Kulturë
Gjokë Dabaj: Të lexosh një libër 300 faqesh me titull “Arbni”…
E diele, 07.05.2023, 01:54 PM
Të lexosh një libër 300 faqesh me titull “Arbni”…
Nga
Gjokë Dabaj
Të lexosh një libër 300 faqesh
me titull “Arbni” dhe të mos sqarohesh, të mos e mësosh dot, nga vjen emri Arbën
(apo Arbër), është në radhë të parë zhgënjyese. Shkencërisht zhgënjyese
dhe moralisht, si shqiptar, më se zhgënjyese. E kam fjalën për librin e Aurel
Plasarit “Arbni historik, gjeografik, kishtar dhe politik”, botim i Akademisë
së Studimeve Albanologjike. (Me shënimin: Botimi i dytë, por për vitin 2020, që
është vënë aty, s’është e qartë, a i takon botimit të parë apo të dytit.)
Bibliografia e cituar apo e
përmendur në këtë libër ka zënë 32 faqe. Nga faqja 243 deri në faqen 275, janë
renditur katër nënndarje: Burime dokumentare, faqe 243-248. Burime tregimtare,
faqe 249-254. Vepra monografike, faqe 254-266. Studime e artikuj, faqe 266-275.
Në faqe 5 ka një sqarim me titull: “Autori për ata që do ta lexojnë”. Aty
thuhet midis tjerash: “Termat shqip Arbën dhe Arbër, ashtu si
Arbënia dhe Arbëria, Arbënesh dhe Arbëresh, Arbënor dhe Arbëror etj, duke
qenë të ndërkëmbyeshëm, do të jenë këtu terma konvencionalë, të trashëguar nga
një traditë vendëse e informimit.” (Gj. D: Sikur pikërisht kjo ka rëndësi të
madhe!) “Duke abstraguar nga problematika e tyre ngushtësisht gjuhësore, me ta
janë përkthyer trajtat, gjithashtu luhatëse, të termave që ndeshen në burimet
origjinale dokumentare dhe tregimtare, prej shek. V para erës sonë deri në
shek. XVI, në greqishte të vjetër dhe greqishte bizantine, në latinishte, në
venedishte, rrallë në sllavonishte të vjetër kishtare.” (Gj. D: Autori
sllavishten e vjetër e quan sllavonishte, që është krejt gabim.)
Ç’është ky sqarim?! Ke bërë
një libër 300-faqesh me titull “Arbni” dhe nuk ia bën të qartë lexuesit
ç’do me thënë Arbën dhe merresh me përdorimet dialektorë! I quan terma
konvecionalë një varg formash të këtij emri dhe kërkon të abstragosh
“problematikat ngushtësisht gjuhësore” dhe me kaq mendon se ia ke mbushur
mendjen lexuesit për ta lexuar këtë libër!? Përse i ke hyrë kësaj pune, i
nderuari studiues?!
…Të mos ish një problem shumë
i rëndësishëm, problemi i emrit që kombi ynë e ka mbajtur për disa shekuj, nuk
do t’ia vlente të merreshim me të tillë autorë, të cilët, duke u fshehur nën
maskën e akribisë së shkencëtarit, s’janë gjë tjetër, veçse frikacakë dhe
sharlatanë. Ndërkaq, shpjegimi i emrit Arbën (Arbër) është aq i
thjeshtë, sa njeriu çuditet:
Si ka mundësi, një autor i një
libri 300-faqesh me titull Arbni, mbështetur, 32 faqe, me emra autorësh
të tjerë që janë marrë pak a shumë po me këtë problem, si ka mundësi
përfundimisht të mos dijë ky autor nga vjen emri Arbën?! A kemi të bëjmë
me njerëz frikacakë, apo me tufa snobësh? Apo të dyja së bashku, snobë edhe
frikacakë, që përfundojnë në sharlatanë thjeshtë dërdëllitës?! Përse lodhen
këta njerëz?! A lodhen për të nxjerrë diçka në dritë, apo lodhen thjeshtë për
një emër e për para?!
Historikisht, krahas
epirotëvet, taulantëvet, pirustëvet, labeatëvet (më vonë prebalitanë),
enkelejvet etj., dihet që në këto hapësira kanë jetuar edhe Parthinët.
Për historianët do të ishte deri diku e kuptueshme që të mos i dinë, as
shpjegimin e emrit Parthin, as lidhjen e tij me format e mëvonshme Arbën,
Alban etj. Por, për gjuhëtarët, sidomos për gjuhëtarët shqiptarë, është e
pajustifikueshme që t’i anashkalojnë shpjegime të këtillë. Emërtimi Parthin,
i shënuar ashtu prej autorësh të huaj, për vendësit ilirë, fare thjeshtë mund
të thuhet se ka qenë Bardhin. Por, ç’ishin këta Bardhinët që jetonin
këtu midis taulantëvet, labeatëvet, pirustëvet, enkelejvet, epirotëvet?! Ishin
popull që jetonte ndër male me shkëmbinj të bardhë, ndër male me
shkëmbinj gëlqerorë. Të tillë male shtrihen nga rripi midis Liqenit,
dikur Labeat e sot i Shkodrës, dhe detit, deri në Dajt e Martanesh. Si edhe në
hapësirat nga Vlora deri në Vjosë e rreth Vjosës.
Nuk duhet harruar që një
emërtim i këtillë mund t’u jetë vënë këtyre maleve edhe për shkak se, po në
këto hapësira kish shumë male me ngjyra të tjera, të kuqërreme apo të murrme.
Me kalimin e kohës, kur në
këto anë erdhën jo një, por disa popuj të huaj, qoftë me influencën e tyre
gjuhësore, qoftë edhe fizikisht, ky emër i Bardhinëvet iu nënshtrua
ndryshimevet. Ta marrë dreqi! Një studiues duhet t’i shohë këto dukuri!
Ndryshimi i parë duket se ka qenë një përkthim i thjeshtë nga i Bardhë në
Alb. Sepse dihet që në latinisht Alb do të thotë i bardhë:
Krahaso latinisht Albus, i bardhë, Albeo, Album etj. (Nuk po
hyjmë tani për të kërkuar prejardhjen e këtyre fjalëve në latinisht.) Në këtë
mënyrë, ka ardhur një kohë kur Bardhinët janë quajtur edhe Albanë.
Por në shekullin VIII, në gjuhën arbërishte, gjuhë që ish një pjesë e
ilirishtes, mbetur ende pa u tjetërsuar, filloi të ndikojë shumë ligji fonetik
i Metatezës, shkaktuar sidomos prej pranisë së të folmevet sllave.
Kështu, forma Bardhin (Bardhënë), me rënien e dh-së dhe me Metatezë,
dha formën ARBËNË, në Jug edhe me rotacizëm ARBËRË. Nuk ndodhi si te forma
latine ALB, por u ruajt R-ja. Ndër sllavët, Arbënit u quajtën në shumës Arbanasi,
në njëjës Arbanas, ku -as është prapashtesë.
Në greqisht forma Arbën u
shqiptua Arvan, më tej Arvanos, Arvanit. Në turqisht, më vonë,
forma Arbën pësoi të tjerë ndryshime dhe u shqiptua Arnaut, me sa
duket, nga forma greqishte Arvanit. Por edhe këtu me një tjetër Metatezë.
E gjithë kjo, është një “aventurë” e emrit Bardhin të kohës ilire. Për
një njohës të gjuhës shqipe dhe të fonetikës historike të shqipes, por edhe të
gjuhëvet të tjera, nuk ka asnjë vështirësi për të kuptuar dhe shpjeguar të
gjitha këto forma. E vetmja vështirësi që na del në këto rrethana, është për të
kuptuar, si vazhdojnë të rrahin ujë në havan gjithë këta shkencëtarë, pa u
ndalur pikërisht këtu: Te lidhjet midis ngjarjevet në histori dhe ndikimit të
tyre midis tjerash edhe në gjuhën e arbërvet, që, më vonë, sërish prej shkaqesh
të shpjegueshëm, u quajt gjuhë Shqipe.
Dalim pak jashtë qerthullit ku
e ka mbyllur veten studiuesi ynë Aurel Plasari. Emrat e të quajturvet “fise” të
Ilirisë, në shumë raste janë të shpjegueshëm edhe me gjuhën e sotme shqipe.
Emri Taulantë duket se ka kuptimin të ulënitë, popull që jeton në
një ultësirë, në një territor të ulët. Pra, në një trevë kryesisht
fushore. A s’është kështu?! A nuk jetojnë Taulantët pikërisht në vende
të ulët?! Emri Epir duket se lidhet me mbiemrin i Epërmë,
rrënjë që në shqipen e sotme gjendet te fjalët Epërsi, Epror, Sipër etj.
(Madje edhe te latinishtja Super.)
Kështu Epirotët duhen
kuptuar si një popullsi që jetonte në një terren malor. Emërtim krejt i
kuptueshëm, sidomos kur të krahasonhet me emrin Taulantë. Enkelejtë
janë banorë që jetojnë në anë të liqenevet. Rrënja kel ka dalë
nga metateza e emrit lak. Krahaso latinisht lacus, liqen, pellg,
rezervuar uji. Gjuhëtarët e lidhin edhe me Lekani. Në shqip kemi edhe
foljen me lagë. Sado që e gjithë kjo dukuri gjuhësore e ndërgjuhësore
mbetet për t’u studiuar e sqaruar, prejardhja e emrit Enkelej është e
qartë: Popullsi që jeton në anë të liqenevet dhe kjo vërtetohet nga emri
i të paktën tre foracioneve të Ilirisë, që jetonin në trevat e Shkodrës, të
Ohrit dhe të Janinës. Pra, kudo ku ka Liqene, ka Enkelej.
Emri i Pirustëvet vjen
prej emrit antik të zjarrit: Pir. Në shqip ka një thënie: I shkon për Piri.
Ndër fjalorë etimologjikë kjo fjalë është shpjeguar gabim. Kuptimi i vërtetë
është: E ka për fis, ia heq zjarri, vatra familjare. Edhe në greqisht emri Pir
ka kuptimin zjarr. Por e gjithë kjo mbetet për t’u ritrajtuar etimologjikisht. Pirustët
që jetonin në Iliri në trevat në veri të Bardhinëvet, merreshin me
shkrirjen e mineralevet në zjarr dhe me prodhimin e metalevet. A mund ta kenë
marrë këtë emër nga grekët, kur dihet që ilirët jetonin këtu shumë kohë para
ardhjes së grekëvet? Më në veriperendim të Bardhinëvet dhe Enkelejvet,
të themi “të Shkodrës”, jetonte formacioni ilir i Adrianëvet. Emri Dri
sërish është shpjeguar me greqishten Idhor, ujë. Por në krejt hapësirat
e Ilirisë ka një shumicë emrash me këtë rrënjë fjalësh: Adrianët janë
një popull i Ilirisë që jeton në një hapësirë të paujë për shkak të
truallit gëlqeror, të cilit përgjithësht i mungojnë ujërat sipërfaqësorë. Prej
emrit të këtij formacioni të Ilirisë ka marrë emrin edhe Deti Adriatik,
që do me thënë Deti i Adrianëvet, pasi ata, bashkë me ligurnët, e kanë
zotëruar atë det shekull pas shekulli. Me rrënjën Dri kemi edhe emrin e Zarës
së sotme në Kroaci, edhe emrin e Balldrenit këtu në Shqipëri. Veç
këtyre, një varg emrash të lumenjvet: Lumi Drina në Bosnjë, lumi Drino
që rrjedh pranë Gjirokastrës, si dhe Drini i Zi e Drini i Bardhë,
këtu në Shqipëri. (Tani do të çuditen albasnologët tanë tekahutë, pse po them “Drini
i Bardhë këtu në Shqipëri.” Gjithsesi, a është e mundur që greku t’ia ketë
“dhuruar” Ilirisë të gjithë këta emra vendesh dhe të gjithë këta emra
lumenjsh!?
Mbasi u mbyll epoka e Ilirisë,
për turp e për faqe të zezë të vetë ilirëvet, që nuk ditën ta ruajnë, sepse nuk
denjuan ta shkruajnë gjuhën e vet, erdhi Epoka e Arbërisë, falë
pikërisht formacionit ilir të Bardhinëvet, i cili, në rrethana tejet të
pafavorshme, prapëseprapë ia doli të mbijetojë. Jo vetëm ia doli të mbijetojë,
por i ra nderi të frymëzojë e të mbajë gjallë të gjithë ata ilirë që kishin
mbijetuar dhe që, në përbërjen e shtetit të madh të Bizantit, qenë faktor shumë
i rëndësishëm. Aq i rëndësishëm dhe numerikisht shumë më i madh se ç’e përfytyrojnë
pseudodijetarët tanë somnambulë, saqë grekët, në vend që të vëllazëroshin me
ta, u trembën dhe zgjodhën luftën e pandërprerë, të fshehtë edhe të hapët, deri
në synimin për të na asgjësuar.
Vetë emri i Bizantit
shpjegohet me gjuhën iliro-arbro-shipe. Sa kohë që historiografia dhe
përgjithësisht filologjia jonë nuk do të merren mençurisht pikërisht me këta
probleme të së kaluarës sonë, kjo historiografi dhe kjo filologji s’do të jenë
tjetër, veçse shkenca të gjymta, dhembshurisht uloke. Në Mesjetë, emrin e
Taulantisë e zëvendësoi emri Myzeqe, nga familja feudale e Muzakajvet,
emri i Metohisë, emërtuar ashtu prej pushtuesvet sllavë të Nemanjiqvet, tentoi
të zëvendësohet me emrin Rrafshi i Dukagjinit, ndërsa emrit të Tokës së
Konstandinit, sllavët i shtuan një prapashtesë -ovo dhe e quajtë Kosovo.
Këtu hapet një kapitull tjetër, prandaj po e ndërpres këtë reagim timin, me
keqardhjen që aty-këtu u detyrova të përdor edhe fjalë të rënda. Gjithsesi,
kërkoj ndjesë për fjalët e rënda. 90
28 prill 2023.