Kulturë
Dorian Koçi: Kujtesa, Holokausti dhe muzeumet
E marte, 25.04.2023, 07:55 PM
Kujtesa, Holokausti dhe muzeumet
Nga
Dorian Koçi
Kush
kontrollon të shkuarën, kontrollon të tashmen dhe kush kontrollon të tashmen
kontrollon dhe të ardhmen". Ky citat i shkëputur nga vepra "Viti
1984" i shkrimtarit britanik George Orwell duket sikur ilustron dhe
përpjekjet për të rifituar lirinë individuale dhe kombëtare nën ankthin totalitarist
të nazizmit dhe komunizmit që përjetoi Polonia në shekullin e XX. Për t'iu
kundërvënë pikërisht këtyre përpjekjeve në Varshavë dhe gjithandej në
Poloni janë hapur shumë muzeume si vende të rëndësishme të memories
kolektive. Nazizmi pati një projekt politik, kulturor dhe ekonomik për të
shbërë Poloninë dhe shpirtin polak duke arritur në eliminimin e 6.500.000
vetave nga të cilët 3.000.000 hebrenj në fabrikën e vdekjes në Aushvic dhe ngritur një sistem të ashpër kundërpërgjigjeje
e terrori ndaj çdo përpjekje rezistence. Muzeu i Revoltës Polake i ndërtuar në
vitin 2004, pikërisht në prag të hyrjes së Polonisë në Bashkimin Europian është
një pasqyrë e gjallë sesi një popullsi e tërë që nuk pajtohet me diktaturën dhe
terrorin organizohet për të shpërthyer në kryengritje e revoltë për dinjitet e
liri. Muzeu i Revoltës është i ndërtuar sipas një konceptualizimi modern të
muzeologjisë ku gjen pasqyrim dhe historia sociale dhe dhimbja, ankthi, shpresa
e liria pasqyrohen në linjë muzeale përmes objekteve e fotove të njerëzve të
thjeshtë që jetonin në kuartetet e Varshavës. Pamja rrëqethëse e Varshavës e
marrë nga një avion sovjetik Antonov në videot përkatëse tregon sesi godina të
tëra u shkatrruan në masë me dinamit nga forcat e Rajhut III si kundërpërgjigje
ndaj revoltës polake që për fat të keq u braktis edhe nga aleatët. Polonia
ishte viktima e parë Paktit Molotov-Ribentrop të datës 23 gusht 1939, ku ajo u
nda sërish në zona influence mes Gjermanisë Naziste dhe B.S. Agresioni gjerman
filloi në datën 1 shtator 1939 çka shënon dhe fillimin e luftësssë Dytë
Botërore. Disa ditë më vonë trupat sovjetike filluan sulmin nga kufijtë lindorë
duke e futur ushtrinë polake në një darë të frikshme dhe pas 15 ditësh Polonia
kapitulloi. Rreth 22.000 ushtarë e oficerë polakë u dorëzuan tek sovjetikët, të
cilët në gushtin e vitit 1940 nën
organizmin e drejtë për së drejtë të famëkeqit Beria i pushkatuan në pyjet e
Smolenskut, në Katin. Pushkatimi dhe egzekutimi në masë i lules së ushtrisë
polake i shërbente tiparit të eliminimit të elitave që Stalini ushtronte prej
kohësh në B.S dhe më vonë në gjithë territoret që pushtoi Ushtria e Kuqe.
ARBEIT
MACHT FREI (Puna do t’ju bëjë të lirë), ky është mbishkrimi ironik i vendosur
në hyrje të kampit të Aushvicit që sëbashku me Bikernaun , ngjitur me të, u
kthyen në fabrika të vdekjes gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nazistët e hapën
këtë kamp më 1940, në periferi të qytetit Osvieçim, që si shumë qytete polakë
qe pushtuar nga forcat gjermane me shpërthimin e Luftës II Botërore. Godinat
prej tulle, që kishin shërbyer për ushtrinë polake, por që ishin ndërtuar qysh
në kohën e perandorisë austro-hungareze u shndrruan në godina kampi. Nazistët
Gjermanë e ndryshuan emrin e qytetit në Aushvic dhe ky u bë emri i njohur i
kampit. Në vitet në vazhdim kampi u rrit, derisa filloi të përbëhej nga tri
pjesë të mëdha: Aushvic I, Aushvic II-Birkenau dhe Aushvic III-Monovic, si dhe
më shumë se 40 nënkampe të vogla. Fillimisht, këtu burgoseshin polakët. Më vonë
këtu vinin të burgosurit sovjetikë të luftës, romët dhe të burgosurit nga
vendet e tjera. Në vitin 1947, një akt i Parlamentit polak themeloi Muzeun
Aushvic-Birkenau, aty ku ndodhen Aushvici I dhe Aushvici II, pjesë të ruajtura
të kampit më të madh nazist të vdekjes. Në vitin 1979, UNESCO e futi atë në
listën e Trashëgimisë Botërore. Ai vizitohet nga 700.000 vizitorë në vit dhe
shërben si një vend i memories kolektive të njerëzimit ku mund të shikoj sesi
çmenduari njerëzore nën ideologjinë e superioritetit të racave mund të marrë në
qafë gjithë njerëzimin.