Udhëpërshkrim
Frrok Vukaj: Martinajt e Tropojës në New York e pinjolli Lush Pepa
E merkure, 14.07.2021, 09:02 PM
MARTINAJT E TROPOJËS NË NEW YORK E PINJOLLI LUSH PEPA (Luçiano)
Nga
Frrok Vukaj - Kryetar i Shoqatës
Akademia e Shkencave të Edukimit, Tiranë
Pak histori për shtëpinë
e Ndre e Balë Prekës, Curraj
Kur
kalon nga Qafa e Kolçit e zbret për në
Nikaj-Mertur, çdo udhëtari i dalin para sysh pamje përrallore në çdo stinë:
majat e larta e kreshtat e maleve shumicën e kohës të zbardhura me borë, pyjet
e paanë të rritura shumë vitet e fundit, rupat e livadhet e gjelbëruara,
prozhmet me lajthi e kashnjetet me gështenja e arra, pemëtoret e vreshtat, diku
- diku të qëndisura për bukuri nga banoret vendas, e të tjera të përkeqësuaka e
të braktisura nga lëvizjet masive të popullsisë.
Gjatë
rrugës, kur pushon në pika dominuese,
sheh si në pëllëmbë të dorës Majën e Hekurave, bjeshkët e Currajve të Epërm e
Krasniqes, Rrukun e Kakinë , Majën e Kores e Shtyllën e Grisë, Thermen e
Shllumin e Aprripës, Lugun e Ndërmajës e Vranën piktoreske, lumenjtë e
kristaltë të Merturit e të Nikajve që ushqehen nga burime bore prej lartësive të Alpeve, por edhe nga dhjetëra
përrenj me rrjedhje të thekshme e të bollshme uji në vjeshtë e pranverë ;
burimet hidrike e të tjera pasuri të mëdha akoma janë të pashfrytëzuara sa e si
duhet.
Në
një pushim lehtësues e zbavitës sipër Shëngjergjit, në Kodrën e Spahisë, ballas
bie ne sy fshati i bukur i Currajve e në qendër të tij Fusha e Kishës, një toponim i trashëguar nga
thellësia e shekujve. Sot me shumicë, por edhe më herët shquheshin kullat e
gurta dy e tre katesh dikur të mbuluar me rrasa guri, arat e livadhet e
sistemuara , kopshtet e brezaret me mure guri , vreshtat e pemëtoret e
mirëmbajtura me aq merak e kujdes nga currajt punëtor e civilizues, të shquar
si sedërli e novator, për këmbëngulje e aspirata drejt vlerave përparimtare.
Para
viteve `60 ngriheshin afër njëra tjetrës edhe dy kulla binjake të arrira në
vlera estetike e funksionale: njiheshin kollaj nga më i vogli e më plaku , nga
vendasit e bajrakët e malësisë si kullat e Prek Qunit e Mark Qunit, të ndara
nga një oxhak e të shquara për mikpritje e bujari, me burra të zot e të
përmendur . Sot në atë kodër shohim vetëm themelet e asnjë frymë robi; të tjera
banesa të shumta, edhe më të bukura e bashkohore , pasardhësit e atyre trojeve
kanë ngritur jo vetëm në shumë qytete të Shqipërisë, por edhe në Evropë e
Amerikë .
Djemtë
e Ndre Prek Qunit ( Pepa , Deda e Lulashi ) e kushëriri i tyre Pjeter Bala, nga
fillimi i viteve `60, ngritën një shtëpi kullë jo larg së parës, në një vend të
sheshtë e piktoresk, më e mira në të
gjithë krahinën, më funksionale e me mundësi jetese më të mira.
E
ndërtuar me ranë lumi, me mur guri të latuar, me qoshe të gdhendura e qëndisura
nga mjeshtrit më në zë të Nikaj-Merturit e Dukagjinit, të udhëhequr nga
Lulashi, i shquar për punë të fortë e mjeshtri të hollë; me dyer e dritare plot
dritë, ndriçuar nga rrezet e diellit jetëdhënës pothuajse gjithë ditën, me
korridore të gjëra e shkallë të drunjta, dysheme e tavane me pishë të kuqe
marrë në Kakijë e afër Majës së Hekurave, me çati alpine, me trarë e ngrehinë
gështenje mbi 100 vjeçare, pa harruar të shënojmë ballkonin e gjerë, ujin e
rrjedhshëm e tualetet; dhome pritja me orendi të bukura, bujare për njerëz të thjeshtë
e burra të shquar të malësisë e deri për udhëheqësit më të lartë të pushtetit
vendor e qendror .
Kjo
shtëpi karakteristike u ndërtua me parametra bashkohor, me art e dashuri,
frymëzuar nga ato që kishin dëgjuar e parë si njerëz të shëtitur e të ditur, pa
harruar këshillat e porositë e vyera të oficerëve të asaj shtëpie: Marashit,
Nikollës, Gjonit e Lazrit . Si kazermë dukej ajo shtëpi në atë Fushë Kishe prej
asaj pune titanike. Shumëkush mendonte se zori më i madh ishte kryer, por jo;
më e madhja sa kishte filluar në atë rrafshinë tokë rënde, në ato shpatina e
rrëpira toke të mbushura me gur e shkëmbinj të gjallë, ferra e shkoza. Punuan
si luanë ditë e natë, hapën toka të reja, bënë sistemime, zgjeruan e bashkuan
sipërfaqe, mbollën pemëtore e vreshta, eksperimentuan e provuan varietete të
reja; shtuan dukshëm bagëtinë e kosheret e bletëve.
Unë
kam lidhje shoqërore e miqësie e me dhjetëra herë kam bërë vizita familjare e
pune në ato troje e në atë fshat që ngjan me një oazë parajse . Mund të shkruaj
një roman, por po veçoj sa më poshtë :
1) Sot , ndonëse janë larguar të gjithë, aty
banon e kujdeset për gjithçka një familje tjetër e një lagjeje tjetër ( Pashk
Lekaj), çka tregon shumë për harmoninë e urat e komunikimit .
2) Befasohet njeriu me murembajtëset
"Ilire" të fund arave e brezareve me gur mesatar mbi 1 metër kub e më
të mëdhenj .
3) Lëvizja e shtratit e sistemimi i një përroi
të rrëmbyeshëm me përmasa të konsiderueshme e me ujë shumë në stuhi që përpinte
tokat e zhvendosja disa metra larg, duket si e pabesueshme .
4) Mirëmbajtja e pyllit, e pemëtores e
vreshtave, apo mjediseve rrethuese, ruhet edhe sot në këto vite të vështira tranzicioni . Prodhimet bio nuk
kanë të krahasuar.
5) Pa përmendur ndodhi të tjera ju kujtoj
lexuesve se në atë Pemëtore me zë u organizua një miting i madh në Qershor
1983, në të cilin mori pjesë numri dy i
Partisë e Shtetit, Ramiz Alia, i cili bëri një vizitë edhe në këtë familje .
6) Afër Rrasës së Currajve, në një pozicion
turistik të veçantë, aty ku lumi përbiron me vështirësi mes Mulajve e Currajve,
hapën toka e ndërtuan një shtëpi tjetër
të re .
7) Janë tregues të pashembullt frymëzimi këto që
thashë e të tjera të pathëna. Shquhet kjo vllazni e gjithë fshati për punë e
vullnet të hekurt, por edhe si arsimdashës .
Në
librin tim Krenari për Vendlindjen ( Triptik për Nikaj-Merturin ) në vitin 2006
nga kjo familje e madhe kam evidentuar 15 universitarë . Sot kjo shifër është dy e tre-fishuar.
8
) Të shkruash me objektivitet e realizëm e të mos përmendësh gratë e asaj
familje do të ishte një mangësi e madhe. Pa hezitim mund t`i quash heroina krah
atyre burrave në zë. Rushe Baftia qe krye zonjë, si një nënë e dytë e model për
Zojë Rexhen, Dilë Fragen e Zojë Zefen e më të rejat Lezina Prendin e Lule
Ndonen, pa harruar edhe zonja e zonjusha të tjera e djem të rinj me ambicie
pozitive, me kërkesa e ëndrra të guximshme për jetën.
U
rrit kjo familje e madhe pa u ndarë deri në 4-5 breza, me shumë kurorë e shumë
fise brenda.
Pa
bekimin e këtyre zemërbardhave e duarartave, fort më herët do të shpërbehej ajo
kullë me emër.
Disa
vite pas ngritjes së kooperativës bujqësore, kur jetesa u vështirësua, Deda iku
në qytetin e “Bajram Currit” e Lulashi në shtëpinë e re tek Urëvaja; në ato
troje të reja me mikpritje të spikatur.
Pepa
e Pjeter Bala familjarisht, ndonëse të
larguar në breza, jetuan së bashku edhe shumë vite, deri kur ndërtuan aty afër
një kullë tjetër model.
I
shpërndau jeta e zhvillimet e vrullshme shoqërore, mbijetuan me arritje e
jetesë fort më të mirë, mbështetur në punën e ndershme e sfidat e egra të
konkurrencës. Vetëm në New York janë mbi 50 pjesëtarë të kësaj familje,
përfshirë nipër e mbesa. Janë integruar e përshtatur në atë qytet metropol,
secili e ka gjetur vetveten e mbijeton me dinjitet e sakrifica, rinia shkollohet
e më të rriturit punojnë e nderohen pa paragjykime nga komuniteti vendas e i
ardhur. Marrin dije bashkëkohore, por nuk harrojnë gjuhën shqipe ( apo e
mësojnë më të vegjlit), nuk harrojnë as
historinë e kulturën e kombit shqiptar me të cilën me të drejtë krenohen. Bëjnë
vizita te njeri -tjetri e mblidhen
shpesh për raste gëzimi a hidhërimi, fatmirësisht këto të fundit më të radha.
Shtëpia e Lush Pepë Martinajt i mbledh më së shumti ku shmallen, gëzojnë e festojnë
në harmoni familjare, duke kujtuar e rikujtuar me mall vendlindjen e paharruar,
Tropojën e gjithë Shqipërinë.
Pepë Ndreu i Nikajve,
përballë sfidave të jetës
Pikë
lidhëse e indicie për këto shkrime është nxënësi im Lush Pepë Martinaj, por të
flasësh për të, për Martinajt, pse jo edhe për Currajt e të mos shkruash për
Pepë Ndreun është e pamundur.
Ndre
Preka, qe i përmendur si burrë i traditës për bujari e trimëri, për qëndresë e
dinjitet përballë çdo sunduesi vendas apo të huaj.
Pepa
ka qenë i njohur në të gjithë Veriun e Shqipërisë e ka ndikuar dukshëm në
formimin e personalitetit të Lushit, i cili trashëgoi prej tij shumë cilësi fizike e vlera morale.
Malësia ka pasur e ka burra në zë e Pepe Ndreu i Nikajve qysh se i ri u radhit krah tyre.
Me
trupin e gjatë si qetinë pishe e kapuçin e
bardhë, qysh në rini ra në sy nga i madh e i vogël. Edhe në Tiranë për
afër 15 vite e deri sa u nda nga kjo
jetë, e mbajti atë trup të drejtë, këmishën e bardhë e kapuçin si bora kur
shkëlqen nga rrezet e diellit në qiellin pa re, aq sa edhe dashamirët e tij
habiteshin e bëheshin disi xheloz. Në raste gëzimi e hidhërimi, në kuvende e tubime, në oda burrash e salla
mbledhjesh, ishte e pamundur pa u shprehë ai; pritej fjala e mendimi i tij.
Orator i lindur e artist prej natyre, me gjestikulacione të gjetura e të
përmbajtura, me një zë karakteristik,
kumbues e metalik, herë pajtues, i shtruar e i qetë si lumë fushor, herë të
ngritur e imponues, me pauza e digresione spontane, me fjalë të gjetura e ngarkesë emocionale, por edhe rrëmbyeshëm e
kërcënues si lumë malor. Ka pasur e ka të tillë sa thamë më lart, por janë
të radhë ata me një mendje të hollë e
logjikë si ai ; argumentues i zoti, njohës i traditave, kodeve e mendësive të
kohës, psikolog i pa shkollë.
Edhe
pse i pa arsimuar, qe diplomat popullor i shkallës së lartë, parashikues i
situatave e aleancave në mjedisin rrethues, pse jo edhe racional e pragmatist(
kush më shumë e kush më pak, cili në jete nuk qe pragmatist).
Atdhetar,
energjik e i palodhur, trim e mikpritës, respektues për çdo shtresë, punëtor i
jashtëzakonshëm, arsimdashës i zjarrtë ( 6 nga 8 fëmijët e tij kanë mbaruar
shkollën e lartë).
Gëzonte
respekt e kishte shumë autoritet, por kishte edhe kundërshtarë siç ndodhë kudo.
Duronte e dëgjonte me vëmendje, por, kur teprohej, e "zhveshte
shpatën" e ishte sfidues e i papërmbajtur përballë rreziqesh me pasoja të
rënda; triumfonte kundër shpifësve e arrogantëve.
Në
raste gëzimi e hidhërimi, i printe gjithmonë karvanit si bajrak, e hijeshonte
kuvendin ndaj kërkohej e respektohej.
Nga
miq e "armiq" shumë është folur e flitet për këtë njeri me vlera të
pamohueshme. Jeta e tij e hapur, por edhe me mistere e enigma të pathëna. Në
vitet `50 e `60, flitej se ka qenë anëtar i Partisë Social Demokrate ilegale të
kryesuar nga Pjetër Arbnori, se ka mbajtur me bukë e strehuar kaçakë e
diversantë, se ka sabotuar në fshehtësi
ngritjen e kooperativës bujqësore, se kishte krushqi me familje me
përbërje të keqe politike, se njihej e vlerësohej nga qeveritarë të lartë, se
shumë direktiva e vendime Partie para se të shtroheshin në popull,
konsultoheshin me Pepën, se ka bërë pajtime të fshehta në familje e mes
familjesh, mes kuadrosh e grupe kundërshtare, mes fshatrash e fisesh. Me
drejtësinë e mençurinë e spikatur ishte sugjestionues e imponues; për shumë
vite kryetar i këshillit popullor të fshatit, anëtar e zëvendëskryetar i
komitetit ekzekutiv të lokalitetit e më vonë të këshillit të bashkuar të
kooperativës bujqësore Shëngjergj apo në
forume të tjera.
U
përpoqën ta frenonin e ta nënshtronin, por nuk ia dolën dot. Dështakët e
kundërshtarët ( madje edhe kuadro parie e pushtetarë) e sulmonin për probleme
politike e njolla në biografi me akuza të rënda që kushtonin
shumë, të qëna e të paqena, por qëndroi
si lisi në furtunë e çdo herë doli fitimtar.
Për
15 vite në Tiranë bëri një jete aktive në shërbim të familjes e komunitetit.
I
palodhur e këmbëngulës, me shokë e miq, me
zyrtarë e pushtetarë, i ndiqte ditë për ditë punët e problemet e shumë
prej tyre u zgjidhën: për legalizimet, për dritat elektrike, për rrugë e
kanalizime, për ujëra të zeza e të bardha, pa harruar përkushtimin maksimal për të bërë model
shtëpinë e bahçen përreth. Ai nuk e kishte lexuar poetin e famshëm Geten
gjerman, por kush më mirë se ai e zbatoi
mesazhin e tij për një jetë aktive e të dobishme në të gjitha periudhat e jetës
së njeriut.
I
tillë qëndroi deri në janar të vitit 2011, kur një arrest kardiak ia pushoi
zemrën. Rrallë kam parë aq shumë njerëz në një përcjellje mortore.
Lush Pep Martinaj i
peripecive e suksesit
Lush
Pepa, ndër 8 fëmijët e Pepë Ndreut, qe më i vogli; siç dihet, 6 prej tyre me
shkollë të lartë. Kur lindi u gëzua i madh e i vogël, jo se nuk kishte mashkuj
kjo shtëpi, por do t`i shtohej më vonë edhe një burrë këtij trualli.
Si
fëmijë i pleqërisë u desh e u respektua si të ishte i madh; rritej e hidhte
shtat çdo ditë e në trup e në mendje i ngjante shumë të atit.
Shkollimin
e parë i kryen në Curraj, ndërsa arsimin 9-vjecar e të Mesëm të Përgjithshëm në
qendër të krahinës së Nikaj- Merturit.
Më
vonë ndjek studimet universitare për mjekësi të përgjithshme e i përfundon në
vitin 1994.
Për
arsye të lidhjeve familjare e detyrës sime si mësues e drejtor për shumë vite
ruaj shumë kujtime për intelektin e natyrën trazovaçe qysh se i vogël. Shkolla
ku mori maturën qe e Mesme e Bashkuar, bujqësore plus gjimnaz plus 9- vjeçare.
Lushi qe në maturën e parë të Gjimnazit, degë e hapur në vitin 1985, disa vite
më vone se Bujqësorja (1976).
Qysh
në ditët e para ra në sy në rrethin shoqëror e ndër mësues, ndonëse nuk ishte
krejt i panjohur. Ndër më të mirët nxënës, me një intelekt të lindur, me një
zhdërvjelltësi e sedër pozitive, hiperaktiv e pasionant.
Me
ditë të tëra qëndronte ndër më të mirët me rezultate maksimale, por kishte edhe
" punë të tjera", ndaj shpesh edhe luhatej e përsëri dilte në krye. E
rrëmbente sporti, veçanërisht futbolli, gjimnastika e atletika.
Në
atë natyrë fantastike e plot diversitet e larushi rrëmbehej nga udhëtimet,
ngjitjet alpine, nga flora e fauna, nga bora e madhe e ortigjet e shumta. Arena
ku shpërthenin energjitë e tij ishin Fushat e Kole Balës, kodra e Korrenit,
pyjet e shkëmbinjtë e Rrukut, mjediset e Shkollës së Mesme e sa e sa vende të
tjera të paharruara. Lumin e Merturit e kishte jo larg shtëpie, ku mësoi not
qysh në klasat e fillores. Shumë kohë kaloi brigjeve të atij Lumi me ujë
kristal e reflekse marramendëse.
Nga
Rrasa e Currajve e Shkëmbi i Mulajve, mes atyre pamjeve mahnitëse, të bukura e
madhështore, ku përbirohej me vështirësi ai lumë e deri sa derdhet në Dri,
Lushi edhe sot përshkruan me nostalgji çdo pus, çdo rrase guri e shkëmbhedhje,
shelgjet e myshqet, shtjellat, pragjet e ujëvarat, rrjedhat e qeta e të
rrëmbyeshme, cekëtinat e puset e thellë sterrë të zi, ku veçon Pusterrin e
Urevajës që "nuk i gjendet fundi", me mistere e legjenda të frikshme.
Përmend llojet e peshqve e ngjalave, ku veçon troftën e famshme pikaloshe të
kuqe, tregon për shpella e strofulla ku rrinin egërsirat e malit...Kënaqej e
harlisej, po prap mendjen e kishte te mësimet; edhe pse i lodhur librat nuk i
lëshonte nga dora deri pas mesit të natës. Me aq studim që bënte, rendimenti
ishte maksimal, se edhe koha nuk i mjaftonte.
E
shohim ne rolin e liderit, të gjykatësit e avokatit, të komentatorit, arbitrit
e trajnerit, të lojtarit e kapitenit, të partizanit e ballistit, të heroit e të
burgosurit, të ndërmjetësit e pajtuesit. Rritej e përvijonte personalitetin e
tij, sidomos në dy vitet e fundit.
Aktivizohej
në konkurse e olimpiada, në tryeza shkencore, në veprimtari artistike e
sportive, por interesat më shume i shfaqte në lëndët matematikë- biologji e
edukim fizik. Në një Olimpiade Matematike në nivel Kombëtar zuri vend të dytë (
edhe e motra Gjystina, në vitin 1984 ishte pjesëmarrëse e grupit të Recituesve
të Shkollës së Mesme Lekbibaj që përfaqësoi Tropojën në një Konkurs Kombëtar në
Gjirokastër).
Dashuria
e përkushtimi, kërkesa e llogarisë, shembulli pozitiv, frymëzuesit e engjëjt
mbrojtës nuk i mungonin as në familje, por e nxisnin për më shumë punë e
përparim; i ati disi më i rreptë e kërkues, vëllezërit e motrat më të ngrohtë:
Ndreu, Agetina, Prela, Natasha, Gjystina ( respektivisht mjeku, inxhinierja,
juristi, mësuesja, ekonomistja).
Mbaron
Maturën me rezultate shumë të mira e fiton të drejtën për Studime Universitare
në Mjekësi te Përgjithshme, degë fort e kërkuar në çdo kohë. Në ato vite
filluan edhe ndryshimet e mëdha Demokratike.
Pa
mëdyshje rreshtohet krah Rinisë Studentore me moton " Liri
Demokraci", " Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropën".
Kontributet e tij janë të dukshme e të vlerësuara, por nuk pajtohet me teprimet
e spekulimet që bëheshin në dëm të demokracisë, sidomos me dhunën e vandalizmat.
I
vëllai, i nderuari doktor Ndreu, ish student i shkëlqyer i Berishës, me
respekte të ndërsjella, preferoi të vazhdonte punën e mjekut të përkushtuar në
Spitalin e Tropojës. Këshillat e tij të urta për Lushin ishin udhërrëfyes në
ato kohë të trazuara, veçanërisht ajo për përfundimin e shkollimit.
Disi
edhe i zhgënjyer, pas përfundimit të
studimeve Universitare ëndrra e synimi i tij ishte Amerika, për atë vend të
bekuar të demokracisë e qytetërimit, ku vlerësohen e respektohen vlerat e
njeriut e puna. Në pranverën e vitit 1996 me plot fantazi e ëndrra të guximshme
prek tokën e shenjtë të atij vendi. Dilema e tij: t`i përkushtohej mjekësisë
apo të provonte aftësitë e vullnetin në atë Perandori vlerash e përpjekjesh,
lider botëror, në themel të cilit janë
demokracia e konkurrenca e vlerave.
Jo
pa dhembje e ndrojtje zgjedh të dytën: temperamenti i tij nuk e lejonte të
zgjaste me vite me shkollë e provime pa prekur suksesin. Pa shumë përvoje
rriskon, provon e "eksperimenton". Shpesh edhe dështon, por prek edhe
suksese që i ngjallin optimizëm. Si i thonë fati ndihmon të vullnetshmit,
suksesi sjell suksesin. Punon në një kompani ndërtimi sipas tij me një biznes
modest. Këto ditë të ndërrimit të viteve 2020-2021 disa telefonata e biseda shumë interesante, plotësim i atij
boshllëku e përmallimi shkaktuar nga largimi i tij prej 25 vitesh.
...Kur
u shpreha ngushëllimet familjes Martinaj për vdekjen e Zojë Rexhes, fëmijët nga
Amerika akoma nuk kishin ardhur. Unë në pamundësi për të marrë pjesë në ditën e
varrimit, sipas traditës shkova për një kafe në ditën e tretë me shpresë për
t`i ngushëlluar e shëndoshur kryet, ndërkohë ata ishin larguar për shkak të
problematikave serioze të transportit shkaktuar nga gjendja e rënduar e
Pandemisë Covid-19.
Pak
ditë me vonë mora në telefon Lushin, ish nxënësin tim për disa vite. Disa
biseda të shpeshta, edhe me orë, jo vetëm hapën një kapitull të ri, shfaqën e
shpluhurosën kujtimet e së kaluarës, por krijuan edhe një realitet të ri
njohjeje; pyetmë hollësisht e treguam për jetën e njeri-tjetrit, për arritjet e dështimet.
Nga
njohjet e hershme e takimet e mëvonshme, nga komunikimet e bisedat e ditëve të fundit, me sa kuptova e
konkludova, u shfaq një pamje e perceptim i ri, besoj se objektiv e i pa
deformuar, i pasuruar e plotësuar me të dhëna e fakte origjinale.
Po
veçoj sa më poshtë:
1-
Një familje të mrekullueshme e konsoliduar, gruaja mjeke e respektuar me
origjinë nga një dere e njohur e Nikaj-Merturit; dy vajzat e djali në
hullinë e shkollimit bashkëkohore( vajza
e madhe vazhdon për inxhinieri në një ndër shkollat elitë ).
Menaxhon një biznes modest privat me arritje të kënaqshme( unë them më shumë se modest).
2-
Është me pikëpamje republikane në krah të ish-presidentit Tramp. Me datë 6
janar 2021 ka udhëtuar mbi 4 orë për në Uashington në përkrahje të tij, për të
cilin përmend kontributet për një Amerikë më të fortë e të pasur, por edhe disa
rezerva në metodën e drejtimit.
3-
Duke dënuar dhunën e veprimet agresive, është kundër politikave demokrate për
stimulimin e një shtrese emigrantësh a banorë vendas mbështetur në një lloj
parazitizmi nëpërmes asistencave sociale.
4
–Lushi (tashmë 51-vjeç) ruan lidhjet me rrethin familjar e shoqëror, jo vetën
nga mërgata, por edhe nga Shqipëria, lidhje me mendje e zemër që transmetohen e
kultivohen edhe tek brezi i ri. Jo vetëm telefonatat e marrja pjesë në raste
gëzimesh e hidhërimesh, por edhe ndihma materiale e monetare tek disa të afërm
për nevoja ekonomike, për përballim kujdesi e sëmundjesh, për vizita
mjekësore e barna, për rregullim vizash e pasaportash a ndonjë sponsorizim, me
merakun për të bërë më shumë.
5-Më
shumë për të respektuar dëshirën e babait në Curraj, zgjeron e bën meremetime
në shtëpinë ekzistuese, blen tokë e pemëtore duke respektuar me fanatizëm
normat e kodet e vendit bazuar edhe në
ligjet e kohës.
Në
Tiranë ndihmon për blerjen e një shtëpie dy katesh, por edhe në rregullimin e
mjediseve rrethuese përfshirë ngritjen e lulishtes, vreshtit e një pemëtore të
vogël.
6-
Respekti i tij për ish mësuesit e pedagogët e nderuar.
Edhe
për mua shprehë mirënjohje, konsiderata e vlerësime maksimale, aq sa e ndjej
veten disi keq, se më duken të tepruara, ndërsa atij i mbetet merak se ka thënë
pak.
"
Përveç familjes sime, dy idhuj kam në jetën time: Ju dhe pedagogun e shkollës
së lartë Gjergj Minga. Ju nuk e dini sa ju kam dashur e ju dua edhe
sot"-shprehet me emocion.
Rri
e mendoj, gjykoj e arsyetoj për vitet e gjata në arsim, për moshën time të
adoleshencës e rinisë, të cilat më ngjajnë me këta moshatare të atyre viteve,
ku shoh një pjesë të rëndësishme të jetës sime.
Lushi
e një kategori e konsiderueshme moshatarësh, me temperament në mes të kolerikut
e sanguinit, duheshin mbajtur afër, këta tipa kishin shumë energji e ëndrra të
guximshme, ato duheshin menaxhuar e trajtuar me kujdes profesional e kthyer në
realitet . Këtu duket zotësia e mësuesit e drejtuesit. Ndjej kënaqësi e krenari
( jo mendjemadhësi) për aq sa kam bërë, pse jo edhe më shumë. E ndjej veten
edhe më mirë po qe se puna ime dhe e kolegëve kanë ndikuar pozitivisht në të
ardhmen e Lushit e dhjetëra brezave që kemi mësuar e edukuar.
Në
këtë kohë Pandemie të frikshme të fillim vitit 2021,( nga Saint Genis -Pouilly,
në pjesën franceze afër Gjeneve), falë mundësive që ka krijuar TIK (
teknologjia e informacionit e komunikimit), kam qenë në kontakt me biseda të
ngrohta e miqësore me shumë ish nxënës që jetojnë në Evropë e Amerikë : Jetnor
e Visar Vukaj, Lush Martinaj, Bardhyl Ukcamaj, Skender Perpepaj, Ndreke
Gjonpalaj, Ndokë e Filip Vukaj, vëllezërit Palnikaj ( djemtë e Nikollë M.
Sadrisë ) e Pjetër nikaj ( djemtë e Nikë Murrecit), Deton Deda, Dritan e Agim
Imeraj, Dedë Kroni, Leonard Martini, Nikë Hasaj, vëllezërit Susaj( djemtë e
Gjon Ukë Gjonit) e Bushati ( djemtë e Pjetër e Prekë Palit), Sander Lekaj etj.
Dhëntë
Zotit, këta ish nxënës e sa e sa të tjerë,
brenda e jashtë vendit, të ruajnë e forcojnë shqiptarizëm, të kenë shëndet e sa
më shumë suksese për vete e për familjet e tyre.
Saint Genis Pouilly, Francë, 12 prill 2021