Kulturë
Nexhmije Mehmetaj: Intervistë me zonjën Afërdita Krasniqi, veprimtare e dalluar - dritë për kulturën shqiptare
E hene, 08.05.2023, 07:54 PM
INTERVISTË ME ZNJ. AFËRDITA KRASNIQI
VEPRIMTARE
E DALLUAR - DRITË PËR KULTURËN SHQIPTARE
Nga
Nexhmije Mehmetaj
Zonjën Afërdita
Krasniqi e takova rastësisht në Festën e përfundimit të vitit shkollor të
Shkollës shqipe në Gjenevë - Zvicër. Kisha dëgjuar për një veprimtare të
pasionuar me univers të gjerë kulture e me këmbëngulje mbi ruajtjen dhe
kultivimin e këngës së bukur shqiptare. Para disa ditësh në Gjenevë priti
grupin polifonik “Bilbili” nga Vlora. Mund të them se deri sot nuk e kisha
takuar një organizim kaq të përsosur kulturor dhe atdhetar.
Znj Afërdita
Krasniqi është ekonomiste, këngëtare, udhëheqëse e grupit muzikor “Hareja” në
Gjenevë dhe kryetare e shoqatës “Komunitetit Shqiptar në Gjenevë”. Ajo ka
treguar tek të gjithë ne sa e thjeshtë është të qëndrosh në këmbë, të hapësh
horizonte të rinj për ata që kanë humbur vizionin largpamës. Nga biseda me te
po shkëpusim një pjesë për lexuesit.
Pyetje: Znj. Krasniqi, cila është vendlindja juaj dhe çfarë trashëgoni prej
saj në kujtesën dhe zemrën tuaj?
Kam lindur në
qytetin e lashtë e të bukur të Prizrenit. Jam rritur në një familje atdhetare,
të persekutuar nga pushtuesi serb, babai im mësues matematike ishte i larguar
nga puna pas demostratave të vitit 1981. Jam e
martuar dhe kemi dy fëmijë Elioni dhe Eni. Punoj 100% - nëpunëse në sektorin e
aferave internacionale e juridike, pranë Konfederatës së Zvicrës, dega në
Gjenevë.
Në familje e
kultivojmë këngën shqipe. Së bashku me bashkëshortin Shpejtim Krasniqi jemi të pranishëm në fushën e kulturës, të këngës dhe muzikës.
Në mërgim
kaluam mbi 30 vite malli dhe dashuria për vendlindjen sa vjen e shtohet.
Pyetje: Prizreni ka shumë burime kulturore. Në cilin burim jeni frymëzuar për
muzikën dhe këngën tuaj.
Jam rritur e
ushqyer me muzikën shqipe. Këngën gjithmonë e kam pas në shpirt , që nga mosha
14 vjeçare kam qenë soliste në SHKA « Besa » në Prizren. Këndoja bashkë me motrën time Merita
Veseli, albumin e parë e kemi realizuar
në vitin 1992 me titull « Kushtrimi » . Me krenari e shumë dashuri u
këndoja heronjve, flamurit, kurbetit kësaj plage të madhe të popullit tonë. Në
teatrin amator të Prizrenit isha anëtare e rregullt.
Pyetje: Kur keni ardhur në Zvicër dhe si ju lindi ideja të formoni grupin e
këngës “Hareja? Sa anëtarë ka “Hareja”?
Ne Zvicer kam
ardhur në dhjetor te vitit 1994. Pas një jete të pasur kulturore nder vite si
soliste e prezantuese e programeve artistike e koncerteve të shumta në atdhe,
këtu se bashku me shokun tim të jetës e partnerin tim në skenë Shpejtim
Krasniqin, në vitin 2017 mblodhëm adhurues të këngës, miq e dashamirës të artit
e kulturës formuam grupin muzikor “Hareja”. Fillimisht si korali “Nostalgjia”
emër që i këndonte mallit të pashuar për vendlindjet tona. Të mbledhur nën
obrellën e KSHGJ-së jemi prezentuar me shumë sukses në aktivitete të ndryshme
kulturore këtu në Gjenevë. Vitin që shkoi morëm pjesë edhe në Festivalin
Ndërkombëtare “AULONA INTER FOLK FESTIVAL” në VLORE në edicionin e 14-të.
Festival shumë prestigjioz me pjesmarrje të grupeve e ansambleve nga Ballkani,
Europa e Azia. Prezentimi ynë brilant bëri që edhe këtë vit të marrim ftesë për
pjesmarrjen në edicionin e tij të 15-të.
Këto ditë ishim
në mesin e vëllezërve arbëreshë në fshatin CIFTI (CIVITA) shfaqem një koncert
të përbashkët me rastin e festës së tyre të quajtur “Festa e Valles”. Një
veprimtari e bukur që u kënaqem të gjithë. Ajo çka na bëri përshtypje ishte
ruajtja e gjuhës dhe kulturës arbëreshe- shqiptare edhe pas 500 vjetësh duhet
t’i bëjë shqiptarët kudo janë të ndërgjegjësohen për ruajtjen e gjuhës dhe
kulturës shqiptare.
Pyetje: Sa kohë keni që merrni me organizimin e shoqatës KSHGJ si kryetare
cilat janë sukseset dhe vështirësitë?
Shoqata
“Komuniteti Shqiptar në Gjenevë” është themeluar në 2013 nga z. Ali Mehmeti. Të
shkruash apo të flasësh për figurën e tij
është me të vërtetë e vështirë. Një shembull prej intelektuali të
përkushtuar (që nuk i shikon veç punët e veta sikur disa) ka dhënë një
kontribut të jashtëzakonshëm për komunitetin shqiptar në Gjenevë - Zvicër. Kam
pasur nderin të jem anëtare e kryesisë së kësaj
shoqate ku mbledh në gjirin e vet gjithë shqiptarët pa dallim. Historia
dhe aktiviteti shumëvjeçar i kësaj shoqate e dëshmojnë këtë më së miri.
Vazhdimisht shoqata ka organizuar dhe organizon aktivitete të shumta kulturore
dhe argëtuese për nxënësit dhe brezin e ri që po lind dhe rritet larg atdheut.
Nga viti 2017
jam zgjedhur Kryetare e KSHGJ-së, vazhdoj të organizoj aktivitete të shumta
kulturore e kombëtare për komunitetin shqiptar në Gjenevë dhe më tej. Këto
aktivitete kanë për qëllim ruajtjen e gjuhës, traditës, kulturës dhe mbjellin
dashurinë për atdheun.
Dëshiroj të
përmend disa nga sukseset tona: Për të tërhequr më shumë nxënës në Shkollën
shqipe kemi bërë një Reklamë dhe e kemi financuar, e për fat të keq
televizioni RTK si medium publik
shtetëror nuk i dha shumë rëndësi e transmetoj vetëm për një kohë të shkurtër.
Që të sjellim
një pjesëz të kupolës qiellore shqiptare për bashkatdhetarët kemi mundësuar
shfaqjen e filmit dokumentar “Një jetë në tri epoka » prodhim i RTSH-së
kushtuar prof Astrit Leka. Dy shfaqjet teatrale nga artisti i popullit z.
Mirush Kabashi. Tash së fundi pritem grupin polifonik “Bilbili” – nga Vlora. Më
shumë shih aktivitetin në www.cageneve.ch.
Pyetje: A ka vështirësi për ta mbajtur grupin e këngës “Hareja”, për të
tërhequr të rinjtë, a ka ndonjë gjë që atyre do të u kushtonte shumë ?
Për ne që jetojmë
këtu, natyrisht edhe si familjar jo gjithnjë e kemi lehtë. Por me vullnet e
deshirë punët shkojnë mbarë dhe sukseset nuk mungojnë. Këtu dëshiroj ta
felenderoj bashkëshortin tim për mbështetjen e pakursyer që më jep kurdoherë.
Pastaj një shembull i përkryer janë
anëtarët e grupit “Hareja”, të gjithë
janë të përkushtuar, të palodhur çdo herë mundohen që të përcjellin artin e
këngës shqipe te brezat e rinj.
Pyetje: Nga krijimtaria juaj në fushën e këngës dhe muzikës cilën këngë do
ta dalloni?
Mendoj se ia
vlen të përmend elegjinë për nënën “Vaji i nënës”
kushtuar të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë. E financuar nga KSHGJ-ja ,
e përkthyer edhe në gjuhën frënge nga Alferd Papuqiu dhe e inqizuar në studion
BY HEKI-producent Hekuran Krasniqi. Promovimin e të cilës e kam këtu në Gjenevë
pranë një organizate ndërkombëtare për të zhdukurit e luftërave nëpër botë
“Parku i të zhdukurve”. Këtu për shumë vite kam përfaqësuar nënat Kosovare dhe
dhimbjen që bartin ato me qëllim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar
për të zhdukurit në Kosovë.
Pyetje: Si e shihni të ardhmen e kulturës shqiptare në Zvicër, konkretisht
në Gjenevë?
Ka vite që në
Gjenevë përveç Shkollës shqipe, punojnë me përkushtim Ansambli “Gëzuar”” e
“RINIA CONTACT” ku fëmijet dhe rinia jonë kultivojnë e ruajnë gjuhën dhe
kulturën shqiptare. Zemra ma do që sa më shpejt të hapet një qender kulturore
për të cilën është folur vite më parë. Të rinj të talentuar kemi mjaf dhe nëse
realizohet ky projekt jam e bindur se edhe pse në dhe të huaj vlerat e
trashëgimise sonë kulturore do të gjallërojnë e frymojnë lirshëm se fundja të
gjithe kemi nevojë ta ndjejm dorën, mbështetjen e shtetit – shteteve tona të
cilat deri tani lënë shumë për të dëshiruar.
Pyetje: çfarë pjese të jetës ju plotëson kënga?
Kënga - skena
zë një vend të rëndësishëm në jetën time. Përveç tjerash, më jep kënaqësi,
gëzim dhe arsye ta dashuroj jetën.
Pyetje: çfarë do të u transmetoje mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër?
Mos pritni që
të ju vlerësojnë të tjerët, nëse ti vet nuk e vlerëson veten. Duajeni gjuhën
shqipe, ruani kulturën tonë shqiptare,
kultivoni këngën e bukur shqiptare. Mbilleni atë edhe tek fëmijët tuaj. Bukur e
ka thënë i madhi Gjergj Fishta
“……gjuhën
tuaj kurrë mos ta lini, Mos ta lini sa të jetë jeta……… «
Intervistoi Nexhmije Mehmetaj
Gjenevë, 27. 04. 2023