E merkure, 13.11.2024, 07:35 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Ndue Dedaj: Ditë korriku në Theth

E shtune, 08.07.2023, 07:50 PM


DITË KORRIKU NË THETH

NGA NDUE DEDAJ

Fillimi i korrikut na priu drejt Thethit, për t’ia lënë pastaj stafetën Velipojës buzë detit. Shkodra i ka të gjitha përmasat e turizmit, nga rëra e plazhit te kreshtat alpine.

Turistët, para se të ndërmarrin rrugëtimin turistik të radhës, përpiqen të jenë sa më të informuar, aq më tepër kur shkojnë drejt Alpeve shqiptare. Ne do t’iu rekomandonim atyre që nisën për në Theth një artikull – guidë të profesor Selman Shemes për këtë vend turistik, ku nuk mungon asgjë nga ato që duhet të dish, që nga pozita gjeografike dhe objektet e rralla që duhen parë, si Shtegu i Dhenve, Ujëvara e Grunasit, Syri i Kaltër, shpatet e Radohinës ku buron Shala, kanionet dhe vaskat shkëmbore të Ndërlysajt, Kulla e Ngujimit në shkëmb të gjallë etj.

Ne që kemi ardhur herë pas here, vitet e fundit, nuk e kemi të vështirë të vëmë re se Thethi është një kantier pune si rrallëkund, që nga Qafë-Thorja, ku ndërtohet gjithandej dhe bëhen përpjekje të përditshme për përmirësimin e shërbimit ndaj turistëve. Njëri nga banorët, kur e pyesim se sa është numri i bujtinave, na përgjigjet: “shtëpi e bujtinë”, që do të thotë se çdo kullë e vjetër po kthehet në bujtinë turistike. Dikur në këto male ka qenë shprehja “shtëpi e çifteli”, apo “shtëpi e lahutë”, kurse tash shtëpia ka marrë një kuptim modern, si resort turistik, po ku ajo që nuk ndërron asnjëherë është mikpritja.

Ky bum ndërtimor në këto Alpe ka një të mirë të madhe, pasi tregon se njerëzit i janë rikthyer malësisë së tyre të braktisur në fillimet e tranzicionit, për ta kërkurar aty mirëqenien. Janë vendalinjtë që po e bëjnë Thethin me guxim dhe besim, dhe pse janë më së shumti të huajt ata që e shijojnë, duke kërkuar këtu magjinë e natyrës, ekzotikën, aventurën, ushqimin bio, etnografinë etj. Ka ndërtime, pse ka vërshim turistësh, çdo vit më shumë se vitin paraardhës. Gjini, 63-vjeçar, njëri nga banorët, që ka në pronësi të familjes prej 14 vitesh bujtinën “Prrockaj”, për të cilën qe përdorur ish – kulla e vjetër, e tash po ndërton pranë saj dhe “Vila Golden”, thotë se ka pesë djem e një vajzë dhe se deshi t’i tërhiqte nga emigrimi tre nga djemtë, pa u shkëptur as vetë nga puna në blegtori. “Lum rinia për këtë jetë që ka ardhë, me punue në vendin e vet”, thotë Gjini dhe ti i beson fjalët e tij më shumë se të disa politikanëve, që shpesh u thonë shqiptarëve “në dash rrini, në dash ikni, për një jetë më të mirë”. Kjo nuk do të thotë se djemtë e tij nuk do të punojnë edhe jashtë vendit, ama përparësi tash kanë vendlindjen. Shkurt, një familje për t’u marrë shembull në punët e turizmit familjar dhe agroturizmit, traditë e re në këto anë, edhe pse turizmi në Theth i ka fillimet në vitet ’30 të shekullit XX, ku vinin nga Shkodra njerëz të shtresës së lartë, mjekë, tregtarë etj. Kurse në vitet e socializmit kampi i pushimit kishte një kapacitet prej 300 vendesh, që frekuentohej me 15 ditësh nga punëtorë dhe nxënës të dalluar.

“Shtëpi e bujtinë” do të thotë të mos pyesësh më se sa është numri i bujtinave në Theth, mjafton të dish se sa ka qenë numri i shtëpive këtu në vitet ’90, në të gjitha lagjet e fshatit, apo dhe më poshtë, në fshatrat përgjatë luginës së Shalës, që zbret deri në Koman. Por teksa sheh ndërtimet e reja, të duket se po “përparon” me shpejtësi edhe betoni, rrethimet me kangjella dhe gardhet, që i kanë ngushtuar jo pak rrugët e turistëve nëpër livadhe, sa ka vende që kur këmbëhen grupet e turistëve, duhet të ndalojë njëri sa të kalojë tjetri!? Kjo sigurisht shkon në dëm të të bërit turizëm, pasi turistët do të kërkojnë nesër të shkojnë aty ku nuk ua ngushtojnë udhët.

Askush nuk mund të thotë me siguri se si po ndërtohet sot në Theth? A ka një plan të zhvillimit urban atje? Dimë që kohë më parë ka shkuar policia bashkiake mbasi godinat kanë mbërritur në çatinë e katit të tretë dhe kanë vënë gjoba, por nuk dimë a i mbikëqyr ndonjë institucion shtetëror këto ndërtime, jo vetëm sa iu përket lejeve të ndërtimit, po dhe në aspektin arkitekturor e urban. Thënë ndryshe, a jemi në kohë ta projektojmë Thethin si një qytet alpin europian, apo kur të ketë mbaruar së ndërtuari, do të na shëmbëllehet me një si “Bathore” turistike pa bukuri dhe urbanistikë?…

Krahas kësaj, na duhet të themi se qeveria, Bashkia, organet pyjore, duke parë ecurinë turistike të Thethit janë ndërgjegjësuar për të bërë më shumë, kanë shtuar investimet, që nga ujësjellësi i ndërtuar vite me parë, rruga e asfaltuar nga Qafë Thorja, shtesa deri në Ndërlysaj, sistemimet urbane në qendër, një teleferik i ri në ndërtim, kujdesi ndaj zjarreve etj.

Thethianët përditë e më shumë po ia marrin dorën turizmit, deri te detajet. Turistët kanë kërkesa dhe kur ato mund të duken “luks”. 30 kuaj janë në dispozicion të turistëve, të cilët i duan ato kur shtegtojnë me plaçka nga Thethi për në Valbonë, Vermosh, Vuthaj, Bjeshkët e Namuna etj. “Me shkue në Valbonë nga këtu duhen katër orë dhe kali paguhet 50 euro. Aq më mirë po të kërkohen dy apo tre kuaj njëherësh, – thotë njëri nga banorët, – pasi atëherë vlera rritet”. “Duhet me i shoqnue turistët në vendet ma të bukura”, shton ai duke përmendur emra malesh që i kemi mësuar në orët e gjeografisë apo reportazhet televizive për këto anë. Inxhinieri i njohur Gjon Fierza, publicist dhe veprimtar i pyjeve dhe mjedisit në Tiranë, rritur me këto male në sy, na thotë se maja e Bigës së Shalës, me lartësi 2232 metra, është maja më e lartë në pjesën jugperëndinore të Alpeve, ajo ndanë tre lugina: të lumit të Shalës, të lumit të Kirit dhe të Përroit të Thatë, duke shtuar se këtë mal e pëmend dhe Gjergj Fishta në Lahutën e Malësisë, si një fole të mitologjisë shqiptare, me orë, zana e kulshedra dhe natyrisht malësorë si kreshnikët e motit.

Vizitojmë dhe këtë herë Kullën e Ngujimit. Hyjnë dhe dalin vizitorë të huaj. Sokol Koçeku i pret dhe përcjell ata me mirësi, duke iu shpjeguar se çfarë ka qenë kjo kullë e rrallë, i ndihmuar dhe nga një vajzë shkolle që përkthen në anglisht, një “zanat” që ngapak po e fitojnë thuajse të gjithë ata që merren me turizmin këtu. Mbi çatinë e kullës së pazakontë ulën një tufë pëllumbash. I bëjmë kullës një fotografi ashtu më përllumba përsipër, por nuk na vjen ta publikojmë, madje e fshijmë, jo për gjë, por pak ditë më parë diku në Dukagjin ka ndodhur një vrasje e dyfishtë, siç thuhet në gjuhën e kronikave të Policisë, janë vrarë babë e bir në pritë, teksa vinin nga Shkodra në fshatin e tyre. Dhe nuk është rasti i parë. Është e tepërt të themi se akte të tilla të rënda janë goditje për jetën sociale, po dhe për turizmin.

Pyesim nëse frekuentohet muzeu krahinor nga të huajtë dhe marrim një përgjigje që thuajse e dinim: “Shteti nuk tregon ndonjë kujdes për muzetë, as për muzeun tonë etnografik në Theth”. Kështu na kanë thënë dhe para katër vitesh, dhe para një viti. Turistët nuk kanë se ku t’i shohin objektet e trashëgimisë popullore të Dukagjinit, apo dhe ato të Nikaj-Mërturit, Kelmendit etj. Kanë filluar ta përmbushin disi këtë boshllëk privatët, duke ekspozuar në resortet e tyre sende të vjetra muzeore të malësive. Na kujtohen ndërkohë fjalët lakonike si sentencë filozofike të një banori nga Selca, që do të vinin në pozitë të vështirë institucionet shkencore akademike dhe jo vetëm ato: “Sa herë ndërrohen pushtetet, ndërrohen dhe ciceronët e muzeve!?” Lexojeni këtë frazë zotërinj të politikës parlamentare dhe mundësisht jepuani një përgjigje malësorëve të këtyre anëve, që kanë vizituar dhe muze të tjerë të vendit, duke filluar nga Muzeu Kombëtar, aty ku dhe ka kuptim fjala ciceron…

Ka qenë urtësia dhe mendjemprehtësia e të parëve të tyre që pati bërë për vete dijetarë të shquar si Edit’h Durham, Franc Nopça e deri të Robert Elsie. Me një lehtësi të çuditshme ata të shpien sa në epokën e gurit, kur këputin një gjethe kumbulle, e vënë në buzë dhe krijojnë me të melodi, kur ia marrin këngës majëkrahu si stërgjyshërit (këngë që i çuan dhe këtë herë në Gjirokastër), por dhe kur përformojnë si qytetarë të kohës së tyre, duke kënduar këngët e bukura të “Zâ Fest”, udhëhequr nga kantautori Vlashent Sata, që mund të quhet Festivali i Thethit. Alpet shqiptare që shquhen për traditën folklorike e që sot janë një zâ unik i turizmit ndërkufitar (Shqipëri – Kosovë – Mali i Zi), e kanë të nevojshëm një festival të tillë të muzikës qytetare, ku gërshetohen legjendat dhe magjia e natyrës së pabjerrë alpine.

Kush tha se bukuria i përket vetëm një stine? Thethi nuk është atraksion vetëm i verës, por dhe i dimrit, kur rruga shpesh nuk shihet për shkak të dëborës 2 – 3 metra e atëherë turizmi merr plotësisht trajtat e aventurës…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora