E marte, 10.12.2024, 04:19 AM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Një buqetë poetike nga Sabit Rrustemi për Sarandën

E enjte, 27.04.2023, 06:56 PM


NJË BUQETË POETIKE NGA SABIT RRUSTEMI

PËR SARANDËN

Nga Timo Mërkuri

Rileximi i një buqete poetike të Sabit Rrustemit për qytetin e Sarandës më krijoi një ngrohtësi shpirtërore, të njëjtë me atë që të krijon një buqetë trëndafilash të freskëta që ta dhurojnë për ditëlindje. Realisht Sabit Rrustemi shumë nga këto “lule” poetike i pati botuar edhe në librin e tij “Pa një vdekje mbes”, por meqenëse këtë libër nuk e kam dhe cikli i plotësuar me disa poezi të pabotuara më erdhi me shënimin “Një buqetë për Sarandën” mua m’u duk si një buqetë lulesh të freskëta, me aromë poezie, aq më tepër që kam disa vite pa u takuar me këtë poet, pas një periudhe intensive bashkëpunimi.

I-Sabit Rrustemi erdhi për herë të parë në qytetin e Sarandës në vitin 2010 i ftuar nga Klubi i Krijuesve Jonianë të qytetit tonë për të marrë pjesë  në Manifestimin Poetik “Trirema Joniane”  së bashku me poetet Albina Idrizi dhe Miradie Ramiqi. Realisht emrin e Sabitit ma sugjeroi Albina Idrizi, me të cilën isha njohur në Manifestimin e shoqatës sonë, që u zhvillua në Gjirokastër një vit më parë, me ç’rast i kërkova të na propozonte disa poetë nga Kosova për t’i ftuar në aktivitetin tonë. Poetët që më propozoi ishin disa, mes tyre edhe Sabit Rrustemi, të cilin, për veçantinë stilistike të  poezisë së tij dhe për një të shkuar aktive në çështjen e Kosovës, ne vendosëm ta ftojmë qysh  atë vit, ndërsa të tjerët vitet e mëpasme. Paraqitja e Sabitit në Manifestimin tonë u admirua për nivelin e poezisë me të cilën u përfaqsua dhe menjëherë krijuam një miqësi e cila vazhdon edhe sot. Sigurisht që ai u ftua nga shoqata jonë dhe në vitet 2011, (mungoi në vitin 2012 sepse rastisi që në Gjilan organizohej dhënia e Çmimit “Beqir Musliu”) 2013, 2014, 2015 dhe 2016, 2018. Për një bashkpunim të frytshëm me shoqatën tonë dhe për propogandimin e resurseve të qytetit dhe krijimtarinë poetike të  antarëve të shoqatës, në vitin 2014 Bashkia e Qytetit Sarandë i dha çertifikatën  “Mirënjohje e qytetit të Sarandës” atij dhe shoqatës Ars Club “Beqir Musliu”, në vitin 2015 shoqata jonë e vlerësoi poezinë e tij me çmimin “Penda e bronxtë’’, në vitin 2016 shoqata jonë i dhuroi një bocet bust të Homerit.

Sabit Rrustemi në vitin 2017  së bashku me një grup poetësh nga Kosova i dhuroi Bashkisë Sarandë një kontigjent librash të autorëve kosovarë, duke na dhënë dhe një kontigjent tjetër librash për Bashkinë e Himarës, por duhet të pranojmë se dhurata më e bukur e tij ishin poezitë që për temë kishin Sarandën, shkruar në periudha të ndryshme, të publikuara nëpër revista e gazeta dhe shumica e tyre të përfshira në vëllimin poetik “Pa një vdekje mbes”, botuar në Prishtinë në vitin 2016. Këto poezi sigurisht që i kam komentuar në faqet e internetit, i kemi  shijuar me shokët gjatë diskutimit që u kemi bërë pas publikimit, por tani e ndjeva se duhet ta falënderoj dhe në formën e një kritike mbi to, sepse: nëse shkrimi i tyre ishte një gjest dashurie ndaj qytetit tim, edhe kritika ime e tillë është, ngaqë siç është shprehur  Xhorxh Steiner: “Një kritikë letrare nuk është gjë tjetër veçse një borxh dashurie”. Gjithmonë kam qenë i mendimit se kritika më shumë se kritikë për dobësitë, duhet të jetë evidentim dhe vlerësim për risitë dhe këto poezi të Sabit Rrustemit përbëjnë një risi në krijimtarinë e tij poetike.

II-Kushdo që e ka njohur poezinë e Sabit Rrustemit ka ndjerë tek vargjet e tij  një nerv, një tension e tonalitet dhe vetë poetin e ka parë të “fshehur” pas metaforave, të cilat veç bukurisë poetike kishin qëllim edhe të “strehonin” idenë e poetit dhe atë vetë nga censura. Poezitë e ciklit për Sarandën janë krejt ndryshe, janë të çlirëta nga ankthet e tensionet shpirtërore , janë si një frymëmarrje e thellë në ajër të pastër pas daljes nga ndonjë ambient i mbyllur me ajër të ndënjur. Në poezitë e mëhershme të tij ka qenë ideja poetike ajo që kërkonte e krijonte metaforën ndërsa këtu metafora është thjeshtë një petale  e lules poetike, e hapur natyrshëm në stinën e lulimit. Ndjehet menjëherë që poeti është i frymëzuar nga natyra dhe ambienti (do dëshiroja të besoja edhe nga pritja jonë), dëshiron të qëndrojë e të shijojë më tepër në këtë qytet mungesën që ndjeu në Tiranën e vitit ‘93 dhe ‘94 për të cilin krijoi ciklin e trishtueshëm poetik “Parku me kërpudha”.

Qytetin e Sarandës poeti e quan “Perëndeshë e të gjitha kohërave” dhe natyrshëm shton vargun tepër domethënës për ne..”imja dashuri”. Poeti nuk e ka ditur që qyteti ynë kishte patur në antikitet një tempull për perëndeshën e bukurisë, Afërditën në kodrën mbi portin e tij detar. Tempulli ishte prej druri,  ngritur mbi një bazament guri, por anijet që kalonin nëpër kanalin përballë ndalonin dhe marinarët zbrisnin e i blatonin dhurata dhe i luteshin për fat e mbarësi  në dashuri. Ky tempull cilësonte qytetin tonë qysh në periudhën antike si “qyteti i bukurisë”, cilësim që jeton edhe sot. Për vargun “imja dashuri” i gëzohemi ndjenjës së Sabit Rrustemit për qytetin tonë sepse të shkruash poezi do të thotë të shprehësh një dashuri, madje dhe  ngrohtësia që kanë vargjet e kësaj poezie është e njëjtë me ngrohtësinë që krijon vetëm dashuria, që vjen te lexuesi me vargjet si nëpërmjet valëve të detit dhe ky varg ngjan si një stërkatë deti që të stërpikë papritmas dhe jo vetëm që s’të shqetëson, por të jep një kënaqësi të veçantë.

III- Interesante është dhe poezia “Duke vështruar Jonin” (fq.10) jo vetëm për krahasimin e tij “I qetë e i urtë/Si Iliria/ I veshur së jashtmi /nga bukuria” por për lidhjen organike që krijon me vargjet “sa herë i djegur/së brendshmi/nga dhimbtë e mia”. Këto dhimbje kanë qenë të dyfishta, dhimbje e poetit për mosnjohjen e kësaj bukurie  për vite me radhë, po ashtu dhe dhimbja e banorëve të qytetit për vuajtjet e popullit kosovar, të cilët ata patën rastin ta njohin kur jo pak prej tyre  erdhën në Sarandë gjatë eksodit. Thuhet se vëllezërit binjakë e ndjejnë dhimbjen e njeri tjetrit edhe në distancë, kështu është ndjerë dhimbja mes dy anëve të kufirit që na ndante. Unë ju them se dhe uji i detit e “ndjen” dhimbjen apo ngazëllimin e njeriut kur ky hyn në të. Sado metaforë e bukur kjo ka diçka reale, delfini e ndjen gëzimin e fëmijëve  si dhe ankthin apo frikën e tyre kur janë në ujin e detit dhe reagon, në rastin e gëzimit duke kërcyer mbi ujë në shënjë loje pranë tyre dhe në rastin e frikës e ankthit, duke e marrë fëmijën në shpinë e duke e nxjerrë në breg. Është ritmi i rrahjes së zemrës që trupi e përcjell nëpërmjet ujit te delfini, apo dhe peshqit e tjerë. Gjithsesi strofa e fundit: “E rron/rron or rron/sall nga dashuria” është vërtet një refren hymni për qytetin tonë.

Duke e rilexuar me objektiv kritike poezinë e pabotuar “Drita që shoh” (shkruar mes datave 30 prill -04 maj 2011) më emocionojnë vargjet e tij: “Në fund të Tunelit/drita që shoh je Ti/një botë e munguar/që vezullon syve të mi/më grishë e më falë/prej shpirtit tend/sall dashuri” pse, ndonëse është një deklaratë dashurie (për qytetin tim) është njëkohësisht një pohim i mungesave (një botë e munguar) të tij në jetën në vendlindje. Unë nuk e di pse nuk e ka publikuar Sabiti këtë poezi nga më të bukurat, nga më të ndjerat, poezi që më krijoi njomësi në sy, veçse më kujtoi se në ardhjen e parë në Sarandë ai rrinte i heshtur e i menduar e vetëm sodiste ambientin  përreth dhe duhej t’i flisje direkt atij që të hynte në bisedë.

Më tërhoqi vëmëndjen poezia “Detit Jon” ku autori emrin e Sarandës e ndan në dy fjalë: “Sa Randë” me domethënie : Sa e r(ë)andë. Përsëri vetëdija poetike e ka çuar poetin te një nga interpretimet e emrit të qytetit ku plakat e bregdetit emrin Saranda e shqiptojnë në formën Sarëndë që zbërthehet “Sa (e) rëndë” siç e shqipton edhe poeti. Gjithmonë kam menduar se kjo trajtë e shqiptimit të emrit ka lidhje me faktin që qyteti ynë është i gurtë, rrugët, ndërtesat, muret mbajtës e ndarës, muret e kopshteve etj.të gjitha janë ndërtuar me gurë, malet janë me gurë të rinj dhe qyteti është ndërtuar mbi një shtresë të re gjeologjike të gurtë, duke krijuar kështu idenë e diçkaje të rëndë. Por se kisha menduar ndonjëherë që rëndon edhe bukuria, gjer në çastin që lexova në poezinë e Sabit Rrustemit: “Sa Randë/ta kesh sipri tërë këtë bukuri/./ Qetësia jote/Sa Randë/rëndon” dhe si një prelud shkruan: “Jon o Jon/as klithë/as lëshon gjëmë” (nga kjo peshë) sepse edhe deti e shijon këtë  bukuri.

Do t’ju porositja që të lexonit poezinë “Liqeni që lahet vetë” për liqenin e Butrintit, ku autori duke shfrytëzuar fenomenin e derdhjes së liqenit në det dhe hyrjen e detit në liqen çdo gjashtë orë, fenomen që krijohet nga efektet e baticës dhe zbaticës për shkak se niveli i liqenit është i njëjtë me nivelin e detit, krijon efektin e “larjes” së liqenit  ndaj i kërkon të lajë dhe lotët e tij, ata lotë që “si ka parë kush”:

“I buti e i paqti Butrint

që në çdo gjashtë orë

i lanë plagët tona në det

merre dhe Lotin tim

atë Lot që s' e pa kush

e më djeg në shpirt

merre dhe lutje mos prit

As Joni s'e duron

siç e duroj unë

Joni që u bë lot vet

për atë të Bukur

qëkur e pret

Merre e kthema të paqtë

ashtu si je vet...”

Kjo është nga ato poezi që, si dënesat e shpirtit ngjajnë me  vullkanet nënujore, të cilat gjëmimin e llavën e kanë nën shtratin e detit, e veç një shtëllungë tymi vargëzon heshtazi mbi valë. Mos shihni atë tym që përdridhet si gjarpër mbi ujë duke u ngritur në qiell, afroni veshin e ndjeni rropamën e llavës nën ujë, aty është poeti. Poezia e Sabit Rrustemit është nga ato poezi që nuk duhet lexuar për t’u kuptuar, ajo është një poezi e shkruar me shpirt dhe si e tillë duhet ndjerë po me shpirt, sepse vetëm shpirti (i lexuesit) e kupton shpirtin (e poetit). Poezitë e kësaj buqete të Sabit Rrustemit të japin kënaqësi shpirtërore, të pasurojnë  shijet estetike dhe të përsosin gjer në finesë të shprehurit poetik.

IV-Poezia“Lulezemra e Butrintit” është një pasqyrim i mënyrës impulsive të krijimit të poezisë nga Sabit Rrustemi. “Lulezemra” siç e quan poeti është një bimë kacavjerëse me emrin “morenxa” me emwrtimin shkencor “smilax aspera”, tw cilwn greket e quajnë dhe “??????? ????”, ferra e ariut. Kryesisht rritet në zonën e Dafinës (Bregdeti Jonian) duke u kacavjerë nëpër pemë gjer në 4-5 m lartësi. Në Butrint ajo rritet me shumicë duke u kacavjerur në të gjitha pemët shumëvjeçare të Parkut. Impulsi poetik i marrë nga gjethet në formë zemre e shtyu poetin ta quante “lulezemra” kur e pa për herë të parë gjatë vizitës të organizuar nga shoqata jonë në Butrint (prill 2011) dhe të shkruajë këtë poezi, por sipas natyrës së tij ai nuk e poetizoi duke e soditur, por e bëri pjesë të vetës së tij këtë bimë kur shkruan: Ti mbin/vetëm te dheu i rrënjëve të mia /te ky Dhe i trupit tim”, pjesë të jetës së tij: “Jeshilja ime e përhershme/qepesh trupit tim deri në majë/ krejt me zemër” të karakterit, forcës e idealit të tij:” Vertikal do të rri/të tharë kush s'do më shoh/derisa të kam Ty”.

Poezitë e çastit janë  nga më të bukurat për nga shpirtërimi që mbartin vargjet, metafora që ndrin si vesa mbi to e finesa e pwrzgjedhjes dhe estetika e renditjes së fjalëve në vargje, si te kjo buqetë poetike  e Sabit Rrustemit dhuruar qytetit tim, për të cilën, veçse duke i shprehur mirënjohjen mund ta mbyll këtë shkrim.

Sarandë, prill 2023



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora