Udhëpërshkrim
Gjekë Gjonaj: Salçi kulturor dhe historik ka rënë në qetësi të mërzitshme
E enjte, 19.05.2022, 06:56 PM

Salçi kulturor dhe  historik i vetmuar  ka rënë në qetësi  të mërzitshme
 Nga
Gjekë Gjonaj
Nga
Gjekë Gjonaj
Jo
më shumë se shtatë - tetë  kilometra para
se të hyhet  në Ulqin, në anën e
majtë  të rrugës  e cila të çon për në Tivar, rrugës së ngushtë
të asfaltuar  arrihet në fshatin
Salç.  I vendosur nën malin Mozhur, 550
metra mbi nivelin e detit.  Njeriu e ka të
vështirë të besojë se këtu dikur  kanë
ekzistuar  afro 45 shtëpi. Se nëpër këtë
fshat  është kënduar kënga e  vajzave dhe djemve, ku të rinjtë kanë
shkuar  në mulli për bluarjen e grurit
dhe vjeljen e ullinjve.  Se këtu  është dëgjuar zhurma e nxënësve dhe blegërima
e deleve.   Sot gjithçka  është ndryshe.  Asgjë nuk është si më parë. Fshati është i
vetmuar. E ka kapluar qetësia dhe monotonia 
e mërzitshme. Tani këtu  nuk
frymon më asnjë njeri, që nga tërmeti shkatërrues i mëngjesit të 15 prillit të
vitit 1979. Prej atëherë janë larguar banorët e tij dhe janë shpërngulur në
lagjet përreth, në Ulqin dhe shtete të huaja.
Salçi
është i banuar me shestanas  që nga
përudha osmane. Nuk dihet me siguri se a kanë qenë kjo popullsi gjysmë nomade,
apo ka ardhur  për të  ruajtur bagëtinë dhe është  kthyer përsëri në vendbanimin e tyre të
mëparshëm.  Nga biseda   me 
disa nga  njerëzit e vjetër të
këtij fshati atje kanë jetuar vëllazëritë 
Jankoviq,  Dediq, Martinoviq,
Briskoviq, Peciq, Pepiq, Kolloviq, Bardhoviq 
etj),  të gjithë shqiptarë,  nga Shestani (shestanas)  dhe 
Ljarja ( ljaras) të cilët u shpërngulen nga këto treva   fillimisht si punëtorë të tokave të agave
dhe bejlerëve  turq, ku kryesisht kanë
dimëruar me kafshë dhe gradualisht kanë blerë 
apo ndërtuar shtëpia, duke u bërë kështu banorë të përhershëm, të
cilëve  pushteti i kohës u ka imponuar
sllavizimin e mbiemrave të tyre.
Ky
vendbanim, ku gërshetohen bukuritë natyrore me trashëgiminë kulturore,
materiale dhe shpirtërore dhe detin e ke në pëllëmbë të dorës, është i njohur,
sipas  vendasve,  me afro 15 burime  të ujit,  
të cilat nuk janë shfrytëzuar  e
as hulumtuar si duhet. Nga këto burime, përgjatë përroskës së Braticës kanë
punuar po aq mullinj uji.  Burimi kryesor
ka qenë në  vendin e quajtur  “ Meshkallë” ( Më shkallet). Prej këtu e deri
në afërsi të  mureve të një shtëpie  të një pashe 
te Qyteti i Vjetër (Kalaja e Ulqinit), 
pohojnë vendasit,  ka filluar
ndërtimi i ujësjellësit  të parë në
Komunën e Ulqinit  në periudhën  e Perandorisë Turke. Tubacionet e ujit kanë
qenë të punuara nga balta e pjekur. Ndërkaq, nga viti 1950 nga ky burim është
punuar ujësjellësi i Ulqinit . Sipas kallëzimit të banorëve të vjetër të
fshatit  ky burim ka pasur shtypje shumë
të lartë, saqë  nga vërshimi i ka
rrezikuar disa familje, të cilat për ta frenuar 
( zvogëluar) atë  e kanë mbushur
me shtëllunga leshi.
Në
këtë vendbanim ka objekte kulturore e historike.  Shkolla atje, siç pohojnë vendasit,  është hapur për herë të parë rreth vitit 1880
dhe ka punuar në shtëpinë e Nikë Jankoviqit. Nuk kemi të dhëna për numrin e
nxënësve në atë kohë.  Mund të jetë që
shkolla ka punuar me ndërprerje. Me sa dimë 
shkolla e parë e rregullt në gjuhën malazeze në Salç hapet në vitin
shkollor 1941/42, kurse mësuesja e parë ka qenë 
kroatja Antonia Markoviq. Mësimi në gjuhën shqipe  zhvillohet deri në vitin 1945, kur   mbahet në gjuhën serbokroate dhe atëherë
ndërtohet objekti shkollor në qendër të fshatit.
Ky
fshat ka pasur famullin e vet të pavarur 
dhe dy kisha.  Kishën  e 
vjetër  të Shën Pjetrit dhe Shën
Palit e ndërtuar  dhe e shuguruar, sipas
dokumenteve kishtare,  gjatë vitit 1841,
e zmadhuar gjatë vitit 1885,  e zbukuruar
me afreske të pikturuara nga piktori i mirënjohur shkodran Kolë Idromeno.  Në këtë kishë 
katër muaj ka shërbyer  edhe
famullitari nga Trieshi, prifti i parë në Malësi, Patër Andrea (Patër Luli
Gjurashaj), në vitin 1912. Nga regjistrat e patër Andresë dhe shkresat (
shënimet) e pasardhësve të tij Patër 
Eustahi Tartaglia, ndër të tjera, figuron se në Kishën e Salçit bë vitin
1910 ka pagëzuar  At Zef-Leonard Tagajn,
fratin e Traboinit të Hotit, i cili  u
vra barbarisht nga ushtarët serbo-malazez më 19 shkurt 1945, në Lugje të
thella, në kufi të Hotit e Grudës. 
Pas  patër Andreut, gjysmë
shekulli më vonë,  në kishën e Salçit ka
shërbyer  edhe Arqipeshkvi i
Tiranë-Durrësit,  Imzot Rrok Mirëdita.
Përveç kësaj,  gjithnjë sipas  burime kishtare, në këtë  lokalitet ndodhet edhe kisha e  vogël, por e bukur  e  Shën
Gjon Pagëzuesit në Sajmir ( Sojmir) e ndërtuar gjatë vitit 1889.
Siç
tregojnë dokumentet kishtare nuk duhet 
harruar    Patër Jak Salçin i   cili si famullitar  i Salçit 
e hapi shkollën e parë në gjuhën shqipe në rrethin e Ulqinit.  Mësimi  
në gjuhën shqipe gjatë  periudhës
së  Austrisë (1915 deri në vitin 1917)  është zhvilluar në qelë, përkatësisht në
shtëpinë e  famullisë në  Salç. Mësues 
në  gjuhës shqipe  që dihet ishte Patër Jak Luka( Lukiq).
Në
këtë fshat tashmë takon vetëm gërmadhat e kishave dhe të shtëpive të dikurshme,
të cilat duken  se nga viti në vit bëhen
një me tokën.  Edhe pse ekziston në
hartën e lokaliteteve të Ulqinit mund të thuhet se  ky vendbanim është “shuar” plotësisht,
pavarësisht pozitës së mirë gjeografike dhe mundësive të mëdha për zhvillimin e
blegtorisë, bujqësisë dhe  në veçanti turizmit
malor.  Atje tani kanë mbetur vetëm
kujtimet  se  në këtë fshat jo shumë kaherë ka pas jetë e
gjallëri. Natyrisht se për ringjalljen e jetës këtu  edhe institucionet duhet të kenë përkujdesje
maksimale.


Fotot: Gazmend Çitaku

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










