Udhëpërshkrim
Blerim Rrecaj: Mbresa të bardha nga Shëngjini
E diele, 09.08.2020, 08:10 PM
Mbresa të bardha nga Shëngjini
Nga
Blerim Rrecaj
Nisemi
me autobusin e agjencisë turistike që mban emrin e një ngjyre që i përket detit
e qiellit dhe jo vetëm. Drejt Shëngjinit për të parën herë. Çdo gjë ecën mirë.
Në pikat e kota e të pakuptimta kufitare mes shqiptarëve, me plot vetura e
autobusë as që na kontrollon kush. Dalngadalë e mbërrijmë. Gjejmë një strehëz.
Dhe dita e parë, kohë për t'u çmall me plazh e det dhe me një perëndim të
mrekullueshëm dielli me pak distancë, andej ku mbaron porti i kësaj qyteze
bregdetare.
Në
ditën vijuese, një ecje mëngjes-hershme vijës ku valët e detit puthen me rërën
e plazhës, në drejtim të portit. Te dhiarja gurëhedhur seç takohemi me ca
luleverdha, të bukura ku enden dhe ca bletë, te mbishkrimi ende në këmbë emri i
këtij vendi, mes zemrës qëndisur me thupra është kacavarur dielli që sapo ka
lindur. Dhe një foto e shkrepur të vetëdijëson se kemi të bëjmë me një copë
zemrushe atdheu. Anës tjetër të vijës së plazhit udha është më e gjatë dhe pas
një orë udhëtimi do kthehemi se kushedi sa mund të zgjasë e sa larg mund të na
shpie...
Në
mbrëmje, pas një shëtije në shëtitoren që mban emrin e kryetarit amerikan
Wilson, hedhim sytë e këmbët te plazhi që e ka mbërthyer nata, për të parë këtë
hënë shkëlqimhedhëse e cila pikturon një lum mbi det. Dhe kur kthehemi
shëtitores pllakështruar pos bustit të amerikanit dashamirës, takohemi dhe me
shtatoren e At Zef Pllumit...
Pas
natës në strehëz, dita e mirë nis në mëngjes, me këta trumcakë që mbledhin
thërime nëpër rërë, me ca pëllumba, me ca gaforre sa një pëllëmbë dore që kanë
hedhur dallgët në breg. Te gurët pranë detit nën ujin e qetë bredhin ca peshq
nëpër alga e barishte si formë kërpudhash. Notojnë, ushqehen, lodrojnë e
maskohen...Ndërkohë njerëzit lahen e mrizojnë nën çadra, tregtarët-plazhistë
ofrojnë gjëra të lloj-llojshme, më së shumti fruta pemësh: fiq, rrush, dardha,
nektarina... Të popullarizuara mbeten petullat e çastit e misrat e pjekur.Enden
grupe muzikantësh me def, harmonikë, klarinetë dhe melodinë e tyre tekstin
paksa ua ndryshojmë: Hajde ta vallzojna vallen e distancës, deri ku po mbetet
kufiri i shqiptarëve. Ndërsa ka dhe ndonjë pushues të rrallë që kalon me maskë.
Kalojnë dhe dy të veshur njëri si Mickey Mouse e tjetri si Spider-Man me
shoqëruesin e tyre fotograf që joshin fëmijët për një shkrepje si kujtim. Ka
disa që lexojnë e njëri librabartës ndalet tek të interesuarit për këtë mall.
Shumë
malle, mallëra e halle përzihen si peshqit në fëltere nëpër plazhin e madh.
Vendosim
dhe pas propozimit që na vije nga një vendali, ndërrojmë vend, ndërrojmë plazh,
duke u "hedhur" te Rana e Hedhun. Me atë që na dërgon bisedojmë
rrugës jo më të gjatë se tri-katër kilometërshe. Lezha e Shëngjini janë vende
stresi, thotë taksisti. Pse, mos jemi ndryshe ne them unë. Deri vonë ky vend ka
qenë i lejuar vetëm për politikanët tregon lezhjani, ndërsa tash po e vizitojnë
politikanët tuaj, vazhdon ai. Oh, ishalla s'i takojmë se përsëri do futemi në
zonë stresi, vazhdojmë bisedën duke mos ditur se cilët nga politikanët tanë
janë më zemërgur e më zemërvrugët. Sidoqoftë mbërrijnë te Rana e Hedhun, vend i
cili të bë për vete, shenjat e emërtimit të këtij vendi janë të dukshme e të
prekshme, edhe kur ngjitemi kodrinës ranore, edhe pse siç duket nuk dihet koha
kur dallgët e kanë "kryer" këtë veprim. Sa bukur këtej det, këtej
mal, ballpërballë këto dy mrekulli të Zotit. Ajo që habit jo pak janë dhe këto
lule të bardha që qenkan rritur e paskan lulëzuar nëpër këtë plazh. Ca pika
shiu veç ia shtojnë freskinë e bukurinë kësaj dite me valë-dallgë të bardha
borë...
E
dielli ngadalë ngadalë perëndon duke lënë shenja të këndshme, madhështore...
Nata
në qiell ndriçohet nga shkrepëtima rrufeshë të purpurta pa zhurmë e për së
kthjellti si thonë të moshuarit.
Mëngjesi
tregon shenjat e tij me rërën e lagur si farë sherbeti kur u hidhet
ëmbëlsirave. Bie shi, rigon, fryen erë, dhe dielli rrezon butësisht e
fortësisht kur zbulohet nga retë...
Ecja
e zakonshme deri në afërsi të afron te ata dy peshkatarë që të lënë që me
peshqit e tyre të bësh ndonjë selfije si kujtim i këtyre çasteve me vranësi e
shi...
Rrugës
së kthimit kënaqësi me pa këto re të bardha, këto pulëbardha e dallëndyshe
gushëbardha por edhe valë të bardha që po lundrojnë kaq bukurisht nëpër
kaltërsi qielli e deti që të bëjnë të harrosh të gjitha qoftë edhe për ca
minuta...
Kalon
edhe një ditë, edhe një natë me erë e shi...
Lufta
me vranësisë dhe kthjelltësisë përfundon me fitoren e kësaj të dytës dhe qielli
kaltërohet ngazëllyeshëm, malet e pishat përreth shkëlqejnë gjelbërueshëm.
Dita
e tjetër me larje në det, me ecje, me shijim të çasteve që na kanë mbetur nga
ëmbëlsia shëngjinase ku mbushëm shportat nga të mirat e tij...