Udhëpërshkrim
Ndue Dedaj: Tamarë - Kelmend, duke medituar për unazën e Alpeve
E enjte, 07.01.2021, 08:40 AM
TAMARË - KELMEND, DUKE MEDITUAR PËR UNAZËN E ALPEVE...
Nga
Ndue Dedaj
Malësia
e Madhe nuk ka qenë pagëzuar rastësisht me këtë emër, por për t'u dalluar nga
malësitë e tjera shqiptare si gjeografi. Atje gjendet maja e Shqipërisë.
Nuk
do ta kishim këtë malësi pa zërin e lahutës dhe “Lahutën e Malësisë” së Gjergj
Fishtës pa jehonën e lirisë së këtyre kreshtave. Atje i këndohet Oso Kukës,
Dedë Gjo Lulit, Tringë Smajles etj., kurse pjesa e re, e pashkruar e “lahutës”,
këndon për Prek Calin e Llesh Marashin.
Kemi
ndaluar te Ura e Tamarës, monument kulture, ndërtuar në gjysmën e dytë të
shekullit XVIII mbi Cemin e Vuklit, bash aty ku ai bashkohet me Cemin e Selcës.
Bregu i Cemit në Tamarë nuk i kalon 250 metrat, ndërkohë që në të dy anët e
lumit ngrihen male me maja të thepisura me pamje gjigande, që i kalojnë një
mijë metrat. Dhe jemi ende në “paradhomën” e Alpeve Shqiptare.
Përgjatë
historisë sonë mesjetare si duket kanë qenë femrat që kanë ndërtuar urat.
Askush nuk mund të thotë se si ndodhi që Urën e Tamarës e ndërtoi me lekët e
saj gruaja e vezirit të Shkodrës, me emrin Tamara, në vendin ku emri Marë ishte
ndër më të përdorshmit nga gratë. Ndoshta u mahnit nga ujëvarat e pazakonta
dimërore që burojnë nga çdo gji mali, si në Eposin e Kreshnikëve. Ndoshta i
bëri magji kaltërsia e ujit të Cemit që e has vetëm në Valbonë, lumin tjetër
alpin. Apo qenë njerëzit e Kelmendit që e befasuan me mikpritjen dhe bujarinë e
tyre epike. Një jetë e ndërtuar në shkëmb, në “tri pëllambë tokë varur në
brinjë”, siç thotë një këngë popullore e malësive tona, e megjithatë në këto
anë gratë e së kaluarës dilnin përvit në logun e bukurisë, veshur me xhubletë,
traditë që vijon dhe sot e kësaj dite në sfilatat festive që zhvillohen çdo
verë në Qafën e Perdelecit, ku shpallet Mis Bjeshka. Për festën e bjeshkëve
malësorët e emigruar të Hotit, Selcës, Vuthajt, Nikçit, Vermoshit etj. vijnë që
nga Amerika.
Tamara,
Selca, Lëpusha dhe Vërmoshi tani janë plot me bujtina dhe turistë vendas e të
huaj. Ditë për ditë. Verë e dimër.
Klmendasit
dhe banorët e tjerë të Alpeve shqiptare, tani që rruga e asfaltuar ka shkuar
deri në Vermosh, Plavë e Guci, nuk e kanë ndërprerë ëndrrën. Ata presin që të
ndërtohet ajo që ata e quajnë “Unaza e Alpeve”, pra, që Alpet të përshkohen nga
të gjitha anët me rrugë makine, duke u ndërtuar aksi që lidh Vuthajn (Guci) me
Thethin dhe këtë të fundit me Valbonën etj.