Udhëpërshkrim
Blerim Rrecaj: Kalim i këndshëm kohe, jo fort larg shtëpisë
E enjte, 30.07.2020, 08:46 PM
Kalim i këndshëm kohe, jo fort larg shtëpisë
Nga
Blerim Rrecaj
Në
këtë mesditë udhën marrim për te vendi që ka kohë që po e quajmë "Te
fushat ". Unë me fëmijët përdore.
Gjatë fillimit të periudhës së koronavirusit ky vend u pat shndrruar në një
lloj shëtitoreje, në një lloj azili, ku shfrytëzoheshin periudhat e orareve me
numra letërnjoftimi. Kishte shumë nga ata që dilnin e thonin, po vend i mirë, e
hapësirë çlodhëse për të ecur e kaluar kohën. Këndej s'dukeshin policë, e s'i nënshtroheshe
farë kontrolli.
Ka
vite që dal këtej, sidomos verës, me fëmijët e vëllezërve, djalin e motrës e
fëmijët e mi, herë bashkarisht e herë ndaras. Tashmë "boemët e
pandemisë" këtej paksa janë pakësuar.
Kroit
që ndodhet, jo fort larg kodrinave të hirit të hedhur të termoelektranave, tash
mund t'i afrohet edhe ndonjë punëtor arash, ndonjë mbikëqyrësh parcelash,
mbjellur me trupa e fidane pemësh, ndonjë zog, pilivesë...
Nëpër
këto "vise" ndodhet dhe një kënetë, një kotec pëllumbash ca punëtori
të firmave ndërtimore dhe ngrehina e lënë tashmë sa kohë ashtu, si një magazinë
e madhe çatimbuluar e muregjysmëzhveshur prej llamarine. Këtej, në këtë tampon
zone të gjelbër ku në njëren anë duket kryeqyteti e në tjetrën kryeqyteza, po
vazhdojmë të dalim ndonjëherë. Sot morëm këtë udhë pas mëdyshjeve: po nisemi,
po për kah... Harruam maskat por po vazhdojmë hapat. Derisa shpesh çadrat e kam zakon t'i harroj pasi të
kem dalur me to jashtë shtëpisë, nëpër kafene, autobusë, taksivetura, maskën po
e harroj e po më bie në mend për të kur po dal prej shtëpie, e kur po has
njerëzit tjerë me to. Herë po kthehem ta marr e herë jo, dhe ende se di se ky
harrim a paraqet farë vepre penale a jo, bile po përtoj të informohem për këtë
problem. Po, hajt se mësohesh dhe me këtë, tha dikush. Sikur kot mundohesh të
gjesh përgjigje në vet-pyetjen: ç'është ky dembel-llëk, e ky vullnet-vakët
nëpër qenien tënde! E me na ndal
policia, do na dënojnë thotë i vogli për të na shtyer në debatin "rrugaç"
(që s'ngjan, e është i tjetër niveli me tv-debatet) mua dhe djalin e madh.
Sido
që të mund të na ndodh vazhdojmë rrugën dalngadalë duke hyrë rrugës mes
ndërtesave bllokkuqe e të palyera e dritare veshura e zhveshura. Punëtorët
vazhdojnë punën, një tufë dërrasash i tërheq për litari njëri vinç që kushedi
se nga kush komandohet në këto çaste. Kalojmë rrugën hekurudhore, me telefonin
që nxjerr nga xhepi zë një pamje jo dhe aq të qartë fluturimin bukurosh të një
harabeli mbi liqenin me grurë kallinjartë. Si gjë të çmuar, si çdoherë me vete
kam telefonin, shokun tim të mençur, të cilin e ngopa mirë e mirë me ushqim-infuzioni elektrik. Dhe
sikurse ndonjë piktor që ia mësyen peisazheve natyrore me këmbëza druri,
pëlhurë, penel e ngjyra edhe unë mundohem ta shfrytëzoj iPhone-in 5, për të
fotografuar e për të shkruar. Të paktën, një udhë e dy punë.
Dielli
është i fortë e djeg, ndërkohë dhe fëmijët mund të ta humbin qetësinë
ndonjëherë, që siç tha dikush, nëse të bie të kalosh kohë të gjatë me ta s'të
duhen kurrfarë ushtrimesh gjimnastikore a farë fitnesi. Nganjëherë tekat e tyre
të lodhin shumë psiko-fizikisht. Jo vetëm mosha po e bëka të veten.
Hedh
ca rreshta brenda "kutisë magjike" që nxjerr nga xhepi, për t'u
lidhur papritur me një fije kujtimi të fëmijërisë sonë, me atë filmin vizatimor "Sport Billi",
që nxirrte çantën e tij të mrekullirave,
si për të dashur me thënë se po shkruaj, a raportoj nga vendi i ngjarjes ku po qëndroj me ara gruri e misri, me copra
livadhesh të kositura a të pakositura, me fusha dedelinash që majave janë të
qëndisura kaltërsisht e me ngjyrë të jargovantë ku për bukuri enden ca flutura
pikaloshe të kaltra. Rreth e përqark edhe lloje fluturash tjera krahëverdha,
krahëportokallta, krahëbardha, e pikaloshe bardhezeza që fluturojnë e pushojnë, harabelë, insekte, lule kamomili, ca
luledielli, re të bardha të zhytura në këtë kaltësi qielli që pakashumë është
mozaiku ku po lundrojmë.
Kalon
treni rrugës së tij, pasi është pak minuta pas orës dy, i cili tremb trumcakët e shkurreve me therra skajeve
të binarëve. Si këta zogj marrim një rrugë kthimi duke u ndalur te mustaqet
ngjyrë ari e diku dhe të një
kuqrremteje, dhe bëhemi musteqoshë për ca çaste.
Shenjat
e variantet e shumta në këtë hapësirë shumëhektarëshe shfaqen gjatë hapave që
hedhim, duke lënë gjurmë në kujtesën tonë. E kujtesa mund të kthejë te ara e
peisazhe nga vendlindja, a nga fshatra të afërmish, ku kemi qëndruar për vizita
a kohë pushimesh. Tash seç më erdhi në mend ky element kujtese, kur përtypnin
kokrra të pjekura druri dhe ato u shndrronin në çamçakëz, që i përtypnin, paksa
të habitur nga ky zbulim.
Ecim
kujtimeve, vrojtojmë.
I
afrohem një lulekuqeje të vetme që rri mes një are me grurë që e shoh nga
largësia, afrohem te kufiri i arës me grurë, duke qenë larg saj rreth dhjetë
metra. Ndalem pak për ta vështruar dhe u përgjigjem pozitivisht thirrjes së
fëmijëve: "Hajde, a po shkojmë ma..." Dhe kthehemi. Nëpër këto rreze
dielli të forta e me njëfarë lloj energjie që morëm jashtë mureve që po na
presin me mall që të kthehemi tek to...
...Dhe
në mbrëmjen e sontme dolëm andej kah "fushat". Me vëllaun këtë herë.
Tashmë shumica e arave me grurë ishin korrur, kështu që më pëlqente të hyja
sërrnishtave, duke shkelur mbi kallinjtë e kositur dhe të dëgjoja zhurmërimën
që krijoja me hapat e mi. Një fluturim i vrullshëm thëllëzash përsëri më bën të
mbetem me gishta në gojë, a në maskë më saktë, pa "ngrirë" pamjen e
tyre. Më tej, i afrohem një luledielli
dhe gjithë shkëlqimin që ia dhuronte ky diell që po udhëtonte drejt perëndimit,
m'u duk se luledielli ma dhuronte mua. E unë kujt do ia dhuroj se... Këso
përjetimesh pata dhe pas vështrimit të
lulekamomileve në disa vende. Pas lodrimit sa këtu e sa atje, loza dhe pak me
fjalë kësisoj: fort po rrezojnë këto lule për diellin e tyre. Dhe kah kthehemi
rrugës shohim mjaft njerëz që kanë dal si këta dy fëmijë që ngasin biçikletat e
mbrapa të mëdhenjtë që vijnë pas tyre. Marrim rrugë kthimi, rrugës takojmë një
shok tonin që e kemi edhe fqinj, e unë vendos ta zgjas ndejën këtyre anëve me
të. Rrugës furnizohemi me kokrra kajsishë, te dy trupa të tyre, njëri themi se
qenkan bio e tjetri gjysëm bio, dhe duke shijuar ato, mbërrijmë te një
hamullore e djegur, ku dy minj me të shpejtë ikin e strehohen në vrimat që kanë
hapur vetë... Aty marrim dhe ca kallinj që kanë mbetur dhe zjarri i ka pjekur
dhe pasi i provoj më ngjajnë me shijen e kokrrave të shtalbave. Vazhdojmë
rrugën, ngjitemi kodrinës së hirit, mbuluar me barishte të gjata e therrishta
për të parë tashmë kryeqytetin e qytezën si në shuplakë dore, e dritëndezura.
Ngjitemi dhe më lart, te kjo pjesë e rrafshët dhe e kositur dhe pamja që shohim
nga këtu vërtet mbresëlënëse dhe e bukur. Me të purpurtën magjike andej kah
perëndimi. Rreth e rreth male e ne dukemi se jemi në qendër të tokës.
Vështrojmë rreth e rrotull kah Prishtina e kah Gërmia, për të dalur në
Çyqavicë, në Golesh e në Lypeten. Në
qiellin e hapur shndrit hëna me ca yje. Marrim rrugë kthimi dhe shohim një
dritë xixëllonje dhe ndalemi për të parë këtë mrekulli që ka kohë që s'e kemi
parë. Ecim nëpër këtë qetësi të këndshme nate me fëshkëllimë gjinkallash. Dhe
hyjmë në tollovinë e qytezës. Zëmë vend në njëren prej bijave të saj, nën ca
kalaveshë të gjelbër rrushi të kësaj kafeneje. E shtyjmë ndejën me të qeshura,
është nata e parë kur ka ndryshuar orari i ndalimqarkullimit...