E hene, 24.06.2024, 02:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: 'Beteja' për shkrimtarin Ismail Kadare!

E hene, 12.06.2023, 09:23 PM


“BETEJA” PËR SHKRIMTARIN I. KADARE!

Fiqiri Resulaj në rrëfim të pa zakontë

Nga Kadri Tarelli

Mbase është e pabesueshme kjo ndodhi, aq më shumë kur rrëfehet si histori, por unë jam i shtrënguar ta besoj, sepse jam i bindur në veten time dhe në karakterin e mikut tim Fiqiri Resulaj, i cili nuk kishte asnjë lloj interesi të mburrej me shkrimtarin dhe poetin e mirënjohur Ismail Kadare. Ai thjesht e adhuronte penën dhe emrin e tij, madje falë kujtesës mahnitëse, të linte pa frymë, kur recitonte plot vargje nga poezitë e hedhura nëpër libra.

Në një bisedë të rastësishme, duke pirë kafe tek “Çollaku”, në Durrës, zakonisht ndodhte të dielave, dëgjova diçka të pa dëgjuar më parë. Shumë rrallë e lija të fliste për të “dashurën” e tij matematikën. I shmangesha me lezet. Ai ishte njohës i problemeve të kohës, por edhe ndodhive të “Vogla”, që i përjetonte shpirtërisht, sa herë që fliste për ato ngjarje të shkuara, lidhur me “Mbretëreshën e shkencave”. Më pëlqente ta ngacmoja kryesisht për letërsinë dhe krijuesit, sidomos për krijimet disi “të fshehta” për kohën e diktaturës. Ai dinte shume hollësi për secilin nga emrat që mund të përmendeshin. Lexonte dhe dëgjonte shumë.

Unë, siç ndodh në biseda të lira tavoline, me që po diskutohej përsëri çmimi “Nobel” për letërsi, zura po i tregoja një ngjarje të ndodhur para pak ditësh me një mikun tim G. Ç, ish mësues e drejtues shkollash, i diplomuar në letërsi, person shumë i kënduar në fushën e letrave shqipe, i cili shfaqi një mendim disi të papëlqyer për mua, pasi mungonte argumenti letrar, por një opinion që qarkullon kryesisht tek njerëzit e pa lexuar. - “Ismaili, është i ftohtë si njeri, mospërfillës, diku edhe si mendje madh. ………..” etj, etj. - Kështu më tha miku dhe kolegu im. Unë e kisha kundërshtuar me shaka, duke i thënë: - Ke të drejtë edhe mua nuk më pëlqen fare Kadare, pasi mban syze të trasha dhe flokët asnjëherë të shtruara, por si bar i pa kositur dhe i pa shtruar. - Ai e kuptoi ironinë dhe heshti, pasi nuk i lejohej, për njohjen që kishte, që të mbështetej në mbroçkulla të tilla.

Vura re se Fiqo, që po më ndiqte me kureshtje, uli kokën dhe më thotë: - Sa mirë që ruajte gjakftohtësinë, që e zgjidhe kështu, miku yt për të cilin po më flet, është edhe miku im. Kam shumë nderim për atë, pasi lexon shumë. Shpesh e kam takuar në bibliotekën e qytetit tonë. Siç thotë populli, “E vrave me pambuk”. Ndërsa unë kam një tjetër histori që e kujtoj me dhimbje, sepse mund të përfundonte keq, pasi nuk u përmbajta. As unë nuk e di si më erdhi, por tani jam i penduar që u acarova deri në atë shkallë, pasi sherri nuk zgjidh gjë, aq më shumë kur nuk ka një shkak madhor.

Ishte një rrëfim disi i çuditshëm, sidomos kur bëhet fjalë për një mësues.

- Isha në Kavajë dhe po përpiqesha të gjeja makinë. – Nisi rrëfimin mësues Fiqo.  - Si çdo hallexhi në atë buzë mbrëmje, i ngrita dorën një veture. Ndaloi te këmbët e mia, dhe më bënë shenjë, hajde. Ishin dy të rinj, (në krahasim me mua), krejtësisht të pa njohur. Sapo u futa, më thonë: jemi për në Tiranë, po qe se shkon në Durrës, në Plepa je mirë. Ende jetoja familjarisht në Shijak. Më vonë lëviza drejt Durrësit. Kështu, u thashë: më lini te “Varri i Ashikut”, (toponim në rrugën Plepa-Tiranë, e njohur si “Rruga e Ndroqit”), pasi më duhet të shkoj në Shijak. Për pak kohë udhëtuam në heshtje.

Më tej, siç ndodh rëndom, kur takohen njerëz të rinj, ata e nisën bisedën, duke më pyetur: - Ç’ mendim ke për Ismail Kadarenë, që nuk po i japin çmimin “Nobel”. - Si fillim më erdhi mirë që po më pyesnin për një problem, që besoj se e njihja mirë. Mendova se biseda po hynte në diskutim intelektualësh, por u gabova, pasi biseduesit e rastit ishin të pa lexuar, vetëm shprehnin copa opinionesh të hedhura e të mbledhura nëpër biseda të rëndomta, duke e sharë, si person që nuk e meriton çmimin. Durova gjatë, por e ndjeva se po më hipte gjaku në kokë, nga fjalori i pakontrolluar, duke i vendosur edhe faje politike, nga ato që kemi dëgjuar me shumicë e pa doganë.

U drejtohem: - Ore çuna! A kini lexuar ndonjë nga librat e Kadaresë? Sepse nuk po thoni asgjë për vlerat letrare. Besoj se kaq gjë e dini, se çmimi jepet për letërsi. U trondita kur më thanë:

- E ç’i duam vargjet e tij pa vlerë! As që marrim mundimin të lexojmë atë shkrimtar apo poet, që la vendin dhe iku në Francë.

- Po si mund të flisni kështu, kur nuk e njihni veprën e tij? – Ngula këmbë unë. Gjatë kësaj kohe “Plepat”, kishin kaluar pa u kuptuar. M’u duk sikur më shikuan me përçmim, sepse e zgjatën mendimin: - Zotërote ke mbetur me të vjetrën, pavarësisht vargjeve që na recitove.

Edhe pak metra dhe unë do të zbrisja, por i revoltuar u them prerë:

- Ndaloni more të pa gdhendur. U rroftë makina dhe kostumi që mbani veshur. Nuk u lejoj që të fyeni Kadarenë, që është krenaria e kombit, me të cilin ne mburremi para botës, dhe bota po na njeh nëpërmjet emrit të tij, ndërsa ju të mbytur në llumin e kafes, i bashkoheni korit të thashethemeve të rrugës. Ndaluan të trembur nga toni i ashpër i zërit tim. Hapa derën, zbrita dhe hoqa xhaketën. - Dilni nga makina, megjithëse jeni dy, do t’ua thyej turinjtë, që kur të flisni herë tjetër të mendoheni mirë! – U thashë në inat e sipër.

Isha i vendosur të përleshesha me ta. Një lloj çmendurie e pa kuptimtë. Më dridhej trupi nga nervat. Bënë mirë që u larguan me të shpejtë. Nuk e di si do të përfundonte “Beteja” ime për Kadarenë, por udhën deri në Shijak e bëra në këmbë, madje pa e ndjerë fare kohën dhe lodhjen. Ecja dhe sillja e përdridhja ato çaste inati, ku më turbullonte trishtimi: - Si është e mundur që njerëzit, pa ju dridhur qerpiku, mund ta ndëshkojnë tjetrin vetëm me opinion!?

Është hera e parë që po e rrëfej. - Shton disi i skuqur në fytyrë. -më shtyu biseda jote ta kujtoj. Nuk di në bëra mirë apo keq, por u përpoqa të mbroj bindjet e mia. Edhe tani dridhem kur e mendoj ato çaste. Ndoshta duhet të isha treguar më i përmbajtur. Njeriu qenka i çuditshëm, lajthit ndonjëherë!

Mbase edhe unë që po shkruaj këto pak fjalë, do të kisha heshtur, sikur të mos kujtohesha për këtë “ngjarje”, për ta vendosur në librin monografi, kushtuar mësuesit matematikan, Fiqiri Resulaj. Është pjesë së jetës së tij të pasur, tipar që zbukuron cilësitë njerëzore, si stoli e lakmuar nga të gjithë.

I tillë ishte miku ynë Fiqiri Resulaj, jashtë matematikës.

Kadri Tarelli

Qershor 2023.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora