Udhëpërshkrim
Shaban Sinani: Takim me poetin Besim Xhelili
E premte, 06.03.2020, 08:33 PM
Takim me poetin Besim Xhelili
Nga Shaban
Sinani
Ngado që të vetesh,
dera në vendlindje çdoherë është e hapur. Edhe Tetova i mirëpret çdoherë kur i
vijnë njerëzit që atë e bëjnë krenare dhe e lartësojnë kudo ku jetojnë e
veprojnë. Shkrimtari Besim Xhelili kësaj here erdhi në vendlindje për të
promovuar dhe për të prezentuar para publikut tetovar dy botimet e tij më të
fundit. Në bashkëpunim me Shoqatën e
Shkrimtarëve OENEUM në Tetovë u organizua një Takim me shkrimtarin tetovar nga
Austria, Besim Xhelili.
Adhurues të fjalës
artistike, miq e dashamirë kishin ardhur për ta nderuar këtë takim. Sadije
Aliti, publiciste e poete, njëherit edhe moderatore e këtij aktiviteti letrar
theksoi se është një rëndësi e veçantë ky promovim, pasi krijuesit që tani më
kanë bërë emër me veprimtarinë e tyre larg Tetovës, nuk e harrojnë vendlindjen, por kthehen aty ku edhe i
bënë përpëlitjet e para të krijimit, në qytetin ku edhe u arsimuan, ashtu si
edhe Besim Xhelili.
Behare Neziri,
kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve OENEUM, theksoi se është nder për Shoqatën
që të ndërtojë bashkëpunime të këtilla, që të promovojë vepra të krijuesve që
vijnë nga mërgata dhe sjellin prurjet më të reja artisitke edhe në Tetovë, ne i
kemi përkrahur dhe kemi bashkëpunime të mira me krijuesit në mërgatë.
Enkas për këtë
promovim nga Prishtina kishte ardhur, Demir Reshiti, publicist dhe gazetar në
RTK. Ai në vlerësimin e tij theksoi:“Duke jetuar çdo ditë me
poezinë e tij, autori ka ndërtuar botën e tij poetike të veçantë, origjinale,
të njohur, vetëm të tij. Tabloja themelore e asaj bote është gjithnjë e njëjtë;
ai dhe ajo janë në momentet më intime të jetës, momentet e dashurisë, momentet
e dorëzimit të plotë, që i shfaqen edhe në ëndrra”.
Ai më tej shtoi se poezia e Besim Xhelilit shpesh është
narrative. Me gjallëri dhe varg ekspresiv krijon rrëfimin dhe e pikturon atë me
ngjyrat përrallore romantike. Vizualiteti në poezinë e tij është fort i theksuar.
Imazhet e tij janë të thjeshta, të pastra, ngjyrat janë të theksuara dhe para
syve të lexuesve rrjedhin si një peizazh i pikturuar gjatë gjithë jetës. Këto
ngjyra dhe këta tinguj janë të shkrirë në aromën e dashurisë, e cila ndjehet me
të gjitha shqisat.
Kritiku letrar Rami Kamberi, mes tjerash tha se:”Besim
Xhelili me këtë libër poetik na shfaqet me një stil të formësuar që lehtësisht
bëhet i dallueshëm nga librat tjerë poetikë, të cilat poezinë e shikojnë si akt
shpirtëror e jo ndjenjë apo mendim për të pikturuar një realitet që jetën tonë
e pikturon ose më mirë thënë na e pikturon sipas ritmit të të nënshtruarit ndaj
fuqisë, fuqi që për poetin Besim Xhelili nuk ekziston, ndaj edhe veten e sheh
sipas të rrahurave të zemrës së tij, duke e trajtuar ndryshe nga të tjerët si
një zemër e dalldisur e cila me çdo kusht kërkon të mbetet sfidë e jo e
nënshtruar”.
Rami Kamberi me tej shtoi se poeti sikur kërkon një botë
të re poetike, ku dashuria duhet të shikohet si një gjeografi e madhe ku mund
të lulëzojnë të gjitha lulet e jetës për një botë jete tjetër nga kjo që ne e
jetojmë, ndaj mundemi të themi se imagjinata e jo ndjenja e momentit tek poeti
lind poezi që këtë mund ta bëjnë poetë me intuitë të veçantë.
Profesoi universitar, dr. Ejup Ajdini u shpreh se:”Superstruktura
ndërtimore stilistike letrare e Xhelilit insiston që në radhë të parë poezia e
tij të ketë ritëm, kohezion të brendshëm e të jashtëm, tingëllimën e vargut dhe
i mbetet besnik strukturës ndërtimore poetike të katranit, për të cilën lirshëm
mundemi ta quajmë një epigram, lloj
letrar që i përket periudhave të hershme letrare, të cilën, përmes rrymave dhe
formacioneve stilistike-letrare krijon ndërtimin e superstrukturës së kësaj
lirike”.
Në vlerësimin e tij Ejup Ajdini theksoi se sikur poetit
kur i mungon dashuria për jetën, s’ka forcë më të madhe për plotësimin e kësaj
zbrazëtire, vetëm mëtimi drejt një lirike të çiltër për bërjen e dashurisë si e
tillë, e gjitha bota lirike e individit, krijon bukurinë epike të sakrificës
poetike që mundet ta ndërtojë, krijojë dhe përjetojë poeti. Edhe pse në pamje
të parë na duket një poet i rebeluar ndaj dashurisë, por ajo në brendinë e saj
ka gjuhën e arsyes, për t`u kuptuar thellësia e kësaj lirike të dashurisë, e
cila ballafaqohet me situatën emocionale për ta shprehur atë me anë të fjalës.
Në këtë diskurs poetik, mungesa e dashurisë na
duket e njëanshme, por duke u mbështetur aty-këtu në momentet e veçanta të
kësaj dashurie, shohim se njëra palë ka mallëngjimin, kurse pala tjetër ka
vuajtjen, e cila flet se kemi të bëjmë me një ndjenjë më shumë se dashuri.
Poetin nuk e lënë rehat dhimbjet me ndjenjat e bukura të dikurshme, i cili
vazhdimisht përplaset me vetveten, derisa të gjendet ekzaltimi i përbashkët
kuptimor i kësaj dashurie. Kjo intuitë poetike e autorit për dashurinë e tij
nuk njeh dhe nuk përfillë parime tjera, veçse ajo që ai ndjen brenda poetikës
shpirtërore, që ai vetë përplaset me më të bukurën e botës së tij.
Poezi mga krijimtaria e poetit lexuan Ardiana Umeri, Bora
Zeqiri dhe Aldin Isaku. Freski muzikore sollën në violinë Lulesa Pajaziti dhe
Doriana Selmani.
Tetovë, 24 shkurt 2020