Udhëpërshkrim
Ndue Dedaj: Burreli, njëqind vjet qytet
E premte, 03.06.2022, 06:11 PM
BURRELI, NJËQIND VJET
QYTET
NGA
NDUE DEDAJ
U
ndodhëm në Burrel, në fillim të majit, në kremtimin e njëqindvjetorit të tij si
qytet. Në vitin 1922 qendra e Nënprefekturës së Matit nuk do të ishte më Lisi,
por do të zhvendosej në Burrel, asokohe një fshat me 61 shtëpi, që hap pas hapi
do të merrte pamje urbane. Shekullin e tij administrativ, Bashkia e Matit do ta
festonte me banorë të ardhur nga i gjithë rrethi dhe plot miq të ftuar,
akademikë nga Tirana, kryebashkiakë fqinje, ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit,
imzot Gjergj Meta etj. Kryetari i Bashkisë Agron Malaj, krahas mirëseardhjes, u
foli të pranishmëve rreth hapave të ndërmarrë në përmirësimin e infrastrukturës
rrugore të fshatrave dhe zhvillimin e turizmit me përparësi, çka e tregonte më
së miri vetë qyteti i shndërruar atë ditë në një panair agroturizmi dhe
agrobiznesi, me produkte të shumta ushqimore e artizane, sjellë nga Ulëza,
Bazi, Derjani, Rukaj, Macukulli, Komsia, Lisi, Klosi, Xibri, Gurra, Kurdaria,
Suçi etj. “Mirë se vini në Mat!” ishte jo vetëm ftesa e një dite, por e të
gjitha ditëve e stinëve drejtuar turistëve, mbasi Mati është një rezervat
vlerash muzeore të kulturës materiale dhe shpirtërore, në të gjithë arealin e
tij.
Festa
ishte organizuar bukur, me të gjitha të mirat, si i thonë, ku të ftuarit u
sajdisën me giuda të ndryshme shqip e anglisht dhe me një medalion ku shkruhej:
“Burreli, 100 vjet”. Qyteti ka ndërruar pamje vitet e fundit, ashtu si të
gjitha qytetet dhe qendrat e tjera urbane të Shqipërisë. Rikonstruksioni i
sheshit “Kastriotët”, para godinës së Bashkisë, me pllaka mermeri dhe gurë
vendi, me shëtitore dhe stola, në harmoni me parkun e gjelbëruar dimër-verë, i
ka dhënë qendrës së Burrelit një pamje moderne, ku veç banorëve, frekuentohet
dhe nga turistët që shkrepin aparatet dhe bëjnë video.
Dje
për të ardhur në Burrel e Dibër ishte vetëm “Rruga e Dritës”, që nisi të hapej
nga Shkopeti, në vitin 1952, duke zëvendësuar rrugën e vjetër që kalonte nga
Uraka e Perlati (që u rindërtua e asfaltua me 2009) e tash do të jetë dhe Rruga
e Arbërit. Matit po i rikthehen rrugët e vjetra, nëpër të cilat “lëvizi”
historia e tij qindra e mijëravjeçare. Akademik Neritan Ceka, njëri nga
kumtuesit në konferencën shkencore kushtuar njëqindvjetshit të Burrelit qytet,
foli për lashtësinë e Matit, që nis me shpellat e famshme të Blazit, Nezirit,
Këputës, tumat e Bazit, Bushkashit, Karicës, Klosit etj. Sipas tij, Mirdita dhe
Mati kanë dëshmuar një kulturë të zhvilluar ilire që nga shekulli VIII para
Krishtit, çka lidhet me shfrytëzimin e mineralit të bakrit, ku me rëndësi duhet
të ketë qenë sipas arkeologëve edhe qarkullimi i udhëtarëve e mallrave nëpër
luginën e Matit dhe Fandit. Duke u njohur me dëshmi të tilla, kupton se ky
rajon malor dhe ato fqinj me të, si Dibra, Mirdita, Martaneshi etj. nuk ishin
të izoluar, por ndërlidheshin me Durrësin, Tiranën, Shkupin etj.
Kemi
pasur rastin ta shëtisim Matin në disa zona dhe kemi parë se ai mbart një
pasuri të rrallë monumentale, me vizatime të lashta shkëmbore në “shpella të
shkrueme”, enë qeramike antike, përkrenare ilire, stoli grash, vegla pune, kalanë
ilire të Xibrit dhe ato mesjetare të Stelushit, Gurit të Bardhë, Bruçit etj.,
të lidhura ngushtë me emrin e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, sot objekte të
lakmuara nga turistët. Tregues të kulturës tregtare kanë qenë dhe pazaret e
vjetra të Klosit, Derjanit etj. Më Rrugën e Arbërit po iu dalin dhe më shumë në
pah vlerat historike urave të vjetra, si Ura e Vashës që tash mbi “supet” e saj
është ndërtuar një e re. Në Mat do të ishte e udhës të vije qoftë dhe për
“Formulën e Pagëzimit” (1462), që la gjurmën e parë të shqipes në këto kreshta
diellore, apo për poetin e parë shqiptar, ipeshkvin Pjetër Budi. Çdo pëllëmbë
toke matjane është e mbarsur me histori - Shtjefni, Dukagjini, Burgajeti,
Ceruja, Darsi etj., sa ç’janë rrënoja historike të shuara, aq janë dhe
atraksione turistike. Edhe një varr i vjetër në oborrin e kishës së Suçit është
dëshmi e kësaj pasurie.
Mati
vjen e shpaloset përmes folkut të tij të spikatur, veshjeve popullore të
zonave, valleve dhe këngëve matjane, zërit të papërsëritshëm të Feride Kurtit
dhe magjisë melodike të Ymer Nelit, lirikave të Basir Bushkashit, pikturave të
Tahir Tahirajt, kërkimit shkencor të pareshtur të Dilaver Kurtit, që “zgjaton”
deri tek i biri, Artani, i cili së fundi ka publikuar librin etnografik “Matja
në gur e në dru”, kushtuar kullave matjane, simbolikave, dekorimeve, traditave
dhe ritualeve të tyre. Burreli, qyteti i mollëve, ka shenjat e veta, ndër të
cilët sheshin “Kastriotët”, parkun e Nënës Mbretëreshë, gjimnazin, muzeun
historik, bibliotekën publike që mori emrin “Pjetër Budi”, gazetën “Mati”,
revistën “Emathia”, Mat Televizion etj. Një nga shenjat e djeshme të Burrelit
ka qenë dhe uzina e ferrokromit, qendra kryesore industriale e rrethit,
njëherësh ndërlidhëse me traditën e lashtë nxjerrëse dhe përpunuese të
mineraleve në këtë trevë. Nuk mund të mos përmendet dhe “Burgu i Burrelit”, ku
gjatë regjimit komunist u ngujua ajka e disidencës shqiptare, kujtesa e ndritur
e së cilës ende pikon dhimbje.
Natyra
e ka begatuar këtë territor me luginën e Matit, nga Ulëza e deri në Kryemat
(Klosi i Epërm), nga luginat më të bukurat shqiptare, me vargmale që e qarkojnë
si kurorë Matjen, nga “Mali i Skënderbeut” tek ai i Dejës, liqene si të
Balgjajt, gurra si ato të Gurit të Bardhë apo e Shutrrisë etj. Një visar
ekologjik e turistik shpresëdhënës. Fillime të mbara ka. Sot duhet ta
porosisësh një drekë peshku në Ulëz në fundjavë, apo një darkë me gatime
tradicionale në Burrel etj.
Mati
shtrihet dhe përtej territorit të vet gjeografik, përmes lumit - shndërruar në
liqen i dy prej hidrocentraleve të para të vendit, që i ka dhënë emrin dhe
fushës së Bregut të Matës.