Kulturë
Sadik Bejko: Psalmi 137, Bogdani dhe temat biblike në poezinë shqipe
E enjte, 01.06.2023, 06:50 PM
PSALMI 137, BOGDANI DHE TEMAT BIBLIKE NË POEZINË SHQIPE
Nga
Sadik Bejko
1.
Kjo
sprovë, e nisur nga shënime të mbajtura mbi leximet e mia kohë pas kohe të
Psalmit 137, mori një drejtim tjetër nga reagimet që erdhën në shtyp me rastin
e botimit në Antologjinë e Rudolf Markut të poezisë së Bogdanit “Veshunë me
diell, mbathunë me hanë”.
Shkrimet
e shtypit që morën shkas nga botimi në një Antologji të sotme i një poezie gati
500-vjeçare, nga cilësimi i saj si kryevepër e poezisë shqipe, veç të tjerash,
mund të nxitnin vështrime mbi raportin, mbi pikëtakimet e shkrimtarëve, në këtë
rast mbi përkimet e poezisë shqipe, me tema, subjekte, vizione të mitologjisë
biblike, të mitologjisë së ardhur nga burimet judeo-kristiane ose edhe më
gjerë.
Por
nuk ndodhi kështu.
Disa
nga reagimet mbi botimin e kësaj poezie gati 500-vjeçare të Pjetër Bogdanit
ishin tepër lënduese. Pse ndodh sot kjo?
Ne
vijmë nga epoka e komunizmit, nga një kohë kur letërsia e vendit apo dhe ajo e
huaj, në shpërndarjen e saj në letër të shkruar, të shtypur, në përkthimin,
studimin, në botimin në gazeta a në botime të nivelit akademik, në gjithëçka,
ishte monopol shtetëror. Pa lejen e shtetit nuk publikohej asgjë. Redaktorët në
shtyp ishin dhe censorë, ndonëse të pashpallur si të tillë.
Pa
dhënë shumë shpjegime, po shënoj se ne studentët e atëhershëm të letërsisë nuk
e dinim që disa nga profesorët tanë, profesorë titullarë të letërsisë shqipe
apo të asaj botërore, ishin njëherësh
dhe ekspertë letrarë të Sigurimit të Shtetit, madje disa nga shefat e katedrave
a të departamentit të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës ishin
njëherëshdhe graduatë të lartë të Sigurimit të Shtetit. Kjo tashmë është e
dokumentuar.
Nga
këto ditët e sotme, nga kjo kohë e lirisë, ne po gjykojmë një letërsi që u
studiua në paliri, në panjohje. Mbase nga kjo situatë letrare reagimet e sotme
mund të jenë lënduese.
Më
bëri përshtypje në mënyrë të veçantë kërcitja përpjetë, si të futësh duart në
zjarr e disa prej reaguesve të sotëm. Ishin të revoltuar ndaj Bogdanit. Gati sa
nuk e akuzonin se ai nuk paska bërë poezi. Paska cituar paturpësisht një pasazh
nga një tekst biblik i njohur, e ka vënë në rima dhe na e paraqet si krjim të
tij.
I
ndieri Bogdani mbase nuk e kishte marrë me mend se mbas një gjysmë mijëvjeçari,
stërnipërit do ta akuzonin si plagjiat.
Kjo
ishte e tepërt. Më çonte në ato kohë kur të bëje letërsi, të gjykoje mbi libra,
të studioje letërsinë, ishte monopol i shtetit. Kishte autorë të trashëgimisë
që ishin të përjashtuar si të padenjë për kohën. Duhet të të zgjidhte shteti në
ishe apo nuk ishe i denjë për t’u studiuar, për t’u publikuar… “për masat”, për
lexuesin e gjerë të komunitetit të quajtur punonjës i atdheut socialist. E
natyrisht Bogdani si klerik, madje si peshkop, klerik i hiearkisë së lartë
ishte i ndaluar, i anatemuar… nga ajo kohë.
Por
si duket, edhe për sot qenka sakrilegj guximi krijues i një shkrimtari gati
mesjetar, citimi prej tij gati fjalë për fjalë i një teksti biblik, shndërrimi
i këtij teksti në poezi. Ky sakrilegj, të vjelësh lëndën biblike si pemët në
kopështin tënd, vjen nga guximi, nga trilli vetëm i atij, apo ka ndodhur dhe me
autorë të tjerë përpara dhe pas tij? Nëse ky ravgim i poetëve në territoret
biblike ka ndohur, është i njohur, pse u deshën mbi 500 vjet që Bogdanit t’i
vënë gishtin si plagjiat?
Mos
ende vazhdon për inerci monopoli shtetëror mbi publikimin e autorëve dikur të
ndaluar për masat… për masat punonjëse shumëmilionëshe?
Dhe
në e përjashtojmë variantin e monopolit shtetëror mbi gjykimin e shkrimtarëve,
gjithësesi mbetet diçka që duhet sqaruar. Pse së paku, ishte irritues botimi i
poezisë së Bogdanit, gjykimi i saj si një kryevepër, vënia e një vargu të saj
në titullin e një antologjie?
Më
poshtë do të them diçka tërthoraz, jo drejtpërdrejt, si apologjet i Bogdanit, i
letërsisë me motive biblike.
2.
Vërtet,
ne vijmë nga komunizmi, por si studentë të letërsisë në Universitetin e
Tiranës, nuk na ishin ndaluar as Danteja, as Gëteja, as Hygoi. As letërsia
klasike greko-romake me Homerin, Eskilin, Virgjilin. Letërsi që në moraltetin e
vet ishte thellësisht fetare dhe kur nuk referohej drejtpërdrejt në tema a në
mite religjonesh. E dinim që shkrimtarët si Hygoi, Tolstoi, Dostojevski
përfshinin në romanet e tyre ide, koncepsione themelore të kristianizmit.
“Zytrarisht”, pranonim artin, mjeshtërinë e tyre të cilësuar artistike, por
mohonim kristianizmin e tyre, i quanim ”kufizime ideore” referimet e tyre te
profetët, te mësimet bibike.
Çajupi
ynë në poezinë “Zolejka” sjell një fragment nga historia e njërit prej
personazheve më të njohur biblikë, të Jozefit/ Josifit, birit të Abrahamit të
shitur si skllav në Egjipt. Çajupi e ka trajtuar lëndën biblike si në një
baladë, pa asnjë nëntekst fetar.
Në
ciklin me poezi të quajtura biblike të Fan Nolit, në poezi, si: Shën Pjetri mbi
mangall, Moisiu në mal, Kirenari, Marshi i Barabait vijnë figura të spikatura
të literaturës judeo-kristiane. Në leksionet kohës së komunizmit për sfondin
historik të këtyre poezive të Nolit jepeshin shpjegime të përcipta. Kishte
raste kur as vetë profesorët ngjarje të tilla, si historia ungjillore e
Krishtit dhe e pasuesve të tij, nuk i njihnin. Fjalën “Galile” të një poezie të
Nolit, fjalë që emërtonte një krahinë hebraike, një studiues i kohës e
shpjegonte me emrin e Galileo Galileit, astronomit e filozofit italian.
Domosdo, pa njohje krijohej konfuzion. Pa njohur historinë biblike, pa njohur
kontekstin, sfondin e këtyre ngjarjeve të lashtësisë, interpretimin, kumtin që
kishte dhënë Noli nëpërmjet këtyre subjekteve, do ta merrje në mënyrë të
cunguar.
Për
atë që donte të dinte ca më shumë, duhet të gjente literaturën e nevojshme
biblike… por një literaturë rreptësisht
e ndaluar.
3.
Po
vij atje tek doja të filloja, te Psalmi 137.
Psalmi
137 përmendej që në hyrjen e botimit të poezive të Fan Nolit “Mall dhe brengë”,
(1943), përgatitur prej Mitrush Kutelit.
Në
kohën e komunizmit nuk e gjeje sheshit këtë psalm, cili ishte ai?
P
S A L M I 137
Atje
pranë lumenjve të Babilonisë
rrinim
ulur dhe qanim duke kujtuar Sionin;
mbi
shelgjet e asaj toke kishim varur qestet tona.
Atje
ata që na kishin vënë në robëri,
na
kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin,
na
kërkonin këngë gëzimi, duke thënë:
“Na
këndoni një këngë të Sionit”.
Si,
si mund t’i këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?
Në
të harrofsha ty, o Jerusalem,
M’u
thaftë dora ime e djathtë për çdo mjeshtëri,
M’u
lidhtë gjuha pas qiellzës, nëse Jerusalemin nuk e vë
Përmbi
çdo gëzim timin, sado të madh.
Mbaji
ndër mend, o Zot, bijtë e Edomit: ditën e Jerusalemit
Ata
thërrisnin: “Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelet”.
O
bijë e Babilonisë që duhet të shkatërrohesh,
Lum
ai që do ta lajë të keqen që na kanë bërë!
Lum
ai që foshnjat e tua i merr dhe i përplas pas shkëmbit!
............
Psalmi
më lart quhet dhe “Baladë mërgimi” në përkthimin e Dom Simon Filipajt. Atë e
gjen në çdo përmbledhje të psalmeve biblike, të quajtura Psalme të Davidit.
Kristoforidhi është i pari që e ka sjellë në shqip përmbledhjen e plotë të
këtij koleksioni psalmesh, përkthyer në të dy dialektet. Tani përkthimi i K.
Kristoforidhit është ribotuar, i transkriptuar, i sjellë në alfabetin e sotëm
nga profesor Xhevat Lloshi. Veç të tjerash, përkthimi në gjuhët kombëtare i
këtyre psalmeve ka luajtur një rol të rëndësishëm në edukimin estetik me poezi
të lartë të shumë brezave njerëzorë në tërë botën.
I
nxjerrë nga librat poetikë të Biblës, botuar në libra laikë dhe në shtypin e
shkruar, Psalmi 137 mbase renditet ndër
psalmet më të famshme nga gjithë letërsia biblike. Në disa vende, në Itali e
gjetkë, ky Psalm përfshihet në një antologji të rreth 100 poezive më fatlume të
botës, të quajtura “poezi që kanë shpëtuar njerëzimin”.
Pa
pasur shumë informacion mbi publikimet apo për ndikimin e tij në literaturë,
Psalmin 137, pas viteve ‘90 e kam mësuar përmendësh.
Në
universitet kur mbaja leksione të lëndës “Histori e qytetërimeve”, në orët e
seminareve këtë Psalm e recitoja para studentëve të mi. Me miqtë e mi poetë,
kur binte fjala për poezi të bukura, e recitoja, pasi kishim kthyer nga një
gotë në kafenetë e varfëra të Tiranës (sigurisht… kafene të pasura me free
alcoohol).
Komentet
e para në kulturën shqiptare për psalmin 137 i ka sjellë Mitrush Kuteli. Kur ka
folur për poezinë “Anës lumenjve të Babilonisë” të Fan Nolit, ai i është
referuar drejtpërsëdrejti Biblës. Në një vend si ky i yni, me tradita dhe të
krishtera, dhe islame, në një kohë kur librat e shenjtë ndalohej t'i përmendje,
Mitrush Kuteli shpjegonte rrethanat krijuese të poezisë së Nolit, me referenca
të qarta nga bibla, nga Psalmi 137 dhe historia e shpërnguljes tragjike të
hebrenjve në Babiloni.
Noli
në poezinë “Anës lumenjve’ përmend çifte
lumenjsh si “anës Elbës anës Sprees”, “anës Rihnit anës Tunës” (si i dëbuar nga
Shqipëria, ai atëherë jetonte në Gjermani; përmend dhe Vjosën e Bunën, Semanin
dhe Drinin, si referim te lumenjtë Tigër dhe Eufrat të Mesopotamisë ku të shpie
lënda biblike e Psalmit 137.
Me
kohë, mësova se këtij Psalmi ia gjeje gjurmët dhe në shumë kryevepra botërore
të shkrimtarëve, të piktorëve dhe të muzikantëve.
Mendohet
se ka frymëzuar korin e skllevërve hebrenj 'Va, pensiero' te opera “Nabuko” e
Xhusepe Verdit.
Një
varg si “Buzë lumit Leman rrinim e qanim” e gjen te poema “Toka e shkretë” e
Tomas Eliotit.
“E
si mund të këndonim ne…”, një varg me frymëzim të drejtpërdrejtë nga Psalmi 137
e gjen te Salvatore Quasimodo në një
poezi për të vdekurit në sheshet e qyteteve italiane gjatë Luftës së Dytë
Botërore…
Mbase
këtij Psalmi i referohen dhe shumë vepra të tjera botërore, të cilat nuk i
njoh….
4.
Kjo
rrugë e frymëzimit nga konstrukte, tema, subjekte biblike është në vazhdën e
gjithë letërsisë botërore, përshkon gjithë historinë e saj.
Në
kryeveprën e Gëtes, “Fausti”, gjen lëndë mitologjke aq të pasur sa të duket
sikur do të hysh të gërrmosh në një minierë me lëndë mitologjike të përjetshme
e të pasosshme nga lashtësia klasike e deri te ajo biblike.
"Prologu
në qiell" që i prin tragjedisë "Faust" sjell vizionin e
pandërprerë të lëvizjes kozmike nëpër qiell, bazuar mbi harmoninë e rruzujve
qiellorë, një koncept Pitagorian. Mandej vjen basti i Zotit me Mefistofelin për
Faustin. Mefisto, shpirti i errësirës, vë bast që Faustin ta bëjë bir të
perandorisë së Ferrit. Zoti vë bast që Fausti është dhe do të mbetet besniku i
tij përjetë.
Një
bast të tillë të Zotit me Satanin e gjen që në rreshtat e para të librit biblik
të Jobit. Gëtja e ka rimarrë këtë pikëpyetje, pikëpamjen mbi njeriun: Njeriu
është bir i djallit a apo pjellë e bir i zotit. “Fausti” i Gëtes jep një
përgjigje për një pyetje kaq fundamentale. Edhe libri biblik i Jobit jep një
përgjigje tronditëse brenda logjikës religjoze të besimit pa kushte.
Tragjedinë
e Gëtes e lexojmë si tekst letrar. Referencat e tij nga filozofia e Pitagorës,
apo ato të rimarrjes nga Bibla të bastit të Zotit me Satanin, i lexojmë si
gjetje të bukura letrare në funksion të synimeve artistike të tragjedisë.
Bogdani
ynë duke marrë nga Apokalipsi i Gjonit imazhin aq të mrekullueshëm të Shën
Marisë me kurorën e yjeve ngjeshur në kokë, me diell veshun e mbathun me hanë,
me kërthiun Jezus në grykë në dorë, e ka shndërruar këtë vizion biblik në një
poezi të lartë. Poezi që mund të lexohet edhe e shkëputur nga parateksti
biblik. Bogdani madje e ka ndryshuar pak tekstin biblik, nga “me hënën nën
këmbë”… e ka shkruar “mbathunë me hanë”.
Këtë
poezi të Bogdanit … edhe nëse nuk e njohim burimin ku autori është mbështetur,
e lexojmë si tekst letrar dhe mahnitemi.
Ashtu
siç të mahnisin koncepsionet pitagoriane apo ato biblike te Gëtja…
Te
Gëtja, te shkrimtari gjerman që në kohë vjen mbi një shekull pas Bogdanit.
5.
Burimet
biblike nga Çajupi janë përdorur në një funksion tjetër. Çajupi hyn ndër ata
autorë që për herë të parë në letërsinë shqipe lëndën biblike e mori për ta
profanuar. Ai me konceptet e sotme ishte një çmitizues. Më lart solla poezinë
Zolejka, ku stigmatizohet gruaja e pabesë: gruaja që në vend të burrit të saj
zyrtar të lartë të shtetit të Egjiptit, pëlqen shërbetorin e ri dhe të fuqishëm
në shërbim të saj, skllavin Jozef \ Josifin. Muhamet Kuçuku dhe Hafiz Ali Korça
këtë histori të Jozefit biblik e sjellin në variantin mysliman, si Isufi e
Zelihaja. Ky subjekt vjen dhe në penën e poetit persian Firdusit, dhe në
romanin e kohëve moderne të Tomas Manit, “Jozefi dhe vëllezërit e tij”.
Në
Ungjillin sipas Mateut, përkthyer dhe nga Dom Simon Filipaj, në fragmentin
Mateu 18: 8,9, Jezu Krishtit u jep këto porosi besimtarëve: “nëse dora të çon
në mëkat, preje, hidhe...nëse syri të çon në mëkat, nxirre e flake tutje”.
Këto
thënie mos na kujtojnë Adhamudhin, personazhin e komedisë “Pas vdekjes” të
Çajupit? Doktor Adhamudhi thotë: në të dhemb njëri sy, kërreje të shpëtosh
tjetrin. Në të dhemb dora e djathtë, preje, të shpëtosh të majtën. Sigurisht,
Çajupi si autor me frymëzim satirik e përdor lëndën biblike në të kundërtën e
porosive religjoze, madje lë të kuptohet se ato porosi nuk duhet t’i marrim
seriozisht, mund dhe të tallemi me to. Të tallesh ashtu si me Adhamudhin, me
një mjek shalatan që gjymtimin e pacientit e rekomandon si shërim, ose që merr
pamjen groteske prej patrioti, si autor i një abetareje me shkronja latine për
t’u bërë qejfin të krishterëve, por me drejtimin e shkrimit në të kundërt, nga
e majta në të djathtë, që t’u bëjë qejfin myslimanëve.
Te
poema e tij mbetur në dorëshkrim “Baba Musa Lakuriq” Çajupi ndërmori një nga
veprimet më të guximshme në letrat shqipe. Është i pari autor shqiptar që
parodizoi lëndën biblike. Ngjarje, episode, profetë, personazhe biblike ai i
solli në një optikë groteske e satirike duke i pranëvënë dhe në kontekste me
veset e cenet e bashkëpatriotëve të tij.
6.
Ajo
që ka ndodhur me mua në njohjen e lëndës nga mitologjia judeo-kristiane, lëndë
ku ishte mbështetur letësia shqipe apo ajo botërore, është si të shohësh një
film mbrapsht, ta nisësh atë nga sekuencat e fundit.
Kur
lexova Psalmin 137, ai më kujtoi operan Nabuko të Verdit dhe koralen e famshme
të skllevërve. Gjithëçka shkonte si me kokë poshtë. Psalmi më ngjante sikur e
kisha lexuar më parë. E lexoja dhe më kujtonte Quasimodon (E si mund t’i
këndonim këngët e zotit në dhe të huaj?); më kujtonte (“Buzë lumit Leman
qanim") “Tokën e shkretë” të Tomas Eliotit.
Duhet
të kish ndodhur e kundërta. Të kisha njohur Psalmin në fillim, pastaj
krijimtarinë që ishte ndërtuar mbi motivet e tij.
Kur
lexova Librit biblik të Jobit, kështu më ndodhi. Ah, mendoja, një bast të tillë
të Zotit me Satanain e kam hasur më parë, e kam lexuar te Prologu në qiell i
tragjedisë “Faust” të Gëtes. Ndryshe mund të kish ndodhur: së pari ose
njëherësh mund t’i kisha lexuar dhe biblën dhe
tragjedinë “Faust”.
Thëniet
e Krishtit nga Mateu 18: 8,9, i njoha së pari të transformuara në gojën e
Adhamudhit prej Çajupit, jo nga leximet prej burimit, prej ungjillit.
Ky
ishte udhëtimi im ngjashëm me një kthim, një si udhëtim së prapi nëpër
historinë e letërsisë botërore. Si të shkosh nga e bija te e ëma. Se jo librat
biblikë ishte frymëzuar nga poetët e shkrimtarët, por e kundërta, shkrimtarët
kishin përfituar nga lënda biblike për të ndërtuar konstruktet e veprave të
tyre.
Por
unë vij nga komunizmi. Ndaj në
rrugë të kundërt, nga letërsia shkova te
lënda biblike. Profesorët tanë nuk na kishin thënë gjë për një dukuri të tillë.
Ata e fshihnin faktin që bibla kishte frymëzuar shkrimtarët e shquar.
Kur
ia recitoja Psalmin 137 mikut tim poetit Qazim Sh., ai më kënaqej, por
njëherësh shante nëpër dhembë Salvatore Quazimodon. Kujtonte vargjet e tij: “E
si mund të këndonim ne?\ Të vdekurit tanë në sheshet e qyteteve.\ Në shelgje
ishin varur kitarat tona…” … Quasimodo e paska vjedhur poezinë, më thoshte
Jo,
i thosha, po ta marrësh kështu, do gjesh shumë vjedhës në emrat e poetëve të
botës. Këto referime biblike ose dhe referimet te temat e subjektet e autorëve
të hershëm e bëjnë letërsinë shprehëse të një qytetërimi të përbashkët, e bëjnë
atë një lëndë universale të jetës, të historisë sonë si njerëz në këtë botë. Ka
ngjarje, personazhe situata arketipale që përsëriten e përsëriten. Letërsia e
mëpasshme domosdo referohet tek të parët e saj.
Por
poeti Qazim. Sh. e kishte gati batutën: mos na helmatizo me teorira, si bënin
profesorët tanë dikur.
Ky
dialog me poetin Qazim Sh, më kujtoi disa nga shkrimet që u shkruan kohët e
fundit mbi poezinë e famëshme të Bogdanit :Veshunë me diell, mbathunë me hanë.”
Gati sa nuk thoshin që Bogdani është një plagjiat, ka vjelë deri fjalë për
fjalë një fragment nga Apokalipsi i Shën Gjonit… siç kanë bërë pas tij Gëtja,
Savatore Quasimodo, Tomas Elioti etj etj.
Tiranë, maj, 2023