E diele, 28.04.2024, 12:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Gjergji: Gjysma e Abazit

E diele, 23.04.2023, 07:28 PM


GJYSMA E ABAZIT

Nga Mihal Gjergji

Të shkruash për njeriun që s’ke mundur ta njohësh, është njëlloj si të marrësh përsipër rikrijimin e ëndrrës që kërkon ta kujtosh sapo ke hapur sytë. Ju s’çuditeni nëse unë them se s’kam mundur t’a njoh Abas Bardhin. Jemi parë sy më sy, jemi përshëndetur, por s’jemi njohur. Asnjëherë s’kemi këmbyer mendime, sepse na ndanin vitet e moshës dhe pozita shoqërore. Asgjë për t’u çuditur. Çdo njeri nxiton të shkojë tek të ngjajshmit e tij. Ai ishte Agronom i Lartë, paskëtaj K/agronom dhe nga ‘75 deri ’86-ën Kryetar i Kooperativës bujqësore. Kohë më vonë punoi drejtues në Ndërmarrjen Bujqësore Tepelenë dhe gjetiu. Kaniskun e dijeve e kishte të mbarë. Lexonte vazhdimisht dhe mbante shënime. Merrte monstra toke dhe u bënte analizat, planifikonte blloqe me pemë frutore, kultivimin e drithrave dhe mbarështimin e blektorisë. Abazi kishte ardhur në shtëpinë time si mysafir, disa herë, por bisedonte me babain tim, jo me mua. Unë gjithmonë kam qendruar larg të tjerëve, sikur ti përkisja një tjetër bote. S’shikoja asgjë interesante në fytyrat e shqetësuara të atyre banorëve, të gjitha ngjasonin sikur ti kishte stampuar një dorë e vetme. Përkundrazi, magjepsesha pas natyrës, dehesha nga blerimi që ngjitej deri në lartësi të maleve. Krojet e gurtë me ujin e kristaltë, kurora e pishave, korijet me lisa dhe honet e thella e të frikshme më kishin mbirë në sy. Kundroja me admirim fluturimin e shqiponjave në lartësitë e shkrepave. Sikur të gëzonte dhe njeriu lirinë e këtij shpendi krenar! Më entuziazmonte simfonia e cicërimave në stinën e bukur të pranverës, më ngazëllenin kafshët e pyllit dhe zogjtë shtegëtar. Njerëzit-jo! E çuditërisht, Abazi më shfaqet i largët si prapa një mjergulle qiellore, vetmitar dhe i heshtur si dikur. Për të qënë më i saktë, unë njihja Abazin që kisha përballë, jo atë që ai e ruante me kujdes brenda vetes, d.m.th, njihja gjysmën e tij. Sepse brenda çdo të rrituri përgjon një kalama, kështu thoshte Volteri. Ndërkohë, pretendoj se i njihja rrënjët. Kishte një baba të zemërbardhë, nëse kjo do ishte fjala e përshtatshme për xha Salikon. Mbante një mushkë të zezë për kapistalli, kapelen mbi sy dhe bastunin në dorën tjetër. Më ka mbetur në kujtesë përshëndetja e tij e zgjedhur; “Ngjatjeta, o Zot-o!” I çelej në buzë ky nderim vlerësues që u afronte bashkëfshatarëve, të njohurve dhe kalimtarëve. E pazakontë kjo gjuhë aristokrate në atë ambjent mjerues  ku gjëmonin daullet, dhe veshët e mi rrallë dëgjonin zëra që lëshonin muzikë. Po Abazi ishte ndryshe, i mungonte buzëqeshja që stoliste fytyrën e Salikos. Ndërsa Rramnia, nëna e Abazit, ishte bijë e një familje hebreje, motra e Remziut, valltarit të njohur të Kurveleshit. Në fshatin Gusmar, ishin vendosur qyshkur tri fise hebreje; Banaj, Gjokaj dhe Çelaj, të tria të grupuara në të njëjtën mëhallë. Një mësim i ardhur nga arkivat në moshën time madhore. Bëhet fjalë për vitin e largët 1492, kohë në të cilën mbritën në brigjet e Jonit dhe Adriatikut hebrenjtë e përzënë nga Afrika, Spanja, Portugalia, Franca, Italia, Korfuzi dhe vende të tjera.  Ata i dalloje lehtësisht, jo vetëm nga pigmenti i lëkurës, edhe nga sjellja, nga këmbëngulja për t’u shkuar gjërave deri në fund, nga puna vetmohuese për mbijetesë. Hap pas hapi e shtrinë hartën e zgjerimit të teritorit me lidhjet miqësore, krushqitë dhe martesat me vendalinjtë, gjersa u bënë dominues në numur. Mbi këto themele u lartësua statura e Abazit. Krah tij qëndronte bashkëshortja, Shqiponja, një vajzë e qeshur nga Rexhini i Kurveleshit. Ajo  plotësonte personalitetin e tij, dinjitetin ia bënte më të dukshëm, dhe pas çdo suksesi e pune të mirë të Abazit, qendronte pikërisht kjo zonjë. Ishte mësuese, edukonte fëmijët, u mësonte shkronjat e gjuhës tonë të bukur. Por fjalën “Nënë” asnjëherë s’mundi ta shqiptonte me zë të lartë para nxënësve të saj. E kishte një plagë në shpirt, nga ato që s’shërohen. Kishte patur një fëmijëri të trazuar, ishte rritur në mungesën e nënës. Egoizmi mashkullor dhe krenaria boshe që ushen njerëzit e lartësive, ja prishën strehën e ngrohtë familjare. Nënat flasin me zemër dhe afrojnë vetëm dashuri, por jo të gjithë baballarët mund ta bëjnë këtë. Në lotin  që gremiset nga syri i Shqiponjës, zbret dhe Meafetja të takojë vajzën që digjet nga malli. Ajo u largua nga Rexhini, kohë më vonë edhe nga jeta, në moshën 47 vjeçare. Barra e rëndë e ndëshkimit të pamerituar e ndali në mesin e udhës dhe në  mesin e jetës. Nëna e Shqiponjës ishte mbesë e një bejlereshe nga Kuçi i Labërisë që jetonte në qytetin e Stambollit, mote të largëta. Shqiponja e kujton me krenari nënën e saj, doemos edhe orgjinën. Punoi 23 vite në ciklin e ulët, me klasën e parë. Në një libër që është botuar së fundmi për shkollën e Nivicës, përmendet si mësuese, vetëm kaq. –Po abetarja ime, pse s’e kanë vendosuar atë? - shprehet e shqetësuar Shqiponja, ndërsa kujton me respekt të veçantë tre nga kolegët e saj, si metodistët më të mirë në procesin e mësimdhënies; Hulusi Runa, Halo Malaj dhe Fein Xhebro. Le të kthehemi te Abazi, tashmë i ndarë nga jeta në moshën 70 vjecare. Miqtë e dikurshëm me të cilët punoi s’i afruan asnjë ndihmë, edhe pse ishin të pushtetshëm. Tepelena i dha titullin “Qytetar nderi”, ndërsa vendlindja asnjë fjalë të mirë.  Pas kaq vitesh e kuptoj qëndrimin e tij të ftohtë me njerëzit, një arrogancë e pashpallur. Kishte  krijuar një barierë për t’i shpëtuar ligësisë së tyre, sepse i afroheshin shumë coroganë. Dhe ju e kuptoni se çfarë nënkuptojnë kjo kategori në zhargonin popullor; ata që janë hollë nga xhepi, nga veshja dhe mendimi, jo vetëm bashkëfshatarët, dhe nga njerëzit e tij të gjakut dhe rrethit miqësor. Sa i flakte nga njëri xhep i futeshin në xhepin tjetër. Mes tyre s’mungonin kusarët, intrigantët dhe spiunët. Prandaj Abazi u largua prej tyre dhe mbijetoi falë ndershmërisë. Ajo ishte kurora e tij më e çmuar. Gjithsesi, njeriu e mbjell veten e tij para se të largohet, ashtu siç  mbillet një pemë që hedh shtat vit pas viti. Po të shikoni disa çaste tri vajzat dhe djalin e tij, atje do gjeni shembëlltyrën e Abazit. Më kot lodhej gjitoni i tij i dikurshëm, Napolon Gumeni, duke më kujtuar vazhdimisht; –Më mirë se unë, askush nuk e njeh Abazin. Bëji pak vend në rreshtat e tua…Tashmë e kisha gjetur atë fëmijën që qeshte, lozte me shokët dhe afronte dashuri, por vetëm një vëzhgues i mprehtë mund ta dallojë atë. Abazi e shkoi jetën mes dy gurëve; gurit të durimit në Qafën e Mihait dhe Gurit të Xhamisë në qendër të fshatit, atje ku bëheshin biografitë dhe gjykimet kolektive. Edhe të vdekur qendrojmë mes dy gurëve. Toka e vendlindjes për të cilën punoi aq shumë, e priti për ta mbajtur në gjirin e saj, afër prindërve. Fare pranë janë dhe Arat e Salikos, edhe parmenda e bujkut mbetur si relike buzë një ledhi.  Por familjarët nuk e sollën këtu. Tashmë prehet në varrezat e Tiranës. Shentologjia s’ka mundur të afrojë gjykime shteruese për shpirtin dhe fuqinë e tij mbas vdekjes së njeriut. Ku shkon shpirti mbasi largohet nga trupi, dhe a kthehet përsëri atje ku ka jetuar njeriu brenda të cilit ka qendruar? Ndërkohë që mbetet i lirë nga burgu i kraharorit prej mishe dhe gjaku, cfarë ndodh paskëtaj? Mesa duket, vetë Zoti s’ka dashur të na ndricojë më shumë për tjetërsimin që ngjet pasi largohemi nga jeta tokësore. As Bibla dhe as Kurani s’afrojnë spjegime për të shuar kurreshtjen e besimtarëve, as Buda dhe as inspiruesit e hebrenjve me librat e tyre sekrete, që predikojnë për popullin e zgjedhur brenda dhe jashtë sinagogave të tyre. Gjithsesi, njeriu vazhdon të jetojë edhe pas vdekjes, gjersa kujtohet nga të gjallët.

Tiranë, Mars 2023.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora