Kulturë
Ramiz Selimi: Piktori Gazmend Freitag po shfaq suksese të jashtëzakonshme
E shtune, 06.05.2023, 07:55 PM
Piktori Gazmend Freitag po shfaq suksese të jashtëzakonshme
Nga
Ramiz Selimi
Këto ditë pata rastin ta vizitoj në atelienë e tij
piktorin i mirënjohur nga Linzi Gazmend Freitag. Aty pash piktura të shumta që
autori i kishte punuar në mënyrë të përkryer. Kishte portrete me personalitete
të ndryshme, piktura me motive nga traditat, peizazhe dhe plotë kompozime
tjera. Të gjitha punimet kishin një konceptim të veçantë që përcjellin tek
vizitori një copëz historie nga jeta e përditshme e artistit. Pash një
koleksion të veprave të punuar me vaj që kishin marr frymë nga peizazhet e
bukura. Veç kësaj ato ishin inspirim për tematikën e veprave që shprehnin një
shumëllojshmëri temash dhe emocionesh.
Vet z. Gazmend tregoi se ishte i kënaqur me rrjedhën e
karrierës së tij krijuese, megjithatë u shpreh se,”Të merresh me art sot nuk
është aspak e lehte sepse jo vetëm që kërkon kohë dhe investim në punime, por
kërkon investim në reklamë dhe promovim të vazhdueshëm. Ti duhet të jesh
gjithmonë aktual me organizimin e ekspozitave të shumta, sepse në të kundërtën
harrohesh shumë shpejtë.”
Prandaj, Gazmendi jo vetëm që mbante brushën në dorë, por
ishte shumë aktiv edhe në afirmimin e tij përmes publiciteti. Tregoi se këtë
muaj dhe në qershor ka organizuar dy ekspozita, të fundit e kishte në
“Botanische Garten” në Linz dhe
të radhës me 18.06.2023 në Salzburg. Shqiptarët
nga Salzburgu e kanë rastin e mirë ti shohin punimet e artistit pasi ekspozita
është e hapur për publikun.
Ekspozitat e shumta i japin mundësi publikut të shohin
nga afër dhe t’i kuptojnë në thelb krijimin e qindra veprave që shprehin
emocionet dhe ndjenjat e piktorit, por edhe të botës që e rrethon. Kur njeriu i
vështron me kujdes punimet të shkon mendja se veprat e tij janë më shumë se
vetëm diçka që duhet të shohësh, pasi koleksioni nga vizitorët gjithnjë e më
tepër ndjehet.
Gazmendi kujtonte vitet e vështira kur si student i
juridikut ishte detyruar të emigronte në perëndim. Dhe, pas disa viteve qëndrim
në Gjermani e kishte zbuluar talentin e tij të vjetër prej piktori. Ndihet i
lumtur pasi tani është etabluar në pjesën e sipërme të piktorëve dhe vlerësohet
si njëri nga artistët më të mirë në Austri. Duke pasur parasysh suksesin e
ekspozitave Gazmendi po punon në projekte të reja. Ai po planifikon të krijoj
vepra tjera unike dhe të veçanta.
Kishte marrë shpërblime dhe vlerësime nga organizata dhe
institucione të ndryshme që kanë peshë, si në Linz, Vjenë, Verona Itali,
Londër,... Por, mirënjohja që mori nga “Lidhja e krijuesve shqiptarë në mërgatë
“ me 30.04.2023 në evenimentin “Pranvera Vjeneze, tha se ishte njëra nga
vlerësimet më të çmueshme që kishte marr ndonjëherë, sepse kjo i vinte nga
njerëzit e gjakut tij.