Kulturë
Anton Nikë Berisha: Fjala poetike si dëshmi nderimi dhe dashurie
E enjte, 25.05.2023, 06:55 PM
FJALA POETIKE SI DËSHMI NDERIMI DHE DASHURIE
(Për librin me poezi të zgjedhura për Agim
Ramadanin, FRYMËSI AMSHIMI, botuar kohë më parë ( prill, 2023 ) nga SHB "Beqir Musliu")
“Çdo ndërtese i vihen
themelet në dhé.
Edhe në vorr,prandaj në
hijshëm duhet
të jemi gurët e themelit
të njasaj binaje
të cilën sot e quejmë
Shqipní”.
Atë Anton Harapi
NGA
ANTON NIKË BERISHA
Poetët,
siç ka ndodhur dhe me prozatorët dhe dramaturgët, në krijesat e tyre letrare i
kanë përjetësuar veprimet dhe bëmat që kanë hequr peshë në gjallimin e një
populli; i kanë përjetësuar ngjarjet, ngadhënjimet, por dhe fatkeqësitë;
personat që janë lidhur me ato ngjarje e veprime dhe flijimi i të cilëve ka
qenë i qenësishëm. Kjo dukuri ka zënë fill qysh në kohë të lashta, kur veprat
letrare poetike kanë lindur dhe janë përcjellë vetëm gojarisht, prej një
individi te tjetri, prej një brezi në tjetrin. Janë raste të panumërta në
letërsitë e ndryshme gojore, ku përligjet kjo dukuri dhe ky veprim.
Kjo
ka ndodhur dhe në letërsinë tonë shqipe: këngë, kallëzime, anekdota etj., i
kanë bërë të pavdekshëm ngjarjet dhe figurat e ndryshme gjatë historisë së
popullit tonë.
Ngjashëm
ka ndodhur dhe me veprat e letërsisë sonë të shkruar. Janë një varg krijime
llojesh të ndryshme letrare: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, që u
janë kushtuar ngjarjeve dhe individëve, duke filluar nga veprat e para që i
njeh letërsia jonë.
Kjo
trashëgimi shumëfish e rëndësishme është përcjellë nga një brez në tjetrin dhe
si e tillë u bë pjesë e jetesës së popullit dhe e ndërgjegjes kombëtare.
Nuk
duhet shumë mund për ta konkretizuar këtë dukuri të trashëguar e të pasuruar
nëpër rrjedhë të qindvjetshave. Po përmend këtu, fjala vjen, atë që thuhet në
librin e parë të botuar në gjuhën tonë të njohur deri më sot – “Mesharin” e
Gjon Bdek Buzukut, të botuar më 1555 . Në psalmet që i kishte hartuar vetë
Buzuku, që janë poezitë e para të botuara në gjuhën tonë , ai shkruan se ato ua
kushtonte Hyjit dhe njerëzve të gjuhës e të gjakut të tij: e për gjithë
njerëzit të m? ? gjakut sim . Ngjashëm vepruan dhe dy shkrimtarët, pasardhës të
Buzukut, Pjetër Budi dhe Pjetër Bogdani. I pari shkruan se veprat, brenda tyre
dhe poezitë që i kishte hartuar dhe i botonte në veprat “Doktrina e krishterë”
(1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali roman” (1621), ua
kushtonte njerëzve të botës së tij (priftërinjve dhe besimtarëve të Arbënit),
në mënyrë që t’i shfrytëzojnë dhe t’i bëjnë të vetat: Nd’ Arbënë me ua dërguom,
/ Për kishë e për munësht?r / Pak ndë
mend me i trazuom . Për të njëjtin qëllim edhe Pjetër Bogdani e shkroi veprën
“Çeta e profetëve” (1685); kur do ta sjellë atë në atdhe, në Arbëri (meqenëse
libri ishte botuar në Itali), do të jetë një qiri për ta ndriçuar atdheun e tij
të varfër: “[...] ashtu qi kur të kthenje prej dheut sinë të keshe nji qirí
ndezunë ndorë, për të ndritunë atë të vobek dh? t’ Arbënit e të Shërbísë, i
silli e madhe pjesë flet arbënisht [...] ”.
Këtë
traditë e përligjin dhe krijimet e shumta letrare që i janë kushtuar Gjergj
Kastriotit – Skënderbeut, pastaj shkrimtarëve Naim Frashrit e Gjergj Fishtës,
shenjtëreshës, Nënës Tereze, për të mos i përmendur të tjerët.
Brenda
kësaj trashëgimie të çmuar, bëjnë pjesë dhe poezitë që i kushtohen heroit të
kombit, Agim Ramadanit (1966 – 1999). Ky udhëheqës ushtarak ishte njëri ndër
hartuesit dhe përmbushësit e planit për thyerjen e kufirit. Pra, falë aftësisë,
veprimit dhe të trimërisë së tij, si njëri nga komandantët e Ushtrisë
çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Betejën e Koshares (të zhvilluar nga data 9 deri
më 11 prill të vitit 1999) e theu (e zhbëri) kufirin politik midis Kosovës dhe
Shqipërisë, të vënë nga ish Jugosllavia dhe të mbajtur peng e të forcuar pastaj
nga Serbia. Ai e flijoi jetën për Kosovën dhe për lirinë e saj. Me këtë flijim
u shndërrua në simbol të njësimit të trojeve shqiptare, të botës shqiptare.
Pikërisht
trimëria dhe flijimi i jetës së tij, gjaku i derdhur për lirinë e Kosovës, u
bënë frymëzim i një varg poetësh tanë të brezave të ndryshme, të cilët me
tekstet e tyre e lartësuan dhe e bënë të pavdekshme figurën e tij.
Flijimi
i Agim Ramadanit në Betejën e Koshares (njihej me pseudonimin Katana), është
dëshmi e dashurisë së madhe ndaj Kosovës dhe lirisë së saj, i gatshëm të derdhë
gjakun për të, siç thuhet në këto vargje të Bedri Gjinajt të shkruara në vitet
1942 - 1943 :
M’u shterrshin syt nëse
pushoj
Lirinë tande m’e
andrrue,
mallkue qoftë gjaku im
nëse më vrasin pa
luftue!
Pra,
kjo dashuri, siç thoshte papa Pali VI, me thellësinë dhe madhështinë e saj,
shndërrohet në bukuri: “Kaq shumë është madhështia shpirtërore e martirit saqë
shndërrohet në bukuri” ose siç përligjet
nga ky mendim: “Çdo gjë që është e përshkuar nga dashuria, bëhet (është) e
pavdekshme” (në rastin konkret nga dashuria për atdheun).
Natyrisht,
vdekjet – flijimet e tilla me shkas dhe kuptimplote e përcaktojnë rrafshin e
vlerave, bëhen pjesë e ndërgjegjes kombëtare për të tashmen dhe për të ardhmen;
forcohet dhe lartësohet dukuria se fati i individit është i njësuar me fatin e
atdheut dhe si i tillë shndërrohet në shenjtëri.
Flijimi
i Agim Ramadanit në Koshare të kujton vrasjen e Çerçiz Topullit e Mustafa
Qullit, më 14 shtator 1936 në Shkodër dhe fjalët e Atë Anton Harapit, para
trupave të pajetë të tyre. Këta dy dëshmorë u bënë simbol i krenarisë
shqiptare, duke u radhitur me fatosat e tjerë të Veriut si Dedë Gjo’ Luli me
shokë . Për këtë arsye Harapi kërkon betimin e shqiptarëve para këtyre dy
trimave dëshmorë që në emër të një Zoti dhe të atdheut të përbashkët, të
bashkohen për të mirën e përparimin e Shqipërisë, ta ndihmojnë dhe ta duan
njëri tjetrin pa dallim treve e feje: “Por para se të niseni, eni këtu, e mbí
këta eshtën, shembllesë ideali, force dhe bashkimi, t’i a shtrîjmë dorën
shoqishojt, Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtênë, e me besën e burravet, me
besën shqiptare, të lidhemi për t’i a mbajtë Shqiptarit të paprekun nji Zot të
vërtetë, nji atdhé të lumtun, për ta bâm Shqipnín e ré, të fortë e të
madhnueshme, të denjë për Skanderbén. T’i diftojmë, po, botës, se Shqiptarët
janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtênë, e
njiheri Shqiptarë të njimendët.”
Flijimi
i Agim Ramadanit bashkë me shokë për ta thyer kufirin politik në Koshare,
përligj dashurinë ndaj atdheut dhe kombit, si ideali më i lartë i njeriut, që
ndërlidhet ngushtë me mendimin e Derek Welcott: “Mendoj se dheu (toka) prej nga
je është nëna jote, nëse ia kthen krahët dhe e mallkon, atëherë e mohon dhe e
mallkon nënën tënde”.
Liria
e një populli rëndom fitohet me veprime të guximshme dhe me flijimin e jetës,
me çka fitohet përjetësia në kujtimin e të gjallëve. Kjo të kujton atë që
thoshte Gjon Pali II për paradoksin që shprehet në Ungjill: “Ungjilli përmban
një paradoks themelor: për ta gjetur jetën, duhet ta humbasësh jetën; për të
lindur, duhet të vdesësh; për të shpëtuar, duhet të marrësh mbi supe Kryqin.
Kjo është e vërteta themelore e Ungjillit [...] ”.
Veprimi
i Agim Ramadanit u bë frymëzim për një varg poetësh e poetesh jo vetëm për
faktin se nga trupi i tij “si kristal i kulluet rrodhi gjaku shqiptar”, që ra
në fushën e betejës për lirinë, po edhe pse ai ishte dhe poet e piktor. Ky fakt
bëhet një arsye më shumë që ata t’i kushtojnë një varg poezish këtij dëshmori të
atdheut.
Figura
e heroit tonë të Koshares dëshmohet në dy rrafshe kryesore: në atë konkret dhe
në atë përfytyrues ose, thënë me gjuhën e artit të fjalës, përmes të shprehurit
të pandërmjemë dhe të vërtetës artistike. Në rrafshin e parë mbretëron një perceptim
më konkret, i përcjellë me shprehje të natyrës pak e shumë kumtuese: Përse marr
frymë kaq lirshëm / para portretit tënd o miku im (A. Gjakova, Para portretit
të heroit); Dukagjini e kishte marrë nën sqetull për t’ia ruajtur eshtrat (I.
Kadriu, Vajtja në vendlindja); U bëre rojë e mburojë në shkabë të flamurit (S.
Abdullahu); - O, Zot, edhe foshnjat u përzien me luftën! (P. Buzhala, Si
shkruhet një poezi në luftë); ai gjak që mbet Dri i Kuq dhe i vetëm në trupin
tonë Dri i pandalshëm i lirisë (S. Rrustemi, Ai çast...); Vjen në frymën e
Nënës Tereze / Vjen në Ditën e Flamurit (N. Beqiri, Nuk ka ditëvdekje), ndërsa
në rrafshin e dytë, në atë përfytyrues, të shprehurit imagjinativ, që cilësohet
me një figurshmëri e metaforikë të pasur e të lartësuar. Në këtë mënyrë figura
e tij merr përmasa përtej individuales; shndërrohet në një figurë
shumëkuptimore dhe përgjithësuese.
Agim
Ramadani cilësohet si agim i agimit të madh; “Ti na buzëqesh me Ag” (S.
Rrustemi, Alfabeti i lirisë); “drita thërrmohet në etjen tënde”; Shkretëtira e
harrimit t’i lëbyrë bebëzat / e të përplasë shtigjeve të trishtimit (A. N.
Berisha, Drita thërrmohet...); Muzat e Rrasës së Zogut ua pastrojnë plagët me
lotët e ngrohtë (A. Molliqi, Te rrasa e Zogut e kuqëluar); Udhët kaluan nëpër
ballin tonë / Dhe shitët lojën me lak (Nexhat Rexha, Udhët kaluan....); Kohë,
në veshje guaske po vjen (Sarë Gjergji, Përgjërim).
Në
poezitë e tyre poetët veçojnë një varg çastesh, tiparesh e cilësish të Agimit;
ndriçojnë gatishmërinë e tij për t’u flijuar për atdhe, shpalosin botën e
brendshme; ndjesitë e fshehta të shpirtit të trimit, të dashuruar në Kosovën
dhe në domosdonë e lirimit të saj.
Po
më thua mijëra fjalë me hijen tënde
nëpër
skutat e ndërgjegjes
shkumojnë
me bardhësi
e
flasin atë gjuhë me tingujt
që
ndezin zjarrin e zemrave.
(Agim
Gjakova, Para portretit të heroit)
Më
bëhet se dhimbje të shoh në sy
si
lëmashk që bebëzat i mbulon
dhe
shikimi yt plaga ime bëhet
që
më ngadalëson hapin dhe mendimin.
(A.N.
Berisha, Drita thërrmohet...)
Të
lindurit në ndërkohë
vijnë
pas aurorave të kuqërremta
që
shndritin nga Bebëza Jote
Yti
buzagaz
(S.
Rrustemi, Alfabeti i lirisë)
në
sytë e Agimit u mbytën yje shpresash
ëndrrat
u përhodhën si flutura vdekjeje.
Në
të ngrysur dita, mbi gur u gjend një epitaf:
(Zejnepe
A. Rexhepi, Në ngjyrat...)
Po
e mbyll këtë parathënie për poezitë e zgjedhura kushtuar Agim Ramadanit të
përfshira në këtë përmbledhje me një
pjesë nga romani im “Ferri i lodhur” që si subjekt poetik ka pasojat e Luftës
në Kosovë të vitit 1999:
Asnjë
vend i huaj nuk të bëhet atdheu yt, sikur e ndëgjova zërin brenda meje.
Nuk
të bëhet.
Për
këtë ne qëndruam këtu dhe ia falëm jetën, ia ujitëm palcën me gjakun tonë.
Të
gjithë nuk mund të vdesin, tha zëri. Ata që vdesin, vdesin për të gjallët, për
ata që mbesin. Edhe për ata që lindin më vonë. Ata që vdesin për atdheun e
tyre, nuk vdesin vetëm për të dëshmuar vdekjen! Duhet të mbesë dikush që t’i
gëzojë frytet e flijimit të tyre. Po të mos ishte kështu ata do të vdisnin për
kurrgjësend. Nuk do të ishte askush që ta bënte të pavdekshëm emrin dhe
kujtimin e tyre. Ai që vdes për lirinë e vendit dhe për të mirën e njerëzve të
vet e di se pas vdekjes mbetet pjesë e kujtimit dhe e jetës të atyre që mbesin
.
Prishtinë, prill 2023
ANTON NIKË BERISHA
____________________________
Fusnotat:
1/Shih
për këtë “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Punuar nga Eqrem Çabej.
Pjesa e parë. Hyrje dhe transliterim. Universiteti shtetëror i Tiranës.
Instituti i historisë dhe i gjuhësisë. Tiranë 1968.
2/Shih
studimin tim Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016.
Botimi i dytë Pellegrini Editore, Cosenza 2016.
3/Shih
studimin tim “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione
Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i
dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014.
4/Manastir.
5/Shih
Pjetër Budi, Poezi (1618 1621), Parathë¬nia, tejshkrimi, komentet: Rexhep
Ismajli, “Rilindja”, Prishtinë 1986, f. 277; shih dhe studimin tim Pjetër Budi
poet dhe prozator. Studim. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2015. Botimi i
dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2015.
6/Po
aty, f. XVIII.
7/Më
9 prill 2019 Sabit Rrustemi e bën publik këtë tekst: Poezia e Bedri Gjinajt, me
titull LIRIA, e publikuar diku mes viteve 1942 – 1943, në Tiranë, e që
qarkullon nëpër rrjete e nëpër artdashës të shumtë viteve të fundit, nuk i përket
krijimtarisë poetike të Agim Ramadanit, asaj që ka mbetur, apo dhe asaj
krijimtarie poetike që është publikuar në këto 20 vite. Kjo poezi, e përfolur
dhe e bartur andej e këndej , nuk është pjesë e librit me poezi të Agim
Ramadanit, “Një jetë tjetër”, redaktuar nga Ali Podrimja. Madje, këto vargje –
amanet, nuk gjenden as në Monografinë tri vëllimëshe për Agim Ramadanin, “Agimi
i lirisë” 1, 2 e 3, përgatitur nga shkrimtari Ibrahim Kadriu e, ku janë thuaja
në tërësi poezitë e mbetura në dorëshkrim të Agim Ramadanit. Agim Ramadani, për
të gjallë të tij, në asnjë mënyrë nuk i ka përvetësuar këto vargje. Ka mundësi
që krejt dikush tjetër, gjatë përgatitjeve të pllakateve të shumta për Agim
Ramadanin, t’ia ketë bashkangjitur si ilustrim këto vargje amanet të Bedri
Gjinajt, të cilat si askund tjetër, i përngjajnë betimit dhe veprimtarisë
atdhetare të heroit tonë dhe flijimit të tij.
8/PALI
VI, Lumturimi i martirëve të Koresë, (6 tetor 1968).
9/
Fjala e atë Anton Harapit u botua në revistën “Hylli i Dritës”, Vj. XII, nr. 9,
f. 462 464 me titullin “Dy lotë e nji betim”.
10/Gjon
Pali II me Vittorio Messori-n, Të kapërcehet pragu i shpresës. Gjonlekaj
Publishing Company, New York, 1998, f. 120.
11/Në
këtë zgjedhje nuk janë përfshirë disa poezi ku mbizotëronte kumti i rëndomtë
dhe teksti i natyrës retorike.
12/Shih
Ferri i lodhur. Roman. “Faik Konica”, Prishtinë 2007, f. 273.