ciklit
të ulët në fshatin Daullas të Libofshës
-Këtu kam bërë
shkollën fillore, -tha ime shoqe.
-E ke bërë
motër, por tani ajo u mbyll se nuk ka më fëmijë.
-Si ka mundësi,
- pyes pak i çuditur unë, kur Daullasi ka
goxha shtëpi.
-Nuk ka fëmijë,
- tha kunati, - e gjithë rinia ka shkuar në kurbet në Greqi dhe Itali.
Bëmë disa foto
kujtim nga shkolla, në të cilën ime shoqe ka kryer shkollën fillore në periudhën
e fëmijërisë dhe ruan kujtime të pashlyshme. E lamë pas shkollën dhe ecëm
drejtë bllokut të ullinjve afër Vanajit. Syri të kënaqej kur shikoje bllokun e
ullinjve që ishin mbushur plot me kokrra edhe pse pemët ishin akoma të vogla
dhe pak vite kishin që ishin mbjellë.
-Cilët nga këta
ullinj ka motra jot?, - i them kunatit me shaka.
-Nuk dua ullinj
unë, - foli ime shoqe.
-Po ti sikur
kishe një ha tokë për të marrë, kush do ta japi?
-Eeee, - tha
kunati, - as që bëhet fjalë, toka është ndarë dhe nuk përfiton njeri më nga
toka e babait…
-Ta gëzoni tokën
se ne e kemi në Tiranë dhe bëjmë shaka të kalojmë kohën, por nuk po e punoni
dot ju që jeni këtu dhe jo të vijmë ne nga Tirana e të merremi me të…
Ecëm për gjithë
gjatësisë së bllokut të ullinjëve dhe kunati na shpjegoi se ishin mbjell 80
rrënjë ullinj në distancën e duhur nga njëri-tjetri. Në mes të parcelës kishte
hapur një pus 9 m të thellë të cilën e përdorte për të vaditur ullinjtë. Të
gjitha rrënjët e ullinjve ishin në prodhim, përveç njërit që ishte tharë…
U kthyem në
shtëpinë e Sifit dhe ai propozoi të pinim një kafe te klubi fshatit. U ulëm në
klub dhe porositëm kafe, kurse ime shoqe një “bravo” rrushi. Sifi po na
tregonte për punët e stinës dhe prodhimin e mbarë të prodhimeve bujqësore të
zonës së Libofshës. Nuk qëndruam gjatë dhe pasi lam klubin erdhëm dhe u ulëm në
verandë te shtëpia e Sifit. Përballë nesh gjitoni i Sifit, Koli që rrinte në
Itali, kishte ardhur me pushime familjarisht. Njihemi me Kolin prej vitesh. Ai
u afrua dhe pas përshëndetjes po na tregonte sesi ishte ingranuar me jetën
shoqërore në Itali… Ishte i shqetësuar se nuk kishte ujë për të bërë banjë në
shtëpi.
-Nuk e di a vjen
gjatë natës? - pyeti Sifin.
-Pa merak Koli,
vjen që në ora gjashtë të mëngjesit.
-Ishalla vjen se
nesër ne jemi për rrugë dhe kemi nevoj të lahemi…
Bisedën me Kolin
e ndërpreu thirrja telefonike e Elit nga Greqia. Biseduam me Elin dhe pasi na
pyeti dhe i pyetëm për shëndetin dhe shqetësimet e stinës, i treguam për
vreshtin dhe bllokun e ullinjve dhe gjendjen e tyre. Eli ka mbi 20 vjet që
punon dhe jeton në Greqi. Në bisedë me të na tregoi se e kish të pa mundur të
vinte në Shqipëri pasi i duhej të rinovonte letrat që i kishin mbaruar. Na
falënderoi që dolëm për vizitë dhe na tregoi se në Shqipëri mund të vij pas
vitit të ri…më pas Sifi tentoi të fliste me motrën në Amerikë, por nuk u lidhën
dot. Kështu kaluan orët e mbrëmjes dhe ram për të fjetur…
PËRSËRI TE FIQTË
Në mëngjes u
çuam herët. Ishte ora gjashtë. Fanija pyeti time shoqe:
-Kur do niseni
për rrugë, t`i kthej përgjigje djalit të makinës.
-Pa filluar
vapa, - iu përgjigja Fanies nga shtarati ku isha shtrirë.
-Tani po të ketë
mundësi djali, të na çoi deri te fiqtë për dhjetë minuta jemi gati.
-Ngrihuni dhe
bëhuni gati, se djali tani çoi qumshtin për të dorëzuar te makina e
grumbullimit të qumshtit dhe më pas ka punë të tjera?!
-Si të doni, por
do mbetet pas orës nëntë, prandaj shfrytëzoni kohën e lirë. Pa e zgjatur u
përgatitëm shpejtë e shpejtë dhe paketuam plaçket tona. Nuk vonoi dhe djali
erdhi me makinë para portës. Josifi dhe
Fania na përcollën dhe ne
udhëtuam me djalin deri në kthesën e Libofshës. Ai na tregoi se kishte punuar
dhjetë vjet familjarisht në Greqi dhe më në fund ishte kthyer në fshat.
-U ktheva në
fshat dhe me kursimet e mia ngrita ekonomin time këtu në vendlindje.
Pashë duartë e
tij. Gishtat e dorës së djathtë i ishin deformuar…
-Shumë mirë ke
bërë! - i them, se jeta nuk bëhet gjithnjë në kurbet.
-Shumë shokë të
mi nga fshati ynë që punuan në Greqi dhe Itali janë kthyer dhe kanë ndërtuar
sera ku kultivojnë perime gjatë stinës së dimrit dhe në pranverë, verë e
vjeshtë shfrytëzojnë tokat në fushë të hapur për kulturat bujqësore dhe
perimet. Një pjesë merren me rritjen e lopëve, të derrit dhe shpendëve. Ka dhe
nga ata që kanë punuar në Itali dhe kanë ngritur serat e kultivimit të rrushit
të tavolinës.
Rruga kaloi
shpejt dhe pasi pagova djalin që na solli në shërbimin taksi, u ngjitëm në
lokalin në anë të rrugës për të ngrënë mëngjesin dhe pirë kafe.
Dolëm në rrugë.
Nuk vonoi shumë dhe rreth orës shtatë e gjysëm erdhi një autobus nga Fieri me
destinacion Tiranën. U rehatuam në autobus dhe pas një orë e gjysëm u gjendëm
brenda terminalit te Ura e Kamzës. Eh, - mendova,- si vijnë këto punë, para
viteve ’90 të duhej një ditë të vije në Libofshë, kurse tani brenda dy - tre
orësh shkon e kthehesh në shtëpi.
TE TERMINALI
Terminali
gumzhinte nga thirrjet e fatorinot e autobuzve. Zbritëm nga autobuzi linjës
Fier-Tiranë dhe pasi morëm bagazhet i them time shoqeje:
-Dalim matanë
dhe marrim linjën e autobuzit të Kamzës.
-Jo! - më
kundërshtoj ime shoqe, -Ajo linjë është shumë e ngarkuar, por më mirë marrim
një taksi. Para nesh po qendronte një burrë i moshuar, i cili ndiqte bisedën tonë në kërkim të ndonjë
pasagjeri...
-U çoi unë, me
një tarif më të arsyshme.
-Po sa është kjo
tarifa e arsyshme që na propozon? - e pyeta shoferin e taksisë.
-Diçka më pak
sesa u marrin të tjerët të taksive,- dhe tregoi shifrën që duhet të paguanim.
Ee, - tha imeshoqe, - kjo shifër qënka
më shumë se pagesën që bëmë në
autobusin Fier-Tiranë…
-Po deshe zonjë,
është shërbim taksi dhe jo urban, - foli shoferi që ndiqte dialogun tonë.
Pranuam dhe dolëm jashtë terminalit në pritje të makinës që e kishte lënë
jashtë tij. Pas pesë minutash shoferi mbriti para këmbëve tona. Ishte një makin
“Audi” e mbajtur mirë.
Zumë vend në
makinë dhe pyetja e parë që bëri shoferi ishte:
-Ku banoni?
-Rrim në Tiranë,
te Fresku, ose pranë Fizikës Bërthamore.
- Nga jeni?, -
pyeti shoferi.
-Unë jam nga
Skrapari, kurse ime shoqe është nga Fieri.
-Edhe unë nga
Sheqi i Fierit jam.
-Çfarë
koiçidence, tha ime shoqe edhe kur ikëm shoferi furgonit për në Fier dhe
taksisti për në Alibejas nga Sheqi ishin. Edhe ju nga Sheqi ini, po ç`ne punoni
taksi në Tiranë? – e pyeta.
-Ne jemi nga
Buzi i Tepelenës dhe jemi shpërngulur në Kallm të Fierit, por unë kam qenë
oficer dhe kam punuar në Tiranë.
-Ku rrini me
shtëpi? - pyeti taksisti, që quhej Hasan.
-Te Istituti i
Fizikës Bërthamore.
-Mirë atëherë po
i bie nga Paskuqani,-tha ai dhe drejtoi
mjetin për nga ura e Kamzës.
-Kalojmë nga
kafe Rremës se del më drejt, -i them Hasanit…
-Tani e di vet,
-rrini të qetë - foli Hasani dhe tregoi se shqetësim kishte ardhjen e afganëve,
të cilët përndiqeshin nga forcat që kishin fituar luftën…
Në ora dhjetë
arritëm në shtëpi…
Ja dhe pushimet
mbaruan, tani duhet të mobilizohemi të marrim drutë e dimrit dhe rezervat
dimërore…
Urojmë një
vjeshtë të mbarë dhe shëndet fëmijve, nipit dhe mbesave…