E premte, 14.05.2021, 06:46 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Prend Buzhala: Muri i Kujtesës në Bllacë

E shtune, 10.04.2021, 07:15 PM


MURI I KUJTESËS NË BLLACË

Sot në 22-vjetorin BLLACA'99, në shënimin e dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave pushtuese serbe në muajt mars, prill të vitit 1999 si dhe me 100 vjetorin e Hasan Prishtinës-kryeministër i Shqipërisë.

Nga Prend BUZHALA

1.

U bë edhe përurimi i Murit përkujtimor, në organizim të Shoqatës për kthimin e shqiptarëve në trojet e veta, në krye me Jahja Llukën,  Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përfaqësuar nga drejtori i  ITSHKSH z. Skender Asani dhe Komunës së Hanit të Elezit, kryetarit Ruzhdi Suma- të cilët edhe mbajtën fjalime rasti.

Merrnin pjesë edhe krijues letrarë, artistë figurativë e veprimtarë nga viset tjera etnike. Përpos “Muri të Kujtesës”, vepër mozaiku e piktorit Fatos Kabashin dhe e të rinjve tjerë të ndërtimit e punimit arkitektonik, u bë edhe përurimi i parkut “Hasan Prishtina” (foli Mehmet Prishtina).

Merrnin pjesë struktura politike e përfaqësuese komunale të Hanit të Elezit, shoqatave, veprimtarëve. Për përjetimet në Bllacë, foli Ali Dida.

Momente mbresëlënëse:

- Pjesëmarrja e Nënës me fëmijën e saj, foto që pushtoi botën në kohën e eksodit,

- takime me të rinj të Kryqit të Kuq të Kosovës (dega në Kaçanik), që kishin improvizuar tendat e kohës së luftës,

- takime me krijues nga Shkupi, Prizreni e Prishtina, me veprimtarë nga Malisheva etj.

Dhe, në shkuarje e në kthim, nga një kafe në rrugë, si përjetim kohe në kohë pandemie (meqë kafenetë nuk shërbejnë),

2.

"Përjetësisht në memorien tonë", ishte një mbishkrim që lexohej në ambientet e Bllacës.

E po, kujtesa historike na është një shtyllë e identitetit tonë nacional.

Çka na kujton Bllaca?

Na e kujton, përpos UÇK-së edhe një ushtri tjetër, një ushtri të tërë, qindra mijëshe, prej grave, pleqve, fëmijëve, njerëzve duarthatë, ushtria më e çuditshme në botë.

Përse ushtri?

Sepse ata ishin të armatosur vetëm me vetëdijen e shpirtin e tyre, me të qenët shqiptarë.

Porse, i mban gjallë edhe ky shpirt kujtese, kësaj radhe, i thadruar te një Mur. Aty ishin shënuar thënie të njerëzve të spikatur të Evropës Perëndimore e SHBA-ve.

Populli ishte duarthatë. Ishin njerëzit më të pafuqishëm në botë. Dhe thuhet: shpesh të pafuqishmit, ata miliona të tillë, e bëjnë historinë, siç thotë Vaclav Havel te eseja e tij “Të pafuqishmit”.

Ç ‘është një mur?

Nëse eksodi biblik po i jepte një shenjë Epokës së re të kthesës historike, me golgota e mundimeve, me dëbimet e vrasjet, me djegiet e përjetimet e rënda; atëherë aty vjen nj Mur i Mundimeve. Mu si te hebrenjtë që lutjet i bëjnë te Muri i vajtimeve për shkak të eksodeve e gjenocideve për mijëra vjet me radhë.

Kështu kishte ndodhur edhe me shqiptarët e dëbuar që më 1976 nga Toplica, Vranja, Nishi e Sanxhaku, kur u zhbënë 714 fshatra shqiptare, nënë firmën "mbetje osmane": kështu ndodhi më 1913-14, kur Serbia e pushtoi Kosovën, apo më 1930 e 1956, kur u shpërngulën me nga gjysmë milioni njerëz për në Turqi nën firmën "turq".

Mirëpo, kësaj radhe ishte ndryshe: ishte rreshtimi ynë kah Evropa Perëndimore e SHBA, prej nga erdh edhe shpëtimi. Kësisoj, edhe kthimi ishte biblik, së bashku me forcat e NATO-s e me lirinë e Kosovës. Liria ka kuptim për njerëzit e gjallë.

Kurse kujtesa shndërrohet në sublimen e saj kur kujtojmë të kaluarën.

Kjo kujtesë e ka tragjiken e saj, por e ka edhe bukurinë e saj, që e ruan të paprekur thesarin e asaj golgote e të atij përjetimi: tashmë i gëzojmë të mirat që t'i ofron liria "Një nga çelësat e lumturisë është një kujtim i rëndë" ( Rita Mae Brown). E pra, Liria, na është shpërblimi më i mirë për vuajtjet dhe të rënët. Secili prej nesh është pjesë e asaj vuajtjeje dhe e shpresës.

Dhe secili prej nesh e ka atë mur mundimesh, të gravuar në shpirtin e kujtesës së vet.

Dhe Murin e Përbashkët të Kujtesës së Përbashkët nacionale.

Më shumë foto:





(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora