Kulturë
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Fizikisht..., jo, por shpirtërisht dhe mendërisht Ju ishit në Durrës...
E hene, 01.05.2023, 07:17 PM
Fizikisht..., jo, por shpirtërisht dhe mendërisht
Ju
ishit në Durrës...
Nga
Vilhelme Vrana Haxhiraj
I dashur Fatmir
dhe i nderuar miku im i mirë!
Profesor, nuk
befasohem nga të papriturat tuaja, se kemi vite që bashkëpunojmë. Ju përherë
keni qenë dhe jeni befasues, për diçka që ju ngroh, u trazon dhe u grish
shpirtin tuaj të bukur prej artisti.
Ishte fillimviti
2008, kur më kishit dërguar analizën e trilogjisë “Vështroni Meduzën”,
menjëherë pas botimit të romanit të tretë “Dilema e së nesërmes”, ku të
tre romanet shtrihen në mbi 1100 faqe. Kur e pashë të botuar në Media, e lexove
me një frymë atë analizë filozofike me një shtrirje si në kohë dhe hapësirë, e
pasuruar me sa e sa paralelizma dhe e kam rilexuar disa herë. Ajo që më mbeti
në mendje dhe më ka mrekulluar ishte përkufizimi i titullit të analizës: “ Romane
psiko-socialë me vlera të mëdha atdhetare dhe historike”.
Ju ndër vite keni
analizuar shumë nga librat e mi, të cilat i kam parasysh...
E kësisoj, nuk
mund të harroj një rast tjetër, kur para disa vitesh ( në vjeshtën e prasme të
vitit, 2011, ju dërgova një shkrim, “Mashtrim apo vetmashtrim” (triptik)
vetëm për ta parë, se nuk m’u duk shumë i përshtatshëm për ta botuar. Pyetja
ime ishte:
-Z.Famtir, a ia vlen të botohet ky shkrim?
Befasia, një e
papritur e këndshme dhe tejet e bukur, më zgjoi të nesërmen në mëngjes. Teksa
kontrolloja postën elektronike, shtanga nga habia...Jo vetëm e kishit botuar
tek tribuna e mendimit të pavarur, “Fjala e Lirë”, por edhe e kishit
shoqëruar me një analizë të mirfilltë shkencore të titulluar: “ Kur
drithmat e “klimës” prodhojnë semantikë”, më, 8.12.2011. Pas dhjetë
vitesh më 2021, këtë analizë unë e vendosa si parathënie tek libri “Kurth,
mashtrim apo vetmashtrim”, një vëllim me tregime, novela dhe triptik që
u prit shumë mirë nga lexuesi dhe kritika.
Kjo ngjarje si pa
rëndësi në dukje që plotëson dhe përforcon një veçori të karakterit tuaj
vital, më erdhi ndërmend sot, sapo lexova shkrimin tuaj analitik për
pasojë të përurimit të librit “Genti, mbreti ilir i ardianëve”. Ashtu siç shkruan dhe z.Kadri Tarelli,
miku ynë i përbashkët, ishte vërtet një takim mbreslënës, të cilin do ta
përshkruaj në një shkrim.
Si një ngjarje
tejet e veçantë dhe e jashtëzakonshme se u organizua , u dirigjua dhe u
deklamua bukur dhe madhërishëm nga aktorët e vegjël të skenës. Ata ishin
shndërruar aq natyrshëm në mbretin Peurat, në mbretin Gent, në mbretëreshën
Etleva dhe bijtë e tyre. Ata fëmijë të bukur që e duan historinë e vendit të tyre të pacënuar
dhe pa gënjeshtra apo shtremërime, ishin
historianët, këngëtarët dhe vallëtarët e lashtësisë, të cilët mbartnin veshjet
e bukura kombëtare dhe kurorën e artë
të mbretit. Ata ishin shndërruar në shkrimtaren e atij romani të dashur, që
kishte pushtuar zemrat e tyre të pastra.
Ata e intervistuan autoren apo përmes gojës së saj, pyetën dhe
bashkëbiseduan me ilirët e lashtë të moshës së tyre. Ai takim ishte një
pranverë më vete, që jehonte nga bukuria e veshjeve të tyre dhe zërat melodik
të atyre filizave të brishtë e të siqertë, të cilët nuk dinë ta kursejnë
dashurinë ndaj diturisë që i ofrohet moshës së tyre të pafajshme, delikate dhe
të dlirë.
Unë ju kuptoj mirë
përsa shkruani. I nderuar “Mjeshtër i Madh”, që ju ka vlerësuar bota “Po
s’qau fëmija, nëna nuk e ushqen me qumështin e gjirit.”- thotë gojarti
popull.
Për politikën
shtetërore dhe organet kulturore shqiptare të të gjitha instancave, shkrimtarët
pas viteve ’90, janë inekzistentë. Qeveria shqiptare me gjithë organizmat e
saj, edhe pse hiqen bashkëkohorë, me paraqitjen formale dhe farse në ekran apo
në median e shkruar, përsëri janë akoma me letërsinë e viteve ’40 dhe me
letërsinë e Realizmit Socialist.
Realizmi real, i
viteve të tranzicionit ë plakur, ku
letërsia flet me dhembjen e shpirtit, me ndërgjegje kombëtare, me fakte
tronditëse, ky lloj arti i pas
viteve’90, për politikën nuk ekziston. Gjithë krijuesit e vlerave, ose më mirë
shkrimtarët që anashkalohen, përjashtohen si njerëz që japin shpirtin, mendjen,
gjumin me ato paga qesharake apo pensione të papërfillëshme, për të dhënë dije
dhe kulturë, me qëllim të që zbusin sado
pak problemet sociale, do t’i krahasoja me foshnjat jetim.
Për çdo krijues,
“nënë” dhe “babë” është kombi, atdheu, balta që na lindi, na rriti, na
edukoi dhe na mësoi të themi me mburrje “Atdhe”
dhe “Mëmëdhe” dy nocione që nuk shqiptohen në asnjë gjuhë tjetër, kaq bukur sa tingëllojnë në gjuhën shquipe.
Politikat dhe politikanët janë “erërat e marsit”, që vijnë sa pët të
shkatërruar mundin e shqiptarit dhe largohen, duke lënë pas rënkim pa fund.
Kurse letërsia e mirë ngelet, sepse është e skalitur në memorjen e kombit dhe
në tabanin kombëtar. Letësisë reale, kurrë nuk i bije vlera, sepse ajo është në
opozitë me shkaktarët e problemeve sociale, varfërinë, skamjen, përçarjen mes
njerëzve të një race autoktone. Duan apo s’duan politikanët e njëanshëm,
letërsia e mirë e të gjitha kohërave do të triumfojë dhe do të jetojë shumë më
gjatë se emrat e tyre të përdhosur nga korrupsioni.
Prof.dr.Fatmiri,
tani që po mbledh të gjitha analizat, kritikat dhe vlerësimet që janë bërë për
krijimatrinë time nga ajka e profesionistëve të mirfilltë të penës dhe kritikës
letrare, dalin në pah vlerat e pamohueshme të të gjithë miqve të letrave, si,
F.Terziu, M.Buçpapa, E.Ymeri, O.Grillos,
T. Laços, D.Bubanit, Xh.Spahiut, A.Kallullit, L.Grishtit, B.Leskaj, K.Tarelli,
F.Minguli, Sh.Topollaj, V. Meça, G.Lloidia, A.Habazaj; M.Prençi, F.Sina e dhjetra
të tjerë për të cilët shpreh mirënjohjen time të veçantë për secilin.
Juve pesonalisht,
u jam mirënjohëse për gjithçka keni
evidentuar përmes sitës së kritikës tuaj brilante, veçanërisht, për librin me
kritika “Liria në optikën e
letrave të Vilhelme Vranari Haxhiraj”!
Ju uroj shëndet
dhe suksese në artin e bukur dhe të pazëvendësueshëm të letrave shqipe !
Me konsideratë të
veçantë,
Vilhelme Vrana.
Ps: Ndoshta në verë i promovojmë të dy libra,t Kritikën tuaj dhe Mbretin
Gent...Ku i dihet! Mase na i bën Zoti mbarë një bisedë letrare mes miqësh rreth
tryezës buzë detit si dikur në Llogara.
Me sinqeritet, Vivra
Vlorë, 30.4.2023