Kulturë
Hamza Halabaku: A i përngjet i biri të jatit
E diele, 07.05.2023, 07:09 PM
A I PËRNGJET I BIRI TË JATIT
Nga
Hamza Halabaku
Ishin
bërë më shumë se tre muaj që Leka nuk e kishte vizituar të motrën, e cila
jetonte në fshatin Eshkë. Merrej me punët e bujqësisë dhe gjatë verës nuk ishte
lehtë që në vlugun e punëve t’i bënte vizitë motrës që nuk ishte shumë larg nga
fshati Rrafsh ku ai jetonte.
-
Nesër, pasi t’i ofroj disa punë të ditës do t´ia bëj një vizitë Hanës. U bë një kohë goxha e gjatë që nuk e kam parë,
- i tha së shoqes pasi kishin nisur bisedën e zakonshme të pas darkës.
-
Edhe ajo ka mund të na vizitoj neve, - ia kishte kthyer e shoqja.
-
Po mirë e ke mori Dritë, edhe për atë si për ne është kohë vere, e para e
punës. Pastaj, unë jam vëllai, e ajo është motra, oj Dritë e mirë. Po çka u bë
me ty kështu!?
-
Ti ke qenë krejt ndryshe! Tani, sa herë që e përmendi Hanën, reagimet tua po më
duken pa lidhje.
-
Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, e pas mbyllje së të pamës, një herë kam
qenë, madje as një orë nuk më ka rënë të rri me Hanën!
-
Ai ka qenë burrë punëtor, i shkathtë e i zoti i punëve të veta! Motra jote
duhet t’i falënderohet të lumit Zot që ia ka lënë shtëpinë plot dhe me shumë të
mira. Kush është si ajo me familjen e saj? Pasuri te këmbët e te kryet, si i
thonë një fjale, - po fliste e shoqja e Lekës.
-
Kam vendosur që nesër ta vizitoj motrën time dhe pikë. Nuk mund të më ndaloj
askush. Dua të çmallem me motrën time. Po të ishte ajo në pozitën time, me
siguri deri tash do të vinte dy-tri herë. Nuk është larg. Për një orë këmbë do
të mbërrij deri në fshatin Eshkë, e le më me gjokun tim, që me vrapin e parë
jemi para dyerve të Hanës! Bile edhe natën do ta kaloj atje. Ti shoh edhe nipat
e dajës. Më ka marrë malli për motrën, po edhe për nipat më ka marrë malli
shumë. Deri tash e kanë pas babanë, kish kush i mësonte. E tani, nuk e di a po
mund të gjenden edhe pse ata janë burrëruar kaherë!
*
Pasi
i kishte ofruar punët e asaj dite, e kishte lutur të birin, Shpendin që të
kujdesej për ato pak punë të mbetura të asaj dite.
-
Në mbrëmje mos harro të marrish perimet që të ka porositur nëna jote - i tha të
birit.
-
Do ta gëzosh nënën tënde. Asaj nuk i shkon dëm asnjë kokërr e gjërave që do të
ia sjellësh në shtëpi. Nënën e ke nikoqire të mirë, ti e dinë këtë më mirë se
unë, - i tha Shpendit.
Vetë
i kishte vënë shalën kalit dhe ishte nisur ...
Në
pasditen e vonshme kishte mbërri në fshatin ku jetonte e motra. Kur e pa Hana,
që Leka me kalin e tij hyri në oborr, e lëshoj një zë të butë duke thirrur: “E
lumja motra, kush më erdhi. Po ti ma hijeshove oborrin, o vëllai i motrës”. Me
hapa të shpejtë u nis drejtë Lekës duke e lëshuar nga duart një zog të rritur
pule që e kishte zënë për t´ia kthyer kunatës së saj meqë ishte bashkuar me
pulat e saja. E përqafoj Lekën, si e përqafon motra të vëllanë dhe nga gëzimi
që i erdhi ai, ishte përlotur pak. Ashtu dorë për dore mbërritën në odën e
freskët dhe të shtruar mirë.
-
Uh sa freski e mirë qenka, - foli i pari Leka.
-
Mirë se të ka pru i madhi Zot, o vëllai im! E kanë rregulluar nuset e djemve,
se për mua... Pas punëve të tjera të shtëpisë as nuk më bie në mend fare për
odën.
-
E di, e di, ti ke halle të tjera. Mos u merakos shumë. Tani djemtë janë të
burrëruar dhe duke parë të tjerët mësohen vazhdimisht... Ti e dinë motra ime,
si na thoshte baba: “Sheh rrushi rrushin, e piqet”. Mos u bëj merak. Këta, tani
më janë burrëruar!
-
Jo, jo, mirë është mirë, i falem Zotit të madh. Janë shumë të mirë, të
sjellshëm e punëtorë këta, Zoti i bekoftë! - tha ajo për të bijtë me sjelljet e
të cilëve ishte e kënaqur.
-
Nuset, nuset o vëllai i motrës. Ato janë shumë punëtore që te tria, bile kjo e
vogla, nusja e Bardhit, nuk e ka shoqen në mëhallë. Nuk e di, fati i Bardhit,
është si flutur e bekuara. Është punëtore e madhe edhe e pafjalë. Nuk i ndihet
zëri asnjëherë. Edhe këto tjerat janë të mira, por nganjëherë ndërrojnë ndonjë
llaf pa pasur nevojë fare. Unë bëhem se nuk i dëgjoj...
-
Ashtu është më së miri motra ime, edhe kur e sheh, bëhu që nuk e ke parë, edhe
kur e dëgjon, kishe nuk ke dëgjuar. Është më mirë edhe për ty edhe për ato.
Shtëpia nuk mbahet ndryshe...
Sa
ishin duke biseduar motër e vëlla, u hap dera e odës e në derën krahë hapur u
ndal djali i madh Gëzimi.
-
Mirë se paske ardhur, daja ynë i dashur. Na e paske gëzuar nënën, por beso se
edhe unë u gëzova që të pashë! Na e paske hijeshuar odën! Tani po shkoj t’i
rehatojë bagëtinë, ato pak që na kanë mbetur e pastaj do të kthehem e bisedojmë
shtruar. Na ka marrë malli shumë për ty, i dashur dajë! Tani vazhdoni muhabetin
me nënën se ajo nuk le ditë pa të përmendur.
-
Ani dajës, ani të pastë daja! Vazhdo e puno se ashtu daja të do edhe më
shumë...
Pas
pak çastesh të njëjtën sjellje po e bënte edhe vëllai i tij i dytë, Urimi.
E
hapi derën e odës dhe sikur të ishte para ndonjë oficeri po rrinte në derë dhe
i buzëqeshur po e përshëndeste dajën Lekë.
-
Mirë se të ka sjellë i madhi Zot, o daja Lekë! Paske bërë mirë që na ke gëzuar
neve, por nënën edhe më shumë. Disa herë të ka përmend gjatë kësaj jave. “Më
mori malli për Lekën, më mori malli për Leken”,- thoshte nga dy-tri herë në
ditë. “Uroj të jenë mirë të gjithë!”, - thoshte nëna. “Sigurisht Leka ka punët
e tija se nuk e kishte lënë qe sa kohë pa u ngjitur deri në Eshkë”, - tregonte
fjalët e të ëmës Urimi.
-
Më fal dajo, - i tha Urimi dajë Lekës, që e donte shumë, - më duhet t’i presë
pak dru, sepse ju duhen grave për kuzhinë e do të kthehem shpejt. Sonte do të
rrimë deri vonë se për besë edhe neve na ka marrë malli për ty, o daja im më i
miri, - kishte folur dhe ishte larguar nga dera e odës Urimi.
Kur
erdhi Bardhi, biri i tretë i Hanës, hyri brenda, i zgjati dorën vëllait të
nënës, e përqafoj duke ia hedhur dy krahët në qafë e duke e shtrënguar nga
malli, respekti dhe dashuria që kishte për të. U ulë afër tij, e pyeti të ëmën,
a kishte pushuar duke i thënë sa mirë që të paska gëzuar daja Lekë. Dajën e
pyeti në detaje për shëndetin, familjen, për punët e shtëpisë e të fushës. Nuk
i kishte shpëtuar as pyetja për të ardhurat e asaj vere e kështu me radhë. Pasi
ishte çmallur me dajën e vet, i kishte kërkuar falje dhe kishte ikur edhe
Bardhi për t’i kryer punët e mbetura të ditës...
Pasi
kishte dalë Bardhi nga oda dhe motra me të vëllanë kishin mbetur vetëm, Leka e
kishte lutur të motrën të mos hidhërohej, se do ti bënte një pyetje jo edhe të
lehtë!
-
Uh, vëllai im, po më pyet çka të duash, o i shtrenjti i motrës.
-
Pash të madhin Zot, pa hidhërim motra ime e mirë, dua të di me kë i ke këta
djem?!
-
Uh të keqen motra! Pasha të madhin Zot, e pasha kryet tënd, me rahmetliun i kam
që të tre - i tha me fytyrën të kuqe all e me buzët plot gaz.
-
Po ku të shkoj mendja për këtë pyetje se?! Nuk kisha besuar asnjëherë se ti
dyshon në mua!
-
Edhe për mua nuk ishte pyetje e lehtë, motër e dashur, por vetë sjellja e tyre
po më vë në dyshim. Po jemi si jemi, vëlla e motër. Nuk të jap për gjithë
dynjanë... Tani sapo i pamë së bashku që të tretë. Si u sollën me ne. A e din
ti çfarë babe kanë pasur, moj motra ime e dashur? Kishe kënaqësi kur rrije me
te. Kishte qëndrim burrëror e ishte burrë fjale. Unë për vete e kam dashur
shumë dhe kam pasur respekt të veçantë për të! Ishte kënaqësi të rrije me te.
Krenohesha kur vinte në odën time... e këta trashëgimtarët e tij!? Nuk e di po
gati asnjëri nuk kanë ngjashmëri me babën e vet.
Hana,
me një buzëqeshje të lehtë e me fytyrën all, duke mos e fshehur buzëqeshjen që
e mori kur e dëgjoj pyetjen e të vëllait, nisi ti tregoj për secilin.
-
Të tretë i kam nisë e i kam rritë me rahmetliun. Po është një gjë tjetër
interesante. Të parin, Gëzimin, e kam ndie të gjallë deri sa isha në stallë
duke e mjel njërën nga lopët që i kishim atëherë... Të dytin, Urimin, kam qenë duke pre dru në
mes të oborrit, kur e dëgjova gjallë dhe e përjetova lëvizjen e tij të parë... Ndërsa të tretin ,
Bardhin, me të tregu drejtë e me zemër të hapur, kemi qenë bashkë, gju më gju,
me babën e tyre në odë duke biseduar për hallet e shtëpisë dhe, trakë, ai u
ndie i gjallë. Me një kënaqësi të pa parë, e ndjeva lëvizjen e tij të parë!
Atë
që e ndjeva gjallë kur isha duke e mjelë lopën, Gëzimin, i ka shumë merak
kafshët shtëpiake. Ky tjetri, i dyti, për Urimin e kam fjalën, me kënaqësi pret
dru, por edhe bënë mjeshtri me drutë që janë në oborr. Bënë bishta shati e
sëpate, bënë edhe tërfurq, ulëse për neve anëtarët e shtëpisë, gdhend dërrasa e
kështu me radhë. Nuk ndalet asnjëherë duke gdhend degë druri! Kurse Bardhi të
gëzon kur e ke në odë! Në shtëpi është më i miri e më i maturi. E din kur dhe
çka duhet folur.
Oh
more vëllai im, po gishtat në një dorë janë, po nuk janë të barabartë! Ti mendo
çka të duash, po para Zotit jam si kristali...