Udhëpërshkrim
Agron Xhagolli: Veprimtari në vazhdimësi
E diele, 31.10.2021, 06:54 PM
Pjesëmarrësit e Konferencë shkencore “Zejtaria dhe tregtia në Luginë të Preshevës dhe në viset shqiptare”
VEPRIMTARI NË VAZHDIMËSI
Shkruan:
Prof. Dr. Agron XHAGOLLI
Shoqata
për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë e ka bërë tashmë një traditë
pozitive organizimin e veprimtarive shkencore, në fusha të ndryshme të
trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës dhe të viseve të tjera
shqiptare. Për më tepër, të gjitha këto veprimtari, nga kumtesa janë realizuar
si punime shkencore dhe janë përmbledhur në vëllime të veçanta studimore, gjë
që ia shton edhe më shumë vlerat kësaj nisme të mirëseardhur.
Kjo
praktikë e këtij viti u realizua edhe më 23 tetor 2021, kur u organizua
Konferenca Shkencore, që kishte marrë përsipër trajtimin e një teme me interes
të posaçëm, siç është “Zejtaria dhe tregtia në Luginë të Preshevës dhe në viset
shqiptare”. U paraqitën për të trajtuar, brenda kuadrit të temës bosht, 25
studiues, nga të cilët kumtuan 18 prej tyre. Mospjesëmarrja fizikisht në
veprimtari e shtatë studiuesve ka të bëjë me situata të ndryshme në të cilat
ata ndodhen, me kushtet e pandemisë. Por, siç u theksua në përfundim të
Konferencës, të gjitha punimet e zgjeruara janë të mirëpritura dhe do të
përfshihen në një vëllim të veçantë, që do të shohë dritën e botimit.
Konferenca
Shkencore i filloi punimet e veta në sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës.
Duhet thënë se në Konferencës u vu re një mungesë interesimi për pjesëmarrje,
si nga drejtuesit e pushtetit lokal, ashtu dhe nga banorë të Luginës së
Preshevës. Kjo ndofta ka të bëjë edhe me kushtet gjatë situatës së pandemisë
por, sidoqoftë, trajtimi i temave të kësaj natyre është e nevojëshme që të
përcillet nga sa më shumë të pranishëm.
Pamje
nga Konferenca shkencore dhe drejtuesit e séancës solemne
Punimet
u hapën nga kryetari i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore
Preshevë, z. Xhemaledin Salihu, i cili shpalosi edhe rrugën nëpër të cilën ka
ecur Shoqata. Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, veçanërisht studiuesit e
paraqitur me kumtesa, krahas sponsorëve, që bënë të mundur organizimin e kësaj
veprimtarie, siç ishin konkretisht Këshilli Komunal i komunës së Preshevës; z.
Qenan Haxhi Vlora Hamdiu, nga Kumanova; z. Skënder Rexhepi, nga Rainca e
Preshevës.
Kryetari
i Shoqatës për Trashëgimi ndan një
Dhuratë- Falënderimi për donatorin kryesor, Z.Qenan Haxhi Vlora Hamdiun
Pastaj
u kalua në mbajtjen e kumtesave të përgatitura. Kumtesat më të shumta
numerikisht i kushtoheshin zejtarisë dhe në një numër të kufizuar apo të
lidhura dhe me zejtarinë, ishin kumtesat për tregëtinë. Kumtesat, fryt i
kërkimeve në terren dhe shfrytëzimit të literaturës shkencore, sollën dëshmi të
ndryshme rreth pranisë, zhvillimit dhe pasurimit të zejtarisë, por edhe të
tregëtisë, jo vetëm në Luginën e Preshevës, por dhe në treva të tjera
shqiptare, përgjithësisht më të afërta me të. Dhe duhet thënë se ngado vihet re
një histori praktikimi dhe zhvillimi mjaft e pasur, e cila u dëshmua që nga
fillimet e shekullit XVI, për t’u pasuruar në informacione dhe dëshmi konkrete
për gjatë shekujve XIX dhe XX dhe deri në ditët tona.
Përcjellja
e kumtesave të mbajtura të shtyn që të arrish në disa përfundime vlerësuese
rreth veprimtarisë së mbajtur në Preshevë, midis të cilave theksoj:
Fillimisht
do të vlerësoja përzgjedhjen e gjetur të temës bosht të Konferencës Shkencore.
Duhet thënë se rreth kësaj teme nuk ka pasur në përgjithësi shqyrtime që do e
trajtonin këtë problematikë në përmasa mjaft të gjera, të shtrira në tematikë
dhe në gjerësinë e parashtrimeve. Ndaj e shoh si një meritë kryesore të
organizatorit të veprimtarisë, që ka ditur të përzgjedhë dhe t’i japë
vëmmendjen e merituar një teme të tillë kaq të rëndësishme.
Drejtuesit
e seancës së parë
Pastaj
do të vlerësoja shumë pozitivisht faktin se pjesëmarrësit në Konferencë ishin
të mirëseardhur nga pothujase të gjitha viset shqiptare, duke përfaqësuar jo
vetëm studiues nga Lugina e Preshevës, por dhe nga Republika e Shqipërisë,
Republika e Kosovës, nga Maqedonia e Veriut. Kjo pjesëmarrje, në tërësinë e
saj, sillte shqyrtime mjaft të shtrira në hapësirat shqiptare, duke na dhënë
një tablo me karakter më të përgjithshëm.
Me
shumë interes ishte dhe fakti se, krahas studiuesve me më shumë përvojë, në
Konferencë morën pjesë dhe u paraqitën përgjithësisht me trajtesa të arrira
mjaft studiues të rinj. Kishte prej tyre edhe nga ata që merrnin pjesë për herë
të parë në një veprimtari shkencore të këtij niveli, por që kumtuan bindshëm
dhe me dinjitet.
Drejtuesit
e séances së dytë dhe studiuesja e re për herë të parë
Së
fundi, lidhur me notat vlerësuese të Konferencës Shkencore të mbajtur në
Preshevë, sidomos pas botimit të vëllimit studimor që do të përfshijë të gjitha
kumtesat e zgjeruara, të kthyera në punime të mirëfillta shkencore, do të mund
të shërbejn edhe si një tërheqje të vëmendjes së studiuesve të tjerë shqiptarë
për t’i marrë edhe me këtë tematikë bosht të Konferencës së Preshëvës.
Përfituese do të jetë vetëm kultura popullore shqiptare, për një thellim të
kërkimeve burimore dhe dokumentare që do e zgjerojnë qerthullin e shtruar.
Vlerësime
si këto që theksova më lart krijojnë bindjen se Shoqata për Trashëgimi dhe
Krijimtari Kulturore Preshevë është në rrugë të mbarë dhe ka mundësi që ta
thellojë edhe më shumë ndihmesën e saj në regjistrimin, dokumentimin dhe
analizën, studimin e problematikave të veçanta, por edhe më të përgjithëshme,
që ngërthehen në realitetet shqiptare, në fusha të ndryshme të trashëgimisë
kulturore shqiptare.
Duke
u rikthyer edhe një herë te Konferenca Shkencore e organizuar në Preshevë, mund
të shprehem lirisht se veprimtari të tilla janë të kufizuara dhe mjaft
sporadike në hapësirat e ndryshme shqiptare. Është e nevojëshme që shëmbulli i
kësaj Shoqate, me një drejtues të palodhur dhe ngulmues, një studiues pasionant
dhe të përkushtuar për çdo aspekt të etnokulturës së Luginës së Preshevës, siç
është kryetari i saj, z. Xhemaledin Salihu, të ndiqet, jo vetëm nga shoqata
analoge, por dhe nga institucione shkencore shtetërore, kudo që ato ekzistojnë
ndër shtetet shqiptare.
Gjithë kjo trashëgimi e pasur, e ruajtur dhe e përcjellë, në një farë mase, deri në ditët tona, jo vetëm që dëshmon traditat shqiptare në këta dy përbërës etnokulkturorë, zanate dhe tregëti, por shërben edhe si një thirrje për një rijetëzim të tyre, edhe si veçori karakteristike dhe identifikuese të popullit shqiptar.
Në
përfundim të kësaj parashtrese do të thosha se gjithëshka e realizuar deri më
sot nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë të krijon
bindjen e plotë se ajo nuk do e ndërpresë punën e saj në aspekte të ndryshme të
trashgimisë kulturore shqiptare, kryesisht në Luginën e Preshevës, duke shënuar
veprimtari të tjera shkencore në vazhdimësi. Janë të mirëseardhura!
Tiranë, më 28 tetor, 2021