Udhëpërshkrim
Ndue Dedaj: Thethi, turizëm në rritje
E hene, 25.07.2022, 08:23 PM
THETHI, TURIZËM NË
RRITJE
(Vazhdimi
i një reportazhi të para tre viteve)
NGA
NDUE DEDAJ
Shkuam
dhe këtë verë në Theth, si qindra e mijëra të tjerë, shqiptarë dhe të huaj,
sepse Thethi nuk është më i vetes, një fshat në Alpet Shqiptare që ka një lumë,
disa shtëpi alpine që tymojnë pareshtur, një kishë, një shkollë, burra dhe gra
që japin e marrin me gurin e malin për të nxjerrë bukën e tamlin prej tij,
pleqnarë, luftëtarë, shtegtarë, rapsodë dhe një kryeplak që ujdis punët e
fshatit. Jo, Thethi dhe kur nuk kishte mbërritur këtu, ishte një emër i
pashmangshëm, që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, kur tregtarët shkodranë
e “zbuluan” atë si vend çlodhës dhe nisën të hapnin rrugën e gjatë e të largët,
me tërmale, kthesa e teposhte sa askund tjetër, që pastaj e mori në dorë
qeveria - është publikuar kohët e fundit një foto e përurimit të saj më 1938
nga ministri i Ekonomisë i asaj kohe, Rrok Gera. Malësorët e këtyre malësive
ndihen krenarë për historinë e tyre që vjen dhe përmes këngëve të Nik Çarkut,
kënduar në “Sofrën e Dukagjinit” mes Nju Jorkut etj. Vlerat e trashëgimisë të
kësaj treve i kanë çmuar dhe dijetarë të huaj, si Robert Elsie, që e pati lënë
“amanet” ta kishte varrin në Theth, para të cilit ndalemi sa herë vijmë këtu.
Thethi
është një areal krejtësisht tjetër nga i dikurshmi, një qytezë alpine me rreth
90 bujtina e resorte turistike, ku në të tilla qenë kthyer së pari kullat e
banorëve. Teksa flasim për këtë shndërrim, Besiani kujtohet për njërin nga
arkitektët e zhvillimit të turizmit malor, Ismail Bekën, që përmes mbështejes
së GIZ-it zhvilloi nismat e para të kullave-bujtina për turizëm familjar në
Theth, Kelmend, Pukë, Valbonë, Dibër etj. Ai nuk rron më, por ka mbetur i
paharruar emri i tij si promovues i zhvillimit të vendit të vet. Kemi qenë dhe
para tre vitesh këtu dhe ndryshimi është i dukshëm, në njëfarë mënyre i
përditshëm. Rruga e asfaltuar nga Qafë-Thorja e ka bërë Thethin një “lagje” të
epërme të zonës urbane nga Kopliku në Shkodër. Rruga e ngushtë sipër humnerës,
që ishte makthi i udhëtarëve vendas dhe turistëve, është rikonstruktuar me
murembajtës, e qarkullueshme dhe në dimër.
Thethi
sot flet të gjitha gjuhët, pasi turistët e huaj janë dhe “banorët” më të shumtë
të tij. Është një qytezë alpine që punon katër-pesë muaj dhe pastaj zbrazet në
më të shumtën e kohës. Por nëse brenda “shtëpisë” çdo gjë po shkon në
përmirësim dita-ditës, pjesa e jashtme publike nuk ka ndonjë gjë pozitive për
t’u shënuar, as trotuare e kalldrëm në rrugët gjithë pluhur, as stola e parqe,
lumi i Shalës nuk ka ura të vogla druri për kalimin e turistëve dhe mbi të
gjitha ka shumë gardhiqe, që ndajnë bujtinat nga njëra-tjetra, arat dhe
livadhet e pronarëve të tokës. “Nuk bahet turizëm me gardhe”, na thotë Ndoci i
bujtinës “Buni i Shqipes”. Pak si e habitshme është se dhe kisha, në vend që të
ndikonte për heqjen e gardheve, krahas rikonstruksionit si godinë, është
rrethuar dhe vetë me gardh dhe për të hyrë në oborrin e saj duhet të ngjitesh
katër-pesë shkallë dërrase. Me gjasë për të mos livadhisur lopët e fshatit, çka
mund të ishte zgjidhur në një mënyrë tjetër. Edhe pse është shtuar kujdesi
mjedisor për pastërtinë, ende aty-këtu vëren papastërti. Kishte tërhequr
vëmendjen një turiste kosovare e martuar me
një amerikan që mblidhte mbeturinat dhe i hidhte në kosh, duke mbetur e
vetme në “nismën” e saj qytetare. Teksa shohim të shërbehen gatime të llojllojshme,
mendja na vete të kuzhina vendase, por ajo nuk ka shumë duk, jo se ka dhe
kuzhinierë të huaj që gatuajnë këtu, po se ende Thethi që po shndërrohet në
industri e turizmit malor nuk ka fermën dhe fermerët e vet. Mund të gjesh ujë
Dajti nëpër bujtina(?), por jo dhallë vendi, pasi tufat janë e s’janë. Dedë
Çobani, njëri nga blegtorët në zë, ka mbi 500 krerë dhi, dele e lope, çka është
për t’u përshëndetur, por sa e zbut kjo shifër bagëtish “urinë” e Thethit për
prodhime bio mishi dhe bulmeti? Ka dhe ndonjë tufë tjetër, ashtu siç thethianët
furnizohen me prodhime blegtorale e bujqësore dhe nga fshatrat e tjerë të
luginës së Shalës. Fjala është për më shumë agroturizëm, ndaj të vjen mirë kur
shesh se kanë filluar serat e para të perimeve. Është si kudo dhe problemi i
punëtorëve, thotë Lini e bujtinës “Zorgji”, nuk ka punëtorë për sezonin
turistik, aq më tepër t’i gjesh të trajnuar e shkolluar për turizmin. Turistët
bëjnë vërejtje për shërbimin e çmimet, ku siç thotë njëri nga bujtinarët “edhe
më i miri ndër ne nuk është aty ku duhet të jemi”, pra në standardin e kërkuar.
Ka dhe gjeste që nuk mund t’i harrosh: kishim ndaluar në oborrin e bujtinës
“Tinari”, vetëm për pak minuta dhe i zoti i saj, që as ia mësuam e as na i
mësoi emrat, na shërbeu kafe pa pranuar pagesën, siç ndodhte me shtegtarët që
mikpriteshin kahdo shkonin maleve tona.
Paçka
problematikave të natyrës “as fshat, as qytet”, turistët e kanë Thethin të
parin në axhendat e tyre, burra dhe gra, sidomos të rinj, nga vende të ndryshme
shtegtojnë për këtu me të gjithë llojet e mjeteve, nga motoçikleta,
fuoristradat, furgonat, makinat-bujtina që vendosën nëpër kampingje me ditë e
me net. Nuk kemi parë vetëm kuaj, që një ditë me siguri s’do të mungojnë as
ata. Turistët nuk pyesin për vështirësitë, ka plot të dhënë pas turizmit të
aventurës, si dy vajza çeke, Adela dhe Veronika, që kishin përshkuar këto ditë
një terren të thyer nga Thethi në Valbonë e deri në Pejë, shpesh duke ecur
nëpër dëborë këndej e andej Jezercës. Ti mund të habitesh se si ka dëborë në korrik,
por jemi në Alpe dhe siç thonë malësorët, bora e majave nuk hiqet pa rënë
tjetra, përndryshe, zë bora borën.
Thethi
në “gropë”, në ultësirën e lumit të Shalës, Ndërlysajt etj. ka një magji që nuk
e bjerr kurrë, një harmoni e përkryer e pyjeve të ahut e pishës, lumit gjithë
freski të Shalës me Bjeshkët e Namuna, që kësaj ane shfaqen kryekrejet me
masivin e malit të Radohinës, ndër malet shqiptare më të fotografuar. Një
madhështi shkëmbore si në mite e legjenda që të lë pa fjalë, le të jesh malësor
e bir malesh. Mbi kreshtat e saj ka qenë varur jetë e banorëve për shekuj,
kurse sot po krijohet një realitet krejtësisht i ndryshëm nga mbijetesa. Ama,
vërtet një atraksioni të tillë nuk i duhet humbur virgjëria dhe egërsia
natyrore, por jo sa të mos vësh dorë fare në rrugët, rrugëzat dhe mjediset e
tjera të brendshme të qytezës, duke e lënë atë të “egër” dhe në çka nuk duhet.
Fshat turistik nuk do të thotë të mos shihet asnjë metër asfalt aty ku të zë
frymën pluhuri dhe nuk ka një pëllëmbë shëtitore!? Mbase problemet e pronësisë,
mbase ato të keqplanifikimit, në Theth nuk ka mbërritur as “rilindja urbane”,
as “projekti i njëqind fshatrave” a diçka tjetër që t’ia kishte ndryshuar
pamjen.
Post
scriptum. Kur njeriu është në zemër të këtyre bjeshkëve zor se kujtohet se
çfarë axhende politike ka Tirana, në ditë të tilla të nxehta, me dyzet gradë,
ikën Presidenti i republikës dhe në vend të tij vjen tjetri, jo se nuk do t’ia
dijë për politikën si faktor zhvillimi, por ngaqë nuk beson fort tek aktorët e
saj të vjetër e të rinj...
Theth, 24 korrik 2022