Kulturë
Rexhep Shahu: Fjalim për veten në ditën që iku nga kjo botë Poeti Hamit Aliaj
E shtune, 29.04.2023, 07:59 PM
“NË 20 VJET NË TIRANË, 4 VJET MË KA PRANUE NË PUNË SHTETI IM”
Fjalim
për veten në ditën që iku nga kjo botë Poeti Hamit Aliaj
NGA
REXHEP SHAHU
I
dashur Hamit Aliaj!
Vdekja
jote sot na solli trishtim sepse na e kujtoi se ne të gjithë e kemi me vete
vdekjen, por harrojmë se e kemi çdo çast kaq pranë. Në raste të tilla na duket
se na sheh në sy vdekja dhe na kap frika prej saj. Bëjmë bè rrejshëm të bëhemi
më të mirë, më njerzore por rrejmë.
Lexoj
fjalë me dhimbje që shkruhen për ty, knohen këngë e më përzihen zorrët në bark.
Dashnia e tepërt kur nuk të duhet e nuk të hyn në punë bëhët uth e ta shkul
shpirtin.
Ndërsa
dëgjoj shiun e fjalëve të mallit e dashnisë së madhe që bjen sot për ty, më
godasin në kokë fjalët e tua për pamundësitë e shumta, për mungesë vëmendje,
kujdesi e përkrahje nga shteti, nga njerzit e shtetit disa prej të cilëve janë
shokët e miqtë tanë, të njohurit tanë.
“Unë
i bana 65. Ju hoqa qafe shtetit se tash bëhem pensionist. Megjithëse në 20 vjet
në Tiranë, 4 vjet më ka pranue në punë shteti im. Të përshëndes”.
Edhe
unë që nuk kam patur kurrë asgjë në dorë bëhëm me turp. Të gjithë bëhemi me
turp, por dikush e han turpin me bukë, ska dert. Ti ishe e je shkrimtar mik i
dashur, poet i njohur jo për hatër të shtetit as të shokëve e miqve. Ti kishe
punë gjithmonë, puna jote ishte krijimi i të bukurës që do të jetojë shumë
gjatë për të cilën kanë e do të kenë nevojë njerzit dhe që është shumë e paktë
në mbretërinë e shëmtimit.
Ti
nuk ishe meteor, por u linde në një truall të magjishëm njerzish të mëdhej ku
në mungesë të shtetit ata njerëz kishin shpikë shtetin e tyre. Linde aty ku
lindën Orë e Zana e heroj malsorë që secili prej tyre po të flasësh me të është
universitar, akademik, linde aty ku gjalloi Eposi fantastik, u linde në atdheun
e Eposit.
Falë
Anton Paplekës që fisnikërisht e quani Mësues, ti Hamit dhe Skënder Buçpapaj
spikatët si poetë në qiellin letrar shqiptar sa për një çast u ndalën njerëz e
zogj ta dëgjonin këngën tuaj me kumbim të veçantë. Sepse erdhët si veçanti, me
një letërsi të pangjashme me letërsinë sovjetike e shkrimtarët sovjetikë,
(kupto shkrimtarët e modelit, frymëzimit e shkollës sovjetike).
Sa
ishte diktatura, ajo kishte nevojë për ty e sivëllezërit e tu të rikuperonte e
paqtonte sa të mundte veten e saj pasi kishte dënue me zhdukje kolosë si Fishta
e sivëllezër të tij. Kishte nevojë për kalorës të fjalës si ti e shokët e tu
për të mundë ta sfumonte konfliktin e urrejtjen që kishte shkaktue duke dënue e
shpallë armik e reaksionar veriun e vendit, duke e përjashtue nga pushteti,
zyrat, selitë, podiumet e presidiumet.
Ti
pothuaj nuk u more vesh me regjimin e ri Hamit. Sepse ti me atë pamjen tënde
arkaike e të vjetër ishe më modern se pushtetarët e letrarët e pushtetit, të pushteteve që erdhën pas diktaturës. Ti
nuk gënjeje kurrë, nuk e lëndoje krenarinë tënde kurrë, ishe modern i modernëve
Hamit sepse kurrë asnjëherë nuk the, o mbret a po ma jep një copë bukë, a po më
lejon ta ha një copë bukë... ani se ti nuk kishe të shumtën e kohës rrogë, nuk
kishe lekë me ble bukën, me ble një libër, me ble një gazetë sepse shteti ynë
nuk të jepte një rrogë, një rrogë për të mbijetue, me mbete gjallë, nuk të
jepte një pension special siç ua ka dhënë lloj lloj militanti partiak... siç ua
ka dhënë lloj-lloj shkrimtari sovjetik e regjimli…
Për
20 vjet që banove e jetove në Tiranë, 4 vjet të ka dhënë rrogë shteti ynë pa
shpirt, 16 vjet pa rrogë të dënoi shteti ynë, pa të ardhura sepse ti shkruaje
poezi, bëje art dhe nuk duhej të haje as të pije as të jetoje. Ti i bëje
inferiorë dhe nuk donin të të kishin këshilltar as të brendshëm as të jashtëm
zyrtarët bashkiakë, zyrtarët e ministrive a drejtorive të ndryshme të
mbipopulluara me këshilltarë… Sepse ti i bëje ta vuanin inferioritetin e tyre
para teje.
E
mua më shkruhen para syve të mendjes fjalët e sivëllaut tënd poet Et’hem
Haxhiademi që e mbytën në burg politik në Burrel me 1965, që në parathënien e
librit të tij të vetëm me poezi “Lyra” pati shkruar këto fjalë: “Dikur nëpër
perioda t’errta të vendevet t’jera gjindesh ndonji Mecen a Richelieu, të cilët
i murën puntorët e pendës ndën mprojtje. Dhe vetëm për këtë mprojtje këta
bamirës e lidhën vehten e tyne me historin e literaturës Rromake e frange. Këtu
tek ne ngjanë e kundërta. Mprojtja ma e madhe qi mund t’i bahet nji shkrimtari
asht t’a çojnë mësuës ase sekretar në ndonji zyrë të vogël. Nga nji herë
ngjan qi e qisin jasht fare dhe nga kjo
punë e thjeshtë dhe e lanë pa bukë në të katër rrugët.”
Ti
i provove në kurriz këto dhe po të mos ishin fëmijët e tu, familja jote, për
shtetin e shoqërinë ti nuk duhej të haje, nuk duhej të jetoje. Shteti ynë sikur
është i lumtur ta zhburrërojë prindin në sytë e fëmijëve, ta zhbëjë, ta bëjë të
pazotin, të pavlerë babain para fëmijëve… Shtet që lë shkrimtarë pa rrogë, që
heq shkrimtarë nga puna dhe i lë pa rrogë dhe Padishahu inë bën art e piktura i
ndriçuar nga “flakët e Romës”
Veç
armiqesisë së dukshme të shtetit që nuk u kujdes për ty i dashur Hamit, pisket
edhe mungesa e vemendjes së shokëve, miqve, të njohurve zyrtarë e pasunarë, që
një rrogë modeste për ty do t'i fisnikëronte dhe do t'ua bënte më të fisëm, të
ndershëm e të dinjitetshëm biznesin, zyrën, karierën.
Biznesmenë,
pasanikë, politiqarë, zyrtarë e shtetarë ka shumë gjithmonë, por shkrimtarë që
mbeten ka pak. Ti Hamit ke mbetë në letërsi.
Nuk
blihet me lekë pavdeksia as nderi që jetojnë shumë më gjatë se çfardo lloj
pasurie e kësaj bote.
U
derdh ca ditë lumë fjalësh e deklaratash pa asnjë vlerë për ty, fjalë që nuk u
afrohen fjalëve tua të epërme që gdhenden në shpirtin e lexusit, por askush nga
shteti, nga zyrtarët, nuk pati kurajon e guximin të të kërkojë falje, të thonë,
na fal o Hamit Alia, të kërkojë ndjesë publike pse nuk të është gjetë shteti
ty, pse të ka braktisë shteti ty shkrimtar, pse shteti të ka lënë 16 vjet pa
rrogë ty shkrimtar.
Asnjë
zyrtar shteti nuk foli për ty nuk të kërkoi ndjesë ty sepse ti nuk je shkrimtar
i qeverisë, as i vatrës së kulturës të qeverisë që përzgjedh, gradon e
shpërblen shkrimtarë qeverie me shëtitje, me fonde e shpërblime, nuk je
shkrimtar i politikes, televizionit e mediave, nuk je as shkrimtar i OJQ-ve e
OJF-ve të qeverisë, nuk të ka patur askund në llogari qeveria ty sepse nuk ishe
as i mitrës së partisë komuniste, nuk ishe pjesë e asnjë çete sovjetësh të
cilat i ka në vemendje të dukshme e të padukshme qeveria me bonuse, me pensione
të posaçme etj.
E
di se do të më turren të më thonë se është ekonomi tregu… Po, patjetër.
Por
unë kam merak se pak kafe kam pi me ty, edhe se ty të thirrte shpesh bjeshka,
froni yt i perëndishëm e më thoje, jam në Tropojë, jam në Kasaj, jam në
Gjakovë…
Lamtumirë
o mik!
Tiranë, me 7.3.2023