Kulturë
Ndue Dedaj: t'i shërbesh botës, për ta bërë atë të bukur
E hene, 05.06.2023, 06:53 PM
T’I SHËRBESH BOTËS, PËR TA BËRË ATË TË BUKUR
NGA
NDUE DEDAJ
Thirrjen
për t’i shërbyer botës, të bukurës së saj, natyrës, mjedisit, ekologjisë,
njeriut dhe kafshave, zonja Marianne Graf, në librin e saj të ilustruar me
titull: “Së bashku në shërbim të botës sonë të bukur”, ua drejton fëmijëve,
sikur të mos ketë dhe aq besim tek të rriturit…
Disa
fjalë të thjeshta në dukje, por në thelb filozofike, në një kohë kur jo pak
individë mbrapshtarë “punojnë” për ta shëmtuar natyrën, për ta zvetënuar e
përvetësuar, për ta vënë në “tapinë” e tyre, duke ua grabitur njerëzve të
tjerë, në të vërtetë njerëzimit, që nuk është vetëm njeriu i sotëm, por dhe ai
nesërm, siç ka qenë dhe ai i mijëra vjetëve.
Ky
është kumti i këtij libri interesant, ku dy fëmijë të guximshëm, një djalë dhe
një vajzë, Makleji dhe Mara, fluturojnë mbi një shqiponjë mitologjike të
tjetërsueshme (që përmes një fantazie të begatë shndërrohet në:
shqiponjë-dragua, shqiponjë - dash, shqiponjë dykrerëshe, shqiponjë – ujk,
shqiponjë-dre, shqiponjë njëbrirëshe, shqiponjë-dhi, - njeri i egër flutures, -
buf, - dem, - ari), dhe i shpie dy fëmijët shpëtimtarë, gjithkund ku persona të
ndryshëm i bëjnë një të keqe natyrës, mjedisit, lumit, drurëve, livadheve,
kafshëve të pyllit etj.
Autorja
shkruan se Makleji dhe Mara “zbuluan se jetojnë në fshatin më të bukur dhe më
të mirë të botës” dhe që ta mbanin atë të pastër e të shëndetshëm, duhej të
kujdeseshin për gjithçka të tijën. Disa krijesa të vogla (nën)tokësore
mirëdashëse, Gulganat, i njoftojnë fëmijët për prapësitë që njerëz të
papërgjegjshëm bëjnë në pyll. Kaq duhet që ata të lënë punët e tyre dhe të
“fluturojnë” atje ku po bëhet një e keqe, le të tjemi publike.
Vepra e parë e tyre është të ndalojnë druvarët të presin pyllin me motosharra, hipur në kurrizin e një dragoi gjigand, që është gjithnjë ajo shqiponja e tjetërsueshme, ku jo rastësisht pylli do të quhej “Pylli i Dragoit”. Me shqiponjën e kthyer në dash, heroinën e ajrit, siç e quan autorja, ata shpëtojnë këlyshët e ariut, që iu dhimbësen njëlloj si kecat e dhisë së shtëpisë. Për të shpëtuar Lëndinën e Narçizit nga gomat e shfrenuara të fuoristradave, shqiponja bëhet me dy krerë. Rast pas rasti, nga shqiponja mitike e kudogjendshme dhe dy kalorësit e saj të vegjël ajrorë: “ndëshkohen” të tjerë keqbërës, si gjuetari që ngreh kurtha e çarqe për të zënë kafshë të egra, fshatari që torturon kalin e ngarkuar, personat nga fshati që dëmtojnë burimin e ujit duke lënë arat të thahen etj.
Këto
janë disa episode, nga dymbëdhjetë gjithësej që ka libri, që i zbulojnë
nxënësit vogëlushë pëmes interpretimit të tyre në shkollë.
Fletë
pas fletë, ne kuptojmë se duhet të bëjmë për fshatin apo qytetin tonë, atë që
bëjnë dy fëmijët e këtij libri të vlefshëm, pasi për ne vendlindja është më e
mira e botës.
Zonja
Graf, me këto tregime artistike në formë përrallash, si dhe rrëfenjat për orët
e maleve shqiptare, publikuar në rrjetet sociale etj., dëshmon dhe një anë që
nuk ia njihnim, talentin e saj në letërsi.
NDUE DEDAJ
Rrëshen, 5 qershor 2023