E marte, 08.10.2024, 06:45 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Ibrahim Kabili: Takim brezash, promovim vlerash, vlerësime!

E hene, 06.09.2021, 07:17 PM


Takim brezash, promovim vlerash, vlerësime!

Nga Ibrahim Kabili

Një ditë ndryshe në Çajre të Selitës! Në këtë vend të magjishëm nën kurorën e Malit me Gropa. Të këtij mali, që ka bukurinë, ndërtimin gjeologjik, dhe rëndësinë ekonomike të madhe jo vetëm për krahinat përreth, por është jetik  edhe për kryeqytetin Tiranën, dhe më gjerë. Mali me Gropa ka një pamje e peisazh mahnitëse me gropat karstike në formën e "hojeve" të bletës që të "dehin" me gjelbërimin alpin të stinës, dhe të mrekullojnë me "vellon" e bardhë  të dimrit! Ai  përbën një basen të madh ujëmbledhës nëntokësor që është një "ushqim" i pashtershëm për burimet e mëdha nëntokësore të Selitës, Shënmërisë dhe Gurit të Bardhë. Po kështu ai është edhe ushqimi i shumë burimeve të tjera ujore që dalin në sipërfaqe në formën e krojeve e burimeve të kristalta. Këto burime rrjedhin në sipërfaqe aty ku përfundojnë gëlqerorët dhe bashkohen me shtresat e papërshkueshme të argjilorëve...E pra, afërsisht në këtë lartësi e pozicion gjeografik organizohet ky takim, në livadhet e bukura të Selitës... Një vend i begatë! Një zonë magjepsëse! Një vend i pasur me shumë bimë medicinale dhe kullosore! Një vend ku ciklohen e riciklohen çdo vit milionat e miliardat e dollarëve nga uji "Selita". Rruga e Arbërit që pothuajse ka marrë formë, është për zonën dhe jo vetëm atë, një mrekulli, që do hapi prespektiva për investime në turizëm, bujqësi e blegtori, etj. Sa shumë do dëshiroja që dhe "Çajret e Selitës" me "Veleçikun" e saj, Malin me Gropa, të shndërroheshin në një atraksion të bukur turistik! Asgjë nuk mungon veç investimeve! Shpresojmë se diçka do bëhet për turizmin në këtë zonë të bukur turistike të Malit me Gropa dhe vende të tjera të zonës. Diçka ka filluar dhe po bëhet! Biznesmenët e zonës duhet të investojnë në turizmin malor! Unë jam optimist për këtë! Ndjesë për hyrjen, por profesioni të rrëmben...

E diel data 22.08.2020. Me ftesë të Shoqatës "Selita" dhe kryetarit të saj Mehdi Hoxha, mar pjesë për herë të parë në këtë takim që organizon shoqata, pothuajse çdo vit në Çajre. Ky vit qe i veçantë pasi krahas veprimtarive të tjera, do akordoheshin edhe dy vlerësime me titullin; "Fisnikëria e Tiranës", nga Shoqata "Tirana" për dy intelektualë nga Selita e Malit. Fjala është për  mësuesin e historisë, studiuesin, drejtorin e shkollës dhe biznesmenin Mehdi Elmaz Hoxha. Po kështu ky vlerësim do bëhej edhe për ushtarakun dhe pedagogun  e talentuar Agim Sula, pas vdekjes. Vlerësim i qëlluar e plotësisht i merituar! Këto vlerësime pozitive, të motivojnë, të bëjnë të lumtur, të japin energji pozitive dhe  nxisin për punë më të mira në shërbim të njerëzve dhe komunitetit! Në këto rrethana e pranova pa asnjë mëdyshje ftesën dhe vendosa të shkoj në këtë takim brezash të selitasve, dhe jo vetëm të tyre! Në pamundësi për të shkuar në këmbë si dikur, pasi dhe mosha bën të vetën, lëvizim me autobuzin e linjës në Tiranë. Takohemi te lokali te "Rruga Ura" me pjestarët e Ansamblit "Benda" që dhe ato, do shkonin atje. Fillimisht takohem me mjeshtrin Xanin (Canin) lodraxhiun e afirmuar, shok i fëmijërisë, pastaj me Xhemal Hetën dhe Musa Kabilin, të dy cigonaxhijtë e afirmuar të grupit. Më pas vjen valltarja e talentuar e pjesmarrëse në festivalet folklorike Nazmije Kodra Dedja. Këtu na bashkohet edhe kërcimtari me përvojë i grupit, Adriatik Lila. Aty na gjen dhe veterani i arsimit Hysen Hysa,  dhe drejtoresha e shkollës Sadete Duka, të ftuar edhe këto në këtë takimin. Ndërkohë që pijmë kafe e shkëmbejmë mendime , vjen dhe Ferit Hoxha, kryetari i Shoqatës "Atdhetare Kulturore Benda", i cili kishte organizuar grupin. Pasi u përshëndetëm, ai na ftojë të shkonim tek furgoni e të lëviznim për në destinacion pasi ora kishte ecur... Tek furgoni gjejmë dhe kërcimtaren tjetër të talentuar dhe kostumografen Antoneta Tafa së bashku me nënën e saj. Brezat zevendësojnë njëri tjetrin, përfitojnë nga paraardhësit dhe çojnë më para arrifjet, traditën... Sa ndjesi e bukur ky takim me to! Arti dhe kultura bashkojnë popujt e ndryshëm dhe jo më banorët e një treve! Me ne rrugës te ish "Uzina Traktori" na u bashkua edhe valltari e kërcimtari tjetër i kompletuar Hasan Meta. Tani ansambli ishte me kapacitetin e tij të plotë për atë ditë, dhe i gatshëm për të performuar me repertorin e tij, të larmishëm!

Rreth orës 10 arrijmë në destinacion. Kohë e bukur, pamje mahnitëse, ajër i freskët, reliev i mrekullueshëm, bimësi e gjelbëruar dhe e zhvilluar sipas kateve të saj, vend tepër tërheqës ku shikon si në pëllëmbë të dorës gjithë Bendën, Tomadhenë, vargmalet kufizuese, qendrën e Zall-Bastarit të transformuar tani, Lugun Vilzës, Qafë-Shtamën, Kavanjenë e më gjerë. Pamje  tërheqëse, natyrë e bukur! E ky ambient i këndshëm plotësohej e merrte edhe më shumë vlera nga prania e bijave e bijëve të  Selitës, dhe jo vetëm të tyre. Ato kishin ardhur shumica nga Tirana, nga zona jonë përreth, dhe një pjesë vinin edhe prej emigrimit jasht vendit. U krijua një atmosferë e bukur nga njerëzit e moshave, profesioneve dhe fiseve të Selitës së Malit, të cilët ishin mbledhur dhe vinin në vijim sipas njoftimit të bërë më herët nga Shoqata "Selita". Grupi organizator si; Mehdi Hoxha, Azem Nela, Asllan Tola, Haqif Pjeçi, Bajram Merqeni, etj. e kishin kryer mirë punën organizative dhe çdo gjë po shkonte sipas planifikimit. Takime brezash, veteranë,  takime shokësh, miqsh, njohje me brezat e rinj, takime të rinjësh të fiseve të Selitës së Malit të lindur në Tiranë etj. Takimi e shkëmbimi i bisedave me njëri tjetrin zgjati në kohë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Prandaj dhe ishim mbledhur! Edhe unë takohem, bisedoj, shkëmbej mendime me: Skënderin, Mehdiun, Qazimin, Bajramin, Asllanin, Azemin, Sadeten, Kadriun, Myslymin, Bilalin, Avniun, Naimin, Klodianin, Ilmiun, Xhavitin, Hysenin, Feritin, etj. Bëmë dhe foto si kujtim. Bisedat e takimet kishin një emërues të përbashkët; vendlindjen, dashurinë e mallin për Të, ruajtje e zakoneve, e traditës, promovimi i vlerave kulturore...

Këtu e ndjen veten krenar që je bir e bijë i këtij fshati, apo i kësaj krahine. E atmosfera sa më shumë po ndizej, pamjet magjepsëse të ambientit po zbukuroheshin e plotësoheshin nga veshjet karakteristike të grave, vajzave, burrave pjesmarrës, si edhe ato, të Ansamblit "Benda". Takimin përshëndetës e hapi Haqif Pjeçi i cili përshëndeti të pranishmit, ju uroj mirseardhjen në  takim. Pastaj e mori fjalën kryetari i Shoqatës "Selita", zoti Mehdi Hoxha i cili falenderoj pjesmarrësit dhe të ftuarit për prezencën. Ai falenderoj për pjesmarrjen; kryetarin e Shoqatës "Tirana" zotin Arben Tafaj, sekretarin e saj zotin Skënder Farka, kryetarin e Shoqatës "Kulturore Artistike Benda" zotin Ferit Hoxha, kryetarin e Shoqatës "Vllazëria Koçi" zotin Lulzim Koçi, pjesmarrësit e Ansamblit "Benda", të ftuarit e tjerë dhe gjithë pjesmarrësit.Takimi i sivjetëm aty qe i veçantë pasi u dhanë dy çertifikata nderi për dy intekektualë të Selitës së Malit zotin Mehdi Elmaz Hoxha, dhe zotin Agim Sula pas vdekjes. Të dy u vlerësuan me titullin "Fisnikëria e Tiranës", ky është vlerësimi më i lartë që bëhet për figura të tilla me kontribute të mëdha në shërbim të komunitetit sipas fushave përkatëse. Pas marrjes së çertifikatës zoti Mehdi Hoxha falenderoj zotin Tafaj për vlerësimin e punës së tij dhe premtoj se do punoj edhe më shumë në të ardhmen. Në emër të të ndjerit Agim Sula, çertifikatën e mori djali i tij. Ai shprehu mirnjohje për vlerësimin dhe premtoj se do eci në rrugën dhe gjurmët e babait të tij. Me çertifikatë mirnjohje zoti Mehdi Hoxha u vlerësua edhe nga kryetari i Shoqatës "Atdhetare Kulturore Benda", zoti Ferit Hoxha. Këto vlerësime sipërore i bëjnë nder autorëve të vlerësuar, Selitës së Malit, dhe gjithë banorëve të Bendës. Veprimtaria vazhdoi me programin e grupit artistik "Benda" i drejtuar nga mjeshtri Ramazan Cani. Vallet si grup dhe ato dyshe të kërcyera nga valltarët e grupit "Benda" Antoneta Tafa, Nazmije Dedja, Hasan Meta dhe Adriatik Lila  si edhe valltarëve të tjerë pjesmarrës, si; Mehdi Hoxha, Azem Sallaku, Haqif Pjeçi, Kadri Balliu,  Selim Kaloshi, Pëllumb Meta, Naim Meta etj. E ndezi atmosferën, ja shtoi bukurinë takimit, bashkoi njerëzit në këngë e valle, bëri të gjëmonte e të jehonte Çajrja dhe Mali me Gropa deri në lartësinë më të madhe të tij. Surprizë tjetër e takimit këtë vit qe edhe dëgjimi në video i një kënge të krijuar, shoqëruar me çifteli dhe kënduar nga rapsodi i krahinës Kasem Murati. Kënga i kushtohej Selitës së Malit dhe bijve të saj! Takimin e përshëndeti edhe Sadete Duka, duke lexuar një krijim në poezi të autorit Hysen Hysa, kushtuar enkas protagonistëve të vlerësuar të këtij takimi... Kështu fitohet përvojë, forcohet tradita,  pasurohet kultura, ruhet identiteti, rritet e forcohet atdhedashuria, nderohet  dheu dhe figura e të parëve. Brezat i lënë stafetën njëri tjetrit dhe ruhet vijimësia... Sa bukur!  Urojmë me gjithë fuqinë e shpirtit që kjo traditë të ketë vijimësi,  të promovohen sa më shumë vlerat e krahinës dhe banorëve të mrekullueshëm të saj... Një ditë me mbresa të tilla do mbetet gjatë në kujtesën tonë, e sidomos në atë të të rinjëve...

Pas mbarimit të programit, njerëzit në grupe, festuan e konsumuan drekën pranë Çajres dhe në lokalet pranë. Ne të ftuarit dhe disa nga familiarët e afërt të grupit organizator kaluam një drekë tek lokali i "Can Rrahmamit" në Qaf-Mollë. Gjatë gjithë kohës na shoqëroi grupi i "Rikut" i ardhur enkas nga Tirana si dhe grupi artistik "Benda" me vallet më të mira të tij. Grupi i Rikut na shoqëroj me këngë dhe valle të vjetra dhe autoktone tiranase. Këngët dhe vallet e vjetra të grupit, të shoqëruara nga organoja dhe kitara ia shtuan bukuritë këtij takimi. Duke e plotësuar atë, edhe me tingujt melodioz të cigonave dhe daulles në ekzekutimet virtuoze të valleve. Vallet e kërcyera me mjeshtëri nga kërcimtarët e grupit dhe pjesmarrësit e tjerë, e bënë këtë takim të paharrueshëm dhe me vlera që do kujtohet ndër vite. Urojmë që takime të tilla, humane dhe kulturore si ky i Selitës, të zhvillohen më shumë në të gjithë krahinën.

Faleminderit grupit organizator!

Ibrahim Kabili

Tiranë më 31.08.2021



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora