Udhëpërshkrim
Resmi Osmani: Një muaj në Finlandë
E diele, 19.09.2021, 05:15 PM
NJË MUAJ NË FINLANDË
Përshtypje
udhëtimi
Nga
Resmi Osmani
Njëzet
e dy korrik 2021 Aeroporti “Nënë Tereza”. Mëngjes heret. Jam nisur për në Finlandë, për te im bir,
Erioni. Megjithëse kohë pandemie, salla
e pritjes është mbushur plot. Udhëtarët presin në portat e daljes. Kaloj piken e kontrollit. Aeroplani i Lufthansës,
që do të më shpjeerë transit në Frankfurt, niset në 06. 15’. Zura vend. Aeroplani u nis me një çerek ore vonesë. Pasi
mori vrapin në pistë, u shkëput dhe u ngjit në lartësi. Vendi im është pranë dritares. Aeroplani ngjitet mbi re. Sipër diell dhe dritë, posht shtresa e bardhë
e reve, me forma fantazmagorike, herë si pyll kerpudhash gjigande e herë si
akullnaja. Kur hym mbi Gjermani dhe
aeroplani filloi të humbte lartësi, u duk toka. Pyjet si njolla të gjelbra, liqene, lumenj,
ara pafund që zverdhnin nga të lashtat ende të pakorrura, rrugët dhe në fund
fshatrat periferike e qyteti i Frankfurtit.
E
bukur është toka e parë nga lartësitë.
Aeroporti
i Frankfurtit. Nga me te medhenjte e Europes. Radhë të gjata në pikat e kalimit.
Pasagjerë nga vende komunitare dhe ekstrakomunitare. Kontrolle te imtësishme. Pasaporta,shqyrtim fletë për fletë,në
kompjuter, telefonata dhe konfirmime, kërkesë për PCR(kovidi negativ) dhe ftesën
e pritësit. Më në fund, okej! Hapet
rruga. Më duhet të zbres me shkallët
vetlëvizëse dhe të eci gjat për te porta e daljes. Nxitoj. Jam i vonuar. Maskën zotëri, maskën!
Aeroplani
për Helsinki. Komshiu një arab me djalin.
Asnjë fjalë. Secili qetsinë e vet. Afrohen stjuardesat,
ofrojnë pije. Porosis kafe. E bejne gati.
Tri euro. Zgjat kartmonedhën. Nuk pranohet, kërkohet kartëkrediti. Kafja prapsohet. Kohë dixhitalizimi. Arabi paguan për mua me kartën e vet. E falnderoj. Më thotë se është maroken. Fluturojmë dy orë drejt veriut. Më në fund arrijmë. Në dalje më prêt im bir. Përqafime të përmalluara.
Nga aeroporti, që është 20 km. larg Helsinkit, marrim trenin urban. Në stacionin e Helsinkit trenin për në Lapua,
qyteti më i afërt me qëndrën e banimit të tim biri. Treqind kilometra për tri
orë. Jemi në katin e dytë. Vagona komodë. Zbresim në vagonin restorant. Në Lapua na prêt me makinë Jenni, nusja
finlandeze e djalit.
Makina hyri në rrugën e shtëpisë dhe u ndal në oborr.
Mbrritëm në shtëpi.
Erioni në Finlandë. Edhe familja ime nuk i
shpëtoi emigracionit. Erioni është djali im i tretë. Një histori romantike. U njoh virtualisht me zonjushën finlandeze
Jenni Mirka Maria Hahtokari. Jenni erdhi
në Tiranë dhe qëndroi tre muaj. U pëlqyen.
Martesa u bë në Finlandë në mars 2016. Kanë kaluar pesë vjet. Erioni fillimisht, u trajtua me asistencë
sociale, kaloi në kursin e gjuhës dhe më pas në shkollë profesionale. Kanë blerë shtëpi me kredi( që është e përballueshme)
vilë fshati, me oborr, me dy pemë mështekne, vadhëz, shkurre jargavani, shkurre
frutore dhe livadh, në breg të lumit, pranë rrugës, në periferi të qytetit të
Lapuas, e mjaftueshme për një familje të vogël dhe që të dy janë të punësuar. Erioni është përshtatur me klimën dhe mënyrën
e jetesës dhe është integruar në shoqërinë finlandeze.
Finlanda. Pak fjalë që lexuesi, të
krijojë një ide për vendin mikpritës. Vendësit e quajnë Suomi. Në lindje të gadishullit Skandinav. Në lindje
kufizohet me Rusinë, në veri(afër rrethit polar) me Norvegjinë dhe perëndim me
Suedinë. Në jugë laget nga deti Baltik. Shtrihet në 64 gradë gjerësi veriore. Ora
një plus asaj të KE. Sipërfaqia 338. 678
km. katrore,25% e territorit në rrethin polar verior. Popullata 5. 5 milion banorë, emigrant 400 mijë,
nga këta 7760 shqiptarë(kryesisht shqiptqrë të Kosovës). Klima polare e ftohtë. Në dimër dielli për tre
muaj nuk duket. Në verë,prill-qershor dielli nuk perëndon, janë netët boreale,të
quajtura netë të bardha. Ngricat nisin në
tetor, vendi mbulohet nga bora që vë shtresë, 10-60 cm. temperaturat mesatare të shkurtit në jugë -6
gradëC. Në Lapland -14.
Ka
qënë nën sundimin suedez, deri në vitin 1808, kohë kur u pushtua nga Rusia që e
shpalli Dukati i Madh i Finlandës. Shpalli pavarësinë në dhjetor 1917. Në 1918 u përfshi nga lufta civile. Në Luftën
e Dytë Botërore, luftoi kundër BS në lindje, dhe në vitin 1944 kundër gjermanëve
në Lapland.
Finlanda
është tokë e rrafshët fushore. Toka e punuar zë 8% të sipërfaqes me 2 milion ha.
Kurse pyjet mbulojnë 60% të sipërfaqes,
me 20 milion ha. Numërohen 190 mijë liqene, që zënë 9% të sipërfaqes.
Për
nga niveli i jetesës, zhvillimi ekonomik, dhe industrial, Finlanda është e
krahasueshme me Gjermaninë Britaninë e madhe dhe Francën. Prodhimi Brendshëm
Bruto, 140,5 miliard euro, ose 44. 500 dollarë për frymë. Rroga mesatare mujore 3380 euro bruto,2509
euro neto.
Ngritja
ekonomike ka filluar pas viteve 50-të të shekullit të shkuar, pasi vendi u çlirua nga detyrimet financiare të
paqes me ish BS.
Nëntoka është e pasur me minerale hekuri, kromi, bakri
dhe ari.
Republikë
parlamentare. Kryeqytet Helsinki.
Pejsazhi. Udhëtuam me raste,
qindra kilometra. Peisazhi thuajse i njëtrajtshëm:
rruga e drejtë, në të dy anët pyll, apo çeltira me ara të mbjella me drithra:
grurë, elb, tërshërë, që tashmë janë zverdhur dhe po u afron koha e korrjes,
patate apo livadhe të gjelbra. Asnjë pëllëmbë tokë bosh!Kush zotëron një pronë
toke por që nuk e punon vetë e jep me qira, atyre që ushtrojnë veprimtari
bujqësore. Ah, sa për pyllin finlandez,
një fantazi më vete,zor e përshkrueshme, që të mbeten sytë në të. Drurë të dëndur
mështekne ,bredhi, ose përzjerje të të dyve, të drejtë,po fare të drejtë,të
lartë, nëpër to,vadheza mbushur me fruta të kuqe, që thyejnë gjelbërimin. Është
një pamje që nuk ngopesh së sodituri. Rrugës, në distancë nga njera-tjetra, shfaqen
qendrat e banuara, që nuk janë fshatra të mirëfillta. Shtëpi
të ndërtuara me material drusor, një e dy katëshe, lyer të shumtat me
bojë kafe të çelur në të kuqërremtë, sikush në pronën e vet, në ara, por edhe
mes drurëve pyjorë. Rrafshulta s’ka
fund,(më vjen mall për mallet tona) rrall nëpër të shfaqen valëzime që krijojnë
një far thyerje të njëtrajtshmërisë. Pyjet janë të populluara me faunën
veriore: drerë, arinj, lepura, dhelpra, ketra, fazanë…. . Anët ndarëse të rrugës
me pyllin, janë të thurura me rrjetë teli, që të pengojnë drerët të dalin në
rrugë. Tabelat lajmërojnë: kujdes drerët!
Përplasja me’ ta mund të jetë fatale për vozitësit e
makinave.
Rrugët
të mirëmbajtura, me vijëzime, sinjalistikë, rrethrrotullime, mbi e nënkalime. Edhe brezi i butë me bar të kositur!
Rrethrrotullimet me lule dhe gjelbërim. Kur udhëtohet
në rrugë të panjohura mirë, bëhet lidhja me qëndrën e navigacionit, e cila jep
udhëzimet për rrugën që duhet ndjekur.
Klima e këtyre ditëve. Dhjetëditori i funditiI
korrikut, vijon të jetë kohë e ngrohtë, qielli i kthjellët dhe dielli i ndritur.
Me fillimin e gushtit, ditët nisin e shkurtohen, koha freskohet, maksimalja
ditore +17 grad, e natës +7 gradë. Fryjnë erëra, të vrullshme dhe të ftohta. Gdhihet mjegull e dendur, qielli mbulohet nga
retë, nisin shirat, të shtruara, thuajse të përditshme. Veshjes i shtohet edhe një xhup i lehtë. Ndjehet freskia. Po afron vjeshta. Ndërkaq nga Tirana më thonë se është vapë përvëluese
dhe e padurueshme!
A janë vërtet të lumtur
finlandezët? Sido
që duket si pyetje retorike, nga anketimet ka rezultuar se Finlandezët
vetdeklarohen si populli më i lumtur në botë! Me aq sa mundem, përpiqem të
kuptoj(në rrethin e njerëzve me të cilët po jetoj)sido që më mungon njohja e
gjuhës, sa i vërtetë është ky pohim dhe
çfarë i bën ata vërtet që të ndjehen të lumtur.
Banesa
dhe mjedisi. Secili nga pjestarët e
familjes kur arrin moshën madhore, pas martese, shkëputet. Siguron shtëpinë e vet, me gjithçka i duhet. rrjeti
elektrik, furnizimi me ujë, internet,shërbim postar, kanalizimet e ujrave të
zeza etj. Hangaret dhe ngrehina
ekonomike. Banesa, ka një oborr-livadh që
mbahet si tapet me kositje të herë pas herëshme. Në të janë të mbjella lule,
disa shkurre frutore dhe drurë të klimës veriore që nuk i njoh, por edhe drurë
pyjorë:mështekna, vadhëza, bredha, rrepe. Nuk ka gjerdhe apo sinore të shënuar. Toka e
oborrit nuk punohet, as rreth shkurreve frutore. Të pasionuarit, krijojnë disa
lehe të improvizuara me kaseta drrasash,të mbushura me tokë, për mbjellje të
luleshtrydheve,kungujve domateve etj. Nuk praktikohet kopshtaria, jo se mungon
tradita, por pasuria e tregut e ka bërë të panevojshme.
Secili
është i punësuar sipas mjeshtërisë së vet, burra dhe gra.
Tregut
të punës i përgjigjen shkollat e arsimit professional, që konsiderohen nga më të
mirat në botë.
Familja
rurale, ka në oborr dy ose më shumë makina(Për burrin dhe gruan) për të udhëtuar
deri në qëndrën e punës që janë relativisht larg. Makina të përdorura por të mirmbajtura, blihen
në treg me një mijë euro(sa gjysma e një rroge mujore)! Një traktor me agregate
për shërbime dhe pastrimin e rrugës nga bora gjatë dimrit, dhe një furgon-shtëpi
për piknik. Nuk mungojnë as motorrët e
kositjes së tapetit të barit,bile edhe robot!.
Pesë
dit punë. Të shtunën dhe të dielën
pushim aktiv: diku pyjeve, në brigje të liqeneve për peshkim apo gjueti, me
ushqime dhe pije. Mosha e tretë është e
siguruar e gjitha me pension dinjitoz që i lejon jetesë pa privacione. Finlanda është shtet social, që kujdeset për
gjithë shtetasit e saj apo edhe të ardhurve, për t’i integruar në shoqërinë
vendëse. Shendetësia dhe arsimi përfshi
edhe të mesmin falas. Sektori i shërbimeve
shëmbullor. Tregu i begatë dhe çmime të arsyeshme. Dixhitalizimi përfshin
sferat e jetës administrative dhe të shërbimeve.
Nga
mënyra e jetesës dhe zotrimi i të mirave materiale, them se vërtet ata janë
njerëz të lumtur.
Mikpritja. Për nordikët thonë se janë njerëz të ftohtë. Të paktën përsa njoha, nuk ndaj të njëjtin
mendim. Mirsjellja dhe edukata në mardhëniet
e ndersjellta,përmbajtja e impulsive dhe emocioneve, mos përzjerja në jetën e
tjetrit, nuk duhet marrë si e tillë. Patëm
ftesa dhe bëm vizita në të afërmit e Jennit, e thënë shqip, krushqinë. U pritëm mirë: tradicionale kafe, ëmbëlsira,
kek, akullore pasta dhe biseda miqësore, aq sa mund të jenë midis të huajve nga
dy vende aq të ndryshme. E kanë njëfar
njohje për Shqipërinë tonë, ua ka spjeguar dhe treguar me kohë im bir. Mos njohja e gjuhës më vë në vështirësi. Ata
flasin vetëm finlandisht. Është gjuhë e vështirë, e veçantë. Edhe Erioni, që ka
kaluar një kurs gjuhe ende shpesh vihet në zor për perkthimin. Finlandishtja
dallohet jo vetëm për konstruktin e ndryshëm të ndërtimit të fjalive por edhe për
shumë sinonime dhe dialektalizma. Të vetmet fjalë që mësova ishin ;hei-përshëndetje
dhe kitos-faleminderit. …. .
Na
ftuan për sauna dhe darkë te vjehrra e tim biri. U mblodh e gjithë familja. Në
sauna, të parët hynë burrat. Banjo
avulli deri në djersitje, pastaj në ajr të lirë, të zhveshur nga mesi e lart. Pije të ndryshme, alkolike dhe lëngje. Pas një
pushimi sërish në sauna, një seancë e dytë, pastaj zhytje në ujin e ftohtë të
lumit aty pranë. Kështu edhe gratë. Më thanë se në dimër, çajnë akullin e lumit
dhe zhyten në ujë të ftohtë. Është
traditë finlandeze, çdo shtëpi ka saunën e saj: një dhomë me sobë hekuri, mbi të
cilën vendosen gurë. Pas nxehjes hidhet ujë dhe bëhet avull. Temperatura arrin deri 60 gradë!
Familjet
që kanë shtëpitë anës lumit, kanë ndërtuar skela të thjeshta drrase, aty lidhin
varkën me motorr. Gjuhet peshk me grep
flutur. Bëm shëtitje në lumë disa herë.
Pas
saunës, darka me mishra të zgarës, salmon të tymosur proshutë me asparag, sallatë me lakra
dhe majonezë. Pije sipas dëshirës, verë, birrë, lëngje. Akullore dhe tortë. Sikush vetshërbehet dhe
ulet për të ngrënë ku gjen vend Nuk ngrihen dolli, as përshëndetje, thjesht
shijohet ushqimi.
Ata,rrethi
familjar, mblidhen te njeri tjetri të shtunave apo të dielave mbrëma, secili
sjell ushqime dhe pije dhe darkohet sëbashku. Një e tillë darkë u dha edhe në
shtëpinë e tim biri.
Një
ditë para largimit, vjehrra e tim biri, që u rrëfye shumë e dashur ndaj meje,
shtroi një drekë, të pranishëm djemtë e saj me bashkëshortet. E veçanta mishi I drerit. Drekë ndarjeje. Më bënë dhurata. E ndjeva veten borxhli se unë nuk u dhurova
asgjë!
Gastronomia. Është e ditur: çdo popull e bazon mënyrën e të
ushqyerit me produktet që i jep toka dhe klima e vet. Vera finlandeze lejon të rriten patatet lakra
kokë rrepat dhe nuk di çfarë tjetër. Edhe kuzhina është mbështetur në patatet,
mishin, nuk përdoren të skuqurat, pothuajse asfare salca e domates, më pak
erzat, orizi dhe rrall makaronat. E pata
të vështirë të mësohesha dhe t’i shijoja gjellët, që veç të tjerash ishin edhe
shumë të yndyrshme.
Pije
buke: birra, koka dhje pepsi kola. Uji rrall, në treg uji ishte me esenca dhe
shije të ndryshme. Në vend të ujit qumështi.
Pak ose aspak bukë, edhe kur përdorej,
lyhej me një shtresë gjalpi. Buka blihej në markete. Shumllojshmëri, me kore të
butë dhe që nuk bëhej bajate edhe pas disa ditësh.
Kafe
filtër, me qumësht, disa herë në ditë, gjithandej kafe. Kafja në treg ishte e lirë. Tetë euro kg. ( më
pak se një orë pune!)
Finlandezët e duan dhe përkujdesen
për natyrën dhe traditën. Në qytetin e vogël të Lapuas, vizituam kopshtin botanic. Në
hapsira të gjera, anës lumit, të ndara në postate dhe hapsira të gjera, gjithë bimësia e rajonit, që
nga ato barishtore , përfshirë dhe perimete deri te shkurret dhe drurët e lartë,
me emrin latin dhe klasifikimin botanik. Paraqitje sa didaktike aq edhe mbresëlënëse.
Edhe mjedise çlodhëse dhe shërbimi.
Për
të parë zooparkun udhëtuam mbi 100 km. Ishte I vendosur në pyll. Në sipërfaqe të
madhe. Bileta e hyrjes 35 euro! Pavionet , të përshtatur me habitatin natyror të
kafshëve, me thurje të larta. Aty ishte e gjithë fauna e Finlandës. Për të
vizituar gjithë zooparkun duhej udhëtuar në një rrugë rrethore 4. km. të
gjatë. Kurioziteti për mua ishin drerët
gjashtë lloje, bridegëzuar, drerët brierashkë me madhësinë e një kau, sorkadhet
elegante, arinjtë e murrm, rrqebulli e deri te shpendët dhe akuariumi me
peshqit. Të gjitha pavionet dhe
eksponatet në pyll. Kjo më bëri të
kujtoj mjerimin e zooparkut tonë te Liqeni I Tiranës.
Në
periferi të qytetit Vassa, vizituam fshatin historik finlandez. Ashtu siç
kishte qënë para modernizimit të vendit. Shtëpi druri të thjeshta dhe gjith shërbimet
dhe mjediset fshatare e familjare. Atje
vizitori-turist, kupton sesi ka qënë jetesa dhe veprimtaria e finlandezëve, jetë
relativisht e varfër, dhe ku ka arritur në ditët tona, një hop historik përparimi.
Gjithandej,
në fshat apo qytet,rrugëve, s’më zuri syri asnjë ndotje. Në sheshe, qëndra publike,lokale shërbimi ka
kazanë dhe kosha për hedhjen e mbetjeve. Edhe në banesat rurale, pranë çdo shtëpie, është
kazani i hedhurinave. Sherbimi komunal i tërhiqte një herë në javë. Shishet plastike dhe kanoçet, dorzohen në
markete kundrejt çmimit. Në një rast kur i shpum, vlera e tyre arriti 30 euro. Për ata që tymosin duhan, mjedise të veçanta,
edhe në shtëpi. Asnjë bisht cigari i hedhur jashtë kutive speciale!
Kafshët shtëpiake. Në një familje mund të mos ketë fëmijë, por jo
kafshë shtëpiake, kryesisht qen dhe mace. Të racave dhe madhësive të ndryshme,
sipas pëlqimeve. Edhe në familjen e tim biri,është pjesë qeni madhosh, Luka,
krejt i zi, që peshon 40kg. I zgjuar, i
bindur dhe i dashur dhe maçoku Envi, gjuetar i thekur, që nuk ngopet me
ledhatime. Janë një mënyrë e luftës
antistres, të rrethuar me kujdes marrin dhe japin dashuri. Për ta ka ushqime special të industrializuara,
që nuk u mungojnë asnjë herë.
Bujqësia. Formimi im agronomik, nuk mund të mos bëhej
nxitje për njohjen e bujqësinë finlandeze. Ajo është bujqësia më veriore në Europë, që
ushtrohet midis paraleleve 60 dhe 65 gradë veriore, me një stinë bujqësore
prill-shtator. Deri në vitin 1950, Finlanda ishte një vend me ekonomi agrare. Më
pas mori hov zhvillimi industrial, por bujqësia vazhdon të mbetet degë e
vlefshme e ekonomisë. Kultivohen 2 milion ha. tokë. Fermat kanë madhësi rreth 10ha,me prirje
për t’u zmadhuar. Kultivohen drithrat:
elbi, tërshëra dhe gruri, që zënë 1. 086 milion ha. të marra së bashku si prodhim arrijnë 5kv/frymë.
Patatja arrin 600 mijë ton, prodhohet panxhar sheqeri dhe perime, kryesisht
tranguj e bizele.
Bujqësia
është tërësisht e mekanizuar, me makineri dhe pajisje që jo vetëm lehtësojnë
punën e fermerëve por ulin dhe koston e prodhimit.
Rreshjet
e mjaftueshme e bejnë të panevojshme sistemin ujitës dhe tokat e kulluara e të
përshkueshme nuk kanë nevojë për kanalizime.
Pata
rastin të shoh arat e mbjella me grurë, elb ,tërshërë dhe patate. Te të lashtat dukej fara e zgjedhur, njëtrajtshmëri
e përsosur e bimëve. Kultivohen lloje pranverore. Në vjeshtë fillojnë borërat dhe ngricat, dhe
nuk mbillet.
Prodhimi
i frutave bazohet në mbledhjen e frutave të pyllit por edhe shkurreve të
kultivuara të rrushit freng, i njohur ndër ne edhe si rrush serezi(Ribes sp. ):të
zi, të kuq dhe të bardhë, të manaferrave të kultivuara, Aronias dhe hippofajës.
Të gjitha me frut të vogël, por të pasura në vitamina, minerale dhe
antioksidantë. Në sezonin e mbledhjes së
frutave të pyllit dhe kërpudhave, angazhohen 15 mijë puntorë! Përdoren
kryesisht për prodhimin e lëngjeve dhe në pastiçeri. Kultivohej vetëm një lloj molle,
në oborret familjare, me frut mesatar por me shije të dobët. Të tjerat nuk përballojnë
dimrin polar.
Qytetet. Finlanda nuk ka qytete të mëdha. Pata rastin të vizitoj disa syresh: Vaasa, në
jugperndim me 70 mijë banorë. Me dalje në detin Baltik, me një arkipelag
ishujsh dhe portin turistik. Seinajoki, me 62 mijë banorë. Kurioziteti për tu
vizituar ishte qëndra me bibliotekën, kishën dhe qëndrën administrative,
projektuar nga një arkitekt I famshëm. Biblioteka, e konceptuar si ngrehinë modern
dhe tepër funksionale ishte vërtet një gjë e veçantë që do t’ia kishte zili çdo
qytet, jo vetëm për nga pasuria librore, por edhe funksionaliteti. Biblioteka
“Fliste” vetë! Qëndra tregtare, e madhe, me shumë pavione, ku blerësi i gjen të
gjitha.
Lapua,
qyteti më i afërt, ku familjarët e mi bënin tregun. Njëzet mijë banorë,
Tampere,
qytet I madh, industrial, me 230 mijë banorë. Në mes e përshkonte lumi, I
sistemuar me diga dhe ura. Linja e
tramvajit e sapo përfunduar. Binte në sy vetëm një kullë, shumë e ngjashme me
atë që është në Tiranë përballë katedrales ortodokse.
E
përbashkëta e qyteteve: hapsira të bollshme,qëndra e organizuar, me monumente
dhe gjelbërim, rrugë të gjera, parqe me qendrat e shërbimit, ndërtesa jo më të
larta se 4-5 kate dhe të larguara mjaftueshëm midis tyre. Të shumtat e vilave me material drusor.
Më
23 gusht, udhëtuam për në Helsinki. Makinën e vozisnin me radhë,herë Erioni herë
Jenni. Pas disa qëndrimeve udhës për çlodhje dhe për të ngrënë vaktin, në
Tampere, hymn ë autostradën 12 që na çoi në Helsinki. U sistemuam në një hotel
pranë aeroportit dhe pjesën tjetër të kohës shëtitëm për të parë kryeqytetin.
Helsinki,
që e quajnë edhe sipas emërtimit suedez. Helsnigfors. Metropol, me mbi 600 mijë banorë. Pa ndërtesa të larta. Finlandezëve nuk u pëlqen
të jetojnë në kate të larta. Pëlqejnë vilat në periferi e vende të qeta. Ato pak
kulla të larta periferike shërbenin si hotele. Rrugët e brendshme të gjera, tramvaj, autobuzë
dhe metro. Në tabela elektronike, koha e
mbrritjes dhe nisjes së trenave, të përpikta, pa asnjë shmangie. Në qëndër
parku i qytetit, me statuja të burrshtetasve dhe dijetarëve, lulishte, kënde
çlodhëse dhe në dalje një treg me fruta-perime dhe prodhime artizanale. Në një pikë mbizotruese një kishë e ritit
bizantin nga koha e kolonizimit rus, dhe në një shesh tjetër katedralja
evangjelike dhe monumenti i poetit Aleksis Kivi(Guri), që ringjalli eposin
finlandez. Dhe si befasi, monumenti i
car Nikollës II, që njohu pavarësinë e Finlandës!
Stacioni
i trenit, ishte në qendër të qytetit, një ansambël i harmonizuar me ndërtesat
rrethuese.
Ajo
që më ra në sy në Helsinki ishte mungesa e plotë e asfaltit në rrugët e
brendshme të qytetit. Ishin të shtruara
me gurë kuadratikë graniti në formë kalldrëmi, kurse këmbësoret(trotuaret) me
pllaka të mëdha po nga granit.
Si
në çdo metropol, kalimtarë dhe të pranishëm nga kombësi, raca e vënde të
ndryshme, që nga të mbuluarat me shami e deri te afrikanet me shumë gërsheta.
Ditët,kur
janë të numëruara, kalojnë shpejt. Më 24
gusht mora aeroplanin e linjës:Helsinki -Frankfurt dhe Frankfurt- Tiranë. Me
plot mbresa e mësime, edhe me përmallim për vendin tim, por edhe i çmallur me
tim bir dhe i bindur e mendje mbledhur se ai tashmë ishte integruar tërësisht në
shoqërinë finlandeze.
Lamtumirë
Finlandë mikpritëse.
Tiranë, fund gushti 2021.