Kulturë
Blerim Rrecaj: Këndellu o Blerim
E hene, 24.04.2023, 07:13 PM
Blerim Rrecaj
Këndellu o Blerim
U shtriva përtoke
bëra një selfije
Përmbi
të vura këtë mbishkrim,
Veten e mora përsëri
me të mirë
Duke i thënë:
Këndellu o Blerim!
Dhe kështu si
papritur ndodh që shtrihem
Në shtretër prej
fije bari
Diku në oborr
shtëpie e në ndonjë lëndinë
Përsëri duke
pëshpëritur:
Këndellu o Blerim!
Grila në Gërmi
Në një kafaz
Grilhekurt
ngjyrëgjelbërt
Dikur banonin dy
arinj
Një ari e një arushë
Patën ikur
Patën shkuar dikund
Më vonë erdhën si
qiraxhinj
Ca lepurushë
Edhe ata ikën
S'di ku shkuan mor
babush
E tash kur si muze
ka mbetur
Ky kafez i zbraztë
Hy brenda për të
parë
Për jetën që në të
është bërë
Vala e kapur
Është natë e fryen erë
Sa dhe flokët ndërrojnë formë
Bëhesh me frizurë të re
Të thotë era e bajsh me shëndet
Në zemër të Durrësit
Në bregdet
Peshkatari pret e pret
Çka po ndodh e çfarë po ngjet
A mund t'i ngjitet diç në grep
Është natë fryn erë
Që përqafon e përkëdhel
Ecin njerëzit kalimtarë
Ca andej e ca këndej
E këndshme është kjo shëti
Dikush nga ta ndal e pyet me çudi
Ç'bën në këtë natë ky peshkatar
Që në kokë mban këtë kapelë
A nuk ndien ftohtë tashti
A nuk e trazon kjo erë
Përsëri pyet tjetërkush
Ç'bën këtu ky peshkatar
"Shshshsht" bën era e flet ngadalë
-Po peshkon një valë të bardhë
Një peshkatar në Vardar
Fundshtator 2019
Muzgu bie ngadalë e qetë
Mbi Shkup e mbi lumin Vardar
Qyteti me lum bëhet i argjendtë
Mbi urat e shumta të tij
Varg e vijë
Mund të kalosh
Nga bregu në breg
Me nge nëse kohë ke
Nëse s'të bëhet vonë
Ndërkohë shfaqet
Ky njeri me kalkamgrep
Nga njëri në tretrin breg
I shkojnë pas dy vogëlush
Që siç duket janë fëmijët e tij
Njëri prej tyre mban një kovë të bardhë
Me disa peshq
Dhe hy ky peshkatar
T'i bije Vardarit mespërmes
Ashtu siç hy dhe një lejlek
E më kujton peshkimin me vëllanë
Në lumin e vendlindjes atëherë
Shtëllungat
Ia mora fëmijës
Shtëllungën sheqershkrirë
Në një park pishash
E provova
E ëmbël
E mirë
Për të më sjellur andej
Nga furka në duar të gjyshes
E shtëllunga e tjerrur
Shndërruar në çorape të leshta
Për dimrin e vështirë
Por për të më kthyer
Edhe nga një shtëllungë sheqershkrirë
Që e haja atëbotë
Në një sallë të madhe
Me plot spektatorë
Ku përballë kishim grupe akrobatësh
Dhe gjithë ato kafshë të mëdha xhungle
Në atë cirk
Poeti në pjatë
Ecëm e brodhëm
Nëpër Tiranë
Sigurisht që dy-tri orë
Janë shumë pak
Të ecim edhe pak qendrës
Skënderbeu në kalë me shpatë në dorë
Ademi në këmbë me revole në brez
Solidarizohet Tirana
Me ata që kanë drejtë
Vazhdojmë e s'dijmë
Kah t'ia mbajmë
E ngjitemi në park
Kalojmë kah pemë paqeje
Kalojmë pranë shpendëve krahëbardhë
Pranë liqenit artificial
Dy-tri orë të rrish në Tiranë
Janë shumë pak
Dajti kaq afër e kaq larg
Pos tjerash hyjmë në një lokal
U ulëm diç të hamë
Pjata (s')mbeti thatë
Pasi në të qëndronte
Portreti i një poeti
Dritë shpirti i bëftë
Shqetësim shqiptarësh
Me vaj në buzë e
duke qarë
Më pyeti fëmiu im
-Pse kaq e dobët
është Shqipëria?
-Të përpiqemi se do
të forcohet!
Vazhdoi e tha me lot
në sy
-Pse në Kosovë ka
kaq shumë bërrllog?
-Të përpiqemi se do
të pastrohet!
Shpata me dritë
Pas sa
e sa vitesh
Diku
rreth fundvitit
Për
djalin e madh
Blemë
një shpatë me dritë
Edhe
këtë vit
Blemë
përsëri
Pranë
Hotel Grandit
Tash
për djalin e vogël
Lodrën
Shpatën
me dritë
(Kujtimi
i ngjashëm
Si
fëmijë binjak
Flet
me tashmërinë
Që
pritet të bëhet kujtim)
Dhe
terrin e çajmë me të
Sapo
dalim
Nga
Ëmbëltorja Elidë
Borë fillimprilli
Ec e dal ta shijojë borën që ra e bie
Gëzohem si fëmijë e ndihem mirë e
qetë
Herë herë s'di se pse e s'di se si
Më pushton një mërzi e një trishtim i
lehtë
Strehët pikojnë kur kaloj pranë tyre
Ngjajnë me biseda të gjata e monotone
Sikur thonë ja ku kemi ngelë e mbetë
A shtyhet më kjo jetë
Nëpër stacione tranzicionesh
Sifoqoftë e sido që të jetë
Ngazëllyeshëm gosi e qiellit vazhdon
Me të imtat cukla bore
Derisa bredh e derisa ec këndellshëm
Kur një ditë dimri kthehet në
pranverë
Unë i rrituri
Unë i rrituri
Bëhem fëmijë
Si dikur
Aktroj një skeç
Në një skenë livadhi
Duke ndjekur topin
Që rrokulliset
Deri në hekurudhë
Kur kthehet një kujtim
Ktheheshim nga Plazhi i madh i
Ulqinit
Rrugës për në strehë në Shtoj ku banonim
Si zakonisht në një pasdite mjaft të vonë
Aty ku na priste vetura që e kishim lënë herët
Diku para se ta linim verimin e një dite në plazh
Kapa një rreth plastik që më ra para këmbëve
Derisa ecja sikurse të tjerët me sandale
Që u ra në rërë dy të rinjve që me të luanin
Mbase ishin francezë nga theksi kështu dukej
Mund të kenë qenë i dashuri me të dashurën
E kapa kapakun mjaft i çuditur atë që m'u duk
Si kapak i ndonjë koveje që kishim në shtëpi
U vështruam për ca me dy turistët sy më sy
Ata prisnin derisa unë e mbaja në duar
Sikur gjësend i imi ndonëse s'më përkiste mua
Ku ca kokërriza rëre rrinin si trosha të mbetura
E si miell misri në pjatën e lënë zbrazët
Ua ktheva kapakun e kuq me të cilin luanin
Kaloi kohë e më vonë mësova emrin e tij
Që këtë disk fluturues po e quajkan frisbi
Kështu kujtimet ndonjëherë vijnë si ky sot
Si ky kështu e këtu si kapak kujtimi
Nga ajobota kur e ku ndodheshim
Atëherë në fëmijëri në atë verë
Ku më ktheu kjo erë kujtimi nga Ulqini