Udhëpërshkrim
Blerim Rrecaj: Ecje e freskët nëpër Lumin e Shalës
E marte, 25.08.2020, 07:03 PM
Ecje e freskët nëpër Lumin e Shalës
Nga
Blerim Rrecaj
Herët
në mëngjes dalim të presim autobusin që do na merr me vete dhe të cilin do e
ndal shoferi, te vendi i caktuar, jo fort larg strehëzave tona. Dielli lind e
ecën ngadalë dhe mbërrin fytyrëkuq sapo mbërrin te porta që mban semaforët, e
ngjan si atleti i vetëm që pritet ta fillojë garën maratonike. Vije e ndalet
autobusi, hipim e përshëndetemi me buzëqeshje nga shoferi dhe konduktori, dhe
atmosfera është e këndshme, e lehtë. Dhe vazhdon përgjatë udhëtimit. Dielli
tash ka ngritur kokën lart e djeg kur kemi mbërri te dy pikat kufitare kot fare
të Qafës së Prushit. Mbi ngrehinat e përreth tyre pothuajse të zbrazëta enden
harlisshëm dallëndyshe e pëllumba. Dhe vazhdojmë duke soditur natyrën
ajërpastër derisa mbërrijmë te bregu i Fierzës për të hipur nëpër barkat
metalike me motor, dhjetë a ca metërshe me të cilat do t'i biem mespërmes
liqenit të qetë mbrojtur nga krahë bjeshkësh të gjelbëruara e shkëmbhirta që anon
më fort kah e bardha. E disa maja të tyre duken si re, a si borë e pashkrirë
ende. Rreth një orë e gjysmë zgjat ky udhëtim mbiujor panoramik me dëshirën që
gjatë tij të mos shohim asnjë shishe a bisht të fikur cigareje. Enden
gjallërishëm ca dallëndyshe mbi kokat tona, dhe zhurmërima e barkës që lë pas
një vijë të bardhë valore e shkakton ca valë të lehta, i tremb në dy vende ca
shpezë krahëmëdhenj e qafëgjatë ngjyrë kaftë që humbasin së shpejti. Sapo
mbërrijmë nga bregu në breg, fëmijët që ndodhen në këtë barkë bëhen lajmëtarët
e lajmit të gëzueshëm me fjalët: Erdhëm, erdhëm. Nga barka zbresim një nga një.
Dhe vazhdojmë duke u ngjitur lumit përpjetë. Është një përqafim i ngrohtë
malli, shumë nga ne jemi këtu për të parën herë. Urat e drunjta që janë vigje
të bukura veç të bëjnë të ndihesh edhe më mirë. Këtu takojmë një çift të
mrekullueshëm bashkatdhetarësh që kanë ardhur nga Gjermania për të kaluar
pushimet në Alpet Shqiptare dhe ndahemi me ndjenja gëzimi, duke thënë e ndjerë
se bota ka bukuri gjithandej dhe kjo është njëra prej tyre që duhet ta çmojmë,
e se bukuritë e natyrës "nuk kanë brirë". Një cjap i kuqërremtë
fshihet pas një gëmushe që ka mbirë mes gurësh, sapo i afrohemi, fort larg
shtratit të lumit, ndërkohë në një dru, në bregun tjetër të lumit piqet në hell
një kaproll, siç shpjegoi, ai që e rrotullonte. Skaj shtratit të lumit të
kristaltë puthitur për brigje bjeshkësh nga kërcimorja e ndërtuar këndshëm e
thjeshtësisht, hidhen e lënë gjurmët e tyre kërcyes të shumë. Uji i lumit është
paksa i ftohtë, por sapo ta provosh është një ftohtësi që të tërheq e nuk të
lëshon aq lehtë. Pushues të shumë shijojnë këto çaste diellditëndezur nëpër
plazhën lumore, për t'u freskuar sapo vapa t'u bie në kokë. Ca zogj por edhe
peshqit që duken gjatë ecjes buzë lumit, janë të shpejt e të zhdërvjellët dhe
ruajnë privatësinë e tyre, pasi ikin sapo që t'u afrohesh. Pak më lozonjare
janë fluturat dhe pilivesat me ngjyrë të kaltremtë metalike. Ca lule të verdha
mbirë për shkëmbinjësh sikur meditojnë për lumin që rrjedh. Duke u ngjitur
lumit për kah rrjedha e tij, një peshkatar që ka zënë pozitë në një faqe mali
dhe ka hedhur grepin në lum, thotë se kryesisht këtu rritet e gjallëron trofta
dhe është në pritje të saj. Mund të vazhdoni rrugën na thotë edhe për nja
njëzet minuta, veç a keni kohë. Vazhdojmë rrugën nëpër gurën e bardhë e vende
vende lahemi ku në thellutat e ku në cekëtësinë e lumit ujëkristal të
tejdukshëm që anon kah një kaltërsi e lehtë, e këndshme. Mbërrijmë deri te aty
ku duket se përfundon rruga dhe kthehemi sa takojmë ca gurë të mëdhenj si
shkëmbenj duken lumit si farë postblloqesh idendifikimi e kthehemi për ku ishim
pas nja një udhe ecjeje të freskët, me hapat tanë shllapa-shllupa pasi
hapërojmë me sandale. Kthehemi nga erdhëm, përsëri edhe nëpër këtë liqen që
"dremit" si e thotë kaq bukur Lasgushi. Dhe freskinë bukuroshe të
"avanturës" së sotme e ndjejmë më fort kur iu kemi larguar lumit që e
kemi kaq larg e kaq pranë...
Fotot janë marrë nga: